Tuesday, January 11, 2011

Turizmi në CNN dhe antiturizmi ne vend


Kryeministri Berisha, gjatë këtyre ditëve të para të vitit të ri, ka ndërmarrë një fushatë paraelektorale duke trumbetuar me të madhe, kudo ku shkon, se e ka bërë Shqipërinë “lule”, aq sa CNN na e paska renditur si vendin e gjashtë më tërheqës në botë për turizmin e vitit 2011.
Pas nënqeshjes që të shkakton dëgjimi i kësaj “batute”, pyetja e parë që të vjen ndërmend është: si qëndron puna vallë, a mos jeton kryeministri në një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që jetojmë ne të tjerët, apo bash, pse ai e di shumë mirë se ku po jetojmë, mendon se njerëzit, sadokudo e hanë sapunin për djathë, veçanërisht po e quajtën “djathë” të huajt.  E prandaj le të projektojmë një reklamë djathi në CNN dhe pastaj t’ua kthejmë pasqyrën e ekranit të CNN shqiptarëve, që të verbohen, e kështu ta hanë. Personalisht besoj se jemi në këtë variantin e dytë, por ndoshta i ndihmuar ky edhe nga një vetëverbim dhe vetëizolim karakteristik për mbretërit që nuk duan ta shohin lakuriqësinë e tyre.
Një shqiptari si unë, që e ka vizituar dhe vazhdon ta vizitojë Shqipërinë, madje edhe i shoqëruar me turistë herë-herë, nuk mund të mos i vijnë menjëherë ndërmend disa pyetje për kryeministrin.
Së pari, kushdo që vjen të vizitojë një vend me qëllime turistike, do të dojë të vizitojë kryeqytetin e tij, e veçanërisht qendrën e ashtuquajtur historike të tij. E pra, a nuk e sheh kryeministri se çfarë shëmtire është qendra ahistorike e Tiranës? A nuk e sheh ai se prej afro një viti ajo është e kthyer në gërmadhë dhe do të mbetet kështu për një kohë të gjatë mesa duket? A nuk e sheh ai se ajo rruga, m’u në qendër ku u zbuluan të famshmet muret e Kalasë së Tiranës, ka nja tre vjet që është e bllokuar nga punime që s’dihet se kur do të mbarojnë? A shkon ndonjëherë ai në selinë e PD për të parë nga dritaret e saj, se ajo ish-lulishtja e bukur përballë saj është kthyer tashmë në gërmadhë? A ka shkuar ndonjëherë kryeministri të shikojë, njëqind metra djathtas selisë, sesi është katandisur shtëpia më e bukur e Tiranës, ajo e Toptanëve? (Më ka rastisur jo më larg se një vit më parë të shkoj ta vizitoj me disa turistë, që mbetën të shastisur nga barbaria e braktisjes të saj.)
Poende, a e di kryeministri se sa pak muzeume ka Tirana – për të mos thënë se s’ka asnjë – ku turistët të mund të shikojnë ato kuriozitete që ofrojnë muzeumet e tërë kryeqyteteve të botës, e të paguajnë për këto? A e di kryeministri se në guidat e Shqipërisë, Tirana përmendet thuajse vetëm për ngjyrat e pallateve të kryetarit të bashkisë, i cili, edhe ai, me një manipulim të tipit të këtij që po bën sot kryeministri me CNN, na u shit si kryetari më i mirë i botës dhe na i paraqiti ngjyrat e tij, të zhdukura tashmë, si atraksioni i madh i Tiranës.  Dhe nuk ma merr mendja se kryeministri demokrat ka ndërmend të ndërmarrë një aksion të përbashkët me kryetarin e bashkisë socialiste për t’i rilyer ato pallate, që t’i gjejnë turistët të freskët këtë vit, sepse deri në verë, të dy palët, mesa duket sheshit, kanë ndërmend ta mbajnë Tiranën si shesh beteje, aq sa në emër të kësaj beteje, nuk kanë miratuar fare as buxhetin e këtij viti.
Shkurt, unë do të vija bast se kryeqyteti ynë, nëse do të lihej në dorë të vlerësimit të gazetarëve seriozë e të papaguar, do të zinte vendin e gjashtë nga fundi, për nga varfëria e atraksionit turistik.
