Më shkruante një lexues pas shkrimit "Parlamenti si elektroshok" (Panorama, 1 mars 2011): “mendoj qe sikur shqiptarët ta kuptonin mirë që gjysma e fitores është e garantuar duke patur një gjyqësor dhe polici të shëndoshë, që nuk trembet përpara oligarkëve, do të ishin të gatshëm të manifestonin me këmbëngulje dhe pa u lodhur që në krye të këtyre institucioneve të vendoseshin njerëz të ndershëm dhe të guximshëm për t’i shkuar deri në fund kauzës së një shteti ligjor. A ka ardhur ndoshta koha që gazetarët dhe figurat me integritet të ndryshojnë gjuhën ndaj popullit, duke e paralajmëruar rreptësisht se jemi në një moment fatal dhe duhet të levizim qoftë një herë të vetme për një shtet ligjor dhe jo për partitë?”Kam përshtypjen se ideja se një pluralizëm partik pa drejtësinë nuk mund të jetë kurrë demokraci ka zënë vend në vetëdijen e shqiptarëve, shumë më tepër sesa në fillimivitet ‘90 kur gati e identifikonim demokracinë me pluralizmin partiak. Kjo ndoshta edhe pse dëmi që kanë krijuar partitë e pakontrolluara nga pushtete të tilla si ai i gjyqsorit është bërë shumë evident. Por, sikurse e tregon edhe çka shkruan ky lexues, vlen të shtrohet pyetja se ku jemi në këtë proces ndarjeje të pushteteve? A kemi bërë hapa para apo prapa? Dhe, në kontekstin e sotëm, të procesit ndaj 21 Janarit, a mund të presim një forcim të gjyqsorit dhe prokurorisë? Ç’duhet të bëjmë për të sensibilizuar edhe më publikun për këtë nevojë?Në përpjekjen për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve nuk mund të mos vish tek ideja se zhvillimi i demokracisë nënkupton zhvillimin e krejt institucioneve të saj dhe se ky zhvillim mund të krahasohet me ecjen e një flote. Pra se prokuroria dhe drejtësia jonë nuk mund të veçohen nga ecja e demokratizimi i brendshëm i partive politike, nga pastrimi nga korrupsioni i institucioneve shtetërore, nga pavarësimi i mediave etj.. Ato janë pasqyra të njëra tjetrës dhe mjaft të shikosh njërën për të gjykuar nivelin e të tjerëve. Por, megjithatë, kur kemi parasysh një flotë këtë mund ta imagjinojmë si një flotë ushtarake që ka rregulloren e vet, pra se është dikush që komandon dhe janë të tjerët që ndjekin, ose si një flotë më e lirë ku sejcila nga këto "anije" veç e veç mund ta stimulojë ecjen përpara apo mund ta frenojë këtë në një kompeticion të ndërsjelltë. Kjo e dyta i shkon më shumë demokracisë përderisa flitet edhe për pushtete të pavarur nga njëri tjetri. Pra, çdonjëra nga anijet, sipas këtij konceptimi, mund të marrë inisiativën ta nxisë flotën të ecë më përpara, varësisht nga individët që janë në krye të tyre, nga pushteti që kanë, nga vështirësitë që dalin nga rrethanat edhe nga presioni.Në thelb kriza që po përjetojmë sot vjen për shkak të dy partive kryesore që prej vitesh kanë bllokuar ecjen përpara të demokracisë/flotës duke i rreshtuar institucionet e tjera, si në një flotë ushtarake, prapa dhe në funksion të tyre duke i bërë njëherësh edhe të pafuqishëm për të kontrolluar pushtetin e tyre korruptues dhe të korruptuar.Le të shohim se si ka qenë pozicioni i anijes së sistemit të drejtësisë në këtë flotën tonë këta njëzet vjet, për të ardhur tek ajo që po ndodh sot.Në vitet e para të qeverisjes Berisha u shfaq menjëherë prirja për ta vënë drejtësinë prapa hullisë së partisë së re shtet që filloi të ndërtojë Berisha. Mjetet që përdori ishin kryesisht dy: kërcënimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me të kaluarën si dhe - lidhur me këtë - përgatitja e gjyqtarëve të rinj me kurse gjashtë mujore. Kjo prirje hasi në një farë rezistence - mjaft të kujtojmë dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm Maks Haxhia apo të kryetarit të Gjykatës së Lartë Zef