Monday, February 21, 2011

Gërdeci, kombësia dhe Kreshnik Spahiu


Kohët e fundit nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka hapur një kryqëzatë në mbrojtje të kombit duke na denoncuar ndonja njëmijë e pesëqind raste ku gjykatat e Jugut na paskan vendosur për ndërrimin, sipas tij, të "kombësisë" së shqiptarëve duke i bërë ata grekë. Jo vetëm mediat elektronike, por edhe gazetat, u mbushën me këtë lajm - duke na e paraqitur nënkryetarin si një shpëtimtar të kombit.
Nuk mund të mos të të bjerë në sy se, ndërkaq, zërin e Spahiut nuk e kemi parë të ngrihet thuajse  asfare me ndonjë reagim të krahasueshëm me këtë - mesa e kam ndjekur shtypin dhe lajmet - ndaj dështimit të gjyqit të Gërdecit ku njëzeteshtatë shqiptarë vdiqën nga një krim i shëmtuar i patriotëve që kemi në krye të qeverisë, dhe u vranë për së dyti nga drejtësia që kryeson Kreshnik Spahiu.
A ka ndonjë lidhje me njëra tjetrën Gërdeci me kombësinë? Për mua kanë sepse këto alarme për ruajtjen e kombit më duken gjithnjë e më shpesh si një gjethe fiku për të mbuluar punën e turpshme të institucioneve tona ndër ta edhe të drejtësisë.
Së pari duhet vënë në pah se në tërë këtë propagandë mungon një shpjegim shumë i thjeshtë që një juristi si Spahiu i takon ta bëjë në vend se të bëjë manifestimie pseudopatriotike nëpër vend. E kam fjalën për atë se ajo që Spahiu e quan "kombësi" në pjesën më të madhe të shteteve perëndimore ka kuptimin e "shtetësisë" dmth. të përcaktimit të asaj se qytetar i cilit shtet - komb je, çka është identiteti kryesor i tij.  Ndërsa ajo që ai e quan "kombësi' është më afër (nëse jo sinonim) i përkatësisë etnolinguistike apo shkurt i "etnisë" së një individi dhe ndryshimi është shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për atë se cila është parësore. Në shtetet kombe parësore është shtetësia aq sa thuhet se është pikërisht ajo që përcakton edhe atë që e quajmë ndryshe identitet kombëtar, apo kombësi. Megjithatë nuk dua të hy në hollësitë e këtij debati jo thjesht gjuhësor që mbetet gjithsesi i hapur jo vetëm tek ne (e kam trajtuar para disa kohësh edhe në një debat me Shkëlzen Maliqin). Ajo që dua të theksoj është se shtetësinë/kombësinë në kuptimin që i dhashë e që mendoj se është më i drejti nuk ta ndryshon dot një gjykatë, sepse që ta ndryshosh atë do të duhet më së pari të kesh të siguruar një shtetësi/kombësi tjetër e të lesh këtë tënden (siç është psh. rasti nëse do të bëhesh qytetar  gjerman) apo mund ta shtosh si të dytë (siç është psh. rasti nëse do të bëhesh edhe qytetar italian).
Pra, mesa duket, ajo që po ndryshojnë qytetarët në jug është përkatësia etnike, që ne e quajmë kombësi duke krijuar, kështu, një lloj konfuzioni. Me shumë gjasa, kjo lidhet ose me ndryshimin e emrave dmth. fenomenin e njohur tashmë të kthimit të emrave nga muslimanë në të krishterë për ata që duan të shkojnë të punojnë në Greqi ose me atë se një pjese (me emra muslimanë apo të krishterë) kjo u leverdis sepse shteti grek jep pensionin e famshëm prej 300 eurosh. E këtu theksoj se e gjej të turpshme për një shtet të BE si Greqia nxitjen e një ndryshimi të tillë të identitetit. Megjithatë, nga sa di unë, nga përvoja si aktivist i të drejtave të njeriut, këto dy ndryshime vështirë se ia ndalon dot kujt. Gjithkush ka të drejtë të ndryshojë emrin dhe po ashtu të deklarojë përkatësinë e tij etnike paçka se nuk njoh ndonjë ligj që ta