Thursday, February 3, 2011

Për një ndryshim të vërtetë

Në analizën e asaj se cfarë ishte ajo që ndodhi më 21 janar, vë re se nënvleftësohet një fakt i rëndësishëm. Ai se “demonstrata e dalë jashtë kontrollit”, siç e paralajmëroi opozita, apo i ashtuquajturi “grusht shteti”, sikurse e ka quajtur Berisha, synonte mbi të gjitha të tërhiqte vëmendjen e ndërkombëtarëve për krizën politike që ekziston në Shqipëri, që ata të mos tolerojnë “atë që nuk do ta toleronin në vendin e tyre”, sikurse ka thënë dhe vazhdon të thotë Edi Rama.

Dhe ja, ndërkombëtarët po vijnë me radhë, mediat e tyre shkruajnë për Shqipërinë, erdhi më në fund edhe Lajçaku. Tani po shohim të korrat që morën të dy palët pas asaj çka mbollën. Këto të korra i shpreh mirë një deklaratë e Lajçakut: “E bëra të qartë se e ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nëse udhëheqësit politikë shqiptarë do të zgjedhin të bëjnë atë që themi ne dhe ta bëjnë tani”. Nuk ka deklaratë më turpëruese për të dy palët, por edhe për evropianët do të thosha.
Le të fillojmë me shqiptarët. Personalisht kam gërdi të përdor shprehjen “na prishën imazhin”, apo “na kthyen dhjetë vjet prapa”  sikurse thonë disa, sepse ka diçka spekulative në këtë shprehje: a thua se imazhi që krijojmë duhet të mbulojë realitetin që jetojmë e jo të jetë pasqyrë e tij. Me siguri di të them se treguam se jemi ata që jemi: d.m.th. në fazën infantile të demokracisë. Mjafton të kesh parasysh anulimin e manifestimeve nga Berisha pse ia kërkuan ndërkombëtarët, thirrjet vajtuese të Ramës që ndërkombëtarët të mos e mbështesin Berishën, referimin e vazhdueshëm të mediave tona ndaj artikujve të gazetave të rëndësishme botërore si NYT apo të televizioneve, ambasadorëve amerikanë apo të BE-së, për të nxjerrë përfundimin se këtë krizë do ta zgjidhin ndërkombëtarët sepse ne nuk jemi në gjendje ta zgjidhim.
Pyetja që shtrohet, përtej kësaj krize, është nëse do të arrijnë ndonjë ditë prindërit tanë perëndimorë të na nxjerrin më në fund vetëm në rrugë pa na shoqëruar, nga frika se mos na shkel makina? Pra, a do të arrijmë të rritemi një ditë dhe si mund të kryhet kjo. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje nuk është kaq e thjeshtë. Sepse, kur flasim për rritje, kemi parasysh shoqërinë dhe politikanët si pasqyra të njëri-tjetrit, por edhe të ndarë e në konflikt me njëri-tjetrin. Me rritje të shoqërisë kemi parasysh në një anë rritjen e kulturës demokratike të saj, por edhe forcimin e institucioneve që e garantojnë këtë, çka s’ka se si të mos na çojë edhe tek politika. Ndërkaq, kur flasim për politikanët, kemi parasysh se rritja e tyre do të duhej të ishte në moshë dhe pjekurim njëherësh dhe ndërkaq pyetja mund të shtrohet: mirë që po rriten në moshë, por, duke u moshuar, po bëhen më të pjekur e më të drejtë, apo më të mbrapshtë?
Duke pasur parasysh se çfarë ka ndodhur në vitet 1991–1997, apo se çfarë ka ndodhur në 1998-n, mund të thuash se njëfarë rritjeje dhe pjekurimi politik si shoqëri e kemi mbërritur. Madje, mund të thuash se edhe politikanët e kanë fituar një farë përvoje, gjithsesi. Por ama nuk mendoj se kemi të bëjmë thjesht me një ecje drejtvizore përpara, sado të ngadaltë. As nuk mund të them se politikanët pasqyrojnë nivelin e pjekurimin e shoqërisë. Sepse shoqëria nuk është kurrë një gjë e vetme, ajo ka shumë shtresëzime. E në këtë kontekst, për mua është më e saktë të themi se politikanët që kemi në krye përfaqësojnë pjesën më regresive të shoqërisë, më të kriminalizuar dhe më të papërgjegjshme, prandaj dhe më infantile. E di se përkrahësit e të dy palëve në këtë pikë do të më thonë se s’mund të vësh simetri, e do të hyjnë në debatin se cili është më i keq, Berisha që i vrau e tani po kërkon të mbulojë vrasjen me puç institucional, apo Rama që i çoi të vriten, pasi për të marrë pushtetin i duhej inskenimi i një gjoja zemërimi të papërmbajtur popullor. Ky debat shpesh vazhdon me pyetjen se mos kanë qenë më të mirë Fatos Nano apo Ilir Meta kur i kemi pasur kryeministra. Personalisht mendoj se njeriu që paraqet më shumë rrezikshmëri sot për sot e ka emrin Sali Berisha, pasi ka më shumë pushtet se të gjithë. Fill pas tij vjen Edi Rama dhe i treti pa dyshim është Ilir Meta dhe se çdo ide që të mbështesim të keqen më të vogël për të luftuar të keqen më të madhe nuk do të na çojë larg. Sepse me këtë ide i kemi mbështetur të gjithë dhe shikoni çfarë monstrash kemi rritur: një ish-kryeministër që jeton me paret tona të vjedhura në Vjenë dhe pretendon paturpësisht