Friday, April 8, 2011

Pse është i pamundur dialogu

Para disa ditësh duke shëtitur në Parkun e Liqenit u bëra dëshmitar i një skene interesante. Tek Parku është shtuar mjaft numri i atyre që dalin e shëtisin atje me qenin e tyre. Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shumica janë të rinj dhe  se këta shpesh mbajnë qenër race nga ata të tipit rotwailer që nuk e di pse janë aq të frikshëm, për shkak të historive që kemi dëgjuar për ta apo sepse vërtet janë racë më agresive. Duke shëtitur në një nga rruginat e Parkut më qëlloi për një copë here të eci përkrah një të riu  që kishte një qen të tillë. Në një moment ai u kryqëzua gjatë rrugës me dy të rinj që kishin edhe ata një qen të së njëjtës racë, tërë muskuj deri edhe në kokë, me ata veshët e shkurtër të ngritur përpjetë dhe bishtin e shkurtër. Dy qentë sikur tentuan të afroheshin ndaj njëri tjetrit, por dy padronët i tërhoqën. Dhe pastaj midis padronëve u zhvillua një bisedë. Ai që ishte në drejtimin tim i pyeti dy të tjerët për moshën e qenit që kishin me vete. Ata i thanë se ishte dy vjeç. Duket se rezultuan të së njëjtës moshë sepse ky i pyeti nëse e kishin vënë ndonjëherë të luftonte. Ata i thanë jo.  Atëhere ky u propozoi ta provonin një herë. Edhe dy të tjerët pranuan. Kështu i afruan të dy qentë drejt njëri tjetrit. Unë ndalova të shoh se çfarë do të ndodhte dhe u çudita kur pashë se të dy qentë në vend se të fillonin të gërmusheshin u afruan heshturazi kokë më kokë dhe filluan t’i marrin erë njëri tjetrit dhe të lëpiheshin. Ndoshta edhe ngase mund të ishin njëri mashkull tjetri femër. Mirëpo padronëve sikur nuk u pëlqeu kjo skenë. Pashë se filluan t’i cytin të dy kafshët që të ndesheshin. Kështu nuk vonoi shumë dhe filluan të lehurat e dy qenve kundër njëri tjetrit që shqetësuan tërë kalimtarët.


Ndoshta do të ishte më elegante ta lija me kaq këtë shkrim, sepse morali i fabulës është i qartë, por besoj se ia vlen edhe ta konkretizojmë. Ka kaq kohë që ata që shkurt i quajmë “ndërkombëtarët” (se për shqiptarët s’pyet njeri)  që më së fundi kanë emrat Fyle, Contrymen, ambasadori amerikan Arvizu etj. po na thonë që të ulemi të zgjidhim krizën me negociata apo me parlament se përndryshe do të rrezikojmë hyrjen në Evropë do të vonojmë ecjen tonë etj., etj. E megjithatë ndonëse ne e dimë se kjo na dëmton nuk e bëjmë dot, e kemi gati të pamundur. Dhe jo vetëm politikanët tanë, por besoj se meriton të themi “ne” sepse të gjithë, si shoqëri, mund të konsiderohemi të paaftë për të bërë debat e dialog e negociata derisa nuk jemi në gjendje t’ua imponojmë këtë politikanëve. Po pse vallë kjo pamundësi tragjike? 


Në shkrimin paraardhës me titull “Që zgjedhjet të mos jenë luftë finale” i kam mëshuar shumë njërit prej shkaqeve, atë që mund ta quaja kryesisht shkaku ekonomik: grupe rivale që janë vënë në luftë për jetë a vdekje, në situatën e krizës ekonomike që na ka pllakosur, për kontroll territori dhe ekonomie. Pa e mohuar këtë, gjithë duke ngulmuar se kjo është kryesorja, gjykoj se nuk duhet neglizhuar aspekti kulturor që mund të thuash se i vishet si propagandë kësaj lufte interesash, por që edhe vepron  pavarësisht prej tyre, si një mendësi dominante e shoqërisë sonë e trashëguar prej kohëve të regjimit nacional - komunist, por edhe e rifreskuar me penelata të reja. Një nga tiparet më të spikatura të kësaj kulture është fabrikimi i armikut në emër të krijimit të unitetit dhe kohezionit të grupit. Është një kulturë që dominon shoqërinë shqiptare në mënyrë të përgjithshme, jo vetëm në raportet midis forcave politike që fabrikojnë armikun e brendshëm, por edhe kur bëhet fjalë për nevojën e armikut të jashtëm . (Mjaf të kesh parasysh për këtë debatin mbi regjistrimin e pakicave etnike kur ndonëse tani jemi në Nato e flasim për marrëdhënie miqësie e për hyrje në Evropë “armiku i jashtëm” duket sikur është e vetmja mënyrë për të ndërtuar dashurinë për vendin.) 
  
