Thursday, August 5, 2010

Kundër pushtetit të pakontrolluar

Në konfliktin e tij me opozitën për çështjen e hapjes së kutive, që u ndërkombëtarizua jo pak, Sali Berisha u mbështet fort në argumentin se ai nuk mund të shkelte vendime të marra nga institucione që nuk vareshin prej tij, se opozita, pra, nuk kishte punë me të, por me gjykatën. Kundërargumenti i pozitës ishte se ajo kishte zgjedhur bojkotin e Parlamentit dhe pastaj grevën e urisë, dmth. rrugën jashtë institucionale, pasi institucionet për të cilët bënte fjalë Kryeministri ishin të kontrolluara nga maxhoranca.
Mund të thuhet se Berisha doli më shumë i fituar sesa i humbur nga zgjidhja në Bruksel e aktit më dramatik të këtij konflikti ende të hapur, pasi një pjesë e mirë e opinionit të brendshëm dhe mbi të gjitha opinioni i ndërkombëtarëve ishte që opozita duhej të ndalte grevën e urisë e t’i kthehej rrugëve institucionale për përmirësimin e punëve. Është e qartë se gjërat nuk do të zhvilloheshin kështu sikur shumica brenda dhe ndërkombëtarët jashtë të mos mendonin se disa institucione kishin njëfarë kredibiliteti. E ndër këta institucione kryesorët, përveç Parlamentit që mund të krijonte një mundësi jo të keqe për luftën institucionale të opozitës për shkak të ekuilibrit në numrin e deputetëve, ishin edhe Presidenti edhe Gjykata e lartë, bashkë me atë Kushtetuese.
Berisha, mjaft të kishte parasysh argumentet që përdori vetë për gjykatat, për të bërë kujdes që të mos jepte përshtypjen se akuza e opozitës se ai kontrollon institucionet që shërbejnë si arbitër nuk janë në duart e tij. Mirëpo nuk po ndodh kështu, përkundrazi, pas “fitores” së Brukselit ne po asistojmë në prirjen në rritje të Berishës për të kontrolluar institucionet e pavarura prej tij.
Po t’i marrim veç e veç betejat që ka hapur Berisha në këtë drejtim, të tilla si ajo për të hedhur poshtë kandidaturat e Presidentit për Gjykatën e Lartë, për të reformuar SHISH-in duke zëvendësuar kryetarin aktual të tij, për të zgjedhur kryetarin e Kushtetueses, për të akuzuar Presidentin për shkelje të Kushtetutës pse nuk po e zgjedh këtë, mund të gjesh argumente ligjore që i justifikojnë këta aksione. Por, po t’i bashkosh të gjitha dhe po të kesh parasysh se përdorimi i ligjit në mënyrë selektive ka qenë arma kryesore e Berishës për të luftuar kundërshtarët apo nënshtruar zërat kundër, do të konstatosh se akuzat se Presidenti ka shkelur Kushtetutën nuk mund të merren të veçuara nga sulmet mbi kryetarin e SHISH, nga mospranimi i kandidaturave të disa gjyqtarëve me preteksin se janë të implikuat me gjyqet e komunizmit apo se janë ngritur në karrierë nga socialistët e të vish në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me një respekt të ligjit, por me një prirje në rritje për kontrollin e këtyre institucioneve.
Pyetja që lind natyrshëm është: cilët institucione, që normalisht duhet të jenë garant të drejtësisë apo të balancës së pushteteve, kanë mbetur pa u kontrolluar apo pa u kërcënuar seriozisht nga Berisha? Vështirë të gjesh një që të mos jetë ose plotësisht në shërbim ose i nënshtruar ose i kërcënuar. Ka mbetur vetëm sulmi mbi opozitën dhe mbi disa media të lidhura me të për të përfunduar një fazë e re e instalimit të një regjimi që ndërtohet mbi kontrollin e institucioneve nëpërmjet diktatit të votës së thjeshtë të maxhorancës, si dhe nëpërmjet ushtrimit selektiv të ligjit në një vend ku implikimet për informalitet dhe korrupsion apo për të kaluarën komuniste e bëjnë thuajse çdo individ të shantazhueshëm.