përkufizojë këtë. Dhe, nga ana tjetër, askush nuk ka të drejtë t'i përcaktojë qytetarit një emër apo përkatësi etnike që ai nuk e pranon. Kurse kur bëhet fjalë për shtetësinë/kombësinë në kuptimin e përkatësisë në një shtet - komb, këtë nuk e përcakton dot vetë dhe as ta heqin dot sepse këtë ta përcakton shteti komb në të cilin ti bën pjesë dhe, po të duash ta heqësh, do të duhet më së pari, sikurse thashë më lart,  të ta japë një shtet tjetër sepse, përndryshe, nuk qarkollon dot nëpër botë. Dhe që të jesh apo bëhesh qytetar i një shteti komb pra që të kesh apo marrësh shtetësinë/kombësinë e tij, pra edhe pasaportën e tij, kërkohen, varësisht nga shtetet, disa kushte. Mund ta kesh këtë kur njëri nga prindërit është me atë shtetësi/kombësi (jus sanguini); mund ta kesh kur ke lindur aty (jus soli); mund ta marrësh pse je i martuar (jus matrimoni), mund ta kërkosh dhe ta marrësh  duke kërkuar atë që quhet ndryshe (natyralizim) ku ekziston edhe rasti, si në Austri psh., kur kjo bëhet nëse ke bërë investime të rëndësishme atje. Me fjalë të tjera ata që quhen ndryshe minoritarë grekë apo që bëhën të tillë janë e mbeten me shtetësi/kombësi shqiptare dhe mund ta marrin atë greke vetëm nga shteti grek dhe jo nga gjykatat shqiptare.
E këtu le të vijmë tek çështja që më shtyu të shkruaj këto rradhë. Nënkryetari Spahiu dhe shumë atdhetarë të tjerë si ai do të bënin mirë, meqënëse e kanë për zemër kaq shumë ruajtjen e kombit, të kërkonin një studim tjetër: sa janë ata shqiptarë që e kanë ndërruar tashmë kombësinë/shtetësinë në botë. Unë nuk e di shifrën, por më rezulton se duhet të jetë një shifër shumë shumë herë më e madhe sesa njëmijë e pesëqind. Mjaft të kesh prasysh se të gjith ata që kanë emigruar me punë e me familje prej vitesh tashmë kanë kombësinë/shtetësinë e vendeve ku jetojnë. Edhe shumica e atyre që s'e kanë marrë ende aspirojnë ta marrin këtë. Ajo që deklaroi së fundi Spahiu se shqiptarët kanë shkuar të jetojnë në Gjermani, Francë, ShBA etj. dhe kanë mbetur shqiptarë, kurse në Greqi jo, nuk është e saktë sepse në shumë nga këto vende marrja e asaj që i thonë "nationality" dmth. "kombësi" përjashton dy-shtetësinë/kombësinë. Por, megjithatë, çështja (përsa i përket interesit kombëtar) nuk është thjesht këtu, por se shumica e fëmijëve të tyre ka rrezik të kenë humbur edhe gjuhën shqipe edhe çdo interes për Shqipërië.
E këtu le të kthehemi edhe një herë tek rasti Gërdeci dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Spahiu. Sikurse nënkryetari e di mirë për çështjen Gërdeci pati një gjyq edhe në SHBA dhe, për aq sa ishte fajtor, qytetari amerikan u dënua. Kurse Gërdeci shqiptar për turp të të gjithë atyre që e quajnë veten juristë, dhe jo vetëm të atyre, mbetën pa drejtësi. Në këto kushte pyetja që i shtroj unë nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësis është: po ku do të preferonte të jetonte më mirë një njeri në një shtet ku ka drejtësi apo në një shtet ku mbretëron padrejtësia?.
Morali i fabulës që desha të tregoj, pa e zgjatur më shumë është ky: sikur Nënkryetari Këshillit të Lartë të Drejtësis (dhe shumë si ai) të bënin mirë punën e tyre, atë për të cilën edhe paguhen nga taksapaguesi shqiptar, do të kontribuonin shumë më tepër për të na e bërë  të pazëvendësueshëm vendin ku "kemi lerë" sesa duke i venë punës së tyre të keqe gjethe fiku me dokrra patriotike. (Panorama, 19 shkurt 2011)

