Thursday, January 6, 2011

Emigracioni-Zhvillim apo varfërim*

Këtë vit Parlamenti Evropian aprovoi, më në fund, heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Në Tiranë kjo u festua në mënyrë të veçantë. U hodhën fishekzjarre dhe u mbajtën fjalime të zjarrta politike. Kolonat e fasadës së Pallatit të Kulturës, në Sheshin Skënderbej, u  mbushën me flamuj të mëdhenj (të gjithë jo rastësisht në ngjyrën blu të partisë në pushtet) ku, në atë të qendrës, shkruhej: “Pa viza në Evropë” kurse nëpër të tjerët shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të Evropës krahas kohës së fluturimit përdrejt tyre, duke transmetuar kështu idenë se tashmë, brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tre orësh, shqiptarët do të mund të gjendeshin në Paris, Berlin, Romë, Athinë, Vjenë, Madrid, Zyrih e me radhë. Në semaforët e rrugëve të kryeqytetit u vendosën disa tabela ku shkruhej: “Evropë” e ku rrumbullakja e semaforit ku del drita jeshile koincidon me germën “o” të fjalës “Evropë”. Kryeministri Berisha shkoi posaçërisht në Krujë për ta quajtur këtë ngjarje si “më të rëndësishmen në historinë e shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut.”
Ndërkaq në shtypin perëndimor heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen ose nuk u përmend fare ose u përkthye nëpër artikujt e gazetave si një shqetësim jo i vogël. Shumë shpejt u bë e qartë se qeverisë shqiptare i janë kërkuar nga qeveritë evropiane garancira të forta se qytetarët e këtij vendi nuk do të veprojnë si maqedonasit kur u hoqën vizat. Duket se edhe për shkak të këtij presioni nga jashtë televizionet në vend përsërisin pareshtur njoftime të paguara nga qeveria ku shqiptarëve u thuhet se kush do të shkelë rregullin, dmth. do të qëndrojë përtej afatit apo do të kërkojë punë në Perëndim, do të penalizohet. Po ashtu Ministri i Brendshëm ndërmorri një fushatë informimi nga e cila doli se kërkesat për daljen në Evropë pa viza për qytetarët shqiptarë do të jenë shumë të rrepta: duhet paraqitur një biletë vajtje ardhje, duhet të vërtetohet pasja e një shume të mjaftueshme të hollash  që të provojë se udhëtari i ka mjetet financiare, duhet të tregohet vendi se ku do të qëndrohet, e me radhë – gjëra që nuk i kërkohen një qytetari perëndimor.

Kësisoj, ajo që bije në sy është një lloj skizofrenie shqiptare lidhur me këtë ngjarje: më një anë kemi propagandimin e heqjes së vizave si provë e realizimin të ëndrrës evropiane të shqiptarëve dhe, më anë tjetër,  për shqiptarët dalja në Evropë vazhdon të ketë kuptimin e daljes në një botë tjetër. Me fjalë të tjera ky festim i ekzagjeruar ka, si anë tjetër të medaljes, gjendjen e një realiteti në Shqipëri që e trajton heqjen e vizave jo si një sukses brenda vendit, por si një mundësi emigrimi. Madje ka komentatorë që propagandën festive të organizuar nga qeveria me flamujt e kudondodhur e tabelat tek semaforët që tregojnë dritën jeshile për në Evropë i interpretojnë edhe si nxitje indirekte që shqiptarët të marrin rrugët në mënyrë që ky emigrim i ri të shërbejë si valvol shkarkimi e tensioneve në rritje që po shkakton kriza ekonomike e politike ashtu siç ka shërbyer edhe në vitet 90-91 për qeverinë e fundit komuniste e siç ka shërbyer edhe në kriza të tjera pas këtyre viteve. 

Në kohën e këtij debati të hapur mbi atë se çdo të thotë kjo heqje e vizave po botojmë këtë numër të Përpjekjes kushtuar migrimit të shqiptarëve gjatë këtyre njëzet vjetëve. Mendojmë se ky do të jetë jo vetëm një dokument për historinë e migrimit shqiptar në 20 vjetët e fundit, por, duke sjellë analizën e kësaj përvoje njëzetvjeçare, do të shërbejë edhe si kontribut në këtë debat e, po ashtu, si mundësi reflektimi për atë se ku janë realisht shqiptarët, brenda dhe jashtë kufirit, në raport me ëndrrën e tyre të vitit 1990.