të vijë të na bëhet edhe president; një aspirant për kryeministër që pasi shkatërroi kryeqytetin, s’frenohet as të fusë njerëzit në kasaphanë për të kapur Kryeministrinë; një ish-kryeministër si Ilir Meta, që mjafton të shohësh videon me Priftin për të kuptuar se kemi të bëjmë me një bos mafioz dhe, më në fund, një kryeministër si Sali Berisha që kujton se është vetë shteti dhe cilindo që i del kundëra e skualifikon si pjesëtar të një grushti shteti. Jo vetëm, po shikoni se çfarë marrëdhëniesh kanë pasur me njëri-tjetrin. Berisha e ka akuzuar Nanon dy herë si vrasës dhe tani e ka aleat. Rama dhe Meta ishin aleatët më të mëdhenj kundër Nanos, por tani ky bëhet “shofer” i Metës kundër Ramës. Meta e akuzoi Ramën se nuk u bashkua me të për të rrëzuar Berishën, përkundrazi flirtoi me të, kur ndodhi Gërdeci, por pastaj u bë aleati më i ngushtë i Berishës kundër Ramës. A mundet vallë të vazhdojmë ta lëmë fatin tonë në duar e këtyre njerëzve? Kush mendon ende se ata përfaqësojnë gjëra të ndryshme, ose është naiv e pa kujtesë, ose kështu ia do interesi i ngushtë, pasi në të vërtetë ata përfaqësojnë një gjë të vetme: pjesën më të kriminalizuar të shoqërisë prandaj dhe më pak demokratike, armiken më të madhe të instalimit të shtetit ligjor në Shqipëri.
Megjithatë, pyetja që shtrohet është se çfarë duhet bërë më tej për t’u rritur, pasi këta duam-s’duam janë aktorët kryesorë në skenë. Për mua, rrugët janë shumë, por synimi është i qartë: do të quhemi të rritur atëherë kur atë çka ua kërkojmë ndërkombëtarëve (arbitrimin e konflikteve tona, zgjedhjet e lira, etj.) ta bëjmë vetë. Në këtë kuptim, kërkesa e Ramës që të mos lejojnë në Shqipëri atë që nuk lejojnë në vendin e tyre ka një spekulim logjik të fillimit: sepse në vendin e tyre ata nuk u kërkojnë të huajve zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në këtë kontekst, gjykoj se ajo që thotë Lajçaku, që politikanët tanë t’u binden ndërkombëtarëve, nuk e ndihmon rritjen. Është gabim kur, për të zgjidhur imediaten, kryejmë veprime që në terma afatgjata punojnë në të kundërt të drejtimit të duhur, kur mendojmë se do të rritemi duke rritur e pjekur njerëz si Berisha dhe Rama, Meta e Nano, ndërkohë që përvojat demokratike tregojnë se garancia e rritjes së shoqërisë nuk vjen me rritjen në moshë e në pushtet të udhëheqësve, por me rritjen e mundësisë dhe aftësisë së shoqërisë për t’i zëvendësuar dhe kontrolluar ata.
Përqendrimi i të gjitha përpjekjeve, edhe të ndërkombëtarëve, për të ulur Berishën me Ramën në një tryezë si tek “Krokodili”, për të bindur ata që të mos nxjerrin njerëzit në rrugë, që të fillojnë dialog e më the të thashë, indirekt nuk bën gjë tjetër veçse përforcon autoritarizmin e tyre dhe të klaneve që përfaqësojnë. Nëse do t’i qëndrojmë asaj që kërkon edhe vetë Rama: që ndërkombëtarët të mos bëjnë në Shqipëri atë që nuk e bëjnë në vendin e tyre, atëherë gjëja e parë që ata do të duhet të bëjnë është që të mos mbështeten tek personat, por tek institucionet dhe tek procesi. Me fjalë të tjera, të mbështesin procesin e forcimit të institucioneve që do të kontrollojnë pushtetin e këtyre dy personave dhe klaneve që përfaqësojnë dhe jo të kundërtën. Është e vërtetë që kjo nuk është e lehtë. Aq më tepër kur Berisha del e na thotë se çdo institucion që nuk është me të, është pjesë e grushtit të shtetit; e kur Rama del e na thotë se mjaft që të ikë Berisha e të vijë ai në pushtet, dhe punët do të na shkojnë mirë e bukur. Por, po të kemi parasysh se ky proces rritjeje do të jetë gjithsesi i gjatë, nuk duhet bërë gabimi që gjithçka të lihet në dorën e këtyre dy njerëzve dhe kolonelëve e ushtarëve të tyre. Nëse duhet të merren seriozisht që të mos kemi më fenomene të tilla papërgjegjshmërie infantile nga udhëheqësit politikë shqiptarë, duhet të ndihmojmë, si ne brenda vendit, edhe ndërkombëtarët, që të forcohen institucionet që kontrollojnë ata; pa harruar procesin e demokratizimit dhe dekriminalizimit të partive që ata drejtojnë me dorë të hekurt. Personalisht ngulmoj se hapi i parë simbolik, por kurrsesi i mjaftueshëm, do të ishte stimulimi i çdo përpjekjeje për largimin e këtyre dy liderëve dhe klaneve më agresive që i mbështesin, dhe hapja e rrugës për udhëheqës më të moderuar. Po nuk e bëmë këtë tani, me tre të vdekur, nesër do të jetë vonë.
Por mbi të gjitha, duhet të kuptojmë një gjë: se ndryshimi i vërtetë demokratik do të ndodhë kur ai të kryhet nëpërmjet shqiptarëve, jo nëpërmjet Washingtonit apo Brukselit. 
(Panorama, 2 shkurt 2011)