14 comments:

glen84_dr said...

Bravo zoti Lubonja. E trajtuat kete ceshtie ne menyren me te mir te mundshem. Dhe mendoj se jo pak personave kur Spahiu u shpreh per ndryshimin e "kombesise" i ka shkuar pak a shume nder mend edhe ceshtia e gerdecit apo mosfunksionimi i gjyqesorit per sa i perket rasteve ku implikohet pushteti apo "te fortet".
Ajo qe dua te shtoje eshte qe duhet te nisim te kerkojme ndryshime ne sistemin e drejtesise ne menyre qe ai te jete i pavarur dhe i guximshem ne luften ndaj pushtetit kriminal. Le te manifestojme per nje televizion publik qe i sherben publikut dhe jo pushtetit dhe ndoshta dora dores do te nisin ndryshime sic duhet ne sistemin e drejtesise dhe ne policine e shtetit.
E di qe mund te duket pak naive idea ime, por me mire te jemi te gatshem per te manifestuar per funksionimin e shtetit se sa per 21 Janarin e Rames, apo "20 Shkurtin" Berishes

Anonymous said...

Zoti Lubonja,
Në rradhë të pare urime për blogu-n. Do doja të bëja vetëm një sqarim mbi shkrimin tuaj të mësipërm. Në një certificatë (se në pasaportë nuk përshkruhet) edhe në gjendjen civile, përcaktohet si shtetësia (në Anglisht fjala më e saktë është ‘citizenship’, kurse grëqisht ‘ipikootita’) ashtu edhe kombesia (në këtë rastë fjala anglisht është ‘nationality’ kurse greqisht është ‘ethnikotita’). Ne të gjithë si shtetësinë ashtu dhe kombësinë e kemi Shqipëtare por minoritarët cfarëdolloj përkatësie etnike qofshin këta, e kanë të ndryshme kombësine edhe pse janë shtetas shqipëtarë. Për shëmbull te minoritarët etnik Grek në certifikatat që pajisen nga gjëndja civile në shqiperi u shkruhet shtetësia shqipëtare dhe kombësia Greke. Më përpara që t’iu njihte dikujt stastusi homogjen në shtetin Grek mjaftonte te ishte ngandonjë fshat ose qytet afër kufirit me Greqine dhe te deklaronte se ishte ‘vorioepirot’. Por shteti Grek vitet e fundit mbase edhe nga presioni që ka pasur nga shteti Shqipëtar ose mbase dolën më shumë ‘vorioepirot’ se c’jane realisht u ka kthyer letrat mbrapa, me te drëjtë, këtyre që nuk mund të provojnë që përbëjnë minoritet etnik Grek ne Shqipëri. Ndaj dhe keta te fundit janë versulur gjykatave në Shqiperi që të ndryshojnë kombësinë nga Shqipëtare ne atë Greke se tanimë nuk mjafton thjesht vetëdeklarimi ‘vorioepirot’ duhet dhe ta provosh. Homogjenët në Greqi kanë disa perfitime më shumë se Shqipëtaret sic është pensioni për të moshuarit ose pajijsa më e shpejt me pasaportën Greke. Të vetmit të humbur në këtë rast janë ata minoritarë Grek që u është ndërruar kombësia ne kohen e monizmit dhe tani duhet te bëjne gjyqe që ta rindërrojne. Ka dhe nga ata që edhe pse janë Shqipetarë përfitojne nga njerëz që duhan te rrisin artificialisht numrin e minoritarëve ne Shqipëri (kryebashkiakë si Bollano) edhe i pajisin këta të parët me certifikatë ku shkruhet se kanë kombësi Greke. Problemi ekziston por nuk besoj se zgjidhet as me kryqëzatat e Spahiut as me tubimet e tifozëve kuqezi, e vetja zgjidhje është institucioni i drejtësisë të bëjë saktë punën e tij. Shteti Grek nuk ka përse të fajësohet përderisa këta njërëz që i përkasin shtetësisë e kombesisë Shqipëtare pajisen nga shteti Shqipëtarë me certifikata sikur janë minoritare Grek.
Kërkoj falje për ndonjë gabim te sintaksës apo gramatikës por kam bërë vëtëm dy klasa fillore ne gjuhen Shqipe.