Siç del qartë nga punimet e autorëve të këtij numri periudha komuniste 1944-1990 ishte një ndërprerje ”e shkurtër” në historinë e migrimin të shqiptarëve, çka flet për faktin se ata kanë pasur gjithherë një jetë të vështirë në vendin e tyre. Ajo që ndodhi pas vitit 1990 ishte një moment kulminant në këtë histori. Duket se izolimi funksionoi si një “digë” brenda të cilës u akumulua potencial i madh emigrimi, e cila pastaj shpërtheu duke i dhënë emigracionit shqiptar trajtat e një përmbytjeje  dramatike me karakteristika që e bëjnë të dallohet nga emigracioni në vende të tjera të botës. Në këtë kontekst emigrimi si sëmundje kronike e shqiptarëve dhe veçanërisht dramaciteti i migrimit pas viteve 90 ngre një çështje të rëndësishme për shqiptarët, që  Russell King e artikulon kështu në shkrimin e tij: “ A nxit migrimi – nëpërmjet mekanizmave të tij dobiprurës të supozuar nga ekonomistët, siç janë ulja e papunësisë, ngritja e nivelit të pagave, prurja e dërgesave, kthimi i migrantëve i orientuar drejt investimeve – zhvillimin në vendin e origjinës së migrantëve? Apo mos duhet që marrëdhënia të ri-frazohet ndryshe: për shembull, që është zhvillimi i dobët ai që shkakton migrimin; ose që migrimi i tepërt nuk sjell aq shumë zhvillimin e vendit të origjinës sesa varfërimin e mëtejshmëm të tij për shkak të rrjedhjes së tepërt (ikjes jashtë) të kapitalit njerëzor?”

Për trajtimin e kësaj çështjeje e shumë të tjerave që lidhen me emigrimin e këtyre njëzet vjetëve Përpjekja sjell kontributin e një numri specialistësh nga më të njohurit ndërkombëtarë si dhe disa nga firmat e njohura shqiptare që kanë trajtuar këtë temë, edhe ata vetë emigrantë. Realizimi i tij u bë i mundur në sajë të përkushtimit të Eda Derhemit, që punoi për Përpjekjen si “guest editor”. Është ajo që, prej SHBA ku jeton, ka grumbulluar shumicën e materialeve, ka mbajtur kontaktet me autorët dhe përkthyesit, e ka paraqitur materialet. Kjo është një përvojë e re e Përpjekjes, jo pa lidhje me dramën e emigracionit. Sepse ky numër, i përgatitur thuajse i gjithi me kontribut nga jashtë, më një anë është provë e faktit se emigrantët shqiptarë gjithsesi mbeten të lidhur me vendin e tyre, se ata janë një burim i vyer për vendin, por, më anë tjetër, është edhe një dëshmi se ikja e trurit, si “varfërim i mëtejshmëm” i vendit,  po ia bën gjithnjë e më të vështirë, në këtë Shqipërinë e çoroditur nga kultura sipërfaqësore e konsumizmit, që i vjen aq për shtat elitës së korruptuar në pushtet, studimeve serioze brenda vendit si dhe botimeve të karakterit të Përpjekjes. (Panorama 6 janar 2011)



* Editoriali i Perpjekja 26 -27 (pranverë – vjeshtë 2010), që sapo është botuar, me temë emigracionin shqiptar gjatë këtyre 20 vjetëve.

9 comments:

Toni Milaqi said...
This comment has been removed by the author.
Anonymous said...

http://www.osservatorioitaliano.org/read.php?id=73412
Është në italisht, por merret vesh lehtë që Lubonja është ngutur në "parashikimet" e tija rreth fluksit të ri pas liberalizimit të vizave.

Unknown said...

Nuk jam shume e qarte per shqetesimin e zotit Lubonja , me gjithe respektin dhe konsideraten qe kam per te ...
Persa i perket faktit se po largohet ''truri '' shqiptar , kjo nuk eshte se stimulohet edhe me nga liberalizimi i vizave , perkundrazi , nje liberalizim vizash nuk do te thote emigrim i perhershem . Ne nje situate tjeter , si ajo e meparshmja , njerezit largoheshin perfundimisht , pas nje perpjekje te gjate dhe me kosto shume here me te madhe ( perfshire leket per nje transport klandestin , apo edhe rreziku per tu mbytur a humbur jeten ne menyra nga me tragjiket... ).
Ndersa shkonin dhe nuk gjenin ate qe kishin aspiruar , prap se prap nuk ktheheshin dot sepse kishin investuar shume , ndersa sot mundesia per te njohur hapsira tjera eshte krijuar , dhe ne mos u ndjefsh rehat , kthehesh pa problem .
Per tu rikthyer edhe nje here tek fakti i largimit te popullsise .
Po i referohem SHBA-ve, si vendi me i fuqishem ne Bote . Vertet ka shfrytezuar miliona emigrante , por kjo eshte arsyeja e vetme e zhvillimit te saj apo ka edhe tjera . E pra sigurisht qe nuk eshte as e vetmja dhe as me e rendesishmja , tjere jane faktoret qe kane ndikuar . Shqiperia mundesite e zhvillimit i ka por lemshi eshte shume i madh per tu zgjidhur.

