Ndoqa para disa ditësh debatin parlamentar lidhur me heqjen e imunitetit. Dua të veçoj diçka që më ra në sy kësaj here ndoshta më shumë se kurrë. E kam fjalën për atë alternim të frikshëm sulmesh tek podiumi ku flasin deputetët, si kurrëndonjëherë më parë, ndoshta pse kemi kohë që s'e kemi parë Parlamentin të funksionojë si i tërë, por edhe pse polarizimi ka arritur pika kulminante. Pashë të dilte një deputet i PD, të merrte mikrofonin dhe ta drejtonte si grykë topi nga krahu i majtë i sallës dhe të qëllonte ndaj tyre me një batare retorike "kusarë", "vjedhës" "plaçkitës", duke marrë në shenjë liderin e PS që nuk ishte aty; pas atij dilte ai i PS e drejtonte topin në krahun i djathtë dhe lëshonte edhe ai bataretë me "kusarë", "vjedhës" "plaçkitës", duke marrë kryesisht në shenjë kryeministrin që s'ishte edhe ai aty. Asgjë tjetër nuk e prishi këtë alternim sulmesh delegjitimimi reciprok, asnjë parti sado e vogël, asnjë individ qoftë që t'u thoshte psh. se të dy palët janë "kusarë" e "vjedhës", të korruptuar e ilegjitimë, se Prokuroria duhet të hetojë për të dy palët.Ç'lidhje ka elektroshoku me këtë do të pyesë lexuesi që ka parë titullin e këtij shkrimi. Le ta shpjegoj. Unë gjykoj se pjesa më e madhe e popullsisë - mbi 50 përqind sipas meje, - mendon, ashtu siç mendoj edhe vetë, se të dy palët janë të korruptuar, se të dy palët janë përgjegjës për shumë bëma që i kanë ndodhur këtij vendi duke përfshirë edhe 21 Janarin, se të dy palët e kanë humbur legjitimitetin. Ndërkaq jo vetëm nuk e gjejmë veten të përfaqësuar, por jemi të detyruar të përjetojmë përditë këtë tension alternativ PD - PS, që, në raste të tilla si ky i kësaj mbledhjeje, na vendoset aq shumë dhe aq përdhunshëm mbi kokë nëpërmjet mediave që e japin "Live", saqë, personalisht, e përjetova si një elektroshok.Problemi është se ka kohë që shoqëria është nën efektin trullosës të këtij tensioni alternativ, të këtyre elektroshokëve herë më të fortë e herë më të butë aq sa, në një farë mënyre, shumëve ose u është deformuar truri duke u bërë të paaftë për të kuptuar se gjendja normale e trurit, që mund të prodhonë atë që quhet gjykim i shëndoshë, është diçka tjetër, ose rrinë jashtë këtij tensioni në formën e indiferentizmit. Në fakt rryma alternative "O me PS, o me PD", "O me Sali Berishën o me Edi Ramën", si variant i stalinistes "O me ne, o kundra nesh" është një dhunë psiqike e fizike, por edhe ekonomike, aq shkundëse sa duhet të jesh shumë i fortë që edhe të rrish nën efektin e saj edhe të ruash trurin e moralin nga dëmtimi i pakthyeshëm.Ja të jap një shembull nga Parlamenti i asaj dite: thuajse njëri në dy deputetë të PD-së, kur foli, ngriti me forcë akuzën se kryetari i PS dhe i Bashkisë Edi Rama rezulton i treti nga fundi në botë përsa i përket korrupsionit me lejet e ndërtimit. Ndonëse e besova sepse të gjithë kemi qenë dëshmitarë të aplikimit shkatërrues mbi qytet të politikës "një pallat një votë" të Kryetarit, si gazetar nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen fakti se na qenka bërë një studim vetëm për kryeqytetet e botës ashtu sikurse edhe fakti që autorësia nuk u citua nga asnjëri prej folësve. Kërkova pra ta gjej këtë informacion dhe më doli se e vërteta ishte ndryshe. Ekzistonte vërtet një studim i bërë nga një shoqatë "Doing Business" (e sponzorizuar nga Banka Botërore) ku bëhej fjalë edhe për korrupsionin me lejet e ndërtimit në mbi 170 shtete të botës, por aty nuk bëhej fjalë për Tiranën si e 170-ta, por për gjithë Shqipërisë si e 170 - ta. Dhe kush ka sy në ballë e ka të qartë se ky është problem i të gjithë Shqipërisë i të dy qeverisjeve po ashtu, i të dy bandave po ashtu - mjafton të shohësh masakrën që kanë bërë e po vazhdojnë të bëjnë rrotull Tiranës kryebashkiakët PD-istë.E pra, ndonëse kjo akuzë u