Anonymous said...

Artikulli eshte interesant dhe qendrimi dyshues ndaj aksioneve te Spahiut argumentohet bindshem ne artikull. Eshte me se e vertete qe shqiptaret ne Greqi jane shume me afer mentalitetit te tyre fillestar, zakoneve dhe gjuhes dhe ne kontakt te perhrshem me shqiperine, se sa ata qe kane emigruar gjekte dhe jane thuajse asimiluar fare.

Por desheroj te theksoj dhe dy pika te tjera
1. Pranoni si te mireqene qe greku ju jep pension ne kerkim te nderimit te kombesise. A eshte vertet keshtu? Po ta shikoni me dyshim edhe kete teze te hedhur nga nacionalistet shqiptare (sikurse tezen e Spahiut), do arrini ne konkluzione logjike. Duhet te dini se legalizimi i emigranteve te cilet erdhen me vize njemujore apo 6 mujore nga Shqiperia ne Greqi (apo nga malet) ka filluar ne 1999 dmth gati 10 vjet me pas eksodit te tyre te pare kurse legalizimi i homogjeneve emigrante (greke te shqiperise) u be pasi mbaroi regjistrimi i emigrantve jo homogjene pikerisht per evituar dobesine e Shqiptareve per tu paraqitur si greke ne kohe qe nuk jane te tille. Dhe kjo u be me nje procedure shume me te veshtire per homogjenet dhe te perseritur shume here per te shmangur fallsifikimet e bera nga shqiptaret te cilat vazhdojne dhe sot.
Te ashtuquajturat pensione jepen per cdo homogjen te legalizuar mbi 65 vjec (pra te pa afte per te punuar me dhe qe nuk ka mundur te marre pension nga kontributi i tij ne sigurimet shoqrore) dhe kjo eshte nga gjerat me normale ne bote qe nje shtet te mbeshtese bashkekombesit e tyre te moshuar qe vijne nga vende te botes se trete si puna e Shqiperise. Shtete me te fuqishme ekonomikisht (si Italia) e bejne per cdo emigrant te legalizuar mbi 65 vjec. Por aktualisht periudha emergjence e ndihmes per te moshuarit mbi 65 vjec edhe kur ata rrine ne Shqiperi te shumten e kohes ka kaluar dhe askush nuk mund te marre me nje pension ndihme sepse ai e ka pasur te mjaftueshme kohen per tu futur ne skemen e sigurimeve shoqerore dhe rrjedhimisht merituar pension sipas punes se bere.