Berisha, paradoksalisht, ndonëse ka tërë këtë kontroll, ndjehet shumë më i rrezikuar se disa vjet më parë dhe, në rreth vicioz, ky rrezikim e çon në prirjen për të kontrolluar gjithnjë e më shumë institucionet e pavarura, aq sa po rritet numri i njerëve që po u vjen era ‘96-‘[97? Cilat janë shkaqet që po e shtyjnë Berishën të shkojë dëshpërimisht drejt këtij skenari? Gjykoj se tre janë ata më kryesorët: së pari është korruptimi që i bën pushteti njeriut që nuk ka instrumentet psikologjike e kulturore për të kontrolluar prirjen e tij për pushtet të pakontrolluar. “Nëse e do një gjë shumë vrite përpara se të të vrasë” thotë Oscar Wilde dhe më duket se më tepër se gjithshkaje kjo thënie i shkon njeriut që vuan shumë nga dashuria për pushtet. Së dyti, është nevoja për ta ruajtur pushtetin kur je përpara një krize, një dështimi. Sipas mendimit tim shenja më e mirë për të provuar nëse një qeverisje ka pasur sukses apo ka dështuar, ka qeverisur me ndershmëri apo me korrupsion është të shohësh reagimin e saj ndaj institucioneve të pavarura e mediave të tilla. Sa më i sukseshëm të jetë një pushtetar, aq më i gjerë bëhet, sepse ia ka rritur autoritetin puna e mirë, sa më i dështuar aq më e fortë prirja për ta marrë autoritetin me dhunë. Së treti, kjo prirje për akumulim pushteti vjen edhe nga kriza e një sistemi ekonomik të gabur që kemi ndërtuar në këta njëzet vjet. Në këtë kontekst nevojën për kontroll të pushtetit nuk duhet ta shohim vetëm si punë e Berishës, por si reagimin e tërë atij grupimi interesash që ai përfaqëson që sot synon të “mjelë” një lopë që është duke i mbaruar qumështi. Mjaft të kesh parasysh për këtë një sërë ligjesh e vendimesh që synojnë të vjelin para nga qytetarët në mënyrën më arrogante, duke filluar që nga katërfishimi absurd i gjobave për trafikun rrugor.
Në këto kushte mendoj se është e domosdoshme një politikë rezistence që për fat të keq nuk po bëhet si duhet. E them këtë pasi kjo situatë flet për krizën e një sistemi politik e juridik e shoqëror që nuk e kemi ndërtuar siç duhet për të siguruar masa mbrojtëse ndaj tre rreziqeve që përmenda më sipër: prirjeve gjithnjë e më autoritare të individëve në pushtet, qeverisjeve të dështuara dhe ekonomive të drejtuara keq. Pretendimi i opozitës se i vetmi mjet mbrojtës është vota e lirë nuk qendron. Demokracia nuk sigurohet nga vota e lirë një herë në katër vjet, por nga funksionimi i shtetit ligjor ditë përditë gjatë katër vjetëve që ndajnë një palë zgjedhje nga të tjerat. Po ashtu opozita gabohet duke e paraqitur si të keqen e vetme Berishën autoritar, apo korrupsionin e qeveritarëve. Ndaj këtyre akuzave, që i ka përdorur vetë para pesë vjetësh, Berisha e ka më lehtë se çdo gjë të mbrohet duke thënë se po kaq autoritar ose më keq është edhe lideri i opozitës, Rama dhe po kaq keqqeverisës e të korruptuar kanë qenë e janë edhe socialistët. (Për këtë mjaft të kesh parasysh reagimet e ministrit Prifti ndaj Ramës).