ngrit aq shumë nga deputetët e PD në atë seancë të Parlamentit, askush për besë, as nga socialistët, nuk u ngrit në atë sallë të thoshte, atë që më duket gjëja më normale që duhet thënë, se ky nuk është thjeshtë problem i Edi Ramës dhe kryebashkiakëve socialistë, por edhe i Sali Berishës dhe i kryebashkiakëve demokratë e se rruga për zgjidhjen e tij nuk gjëndet nëpërmjet këtyre akuzave të ndërsjellta, por nëpërmjet rrugësh të tjera nëpërmjet të cilave edhe dënimi i të gjithë atyre që janë përgjegjës për faktin se jemi të 170-tët në nivelin e abuzimit me atë që deri dje ka qenë shtylla e ekonomisë sonë: ndërtimi. Pra, në vend së të dëgjojmë në Parlamentin, për të cilin pauajmë si taksapagues, të paktën qoftë edhe një pakicë vërejtjesh të mënçura kësisoj ne na ofrohet elektroshoku trushpëlarës "O me PD, o me PS" që amplifikohet edhe më tej nga altoparlantët e këtyre dy partive: mediat e klientëve të tyre. Rezultati është i qartë, në realitetin virtual që çdo ditë e më shumë po na imponohet, nëpërmjet elektroshokut parlamentaro mediatik dhe demostratave e manifestimve të inskenuara, si realiteti që duhet të jetojmë, duket sikur nuk ka asnjë mundësi që të dëgjojmë zëra të tjerë, dhe ky si hap për të na bindur nesër se këta zëra as nuk ekzistojnë fare. Çmenduri totale!Në një shkrim të para disa ditëve kam thënë se është më mirë të pësojmë këtë variant të politikës së vjetër "o me ne o kundra nesh" sesa të bijem nën thundrën e një tensioni të vazhdueshëm të një bande të vetme. Vazhdoj t'i qëndroj kësaj, por kjo s'do të thotë që të mos veme re efektin shkatërrues të kësaj politike elektroshoku si dhe nevojën urgjente (që e kam thënë e stërthënë gjithashtu) për të forcuar tërë ato institucione që këtë tension alternativ shkatërrues të mund ta kontrollojnë, përmbajnë e ta kthejnë më pas në energji ndërtuese. Përndryshe, kjo politikë, kështu shkatërruese siç është, herët ose vonë, duam apo nuk duam, do të na çojë nën thundrën e një bande të vetme, çka është edhe ëndrra finale e atyre që e gjenerojnë. (Panorama 1 mars 2011)
Wednesday, March 2, 2011
Parlamenti si elektroshok
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
4 comments:
Elektroshoku...Ne fakt sapo lexova titullin me shkoj direkt neder mend nje liber qe po lexoj. "Strategjia e Shokut" i Naomi Klein. Dhe ne fakt aty flitet pikerisht se si lider te ndryshem neper bote kan shfrytezuar apo krijuar katastrofa per ti vene masat nen gjendie shoku dhe per te aplikuar teorite famkeqe te Fridman. Kuptohet qe me pas si pushtetaret tane ato kan pasuruar klanet e tyre dhe multinacionalet (kryesisht amerikane).
Lubonja e gjykon shum mire kur thot qe ne jemi ne nje gjendie trullosje, sipas meje te mesuar me voltazhin e forte te "elektorshokut", por ajo qe nuk e shoh te mundshme eshte qe nen kete gjendie institucionet e pavarura te forcohen pak nga pak. me ngjan sikur ne nje trup te semure qelizat te nisin vetevetiu te prodhojne antitrupa per te luftuar semundiet. Kjo mund te behet vetem me nje nderhyrje dhe vullnet per ta luftuar semundien. Dhe ja qe i kthehemi fundit te spirales vicioze si mund ta kuptoje trupi semundien kur bombardohet nga keto "elektroshoke"?...
Drita e turbullt qe shoh ne fund te tunelit eshte qe populli te jete ekzigjent apo te manifestoj per funksionim te drejtesise dhe institucioneve te pavarura (Po a mund te ngrihet nje popull nen shok dhe zgenjim???) Personalisht mendoj qe sikur shqiptaret ta kuptonin mire qe gjysma e fitores eshte e garantuar duke patur nje gjyqesor dhe polici te shendosh qe nuk trembet perpara oligarkeve do te ishte i gatshem te manifestonte me kembngulie dhe pa u lodhur qe ne krye te ketyre institucioneve te vendosen njerez te ndershem dhe te guximshem per ti shkuar deri ne fund kauzes te nje shteti ligjor.