2. Permendja e Bollanos nga nje komentues ne kete artikull qe ju jep himarjioteve certifikata me kombesi tjeter eshte e shume e genjeshtert dhe shprehje e presionit te nacionalisteve shqiptare qe duan ta paraqisin situaten si te tille. Gjendja civile nuk varet fare nga Bollanua, ky i fundit vetem orarin ka te drejte ta caktoje dhe asgje tjeter. Por duhet te dine ata qe bien viktime e te tilla pohimeve, nuk ka asnje certifikate te leshuara nga gjendja civile e himares ne te cilen te figuroje kombesi greke me perjashtim te ndonja 5 rasteve (vurgare te martuara ne Himare qe e kane pasur kete kombesi edhe ne letergjoftimet e vjetra)
Nuk ka gjithashtu asnje rast gjykate te zhvilluar nga himarjote te nderimit te kombesise. Eshte tjeter pune ne se himarjotet ndjehen kolektivisht te privuar nga kombesia e tyre greke qe nga koha e zogut (kjo eshte teme qe do kerkonte shume diskutim per tu sqaruar)
Dua te shtoj dhe nje pike tjeter qe u prek dhe nga nje diskutant, Z. Spahiu do te ishte me bindes ne se do te paraqiste statistika te cilat kam bindjen se i referohen pikerisht "humbjes" se kombesise nga regjimi monist. Ndodh qe personat qe psh qe kane jetuar ne Livadhia apo Vurg jane me kombesi greke, kurse vellezerit apo motrat e tyre ne Tirane apo gjekte( jashte 99 fshatrave te minoritetit) te kene kombesi tjeter. Une do ta quaja mjaft llogjike nje gjykim per te ndrequr kete pardrejtesi qe ju eshte bere.(Termi kombesi ketu perdoret ne kuptimin etho-linguistik ashtu sic eshte kuptimi i tyre edhe ne certifikatat apo leternjoftimet e vjetra)
Stefani

Rezart said...

"Il nazionalismo è l'ultimo rifugio dei delinquenti" thojne italjanet. Shqiperise kjo shprehje i shkon shume per shtat.
I lejm menjeane vitet e komunizmit, marrim nga '91 deri ne ditet e sotme, "armikun e jashtem" e kemi prezent sa here qe klasa drejtuese e vendit eshte ne veshtiresi dhe kerkon te devijoje vemendjen e shoqerise. Edhe Gerdeci nuk i shpetoje kesaj dukurie, u fol qe sherbimet sekrete te huaja kishin gisht ne ate qe ndodhi. Si gjithmone te gjithe fajet tona na i kane te huajt, serbet, greket etj etj, ne nuk kemi asnjehere faj…
Jemi akoma te papjekur politikisht, shoqerisht dhe na mungon edukata civile, kemi patjeter nevoj per “armikun e huaj” per te shkarkuar falimentimin e shoqerise sone. Drejtuesi e politikes shqipetare mund ti kene te gjitha, por budallenj nuk jane, e kane kuptuar mentalitetin tone dhe rrjedhimisht sillen ashtu sic “duam” ne.

Anonymous said...

I nderuar zoti Stefan,
ngaqe nuk dua te jem as nacionalist as genjeshtar, duhet te shpjegohem pse thash qe ka njerez qe rrisin artificialisht numrin e minoritareve grek ne Shqiperi dhe pse permenda Bollanon. Ky i fundit eshte akuzuar publikisht nga qytetare Himariot qe nuk i ka pajisur me certifikata sepse nuk deklaronin se kishin kombesi greke (edhe ne qofte se keta genjenin njihet tanime Bollano per ndjenjat e tij antishqipetare) dhe nje rast tjeter eshte nje nenpunes i gjedjes civile ne Leskovik ku pajiste njerezit me certifikata sikur te ishin minoritare grek edhe per kete fakt eshte akuzuar dhe denuar. Shumica ka nje pershtypje sikur deklarata e kosullit Grek ne Korce ishte si nje rrufe ne qiell te paster por nuk ishte e tille pasi dihet se jane bere shume abuzime me kete ceshtje. Shteti Grek i ka rishqyrtuar keto me te drejte dhe nuk jane te pakte ata shtetas Shqipetar qe u eshte hequr statusi homogjen ne Greqi. Besoj se shteti Grek po ndjek rrugen e drejte per kete ceshtje edhe pse pak me vonese dhe nuk e shoh pse duhet te akuzohet qe jep pension per te ndihmuar bashkombasit e tij sic bejne shumica e Shqipetareve.
Geri

Anonymous said...