Rezistenca ndaj thellimit të instalimit të regjimit, sipas mendimit tim, duhet të synojë të godasë më thellë dhe reformojë, po ashtu, më thellë. Ajo duhet të synojë reformimin apo riformulimin e tërë atij kuadri ligjor e kushtetues që na mbron institucionalisht nga rreziqet e provuara përtej voluntarizmit të individëve. Shpejt e shpejt, modestisht, pa qenë ekspert, do të sugjeroja disa gjëra: Duhet ndryshuar ligji elektoral që të na mbrojë nga partitokracia e dy partive të mëdha. Duhet rritur mundësia e zgjedhjes së një presidenti që të jetë garant për këtë ndoshta duke u rikthyer tek presidenti i zgjedhur me 3/5 apo tek një president si në Poloni që zgjidhet nga populli dhe që, ndonëse nuk ka fuqi ekzekutive, ka një autoritet dhe kompetenca të mjaftueshme për të kundërballncuar abuzimet e kryeministrave të partive në pushtet. Duhen propozuar ligje që kufizojnë mundësinë e kryetarëve të partive për të qenë kryeministra apo kryetarë bashkish me numër mandatesh të pakufizuar. Duhen ndryshuar ligjet që dobësuan pavarësinë e Prokurorisë. Duhen forcuar e evidentuar ato ligje që dënojnë përdorimin selektiv të ligjit: me fjalë të tjera kur një pushtetar përdor ligjin ndaj një kundërshtari dhe jo ndaj një klienti të tij kjo duhet quajtur krim i rëndë që shkel parimin kushtetues të trajtimit barazisë së qytetarëve përpara ligjit. Duhen riparë dhe forcuar ligjet që garantojnë paanësinë e mediave. Duhen forcuar ligje që garantojnë tregun e lirë kundër monopoleve. Duhen forcuar ligje që garantojnë mosprekjen e administratës.
Dikush do të thotë se ligjet ekzistojnë por nuk zbatohen. Ashtu është, por edhe nuk është ashtu sepse, siç e dimë, shumë ligje janë bërë e po bëhen për të arritur të kundërtën duke filluar që nga ai elektoral deri tek ai mbi zgjedhjen e Presidentit. Po ashtu, ndryshe përjetohet një ligj që merret e kopjohet nga Perëndimi duke mbetur në letër dhe ndryshe ai ligj që lind nga përvoja dhe nevoja e jetës. Ky i dyti ka shumë më tepër mundësi të respektohet e të implementohet: të bëhet pra nga ligj i letrës në ligj të jetës.
Gjykoj se nëse ne do të kishim një opozitë që mendon vërtet për më shumë demokraci do të duhet të vepronte në këtë nivel, por për fat të keq ne nuk e kemi këtë. Ne kemi një opozitë që thjesht pret t’i bjerë pushteti i Berishës në dorë për shkak të krizës, si frutat që bijen nga pema, pa pyetur se do t’i bjerë në dorë një pushtet i kalbur. Madje shumë prej “shumëkëmbëshave” të saj, me në krye kryetarin, pikërisht një pushtet i kalbur u intereson, mjaft të mbretërojnë e vegjetojnë mbi të. Por situata më duket aq serioze sa edhe kjo opozitë, ndoshta po aq sa maxhoranca, duhet shtrënguar të veprojë përtej këtyre synimeve. Paradoksalisht, mu kjo lloj opozite është alibia më e mirë për të përligjur veprimet e maxhorancës për kapjen e institucioneve pasi i quan ata, dhe jo pa bazë, të kapur prej saj. Kurse mbrojtja e insitucioneve që garantojnë më shumë liri dhe demokraci është një çështje e të gjithë atyre që nuk duan të jetojnë në një vend ku liria dhe demokracia vijnë duke u zaptuar gjithnjë e më shumë nga pushteti i pakontrolluar i të fortëve. (Panorama, 2 Gusht 2010)

1 comment:

miri said...

Ska nevoje per koment se Lubonja e ka shprehur shume qarte se ne çfare realiteti gjendemi po ishalla ta lexojne dhe ta kuptojne njerzit e shumte ose shumica.