15 comments:

anna said...

"Personalisht ngulmoj se hapi i parë simbolik, por kurrsesi i mjaftueshëm, do të ishte stimulimi i çdo përpjekjeje për largimin e këtyre dy liderëve dhe klaneve më agresive që i mbështesin, dhe hapja e rrugës për udhëheqës më të moderuar."

ok, le ta nisim pra nga hapi i pare...

Anonymous said...

Ketu mund te kontribuohet per nje ndryshim te vertete:

http://www.petitiononline.com/liri2011/petition.html

Anonymous said...

Tashme eshte e qarte se po futemi ne qorsokak.
Edi Rama eshte zgjedhur ne krye te PS me votim sipas parimit nje antar nje vote. Dhe faktikisht ai sapoka filluar karrieren e tij politike.
Kurse Sali Berisha dihet se si eshte zgjedhur dhe zgjidhet. Ka nje dallim te madh midis njeriut te skandaleve te medha (Berishes) dhe Edi Rames per te cilen nuk rrendon asnje skandal publik i provuar.
Te djegesh te thatin (Berishen) me te njomin (Ramen) dhe atribosh te njejtat faje eshte naivitet i qellimshem qe nuk con asgjekundi

Elemeti per te cilin jemi ankuar ne rendin socialist ishte mungesa e votes se lire. Pikerisht Edi Rama dhe opozita ne tersi organizoi demostrimin kunder sitemit berishian sepse shperfilli ne menyre karagjozeske dhe pa arsye nje kerkese elementare te trasparences. Dmth te heton zgjedhjet. Te vesh ne nje nivel Edi Ramen me Sali Berishen sepse ky (Rama) beri nje demostrate per te kerkuar largimin e nje regjimi autokrat dhe hajdut, e pakta qe mund te thuhet per nje barazim te tille vlerash eshte se kjo shpreh nje menyre per te fshehur mbeshtetjen e dretjperdrejte te regjimit berishian.