Puna e neshtetesise dhe kombesise eshte e ngaterruar keq ne Shqiperi. Per mua cdo njeri qe ka lindur ne Shqiperi dhe vashdon jeton ne Shqiperi pavaresisht origjines, greke, maqedonase, malazeze apo dhe pse jo kineze eshte shqipetar. Nese nuk biem dakort ne kete gje jemi mbrapa te pakten 70 vjet. Sot kur levizjet e popullesise jane bere aq te medha dhe perzierjet ndermjet njerezve po behen gjithnje e me te medha, neshtetesia merr vlere paresore. Eshte komplet idiot debati qe behet ne Shqiperi per kombesine. Cfare eshte kombesia si term juridik? Nese ka njerez qe duan ta quajne veten grek, pse duhet te shqetesohemi, kjo eshte pune per ta. Nese keta nuk e bejne kete gje vetem per pune pensioni, kjo tregon injorancen e tyre se duke nderuar nje emer ose nje etni nuk nderon dot vetveten, mbetesh po ti qe ke qene me pare. Jetoj ne USA dhe nje nga gjerat qe kam mesuar ketu ku popullsia eshte kaq heterogjene eshte qe nuk ka rendesi nga vjen apo ca etniciteti je. Keto jane gjera te kaluara kohe me pare ketu. Cdo njeri eshte qenie individuale dhe ti pergjithesosh ata nga vendi ku vijne apo etnia qe u perkasin eshte komplet e gabuar.
Te njejten gje do thosha dhe per femijet e shqipetareve qe kane lindur jashte shqiperie ose jetojne jashte ose kane ndermend te jetojne jashte. Per mua ata jane Greke, Italiane, Gjermane apo ku di une me origjine Shqipetare.
Nuk do mund ti quaja dot ata Shqipetare per shume arsye. Nuk kane jetuar fare ne Shqiperi, shume prej tyre nuk dine as gjuhen shqipe. Me kete dua te them se origjina apo etnia ka pak rendesi ne neshtetesine tende.
Shkoje shpesh ne Sqiperi por sa here jam aty ndjeje se te drejtat e mia nuk respekohen ne te njejten menyre si ketu ku une tani jetoj dmth jam shqiptar shkoje ne vendin qe kam lindur qe popullohet nga shqiptare, drejtohet nga shqiptare dhe ku te drejtat e mia si individ jane me te pakta se ne nje vend tjeter ku ka pak ose aspak shqiptare! Rendesia e krijimit te shtetit shqiptar ishte se ai do siguronte qe shqiptaret do kishin te drejta dhe ata nuk do perbuzeshin apo keqtrajtoheshin apo dhe vriteshin se ishin te etnise shqiptare. Por nese shteti shqiptar nuk e siguron me kete gje atehere lind pyetja kujt i duhet ky shtet me keta njerez qe cdo gje po e vjedhin per vete dhe nuk po lene asnje mundesi jetese per shumicen, kujt i duhet ky shtet i ketyre te korruptuarve qe shtypin te tjeret (duke u mohuar te drejtat e tyre) dhe na hiqen si atdhetare? Kujt i duhet ky shtet qe e ka detyruar 1/3 te ike dhe te mos kete plan te kthehet se ku po kthehet? Kujt i duhet ky shtet qe nuk jep ose krijon asnje mundesi?
Kush do te donte te jetonte ne nje shtet ku nuk ke te drejta, ku qeveria et merr jeten dhe nuk mban asnje pergjegjesi, ku pasuria jote mund te tjetersohet dhe shteti nuk ben asgje, ku te drejtat e tua me elementare mund te shkelen ne menyren me barbare dhe prape asnje nuk ben asnje gje per te te mbrojtur?
Ky eshte shteti i njerezve te tille si Kreshnik Spahiu. Prandaje do ishte me mire qe keta hajdut kriminele medioker te mos dilnin fare dhe te benin rolin e patriotit se thjesht do jepte efektin e kundert.
Patriot nuk te bejne fjalet...