Dihet se një nga ndjenjat që ka pushtetin më të madh tek njeriu, është urrejtja, kjo bijë e frikës dhe inat i të dobtëve, siç e quajnë të urtit. Është një ndjenjë që njeriu në shekuj ka arritur ta kontrollojë nëpërmjet eliminimit të shkaqeve të frikës dhe të dobësisë në shoqëritë ku jeton,  por edhe nëpërmjet njohjes dhe arësyes. Sa më shumë një shoqëri të jetë e  bartur me frikëra, dobësira dhe padituri aq më shumë kjo ndjenjë bëhet mbizotëruese. Fatkeqësisht ky është rasti i shoqërisë sonë. E këtu vijmë tek tema e këtij shkrimi që synon të shpjegojë pse ne e kemi aq të pamundur dialogun, negocimin ndonëse të gjithë na e kërkojnë, madje edhe vetë e dimë se vetëm ashtu mund ta kolojmë krizën. Problemi është se partitë tona janë ndërtuar dhe punojnë mbi bazën e fabrikimit të armikut të brendshëm nëpërmjet gjuhës së urrejtjes që zhvillohet e kultivohet nëpërmjet këtij fabrikimi. Gjatë veprimtarisë së tyre, veçanërisht elektorale, ato kryejnë një trushpëlarje të vazhdueshme ndaj elektoratin të tyre me mediat edhe gjithshka tjetër që kanë në dorë. Urrejtja sikur bëhet i vetmi motiv për t’u ndjerë bashkë e solidarë me njëri tjetrin e për të mobilizuar votuesit. Pa armikun dhe urrejtjen ndaj tij ato sikur nuk mund të ekzistojnë dot. Dëgjoni Sali Berishën dhe jo vetëm atë në PD, por edhe shumë më të rinj, se si vazhdimisht i thonë elektoratit, gati pa doreza fare, se lufta e tyre është me këlyshët e bllokmenëve që duhet të marrin mësimin final që të zhduken si racë nga faqja e dheut, duke harruar se vetë Saliu ka qenë komunist dhe se brenda partisë së tij ka edhe shumë komunistë të tjerë apo “këlyshë” komunistësh. Dëgjoni Edi Ramë e të tijtë se si tërë ditën nuk thotë gjë tjetër veçse se si e keqja vjen nga regjimi i kusarisë së Sali Berishës, se nuk do të lenë gur pa luajtur për ta hequr qafe këtë bandë kusarësh, duke harruar se në bashkitë kryesore të vendit, që janë nën kontrollin e PS, kusaria ka bërë e po bën kërdinë. Shkurt, pra, e gjithë strategjia elektorale, por edhe ajo e luftës politike në përgjithësi, është e ndërtuar mbi filozofinë e identifikimit të tjetrit kundërshtar me armikun dhe urrejtjen ndaj tij.  Dhe pyetja që ngrihet natyrshëm është: a ka mundësi të zhvillohet dialogu, marrëveshja me dikë kur atë e urren në një mënyrë kaq totale dhe betohesh se nuk do të lesh mjet pa përdorur për ta shkatërruar? Normalisht jo, është e pamundur.  Dhe ky është problemi i paaftësisë sonë për dialog e zgjidhje të krizës me bisedime. Politikanët tanë janë, kësisoj, në një skizofreni të plotë: më nja anë atyre u duhet t’u tregojnë ndërkombëtarëve se ata po bëjnë dialog, nga ana tjetër u duhet të ndërsejnë militantët dhe në përgjithësi elektoratin e tyre me ndjenja urrejtje totale ndaj armikut. Për hir të së vërtetës duhet thënë se PD-ja, ndoshta edhe pse është në pushtet e kërkon të reflektojë siguri, duket se ka ndërtuar një strategji disi mikste në këtë drejtim: ka dalë edhe me projekte për të ardhmen me gojën e Bashës veçanërisht. Por edhe këtë duket sheshit se e bën për të goditur kundërshtarin që, sipas saj, vetëm e demonizon. Ndërkaq elektorati është i qartë  se kjo është thjesht një lëvizje taktike më shumë, se nëse gjatë fushatës shfaqet edhe një retorikë që e ve theksin tek ndërtimi dhe jo tek demonizimi i kundërshtarit, duhet ta kuptojë se kjo është sa për të larë gojën me ndërkombëtarët, pasi poshtë saj gëlon urrejtja dhe mprihen thikat. 