Te barazoh vrasesin Sali Berisha me Edin (meqe ky organizoi demostraten) eshte si te besh pergjegjes per nje vrasje si kriminelin ashtu dhe viktimen!!!
Mjaft me te tilla filosofira zoti Lubonja
Stefani

Eniana said...

Per komentuesin e meparshem:

Mendoj se s eshte momenti per te perkrahur Edi Ramen apo Sali Berishen .. mjaft me kauza njerezish te semure pas pushtetit .. duhet me e heq nga vetja kete verberi se minimalisht s eshte ne interesin e Shqiptareve mendoj .. keshtu qe them se duhet pak me shume te jemi konstruktive se duket shume shemtuar te shprehesh keshtu mbi kete realitet qe po e njofim te gjithe (pa shume analiza te sterholluara) ku politikanet shofin ngushtesisht interesin e tyre vetjak ..

Glen Llaçi said...

Ore Stefan dhe ju te tjeret qe keni ndjekur apo do te ndiqni pak a shume te njejten vije ne komentet e meparshem. A e lexon artikullin e lubonjes ti apo jo? Se me teper me duket sikur po ben koment ne nje forum qe flitet rreth lubonjes se sa ne nje blog ku si bosht eshte shkrimi.
Vet fakti qe i vetmi argument per te mbrojtur Ramen eshte qe nuk mund te barazohet Rama me Berishen dhe mungesa totale e nje argumenti ku Rama nuk eshte autoritar tregon se sa autoritar dhe i rrezikshem eshte Rama.
Meqenese ti Stefan thua qe Rama beri nje demostrate per te kerkuar largimin e nje regjimi autokrat dhe hajdut. Po te beje nje pyetje direkte. Ne Durresin tone te dashur ku 3 kryebashkiaket e fundit kan dhene leje ndertimi vend e pa vend per te mbushur xhepat e tyre (mos harro betonimin brenda nates te zbulimit arkeologjik apo te pallatit ndertuar mbi murin e periudhes bizante ke banka) A do te perkrahje ti ndonje nga keta qe te behej minister apo kryeminister? thjesht se keta ne nje fare menyre nuk mund te barazohen me Berishen, apo qe mjafton te iki Berisha se keta te tjeret nuk do te jene aq keq. Nese me thua po sepse nuk eshte e njejta gje e kuptoje shume mire pse shkruan komente te tille. Nese heziton te pergjigjesh te keshilloje ti lexosh edhe nje here 4 shkrimet e fundit te lubonjes dhe te kuptosh qe eshte me mire te luftosh per forcimin e institucioneve dhe dobesimin sistemit kleptokrat se sa te tregohemi te varur ndaj liderit si e vetmia shprese gje qe e shtyne te jete me teper autoritar dhe hajdut.

Anonymous said...

Z. Lubonja,

ju po vazhdoni me shkrime te cilat vetem asfiksojne cdo veprim per te ndryshuar realitetin. Nuk mendoj me se kete e beni pa qellim.

Jeni kaq larg nje zgjidhje realiste. Po po shume larg.

Ana Hoxha said...

Z.Lubonja,
faleminderit per ate qe beni. Nuk e di nese keni ndonje interes personal si dikush ka shkruar por, nuk e mendoj.
Une shoh qe jeni nje nga te vetmit ne gjendje te analizoni situaten shqiptare ne menyre objektive dhe per me teper e komunikoni ate, fakt ky akoma me i ralle.
Eshte e vertete qe per te ndryshuar Shqiperine perpara duhet te ndryshojme ne por, si mund te ndyshojme ne qofte se vazhdojme te jemi viktima te nje sistemi bazuar mbi injorancen?
Ketu futet roli juaj, qe perpiqeni te drejtoni ndaj drites ata qe per nje jete te tere kane jetuar ne erresire. Kjo nuk eshte aspak e lehte sepse kush eshte mesuar me erresiren ka frike e nuk e duron dot driten. Eshte nje rol i veshtire por indershem dhe i lavderueshem.
Akoma faleminderit


P.S. Titull shume i bukur.