Brozi, por në tërësinë e vet roli i këtyre institucioneve në ato vite mund të përcaktohet si një anije ecja e së cilës mbeti e dominuar nga pushteti politik dhe e instrumentalizuar prej tij.Lidhur me vitin 97, që shënon ardhjen e socialistëve në pushtet, së pari duhet thënë se drejtësia u komprometua edhe më rëndë nga politika në këtë vit pasi, megjithë tërë ato krime që ndodhën, nuk pamë asnjë politikan përgjegjës t'i hapet proces. Në vend të kësaj politika ndërtoi një komision parlamentar me në krye Spartak Ngjelën që e dha ai vendimin në vend të drejtësisë për krimet e 97-tës e që, në fakt, mund të thuhet se inauguroi periudhën e impunitetit të politikanëve tanë.Këtu duhet theksuar edhe një fenomen tjetër që kishte filluar që më herët, me Berishën, por që doli gjithnjë e më në pah në këtë periudhë: korrupsioni në këta institucione, çka, midis të tjerash, nënkupton edhe pafuqi morale të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të vepruar në emër të drejtësisë e ligjit.Mosgoditja e atij që, shumë më tepër se ky i 21 Janarit 2011, mund të quhet grusht shteti - atëhere kur më 1998 njerëzit e Berishës sulmuan Kryeministrinë dhe pushtuan edhe Radio Televizionin - shënoi edhe një akt tjetër kapitullimi të Prokurorisë e Gjyqsorit ndaj politikës që forcoi edhe më impunitetin e politikës.Gjthsesi për kohën e socialistëve mund të thuhet se tendenca për instrumentalizimin e drejtësisë për të goditur armikun, kundërshtarin ose për ta vënë atë nën kontroll erdhi duke u zbehur. Ajo njeh një pikë ashpërsimi kur nëpërmjet Rakipit që njihej si njeri i Nanos politika kërkoi të godiste për korrupsion njerëzit e Metës (madje, me sa kujtoj, bash Dritan Priftin), por kjo shkaktoi bashkimin e Metës me Berishën dhe heqjen e Rakipit.E këtu nuk mund të mos vihet në dukje fakti se ndonëse Gjykata Kushtetuese e deklaroi të paligjshëm shkarkimin e Rakipit ai nuk u kthye dot në postin e tij, shenjë kjo e nënshtrimit total të organeve të drejtësisë nga politika.Periudha e Thodhori Sollakut mund të pëcaktohet si periudha kur tashmë Prokuroria dhe drejtësia jonë kanë hequr dorë nga marrja me politikanët e të dy krahëve dhe atë pak pushtet që kanë e përdorin pikërisht për të mos ndërhyrë atëher kur, për arsye politike, u kërkohet nga njëra palë apo tjetra instrumentalizimi; aq sa për Sollakun filloi të qarkullojë thënia anakdodike se kur e kishin pyetur se si do t’ia bënte në këtë klimë akuzash e kundërakuzash për korrupsion ishte përgjigjur se do të vepronte si Muçua dmth. sipas asaj thënies: « Pushka bam e Muçua tutje.»Këtë filozofi filloi të praktikojë menjëherë edhe ajo që nga Berisha u quajt Silvia Conti e Shqipërisë, kryeprokurorja Ina Rama. Mirëpo, për dreq, asaj i plasën në derë dy pushkë më të mëdha nga ç’mund ta priste: Gërdeci dhe tani së fundi, skandali i kasetës Meta - Prifti që u pasua me katër vrasjet e 21 Janarit e që e vunë nën presionin e fortë të politikës.A ka shanse në këtë kushte, duke patur parasysh edhe mbështetjen amerikane për hetimin e 21 janarit, që Prokuroria dhe Gjyqsori të përjetojnë një moment pjekjeje dhe forcimi. A do të munden ato të marrin një rol shtytës përpara të flotës për të cilën bëra fjalë më lart? Përpara disa kohësh faktin që Prokuroria e çoi kasetën Meta - Prifti në Ambasadën Amerikane, e kam komentuar si shenjë dramatike të impotencës së saj duke shtuar se, me këtë rast, Ina Rama mund të bënte mirë të jepte dëroheqjen të paktën. Kjo tregonte edhe mosbesimin tim se do të kishim, më në fund, një akt pjekurimi dhe pavarësimi nga ana e Prokurorisë. Pas disa ditësh mora një telefon konfidencial ku m’u tha se Prokuroria e kishte çuar tek Ambasada Amerikane kasetën sepse, përndryshe, do