Këtu vlen të shtrohet edhe një pyetje, megjithatë: a e urrejnë ata vërtet kaq shumë njëri tjetrin, apo thjesht ndërsejnë turmën në një si teatër kukllash? Kur Sali Berisha shpërtheu një herë në Parlament ndaj këlyshëve të bllokmenëve që “lehin, por nuk kafshojnë” e vazhdoi me akuzat aq të stërpësëritura se janë bij të etërve të tyre etj., etj. i thashë një udhëheqësi të PD, kur e takova rastësisht, se kjo gjuhë më dukej e papranueshme pasi, e para, është kundër parimeve bazë të të drejtave të njeriut që thonë se faji është individual dhe jo kolektiv apo familjar e se fajësinë familjare e ka pas aplikuar Enver Hoxha; e dyta, sepse edhe vetë PD është plot me komunistë apo ish komunistë e bij komunistësh. Përgjigja që më tha ishte: po ai nuk flet për njerëz si ty, ai flet për militantët dhe elektoratin e gjerë - a thua se këta duhen mbajtur në gjendjen e trushpëlarjes së përherëshme. Megjithatë kjo nuk do të thotë se gjuha e urrejtjes e përdorur për retorikë, e që ka prapa interesa e pazare banale njerëzish të vegjël, nuk prodhon urrejtje. Paçka se është një retorikë sipërfaqësore, që nuk buron nga ndonjë urrejtje e njementë në nivelin e lidershipit, efekti i saj psikologjik në shoqëri është shkatërrues edhe për ata që  nuk ndjehen pjesë e kësaj loje. Në këtë kontekst gjykoj se duhet parë edhe seriali i tentativave për vrasje të kohëve të fundit që dikush e interpreton me sfond politik dhe dikush me sfond ordiner, interesash dhe pazaresh të prishura. Sipas meje të dyja nuk e përjashtojnë njëra tjetrën përkundrazi e ushqejnë njëra tjetrën. Dhe kam frikë se jemi vetëm në fillimet e kësaj urrejtjeje në shpërthim që është pasqyrë e një frike dhe dobësie të madhe të klasës sonë politike. 


Si duhet të reagojë ndaj kësaj gjuhe urrejtjeje pjesa jo militante e elektoratit, që gjykoj se është shumica e shqiptarëve? Duke u dhënë sinjalin - sipas meje me abstenim, por jo vetëm: edhe duke votuar rast pas rasti sipas kandidatëve apo problematikës që jeton - se është më e vetëdijshme për realitetin që jeton dhe më e aftë për dashuri dhe dialog sesa qentë rotwailer të ngjarjes që tregova në krye të shkrimit. (Panorama, 6 prill 2011)

5 comments:

Glen LLaçi said...

Ky shkrim me kujton nje shprehje teper te bukur te Hygoit te "Te Mjeret" dhe i pershtatet goxha realitetit. (me duket Hygoi e ka marre nga Virgjili).

Immanis pecoris custos immanior ipse- Bariu i nje kopeje te eger eshte me i eger se vete kopeja.

Anonymous said...