Anonymous said...

Nje replike (per bashkebisedues pa nickname):
Nuk eshte aspak e vertete se Bollano ka ndjenja atishqiptare, e kunderta eshte e vertete qe shtypi shiptar perpunon sistematikisht opinionin publik me ndjenja anti-bollano dhe anti-himarjote per shkan te ndjenjave te tyre thellesisht greke. Nuk me duket se kur Bollano apo kushdo tjeter ndjehet grek dmth eshte antishqiptar. Duhet te hiqni dore nga nje kundervenie e tille e etniteteve te ndryshme. Une do te vecoja komentin e dikujt tjeter qe percakton si paresore marredheniet si shtetas, sepse ligjet nuk thone qe ndryshe zbatohen per shqiptare e ndryshe per bullgare apo greke.
Stefani

vangjush said...

Si zakonisht shume konciz prek te gjitha anet pa shume fjale te teperta.Pre kete te gjithe jemi mirenjohes Z.Lubonja.Meqenese nuk kam cfare ti shtoj,argumentoj ose kundershtoj ne artikull po them dicka.Prej 14 vitesh jetoj ne Canada dhe kam(bashke me familjen time)nenshtetesine(citizenship)Canadeze.Cdo 5 vjet ketu behet regjistrimi i popullsise(survey) dhe kushdo eshte i detyruar ta plotesoje formularin.Ku regjistrim (formularet)i dergohen vetem nenshtetesave Canadeze.Midis te tjerave pyetet cfare nenshtetesie ke pasur me pare dhe kurre a e ke me apo jo(pasi ne mund te mbajme dy ose me shume nenshtetesi-citizenship)cfare kombesie- nationality qe ne e veme albanian dhe cfare gjuhe flet ne shtepi qe ne e veme gjithashtu albanian.Kjo i sherben shtetit Canadez qe te dije cfare ka ne teritorin e tij,si eshte formuar shoqeria dhe ku jane(jetojne)komunitete te vecanta per tiu pergjigjur me sherbime shteterore ne gjuhet e tyre.Deri tani jane 27 gjuhe ne te cilat ka njerez qe te sherbejne per institucione shteterore.Sa per dijeni para 4 vjetesh ne Canada kishte nenshtetas Canadeze me kombesi shqiptare 22957.Nuk e di te gjithe keta jane nga Shqiperia apo edhe nga Kosova.

fatjon said...

vertet shkrim shume i goditur dhe mjaft bindes madje do te thosha dhe mjaft pastrues nga shume ide te mykura qe kemi si qytetare.nga pamundesia dhe mosvullneti per te sheruar shoqerine tone nga korrupsioni duke u bere pjese e tij hidhemi e shajme te tjeret .ky spahiu na u be si hitleri qe fajin per humbjen e luftes dhe poshterimin ua hidhte etnive te tjera te shoqerise gjermane.dhe ne fajin qe jemi kaq te humbur e te varfer ua hedhim te tjereve.e dashura ime e pare ishte me origjine greke dhe nuk shikonte tek une as myslimanin shqiptar te pabese qe duhej kthyer ne grek por thjesht mua si individ.te mendoja ndryshe do ishte per mua nje fyerje per gjithe ate kohe te bukur qe kam kaluar me te

erion_z said...

Pershendetje z. Lubonja,
lexova shkrimin tuaj dhe komentet e lexuesve dhe nuk mund te rrija pa shtuar dhe une komentin tim.