Anonymous said...

Ndjej obligim moral dhe qytetar te te falenderoj qe kontribuon me mendimin tend ne shoqeri! Duhet te kete shume njerez qe ndricohen nga analiza te tilla dhe ka me mijera qe jane akoma ne erresire. Mos ndalo !

Anonymous said...

Nje replike per z. Llaci
Institucionet demokratike e kane bazen tek zgjedhja e lire. Demokracia fillon nga e drejta e votes (qofte brenda nje partie, qofte ne rang kombetar) dhe per aq kohe sa vota nuk eshte trasparente, opozita eshte e detyruar te luftoje per te. Dhe djegia e fleteve te votimit eshte prove indirekte e pakundershtueshme e fajesise se regjimit berishian (skandalet ekonomike shpjegojne babezine e Berishes dhe parese se tij per pushtet).
Prandaj cdo proteste kundra deformimit te votes se lire eshte legjitime.Perkundrazi vrasja e personave te parmatosur jashte presidences perben krim dhe rendon tek ata qe e bene dhe jo tek ata qe organizunan protesten. Nuk besoj se Edi Rama e dinte qe Saliu do shtinte mbi turmat e njerezve te parmatosur!!!!. Edhe sikur te ishin futur ne kryeministri disa protesues, gardistet duhet ti neutralizonin me mjete jo vdekjeprurese. Kryeministrine nuk e ka sjelle Sala nga Tropoja por eshte institucion i shtetit te shqiptareve. Pra shteti shqiptar nuk mund te vrase shtetasit e vet. Nuk jemi ne Afganistan ku edhe nje grua e veshur me ferexhe perben rrezik duke kryer vetevrasje dhe duke vrare njkohesisht edhe persona te tjere.
Shume me te egera kane qene protestat e koheve te fundit ne Greqi, Itali, Angli me djegje makinash e bankash. Por nuk u shti mbi protestuesit asnjehere pamvaresisht ekseseve te protestuesve.

Per ta delegjitimuar kerkesen themelore te trasparences, ndiqet rruga e sfumimit dhe sprucimit me balte te personave qe udheheqin ate, qe ne kete rast eshte Edi Rama, si kryetar i PS.
Arsyetimi se Edi mund te jete me autokrat se Berisha per mua eshte i pa argumentuar per sa kohe ai nuk ka ardhur ne pushtet Per me teper Edi sic e thashe dhe me pare u zgjodh sipas parimit nje antar nje vote. Cili kryetar partie deri me sot eshte i zgjedhur me kete mekanizem? Mos valle Berisha? Dhe si kryetar i bashkise Edi eshte zgjedhur ne menyre bindese nga populli i Tiranes. Ne zgjedhjet e fundit bashkiake te cilat u perseriten ne Tirane nen presionin e nderkombetareve si rezultat i presionit kontestues te Berishes, Edi Rama fitoi ne menyre bindese dhe Spartak Ngjela, dikur i Berishes nuk e kontestoi me fitoren e rivalit te tij. Kurse Berisha refuzoi kategorikisht te behet transparenca e zgjedhjeve, pale me po ti kerkohej perseritej ne zonat e kontestuara.
Ketu nuk behet fjale per Edin por per vendosjen e asaj qe quhet vote e lire. Me mekanizmin e votes per te cilin momentalisht lufton Edi Rama (dhe cilido) krijohen premisat e rotacionit te pushtetit pa eksese ashtu sic ndodh ne gjithe Europen.
Egziston dhe nje mekanizem tjeter moral Ne Europe. Kur nje qeveri ka nje sere efekte negative dhe skandale te hapura, dhe keto kontestohen nga publiku nepermjet protestave, qeverite japin doreheqjen, gje e cila gati nuk njihet ne Shqiperi si fenomen.
Kurse shembulli qe u soll per kryeteret e bashkise se Durresit, populli e ka ne dore ti rrezoje ata nqs respektohet e drejta themelore e demokracise , kjo qe quhet vote e lire per te cilen lufton Edi Rama.
Pra insitimi im bazohet ne ate qe nuk mund te veme shenjen e barazise midis atyre qe ushtrojne barbarisht pushtetin dhe atyre qe kerkoje qe pushteti te jete legjitim dhe si rezultat edhe institucionet te jene legjitime. Pra nuk mund te veme barazim midis atyre qe kerkojne te pushtojne gjithe institucionet dhe atyre qe i mbrojne keto institucione.
Nqs Fatos Lubonja, mendon se edhe Edi eshte pjese e korrupsionit politik te sistemit ne shqiperi( ndonse nuk ka argumenta per kete), atehere le te krijoje nje pol te trete qe ti kundervihet dy te pareve ashty sic beri Erdogani ne 2002 kur erdhi ne fuqi me nje parti (islamike) te sapo krijuar. Atehere une personalisht do ta votoj Fatosin se eshte njeri i ndershem dhe luftetar serioz dhe me moral te padiskutueshem.