Por le ta lemë kryeqytetin, që modelin shkatërrimtar të kthimit të qendrës historike në qendër ahistorike abuzimi e fitimi, ua ka përçuar edhe qyteteve të tjera, si Durrësi, Korça e Shkodra dhe le të shkojmë ca më përtej: në bregdet psh., me të cilin mburremi aq shumë. A e sheh kryeministri se çfarë fëlliqësirash janë plazhi i Durrësit, Golemit e Kavajës? Çfarë u ofrojnë turistëve këta plazhe, përveç varganëve, pa fund, me pallate të shëmtuara dhe detit të mbushur me fekale?
Poende, si mund të flasë kryeministri për Shqipëri turistike, kur qyteti më i lashtë, e ndër më turistikët, siç do të duhej të ishte Shkodra, është katandisur në atë derexhe, sa përmbytet katër herë në vit? Sepse, që të jesh vendi i gjashtë më atraktiv në botë për turizmin, do të thotë që turistët të të mësyjnë jo vetëm në verë, por në çdo stinë. E që të hynë në Shkodër në stinët me shira, ata duhet të marrin me vete varka.
Le të vazhdojmë më tej: a e ka parë kryeministri Sarandën se si është katandisur? Ajo mund të jetë interesante për të parë se çfarë shkatërrimi mund të shkaktojë industria e pastrimit të drogës, e për të ikur pastaj nga sytë këmbët i lebetitur, por jo për të qëndruar atje. E për këtë mjafton të bësh një xhiro me tragetin e Korfuzit, e të kthehesh prapë në Greqi.
Poende, a e ka parë kryeministri se për të shkuar në Butrint duhet të kalosh nëpër gërmadhat e fshat-qytetit të bombarduar Ksamil, që kanë mbetur atje së bashku me shtëpitë e pabombarduara, të cilat janë edhe ato gërmadha nga pikëpamja estetike.
Po Kruja, qyteti i muzeut më të bukur etnografik në vend, i tregut të antikuarëve, i teqesë së bektashinjve dhe i muzeut nacional-komunist të Skënderbeut? A nuk e sheh kryeministri se edhe pak e qyteti ka rrezik të futet në zonën e verdhë të pabanueshme, si ajo përreth Çernobilit, sepse me fabrikat e çimentos që ka projektuar ai rrotull saj, ndotja e ajrit do të kalojë çdo normë - aq sa ka mundësi që turistët, kur t’i shohin ato fabrika nga avioni, të protestojnë të ulen në Rinas.
E, meqë ra fjala për këtë aspekt, si ka mundësi të flasë për turizëm një kryeministër, që në projektet e qeverisë së tij synon bash shkatërrimin e çdo potenciali turistik të Shqipërisë, pasi ka planifikuar e firmosur të ndërtojë objekte masakruese për çdo lloj turizmi: portin më të madh në Mesdhe të kargove në Vlorë, parkun më të madh eolik në Karaburun, një port tjetër të madh në Lezhë, prej ku të transportohet çimentoja e gjashtë fabrikave monstruoze, një termocentral me karbon në Durrës, të çimentifikojë tërë lumenjtë e Shqipërisë në funksion të ndërtimit të hidrocentraleve, që do të prodhojnë energji për botën… E jo vetëm, por, së fundi ka vendosur të na sjellë edhe plehrat e Napolit të digjen këtu - e së bashku me ta edhe Camorrën, sepse dihet se është ajo që menaxhon plehrat e Napolit.
Pastaj të çudit një gjë në retorikën e kryeministrit. Meqenëse u referohet të huajve, a ka parë e lexuar kryeministri kritikat që bëjnë të huajt për vendin e tij? A e ka parë një emision të Rojterit, ku paraqitet i gjithë bregu i Shqipërisë i mbushur me plehrat që sjellin lumenjtë? Me këtë rast po i them kryeministrit, se jo më shumë se dy muaj më parë pata rastin të takoj një italian, me profesion ekonomist, që së fundi kishte vizituar si turist Shqipërinë. Më tha se kishte vizituat më shumë se gjysmën e botës si turist, por kurrkund s’kishte parë vend më të degraduar e shkatërruar si Shqipëria, jo vetëm fizikisht, por edhe si tesut social.