Personalisht mendoj se po e shihni te gjithe kete nga nje prizem shume i ngushte. Gerdeci & Co dihet qe do te ishte nje deshtim per deri sa ne krye eshte nje stalinist. Me kuptoni drejt nuk jam as i djathte as i majte. Politika shqiptare ne kall daten.
Nuk mendoj se z. Spahiu po mundohet ta mbuloje me gjethe fiku. Eshte me i zgjuar se kaq.
Faktet kane folur dhe flasin qarte mbi synimet e Greqise mbi shqiperine e jugut.Nuk duhet te kemi me aluzime mbi kete. Per hir te vendit dhe femijeve tane nuk mund te mbetemi gjithmone pas ca shpjegimeve moskokcarese te politikaneve tane qe nuk mendojne dot me tej se sarajet e tyre.
Lexova replikat e disave qe jetojne ne US apo Kanada dhe me erdhi per te qeshur nga deshira e tyre per nje Disneyland. Thjesht qe nuk ka per te ekzistuar ndonjehere ne shqiperi per deri sa do te jemi te rrethuar nga fqinj qe nuk na duan. Kete e ka treguar historia.
Kryqezata e Kreshnik Spahiut ? Pse kaq mosperfilles ndaj ceshtjes se kombit ? Gerdeci do te jete nje disfate per sistemin ligjor ne shqiperi, po hej, ca tjeter nuk eshte. Per cdo gje, si NATO etj kemi paguar harac te mire per ta marre, ju kujtoj marveshjet ne Greqine.
" Desperate times call for desperate measures " !
Bomba me sahat po punon. Le ti leme nje minute problemet brenda shtepise se fqinji yne do te na vjedhi, po perpiqet te shtyje gardhin.

pershendetje

Anonymous said...

1) Pse valle Partia Per Te Drejtat e Njeriut(njerez ne kete rast jane vetem grekerit) po ngul kembe per nje rregjistrim te ktij lloji ne shqiperi.
2)pse shteti grek vazhdon te beje presione qe ne kohe te zogut qe te behet behet nje rregjistrim i tille.

Mos vall minoriteti grek ndihet i shtypur dhe i diskreminuar ne shqiperi sic ishin kosovaret ose jane shqiptaret e maqedonise dhe nje numerim popullsie ne ate forme do i shpetonte????
Pyetja ime e thjesht... Cfar fitojne kta njerez me kete rregjistrim qe po ngulin kembe aq shume?????????????????????????????????????????????????????????????

Anonymous said...

Jeni nje intelektual i vertete z.Lubonja. Jeni njeri i principte edhe kur nuk eshte konveniente te jesh i tille.

You said...

Patriotizem bosh. Nacionalizem pa permbajtje. Ngjan me çjerrjen e nje fyelli te ndryshkur ogurzi.

isha_dhe_une said...

Meqe trajton nje ceshtje, nuk do te thote qe te gjitha ceshtjet e tjera te lihen pas dore. Shqiperia ka nevoje per shume rregullime dhe nderrimi i kombesise tek disa banore te shtetit tone eshte nje nga rregullimet per te cilat duhet te merren masa sa me shpejt. Jo se ka ndonje problem qe shqiptaret po na dalin te gjithe greke, por ky ndryshim kombesie nuk eshte ne proporcion me numrin e lindjeve ne familjet qe pretendojne te jene minoritare. Si shtohen keta njerez keshtu?

Pastaj, eshte e vertete qe Gerdeci eshte nje plage ne shoqerine dhe ne drejtesine shqiptare, por aleanca kuq e zi lindi si reagim ndaj censusit, si nje proces i manipuluar, antishqiptar dhe antikushtetues. Eshte mese normale qe aleanca te vazhdoje te reagoje per ceshtjet qe kane te bejne me kombesine.

Por kjo nuk do te thote qe te gjitha ceshtjet e tjera te mos jene ne fokus te levizjes dhe te Kreshnik Spahiut.