Stefani

Anonymous said...

per Stefanin:

se si u zgjodh edi rama, me fal po njerezit i din budallenj?
Mos na bej te qeshim kur perpiqesh e na bindesh se sa ne menyre demokratike ehste zgjedhur Rama dhe sa autokratik na qenkesh Berisha. Ne thelb jane te dy i njejti brume, mjafton te shohim e degjojme retoriken e tyre. Te mos harrojme se diktatoret e te gjitha koherave kane pasur retorike fantastike, por fundi ka qene i hidhur. Dhe ruajna Zot te presim njehere sa te hipe Rama ne pushtet per te pare ne eshte demokratik apo autokratik. Personalisht Ramen e shikoj po kaq te rrezikshem duke pasur parasysh se ke ka krahun e djathte aty ne Parti dhe me cilin i ben punet, zhvillon idete etj. Ai ne PS ka krijuar nje bufonade femrash qe te vjen per te qeshur kur i sheh qe dalin neper konferenca shtypi. NDerkaq e shoh te frikshem riciklimin e Spartak Ngjeles dhe ardhjen ne pushtet te Skender Gjinushit, Gramoz Rucit, Prec Zogajt, TOm Doshit, Ilir Gjonit etj. Ku eshte ndryshimi te lutem me ata qe ka Berisha ne pushtet?

Glen Llaçi said...

Per zotin Stefan!

faleminderit per pergjigjen se pari zoti Stefan. Ne lidhje me fillimin e demokracise ke e drejta e votes mund te bie dakort me ty ne parim, por per te qene me realist sipas mendimit tim ajo fillon me pjekurine apo aftesine e shoqerise per ta garantuar kete vote. Dhe meqenese ne si shoqeri, pozite dhe opozite nuk e kemi arritur kete stad dashur padashur argumenti yt Stefan ndahet ne Berishen si dhunues te votes dhe Ramen si mbrojtes meqenese eshte ne opozit. Ne fakt problemi s'eshte kaq i thjeshte. Mjafton te kujtojme historine e shtetit shqiptar qe nga Zogu deri tani dhe se ai asnje here nuk ka perfaqesuar interesat e zgjedhesve, por te kastave qe i kan ndihmuar te mbajne apo vij ne pushtet keta shtetare. Gati te gjithe shtetaret autokrat kan ardhur ne pushtet ne fillim me vota te lira, ose perkrahje te gjere te popullit dhe me pas i kan bere zgjedhjet sic i dim te gjithe. Do te thuash ti qe faji eshte i tyre jo i popullit. Po nese ne presim qe ne pushtet te vije kleptokrati i radhes per te hequr kleptokratin e vjeter dmth Berishen nuk bejme ndonje hap perpara. Jo per gje po nuk eshte vjellja e votes qe te shtye te vjellesh edhe fondet publike, por e kunderta. Berisha nuk eshte se i vjell votat thjesht per ambicie dhe etie per pushtet. Ai i vjell me qellim per te grabitur ate pak pasuri te shqiperise ton. Edhe Nano nuk shquhej per ndonje autokrat si Berisha, por ama duke perdorur pushtetin per pasurimin e tij dhe te mafies se radhes nuk kreu dot zgjedhje te rregullta, vetem kur degjeneroi situata si shtet dhe si parti shtet u krye nje rotacion pushteti.
Pse Rama qe ka abuzuar jo pak me pushtetin bashkiak nuk u barazoka me Berishen? Eshte shume evazive pergjigja qe kryebashkiaket e korruptuar nuk i voton njeri po te kete zgjedhje te "ndershme". Ne radhe te pare po te kishim institucione solide jo ish kryebashkiaket e durresit, por edhe Berishen, Ramen Meten nuk do ti lente te kandidonin, por do ti vinte perpara drejtesise. Ja pse une thash qe ne fillim qe shoqeria jone nuk i garanton dot zgjedhjet e lira, sepse kjo shoqeri me strukturat e saj nuk garanton dot mos vjelljen e prones publike qe i perket vet shoqerise, lere pastaj te garantoj zgjedhje. Jo me kot Lubonja kritikon si infantile faktin qe kerkojme mbeshtetje nga nderkombetaret per te kaluar krizat.
Dhe meqenese nuk na mbeten shpresa as ke opozita as ke institucionet e pavarura as ke qeveria nuk duhet ta zbehim me teper opsionin per te qene kundra te dyve udheheqeve te qeverise dhe te Bashkise te cilet s'bejne tjeter vecse pasurojne veten dhe grupet e tyre, sic e pame ke video e Metes, i cili nuk i ka filluar abuzimet me Berishen, por me Ramen.
Dhe nese nuk te pelqen ky opsioni ja po te jap un nje tjeter. Le te ngrihemi te gjithe si popull dhe te kerkojme qe prokuroria dhe gjykatat te nisin nje hetim te detajuar dhe te pavarur ndaj gjithe pushtetareve. Fundja te zgjedhim edhe prokurore te tjere qe ta bejne punen sic duhet.le ti rrime aty perpara deres kryeministrise dhe ti themi mos guxo te ushtrosh presion ndaj prokuroreve apo mosbindie ndaj ligjit. fundja edhe Rama si garantues i votes se lire se besoj ta kete problem te hetohet se ai nuk qenka aq i keq sa Berisha ai eshte zgjedhur ne PS me standartin nje antare nje vote.