Ketu ne USA nuk thone ka qene te mire ose te keqij por ka te zote te mire apo te keqij. Qeni eshte si ta mesosh. Nuk e kuptoje pse duhet te stervitesh qene agresiv apo deshiren qe kane disa ti vene ata te zihen. Ketu eshte absolutisht e ndaluar nje gje e tille. Pse duhet te ndjejme kenaqesi duke pare se si ushtrohet dhune qofte dhe ndaje kafshve???
Kjo tregon primitivizem per mua.
Urrejta eshte e papranueshme ne nje shoqeri moderne. Eshte e pafalshme dhe kriminale kur ajo nxitet nga politikanet. Debati duhej te behej i mbeshtetur ne argumete, ne menyrat se si kandidate te ndryshem e shikojne rrugen e zhvillimit te vendit dhe zgjidhjen e problemeve.
Me sa shifet asnje nuk ka ide apo vizione per zhvillimin e vendit. Cdo gje i eshte lene rastesise.
Zgjidhjet jane te castit dhe ato mendohen atehere kur problemet jane aq te mbrehte sa nuk mund te anashkalohen me. Kjo eshte komplet amatorizem per te mos thene kriminale. Shumica e kandidateve per mua jane te paafte per postet qe ata kanditojne. Po kanditohen thjesht se jane sherbetore te bindur te udheheqesit te partise.

Anonymous said...

Para pak kohësh, në një sallë të Kuvendit Popullor, u ekspozuan propozimet e arkitektëve të huaj për kompleksin e ri parlamentar shqiptar. Kjo shfaqje (së bashku me ato ku krerët e institucioneve të lartë bëjnë ciceronin pasionant), e bëri një mikun tim të shprehej me duf se në ka profesion, përfaqësuesit e të cilit duhet t'i importojmë është politika.

g said...

Libri i fundit i Kadarese po kalon pa vemendje fare dhe ne fakt autori na ka paralajmeruar se nuk do te shkruaje me letersi , po vetem esse, keshtu qe heshtja me te cilen po vjeterohet "Mosmarreveshja" e tij ne stenda, duhet t'i duket posacerisht irrituese. Ja pse po kerkon te hape debat me Lubonjen tek Panorama, duke e quajtur racist antishqiptar, besoj. Nese Lubonja shkruan per librin e tij thellesisht racist e antiintelektual, do te aktivizohet direkt shpura e bodyguardeve te mirenjohur kadareane dhe do perseritet keshtu maskarada e njohur e cila shoqerohet me rritje te ekstremizmit te djathte ne publik. Kam pershtypjen se po nuk debatoi njeri me te, ka per te vene Sadik Bejkon te shkruaje kunder tij, sa per te hapur lojen

Anonymous said...

Populli shqiptar ka nje shprehje : Uthulla e forte prish enen e vet. Per mendimin tim kjo gje ndodh edhe me politiken shqiptare(ne se mund ti themi politike ne sensin bashkekohor). E vetmja zgjidhje naturale per kete fenomen te rritjes se perqendrimit te urrejtes bilaterale eshte hollimi i saj ne ambientet e shoqerise shqiptare qe me duket se eshte shume me e avancuar se politikanet e vet(shkalla e larte e emigracionit, problemet sociale te lindura gjate tranzicionit etj). Per ta zbutur kete urrejtje mendoj se ka disa menyra:

1. Depolarizimi politik nepermjet rritjes se perqindjes se prezences se partive te vogla ne parlament. Kjo sjell mundesine qe kryetaret agresiv te 2 partive te medha te ulen per me shume kohe ne tryeza te rrumbullaketa politike me partite e vogla gje qe e ul fokusimin vetem tek nje armik.
2. Integrimi i diaspores se re ne procesin e votimit.Duke pasur parasysh qe nje pjese e madhe e shqiptareve jeton me perqendrime te medhaja ne Itali Greqi dhe Gjermani ndoshta dhe Amerike them se do te ishte e rendesishme qe te hapeshin qendra votimi ne keto shtete.

3. NGO duhet te jene me aktive ne emancipimin aktiv politik ne vazhdimesi te shoqerise shqiptare.

4. Integrimi me i larte i femres shqiptare ne politike. Sa modern dhe roze dukej Edi ne fillim kur mori bashkine.

5. Nevoja e shkurtimit te afatit te zgjedhjeve nga njeher ne 4 vjete ne nje afat me te shkurter. Kjo them se zbut retorikat duke rritur fokusimin
1 ne zbatimin e premtimeve elektorale ne afat me te shkurter. 2 Ardhja e shpejte e zgjedhjeve te reja lind nevoje e kompromisit dhe bindjes se zbutur to elektoratit per te rritur jetegjatesine ne pushtet.