të ishte e detyruar ta çonte tek Ministria e Rendit pasi laboratori i ekspertizave është atje dhe kjo do të thoshte ta çonte në duart e Berishës. (Edhe një provë kjo se si flota nuk mund të ecë veçmas pasi institucionet janë të ndërlidhur me njëqind fije njëri me tjetrin.)Pastaj ndodhi 21 Janari, pamë Berishën ta akuzojë Kryeprokuroren si pjesë e puçit meqënëse po kërkonte të hetonte gardistët që kishin shtënë duke dhënë kështu një frenim të fortë çdo përpjekjeje të Prokurorisë për të vepruar jashtë hullisë së anijes së politikës dhe pastaj marrjen e Prokurorisë nën mbrojtjen e Ambasadorit Amerikan. Gjykoj se edhe këtë mbrojtje duhet ta interpretojmë më shumë si një akt politik, si ndërhyrje “in extremis” të të huajve për të ruajtur të paktën fasadën e shtetit dhe sëbashku me këtë edhe një farë stabiliteti sepse një nxjerrje jashtë loje e institucionit të Prokurorisë, siç donte të bënte Berisha, do të ishte një degradim total i shtetit.Për t’u kthyer tek shqetësimi i lexuesit tim, që më duket se është një shqetësim qytetar me rëndësi, më duhet t’i them se megjithë ndjeshmërinë në rritje të qytetarëve për drejtësinë koha që njerëzit të dalin e të protestojnë përpara pallateve të drejtësisë për zbatimin e ligjit, për dënimin e të korruptuarve duket ende shumë e largët. Ja tani hymë në zgjedhjet lokale dhe vrasjet e 21 Janarit, bashkë me Prokurorinë si protagonste të zbardhjes së tyre, thuajse kanë dalë jashtë vëmendjes. Edhe vetë Ambasadori Amerikan po na udhëzon tani kandidatët të dalin të bëjnë debate. Politikanët përsëri kanë uzurpuar skenën me protagonizmin dhe arrogancën e atyre që s’kanë frikë nga ligji, por vetëm nga më i forti. Njerëzit po ashtu, ndryshe nga ç’kërkon lexuesi im, janë përqendruar në luftën “për partitë”. Edhe gazetarë e intelektualë gjithashtu. Prokuroria e Gjyqsori do të presin të shohin se cili do të jetë fitimtari, dhe do të veprojnë varësisht nga kjo gjithë pa rrezikuar, e kurrsesi pa marrë në dorë përgjegjësitë që u takojnë. “Pushka bam e Muçua tutje” do të vazhdojë të jetë filozofia e jetës e veprës së prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë si për të provuar ata profetë që thonë kjo “flotë” duhet të shkojë drejt mbytjes e tëra. (Panorama, 11 mars 2011)
Monday, March 21, 2011
Pushka bam e Muçua tutje
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
4 comments:
Po ne nuk mund te presim qe cilesia e gjyqesorit te jete ndryshe nga pjesa tjeter e shtetit shqiptar. Perderisa aty te marre fund praktika e mosdenimit kjo gje do vazhdoje pafundesisht. Ligji mund te shkelet lehte ne cdo vend te botes po ajo qe te mban per te mos ta shkelur ate eshte frika qe kapesh ne shkelje dhe denohesh.
E mbaje mend mire situaten e 97 kur Berisha e la pushtetin dhe u dorehoq si president. Me ardhjen e socialisteve ne pushtet une mendova se keta do perpiqeshin te pakten te conin ne gjyq gjithe ata njerez qe ishin pergjegjes te pakten per dhunen e ushtruar ndaje tyre ne opozite. Besoje se ka shume qe e mbajne mend se si opozita dhunohej ne vitet 93-97, si simpatizantet e saje nuk lejoheshin te demonstronin dhe se si ata riheshin nga njerezit e Berishes. Ky i fundit shkoi aq larg sa i dhunoi dhe vete kreret e opozites, vrasja e tyre ishte gjeja e vetme qe Berisha nuk beri se cdo gje tjeter e beri.
E pra duke menduar gjithe kete barbari qe kjo opozite kishte hequr ne kurriz ne kohen e Berishes me permbysjen e ketij te fundit te pakten gjeja me e pakte qe une personalisht mendoja ne ate kohe ishte qe keta njerez do akuzoheshin dhe te dilnin para drejtesise per te gjitha zullumet e tyre. Po jo koha po kalonte dhe Socialistet hic. Nano beri 4 vjet burg dhe ai prape asnje perpjekje.
