Wednesday, February 23, 2011

"Atvrasje" apo "vllavrasje"

Përmbysjen e monumentit të Enver Hoxhës e kujtoj si një nga ngjarjet më të lumtura të jetës time, në mos më e lumtura në mënyrë absolute - të paktën përsa i përket atij që quhet dimensioni social i qënies sonë, pasi në jetë kemi edhe ngjarje të lumtura private. Aq i madh ka qenë gëzimi në burg kur monumenti u përmbys sa nuk di të them se kush u lumturua më shumë: ata në shesh, që më në fund e plandosën përdhe, apo të burgosurit si unë, të mbyllur me dekada prapa hekurave, që tek diktatori kishim projektuar tërë urrejtjen ndaj të keqes që na kishte shkatërruar jetën.

Kujtimin e emocionet asaj dite i ruaj fort në kujtesë si një gjë të çmuar sëbashku me mirënjohjen ndaj atyre qytetarëve kurajozë që rrezikuan atë ditë dhe sikur nuk dua t'i trazoj me atë çka ndodhi më prapa. Por vë re se ky mostrazim është i pamundur. E keqja e këtyre njëzet vjetëve më ka bërë të reflektoj shumë edhe mbi atë gëzim duke e ridimensionuar. Dhe sa herë reflektoj për këtë, veçanërisht në ditë përvjetoresh të zhurmshme si ky i këtij viti, më kujtohet edhe një bisedë me një deputet demokrat të viteve '90 që ka lëvizuar pastaj herë me PS e herë me PD, gjithmonë i suksesshëm, gjithnjë e më i pasur, i cili, kur i thashë një ditë, pas zhgënjimeve të para, se me arrogancën dhe autoritarizmin që po tregonte Berisha rrezikonte ta tërhiqnin zvarrë një ditë si Enver Hoxhën m'u përgjigj me cinizëm: "E more, edhe atij monumentin i tërhoqën."
Kjo përgjigje ka marrë për mua një kuptim simbolik, pasi më ka shtyrë të reflektoj mbi aktin e rrëzimit të monumentin të Enver Hoxhës në formën e pyetjes psikoanalitike: a ishte ai një "atvrasjeje" apo ishte një "vëllavrasje".  Si duhet ta interpretojmë këtë? "Atvrasjen" për të cilën po flas (pa hyrë në thellësinë e kësaj teme qendrore të psikanalizës së shekullit XX dhe me plot interpretime) e kuptoj, simbolikisht, si çlirimin e bijve vëllezër nga figura autoritare e atit të dhunshëm që u rrëmbente gjithshka për vete, edhe gratë, derisa një ditë e vranë, e hëngrën dhe vendosën një rend tjetër të gjërave, me "totemin" që zëvëndësoi atin dhe "tabutë" që metaforikisht këtu do t'i quaja rregullat e një bashkjetese ndryshe. ("Totem dhe Tabu", Sigmund Freud). Frojdi  shpjegon nëpërmjet këtij miti lindjen e religjioneve. Gjithë simbolikisht  kompleksin e Edipit, që çon në atvrasje, Jungu e interpreton si një dëshirë transformimi, rilindjeje; të tjerë si një dalje  nga stadi i kafshës në stadin njerëzor social etj..
Kam parasysh kur shtroj dilemën "atvrasje" apo "vëllavrasje" edhe një intervistë të Umberto Ecos me rastin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë, i cili, duke e quajtur Risorxhimenton italiane më shumë një komplot të organizuar nga lart, sesa revolucion nga poshtë, thotë se italianët nuk e kanë kryer ende atvrasjen (si Anglia apo Franca që i vranë vërtet mbretërit e tyre për t'i hapur rrugën një vëllazërie të shëndoshë), se italianët kanë mbetur tek vëllavrasja. Them se po t'i vështrojmë nga kjo optikë këta njëzet vjet që na ndajnë nga përmbysja e monumentit të diktatorit do të thoshim se edhe ne kemi shumë më tepër arsye për të thënë se kemi mbetur tek vëllavrasja, se po vazhdojmë  një grindje mes vëllezërish të paçliruar nga sundimi i atit të gjithëpushtetshëm e të dhunshëm që i përjashton dhe shtyp bijtë e tij.
Nëse do të bënim një kronikë të shkurtër të këtyre njëzet vjetëve në këtë kontekst do të thoja se nga viti 92 deri më 1997 patëm një Sali Berishë në krye të vendit që kërkoi të na imitojë atin Enver. Në 97-tën na u dha mundësia e "atvrasjes", por ne e katandisëm në vëllavrasje. Shumë shpejt pas këtij viti u ndamë në dy tribu me nga një atë të gjithpushtetshëm në krye të tyre. Edhe sot modeli që kanë në kokë Sali Berisha dhe Edi Rama është po ai i atit të gjithpushtetshëm që u rrëmben bijve gjithshka. Por po ta vështrosh më thellë, në fakt, këta të dy nuk janë tjetër veçse një projektim i modelit të atit që kemi ne në kokë. Jemi ne vëllezërit që nuk e kemi kryer atvrasjen që projektojmë tek ata nevojën për të patur një atë padron e të dhunshëm të cilit t'i shërbejmë e t'i japim krejt përgjegjësitë sepse nuk jemi rritur. E ndërkaq edhe ata vetë e klanet që i rrethojnë në këtë kuptim janë vëllezër që tentojnë të vrasin njëri tjetrin, që s'e kanë kryer "atvrasjen", - mjaft të shohësh nënshtrimin e tyre ndaj ambasadorëve amerikanë apo evropianë. Edhe sherri e sharjet që i bëjnë reciprokisht njëri tjetrit si bllokmenë, neobllokmenë e bij apo nipër bllokmenësh është një sherr midis vëllezërish të parritur.
Çfarë na mungon për të kryer atvrasjen? - gjithmonë simbolikisht e kam fjalën, sepse, largqoftë, nuk besoj se ndokush do ta marrë këtë si thirrje për të bërë ndonjë atentat. Gjykoj se kjo rilindje nuk ka të bëjë aq shumë me vrasjen e atit së jashtmi sesa me vrasjen e modelit autoritar brenda nesh. Është një proces ky që do të duhej të fillonte që me strukturën në familje ku vazhdojmë të sundohemi nga ati autoritar e që do të duhej të vazhdonte me arritjen e atij niveli dijeje e vetëdijeje që do të na e bënte autonominë dhe lirinë tonë më të rëndësishme sesa çdo gjë tjetër në jetë. Vetëm kështu, në sajë të një procesi të brendshëm, do të vinte pastaj një "atvrasje" e vërtetë së jashtëmi e jo një akt tjetër, i rradhës, vllavrasjeje. Fjalët e Brutit "E vrava Cesarin jo sepse nuk e doja, por sepse doja Romën më shumë se Cesarin" janë emblematike, në këtë kuptim. Pa një dashuri për Romën/lirinë Bruti nuk do të mund ta vriste Cesarin. Por, nga ana tjetër, manifestimi i një rilindjeje të tillë nëpërmjet aktesh të manifestuara së jashtmi, ka rëndësinë e vet. Përvojat historike të "atvrasjeve" të vërteta, emancipuese, rilindëse sjellin ndërgjegjësim dhe inspirim, ndikojnë shumë që në vetëdijen e njerëzve të ngjizet jo vetëm refuzimi ndaj çdokujt që kërkon të sillet si atë autoritar e i dhunshëm, por edhe refuzimin për t'u bërë vetë një atë i tillë. Gjykoj se rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës nuk ka qenë një akt i tillë çlirimtar e rilindës, mu pse ka munguar procesi i brendshëm për të cilin fola më sipër, apo pse ai nuk ka qenë në  një nivel të mjaftueshëm, por dhe pse u degjenerua nga bijtë e këqij që e  shndërruan në vllavrasje. Edhe vetë fakti që rrëzimi i tij përkujtohet  gjatë këtyre njëzet vjetëve jo si një moment bashkimi e vëllazërimi i të gjithëve, por nëpërmjet dy tribush të ndara që akuzojnë njëra tjetrën si bij të atit diktator tregon se kemi të bëjmë me këtë degjenerim në "vëllavrasje" dhe jo me një "atvrasje".
Ja pse gjykoj se në njëzevjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, vlen më shumë të reflektohet mbi rrugët e procesit që mund të na çojë në "atvrasjen" e vërtetë sesa të bëjmë këto festime në frymën e vëllavrasjes. (Panorama, 23 shkurt 2011)