Anonymous said...

Doja informacion nese mundeni te pikave te shitjes se revistes Perpjekja ne Tirane.
Ju faleminderit

(anna_capellirossi@hotmail.com)

Anonymous said...

Te shkruash apo realizosh kerkime per emigracionin shqiptar nuk eshte shume e lehte.
Liberalizimi i vizave perkon me faktin qe tashme emigracioni si cikel konsiderohet i mbyllur nga shqiptaret pertej Shqiperise. Shume prej tyre jane integruar ne jeten sociale dhe kjo sidomos per femijet qe kane lindur e jetojne ne nje kulture tjeter por shume te tjere per shkak te mos integrimit dhe krizes qe po kalojne kerkojne te kthehen ne atdhe.
Eshte interesant fakti qe shqiptaret qe jetojne ne Shqiperi ende aspirojne jeten jashte. Por pervec te gjithash, ne artikull duhet te theksohet se emigracioni eshte pozitiv pasi shume njerez u perballen me kultura e stil jete te ndryshem ne shtete ku cilesia e larte e jetes qe perjetojne i ben keta njerez te ndihen keq ne vendin e tyre kur kthehen deri sa shpesh ndjehen te huaj ne vendin e vet. Shqiperia ka nevoje per keta njerez qe ne nje fare menyre tu hapin syte atyre qe rrijne e kenaqen neper mitingje politike me hir a pa hir. Duhet kerkuar me shume nga qeverisjet. Duke degjuar perralla te tilla si do te luftojme varferine ..papunesine. a etj si keto kur keto ne fund te fundit nuk jane vetem per Shqiperine por objektiva mijevjecari per gjithe vendet ne zhvillim te vjen per te qeshur ose shpesh here mendon kaq budallenj ju dukemi ne politikaneve pasi dele eshte pak te thuash. A me thote kush dhe sa vjet ju duhen qeveritareve dhe ne per te qene si vendet europiane por jo me pas thjesht vize por te kete kulture institucionesh evropiane dhe te ndihemi vertet evropian sa te mos na shkoj mendja me u largu?

Anonymous said...

Pervec diskutimit mbi varesine qe ka emigrimi i trurit me zhvillimin apo varferimin e vendit, mendoj se me e rendesishmja eshte te diskutohet dhe te sensibilizohet opinioni i mbare shqiptareve sidomos i atyre qe jetojne ne Shqiperi per revolucionin e Dijes e cila ka kohe gjate ketyre 2 dekadave qe po perjeton diskriminimin me te thelle, pavaresisht frazave te bujshme dhe te bukura te politikaneve mbi perparimet ne kete fushe. Do te doja te kontribuoja me tej ne kete fushe diskutimi, duke dhene inputet e kerkimeve te mia ne kete fushe, por nuk di se si pasi gjerat qe vetem shkruhen, qofshin edhe kerkimet dhe studimet me te vyera, nuk me duken se kane ndonje rezultat, nese nuk zbatohen nepermjet politikave perkatese.

Anonymous said...

Me falni, une studioj ne itali dhe do doja te dija nese egziston ndonje mundesi per te ma derguar edhe ketu numrin e ri te revistes perpjekja.Per cdo informazioni ju lutem te me kontaktoni ne adresen e emailit.Ju faleminderit( stafilococchi@gmail.com)

Admin said...

Te nderuar,

Revista Perpjekja nuk e ka akoma sherbimin e abonamentit dhe as ate te sherbimeve online. Per momentin Revista Perpjekja mund te gjendet dhe blihet vetem ne librarite e Tiranes.

Ju falenderojme per mirekuptimin

Anonymous said...

Vecse nje varferim per mendimin tim
nje komb me nje ndienje kombetare kaq pertoke sa jemi ne veshtire te gjesh
Ikim gjith andej per nje jete me te mire personale e e kemi lene vendin te vetem e te heshtur e pret lemosh prej dikujt tjeter merr borxhe ne cdo banke te botes per te shtruar rruget e veta do te ngrehi centrale berthamore tashme !
Nje ku grup derrash komandojne masen e ku me te miret o korruptohen e heshtin e ikin gjetiu e shiten kush per pune te rendomta kush ka fat per ate cka studiuar po ne fund te fundit ikin
Shumica e tyre tashme jane prinder e nese deri dje dergonin te holla ne vend sote kjo shifer po zvogelohet sepse ata kane jete te reja tashme diku tjeter dhe mendojne per folete e tyre aty ku jane
Pesonalish jetoj ne Itali prej disa vitesh ne Firenze
Ketu ka nje komunitet pak te organizuar nga ana intelektuale secili per hesap te vete si thuhet rendom
Varferim ketej dhe andej drejt ku po shkojme ?