Megjithatë, Shqipëria është ende e bukur, këtë duhet ta pranojmë. Dhe ka vërtet shumëçka për t’u vizituar nga turistët, ndonëse gjithnjë e më pak se vendet fqinje. Por fatkeqësisht, jo atje ku kanë vënë dorë e këmbë kryeministrat e Shqipërisë dhe shqiptarët që u kanë shërbyer e u shërbejnë atyre, por pikërisht atje ku këta nuk kanë vënë as dorë, as këmbë. Pasuria jonë turistike është peizazhi aq i larmishëm natyror, po të kesh parasysh vogëlsinë e vendit. Pasuria jonë turistike është trashëgimia e mbetur e qytetërimeve të ndryshme që kanë kaluar në këtë truall si ata greko - romane, bizantine, otomane apo edhe veriu i egër i Kanunit e kullave të ngujimit. Janë këto që përbëjnë thuajse gjithçka që sot është atraktive, e që në vend se t’i ruajmë, po i shkatërrojmë përditë këta njëzet vjet. Pasuria jonë mund të ishte edhe shumëçka që do të fliste për diktaturën dhe socrealizmin e saj në arkitekturë në monumente, deri edhe në burgje. Por për të gjitha këto, kryeministri ynë dhe elita rreth tij nuk mendon fatkeqësisht. Së fundi, po duan të shkatërrojë edhe Piramidën në kryeqytet. Ndërkaq, kryeministri na tregon me mburrje rrugët. Nuk mund të mohohet se hapja, zgjerimi dhe shtrimi i disa rrugëve e kanë bërë më të lehtë-përshkueshme Shqipërinë edhe për turistët, por ato rrugë, m’u pse nuk janë shoqëruar me një vizion zhvillimi të qëndrueshëm, afatgjatë dhe koherent, por shpesh janë përdorur thjesht e vetëm si mjete pasurimi e grabitjeje të parave të taksapaguesit nga elitat ekonomiko politike në pushtet, kanë sjellë aq shumë shkatërrime me ndërtimet e paligjshme e të shëmtuara anash tyre, e me dëmtimin ekologjik e më the të thashë, saqë janë të shumtë ata turistë, që pasi vizitojnë Shqipërinë, të thonë se pjesët më tërheqëse të saj janë pikërisht ato ku nuk kanë shkuar rrugët si psh. Vermoshi, Thethi, Dukagjini etj., e se do të ishte fatkeqësi për turizmin të shkonin rrugët atje (sikurse po rezulton me rrugën e mirështruar në jug).
Së fundi, do të thosha se që të bësh një reklamë në CNN, në mënyrë që të tërheqësh turistët, e ca të ardhura më shumë në vend, mund të jetë një punë pozitive tek e fundit, por kur pas kësaj, në vend se të punosh seriozisht që të mbash përgjegjësinë që nënkupton kjo reklamë, të bësh ditë e natë propagandë për t’u thënë Shqiptarëve se CNN paska thënë se ua ke bërë vendin e tyre lule, kjo më duket një fushatë bajate propagandistike e stërkonsumuar, që synon të bëjë të dukshme atë që s’duket, e që nuk premton asgjë tjetër përveçse përkeqësim të mëtejshëm të  gjendjes. (Panorama, 11 janar 2011)

2 comments:

Anonymous said...

Jam shume dakort me kritikat tuaja per rrenimin qe i eshte bere Tiranes (me duket sikur eshte bere lufte ne qender te Tiranes), jam dakort me kritikat tuaja ne lidhje me basterdine e plazhit te Durresit, Kavajes, nuk kam info ne lidhje me investimet ne portet e ndryshme te vendit. Por cte keqe ka tek hidrocentralet e lumenjve tane? Pse te mos shfrytezohen lumenjte, energjia e tyre teresisht e paster dhe e rikthyeshme, tek te cilat asnjehere nuk do te mungoje uji. Le te furnizojme boten, cte keqe ka? Do na mbaroje uji? Shqiperia gezon disa te mira te cilat mund tia jape nje vendi tjeter ne kembim te ca te mirave te tjerave te vendit tjeter.
Cfare do te themi per termocentralet apo centralet berthamore? Per keto te fundit do te isha e para qe do te kisha ngritur zerin, burime energjie te cilat ndosin ambjentin dhe qe po shterojne lendet e para (nafta, gazi, qymyri).

Unknown said...

Lonely Planet e ka klasifikuar Shqiperine ne vendin e pare si destinacion turistik per vitin 2011.