2 comments:

Anonymous said...

Me kujtohet mire dita e renies se bustit te E.H.(kam ndot tia permend emrin), isha student dhe te gjithe ishim te gezuar. Po permbysej nje mit dhe po e ndjenim veten me te cliruar, me te lire. Por ne te njejten kohe me kujtohet dhe naiviteti qe vinte nga injoranca jone. Kujtonim se me permbysjen e komunizmit do vinte automatikisht demokracia dmth nje sistem qe mbronte dhe respektonte te drejtat e njeriut. Pas 20 vjetesh Shqiperia eshte ende larg dhe do jete keshtu derisa injoranca dhe dhuna tia lere vendin dijes dhe tolerances. Cdo popull meriton qeverine e vet dhe Shqiperia me sa duket e meriton Sali Berishen, Edi Ramen, Ilir Meten dhe bandat e tyre.
Ndonjehere them se e gjitha ishte nje loje. Cdo gje ishte e kurdisur nga njerezit e regjimit te vjeter qe e pane qe nuk kishin mundesi te mbijetonin duke mabjtur komunizmin ne Shqiperi dhe ju duhet te nderonin regjimin (formen) po ne esence ata prape do kishin fuqine. Shikoni kush kane qene ne pushtet ne Shqiperi keto 20 vjetet e fundit dhe kush e ka fuqine ekonomike ne Shqiperi. Jane shumica njerez qe kane qene te perkedhelur ne komunizem. Per mua e gjitha kjo ishte nje mashtrim i madh per te thene qe Shqiperia po ndryshon. Ne thelb pak gjera kane nryshuar...