Nuk mund ta besoja dhe kuptoja dot ne ate kohe! Po dilte qe Berisha dhe njerezit e tij nuk kishin bere asgje te jashte ligjshme.
Po tani them qe keta te bandes socialite (banda tjeter ajo e Berishes) mezi priten te vinin ne pushtet jo te vendosnin drejtesi po per te vjedh. Berisha do akuzohej vetem per fushate (asnjehre seriozisht per krimet qe kishte kryer ai dhe banda e tij) Kjo sepse socialistet e dinin se nese Berisha denohej (sic duhej te ndodhte per mendimin tim per te gjitha ato zullume qe ai beri ne 92-97) socialistet vete do kishin frike nga shkelja e ligjit se e njejta gje mund te ndodhte me ta.
Qellimi i Nanos dhe bandes se tij ishte vjedhja dhe Berisha dukej si kundershtar komod. Me te mund te rrije ne pushtet sa te doje se njerezit nuk do ta votonin ate. Po Nano e mbushi kupen aq shume sa njerezit u kthyhen te Berisha. Drejtesia gjate gjithe kesaj kohe ka bere te njejten gje si qeveria.
Ka vjedh dhe ajo. Eshte shume e thjeshte per te provuar qe zyrtaret e gjyqesorit ne Shqiperi vjedhin, eshte fare evidente. Shikoni jeten qe bejne, pronat qe kane, makinat qe ngasin etj per te cilat me ate rroge qe marrin nuk mund te justifikoheshin kurre.
Nuk mund te kete drejtesi me keta njerez qe tregojne hapur fare qe vjedhin. VJEDHJA ESHTE KTHYER NE SISTEM. Dhe nje individ i vetem dhe po te ishte kunder do menjanohej nga sistemi. Te shpresosh se duke sjelle kete apo ate ne krye te gjykates apo prokurorise do ndryshonte situaten eshte naive. Me vjen keq po Shqiperia eshte shtet i deshtuar. Ne shqiparet jemi te paafte te pakten deri tani te krijojme nje shtet modern. Shoqeria shqiptare eshte e pazhvilluar dhe shteti ne nje fare menyre e reflekton ate.
mendoj se me teper se kultura e pluralizmit poltik dhe demokratik,qe eshte nje beteje e humbur per popullin shqiptar dhe nuk besoj se jam teper pesimist apo cinik duke e thene kete gje, duhet shqetesuar mbi pasojat e renda qe le tek brezat e rinj gjithe kjo situate ekstreme e regresionit te vlerave ne shoqerine shqiptare . vlerat e merites e punes e ndershmrise dhe ekuilibrit dhe asnjeanesise ne zhvillimin e nje detyre ne administraten publike.
Faleminderit zoti Lubonja (edhe pse me vonese) per komunikimin tuaj me lexuesit. Ne fakt jam dakort me iden tuaj qe zgjedhjet lokale do ta zaptojne hapesiren publike dhe do ta minimizojne problemin e drejtesise ne vend, sic edh po ndodh realisht. E di qe edhe shume intelektual apo figura te spikatura shqiptare do te perfshihen ne kete valle fatkeqe. Por pyetja qe une shtroja nuk vjen si pasoj e nje naiviteti ajo vjen me teper si shkak i nje realiteti aq te molepsur ku jan shum te pakta hipotezat normale. Nuk e hedh iden e protestave per Drejtesi dhe funksionim te institucioneve me bindie idealiste se ajo do te funksionoje si nje formule kimike. Por ne fund te fundit keto jan te paktat instrumente legale apo normale qe mund te na cojne ne rrugen e duhur. Sepse ne fund te fundit edhe ndryshimi i figurave politike dmth i ardhjes te moderuarve neper parti nuk kemi garanci qe do te funksionoje, spse ndaj ketij shteti dhe partive te kapura ekziston perseri risku qe figurat e moderuara ose te implikohen ose ti lejne oligarket si strukture paralele.
Per kete arsye une jam i mendimit qe ato pak figura shqiptare (shpresoj te jen me shume se sa 5 gishtat e dores) ti meshojne me teper ides se nje shteti ligjor dhe qe qytetaret duhet te nisin ta kerkojne kete shtet ligjor me me vendoshmeri. Dhe ndoshta institucionet (duke perfshire edhe partite) perball ketij presioni mbase do te ken nje tendence te vihen ne nje paralele per nje shtet me prane qytetareve.
P.S. "edhe pse me vonese" ishte per falenderimin tim
Post a Comment