Kujtimi said...

Z.Lubonja nje falenderim per kontributin tuaj te cmuar ne ate qe perconi pareshtur tek lexuesit.Pa hequr asgje nga ato qe shkruani dua te shtoj:Ky sistem te cilin ju e analizoni shpesh ne menyre kritike dhe me sens per te ndricuar nje rrugedalje une mendoj se ka nje baze interesash ekonomike qe cojne ne gerryerjen nga korrupsioni.Mendoj se energjite e elites shqiptare jo politike duhet te cojne ne ndryshimin e sitemit te kontrollit te parase publike qofte ne nivel lokal dhe qendror.Nqs arrihet sadopak te bahet ndonje hap para ne kete drejtim kemi kontribuar edhe ne qetesimin e klimes politike.Tek ne praja publike menaxhohet nga shefat e te gjitha niveleve dhe pergjegjesia ligjore e (sh)perdorimit te saj duket nje vizion i larget.Edhe sistemi zgjedhor i hartuar nga PSja dhe i bekuar nga PDja shpreh me se miri cka prodhon dhe sa perfaqesim sjell ne parlament kur kryetari i partise i rendit deputetet e qarqeve ng nr.1 tek nr.12 Sa te lire jane ato ne oponencen e tyre?! Kujtimi

Anonymous said...

Faleminderit zoti Lubonja!

Presim qe te shkruani me shpesh.

Anonymous said...

Z. Lubonja, jam dakort me cdo pike te shkrimit tuaj. Respekte !

Anonymous said...

Zoti Lubonja, cfare mendoni per variantin e dobesimit politik te Berishes dhe Rames nepermjet rrjedhjes/rigrupimit te mundshem te ndonje prej deputeteve ne formacioent e tyre?

Per me teper, nese mundeni lexoni ketu: http://www.peshkupauje.com/2011/02/pyetje/parti-te-reja-ne-horizont#comment-273177

Mbase mund te shkruanit dicka per kete, ose te tjera risi qe shikoni si te mundshme ne muajt ne vijim?

P.S. Kjo eshte thjesht per ta lexuar juve, jo per tu publikuar si koment ketu, dhe i referohet artikullit tuaj te fundit tek Panorama, "Arvizu, shteti funksional dhe shteti fasadë".

Faleminderit.

xhibi