A ka ardhur ndoshta koha qe gazetaret dhe figurat me integritet te ndryshojne gjuhen ndaj popullit, duke i paralajmeruar rreptesisht qe jemi ne nje moment fatal dhe duhet te levizim qofte nje here te vetme per nje shtet ligjor dhe jo per partite?
Glen Llaçi
Problem nuk eshte se parlamenti eshte i ekstremizuar ku secila pale ngul kembe ne pikepamjen apo pozicionin e vet dhe nuk eshte e gatshme per kompromis. Kjo eshte situate qe mund te ndodhe dhe ne vende normale (Shqiperia nuk eshte e tille). Problemi eshte se parlamenti eshte i kriminalizuar dhe me kete kam parasysh se shume qe jane aty duhet te ishin gjekundi tjeter... Te dy palet kane mbedhur elemente kriminale. Eshte per te ardhur keq kur degjon per cfare diskutojne apo nivelin e diskutimit. Si ka mundesi njerez te tille te perfaqesojne sot popullin shqiptar ne parlament! Kjo eshte me e mira qe mund te ofroje Shqiperia! Me te vertete per te ardhur keq! Nese do te me duhej ta perkufizoja sot parlamentin shqiptare do thosha: Sahanlepires ku secili ben si i thote komandanti, Medioker, Hajdute, Kriminele. Cdo gje mund te jene po vetem perfaqesues te popullit jo.
I nderuar z.Lubonja.Se pari doja tiu komplimentoja per kete shkrim dhe doja tiu kerkoja ndjese para kohe qe ketu do citoj nje artikull nga nje gazete tjeter.Kjo ndjesi qe keni patur ju me parlamentin te them te drejten mua me ka ndodhur pikerisht per te njejten teme por duke lexuar nje artikull te shkruar nga z.Gerti Bogdani me titull "Opozita te mos abuzoje me te drejten e fjales".Ky artikull me ka tmerruar.Kjo per dy arsye:E para vete titulli-nje titull gati urdherues,nje titull marcial dhe per me teper konceptualisht i dhunshem dmth po arrihet deri atje te kerkohet censurimi i fjales se lire dhe kjo nga nje i ashtuquajtur demokrat sepse ska asnje lidhje Pd me demokracine e vertete perkundrazi.E dyta dhe me kryesorja sepse shpresa ime e vetme ka qene tek te rinjte e politikes shqiptare dhe ky person qe mburret dhe krenohet dhe me titujt e tij akademike etj(arsim shqiptar gjithmone) i jep nje goditje kesaj shpreses sime.
Po ta shikosh ne detaj flitet dhe per faktin e vendit te 170 etj dhe gjera te tjera te degjuara qe e pershkruajne shqiperine si parajse etj tipike keto te mazhorances ne pushtet.Mirepo konceptualiteti i ketij shkrimi tregon se ky person nuk ka kaluar akoma as ne fazen e iluminizmit as ne fazen e Rusoit,Volterit etj dhe une nuk e di se cmund te beje ky person ne te ardhmen dhe kur them ai nenkuptoj gjithe te rinjte e politikes shqiptare sikur te kete nje post te rendesishem udheheqes,sepse jam i bindur qe karriera e tij ne PD do ece shpejt.Cduhet te presim nga e ardhmja?!!!
Ne si popull jemi de facto te pushtuar dhe ne gjysme-roberi.
Eksponentet e klaneve-parti qe na rrijne mbi koke, te marre ne teresine e tyre, kane pushtuar (fizikisht) territorin ku jetojme (mendoni vetem per qindra mijera ndertimet pa leje e ne toka jo ne pronesi, por edhe ato te ndertuara pa asnje kriter, si edhe mijera hektaret e blera me parate qe keta kane vjedhur nga xhepat tane!!).
Ata kane pushtuar ekonomine tone, qe pergjithessisht nuk fuknsionon sipas rregullave te tregut, por ne baze te marrdhenieve klienteliste (ne tendera e investime publike) apo ne baze te logjikes se "ligjit te me te fortit (lexo: me te dhunshmit) (ne sferen private).
Dhe se fundmi, po keta dhe interesat e tyre kane pushtuar edhe te gjitha institucionet tona shteterore, nga ekzekutivi tek legjislativi, duke kaluar padyshim edhe nga gjyqesori me te gjitha hallkat e tij (shiko se cfare ju ndodhi familjareve te Gerdecit)
Post a Comment