Anonymous said...

Festa e vjedhur (23.02.2011) një shkrim i Artan Lames ne gazeten “Shqip“ - “Historia na thotë se të gjitha revolucionet bëhen nga kryeqytetet, edhe ai i 20 shkurtit u bë nga kryeqyteti.“
Gabim zoti Lame. Revolucioni u u be dhe filloj ne Kavaje dhe pati viktimat nga te dyja palet. Pra pati gjak.
“Kush mirret me të kaluarën humbet një Sy. Kush e harron të kaluarën i humbet të dy Sytë.“ thote nje proverb i vjeter sllav. "Terapi e kujtesës se plagosur" e quan Frojdi kur thote: se “kujtesa është e nevojshëme jo vetëm për shkak të humbjeve emocionale te fakteve, por edhe për shkak të përpjekjeve politike e prishje se dhunshme te kujtesës“. Një histori ku faktet intrepetohen nga intelektualë mediokër sigurisht qe verteta do te deformohet deri ne fallcifikim.
Me trishton fakti qe e vertea eshte deformuar deri nje nje fallcifikim. “Ato qe do te bien brezat do ti kujtojne si simbole te lirise“- kam shkruar ne fund te traktit qe u shpernda para ndeshjes Besa - Partizani. Dhe ne gjimnazin ë Kavajes ne te gjitha muret shkrime kundra diktatures dhe ne portretet ë diktatorit kryqin e nazismit. Ishte marsi i trimerise dhe i lirise. Kjo ishte nje pranvere e pa harruar qe do te shkrinte njehere e pergjithmone dimrin e acarte te diktatures. Njezet e gjashte Marsi nuk eshte nje ngjarje lokale per kavajen njezet e gjashte marsi eshte nje ngjarje kombetare. Eshte nje ngjarje kombetare se per here te pare mbas dyzet e pese vjetesh ne historine e diktatures orvelliane nje qytet; e perseris jo nje individ, apo nje grup i vogel njerzish, po nje qytet, u perlesh dhe i ra kembanave te zgjimit per ti treguar shqiptareve qe duhet te zgjoheshin dhe ta shembnin diktaturen. Nje qytetet qe diktatura nuk e gjunjezoj, nje qytet qe u gjakos, nje qytet qe diktatura e mbertheu si ne nje geto: me tanke, ushtri, police e sampista, per ta bere shembull ne te gjithe Shqiperine. Nje qytet ku diktatura, terrori satanik, terrori i kuq, qe kerkonte gjak, zbriti ne kavaje te gjithe arsenalin dhe potencialin fizik dhe bashke me te, delirin dhe epshin gjaksor e kafsheror dhe beri terror.
Vetem per hir te se vertetes historike, dhe fakteve te pakundershtueshme, rrugetimi i demokracise kalon nepermjet kavajes, dhe shkodres, si stacione demokratike ku u perleshen te paret me shtetin diktatorial. Dhe nuk e teproj aspak kur them qe kavaja, zgjoje gjithe shqiperine ne gjumin letargjik ku kish rene. Qe kryeqyteti te ngrihej ne revolta u desh nje vit perleshje dhe gjakosje, vrasje, turtura dhe burgosje. Dhe vetem per hir te se vertetes; studentet filluan rrebelimin e tyre ne emer te gjese me te bukur ne jete: seksit ne emer te nje mastrubimi epokal.
Dhe kjo eshte e verteta. Ky ishte formimi dhe niveli i formatit te rinise shqiptare. Dhe ajo ishte vellavrasje e shihnin kavajen qe lengonte e mbytur ne terror komunist dhe kryeqyteti ne largesi ne me pak dyzetkilometra shikonte me indiferentizem. Dhe tani heshtin per Kavajen dhe deformojne historine dhe kjo eshte vellavrasje. Gjashte kate ne toke ka ndertuar CIA ndertesen e saj per te ruajtur te verteten. Po nuk ë ruan dhe manipulon per gjithmone se do dali nje wikileaks qe do ti thote te vertetat ashtu sic jane dhe kane ndodhur. Fatos Lubonja si gjithmone je origjinal dhe magjik ne kendveshtrimin e trajtimin e realiteti shqiptar.