Nëse do të bënim një analizë të ftohtë të këtyre zgjedhjeve gjykoj se e para gjë që do të duhet të thonim është se këto janë zgjedhjet më të vështira që bën Shqipëria, ndoshta që prej vitit 1996. E them këtë pasi kam përshtypjen - që s’është vetëm e imja - se këto zgjedhje po përgatiten dhe përjetohen më shumë se të tjerat si lufta finale midis dy forcave politike të mbetura në fushëbetejë (PD – PS ) pasi kanë eliminuar tërë rivalët e mundshëm më të vegjël dhe më të mëdhenj.
Po pse luftë finale? Sipas meje nuk është thjesht dhe vetëm kultura totalitare, autoritare e trashëguar nga partia prej së cilës kanë dalë (PPSH) që i shtyn këto parti të sillen sikur po bëjnë luftë finale. Kjo kulturë ka qenë edhe më parë dhe do të thoja se edhe zgjedhjet e mëparëshme kanë patur goxha karakterin e një lufte finale. Por këto që po vijnë e kanë shumë më të theksuar këtë aspekt për shkak të zhvillimeve ekonomike, sociale e politike të vendit gjatë këtyre viteve të fundit, që po tregojnë gjithnjë e më shumë se dy partitë kryesore, pasi eliminuan të tjerat (ato që kanë mbetur janë thjeshtë fantazma të pluralizmit) nuk kanë motive të mjaftueshme për ekzistencën e tyre si dy parti për shkak se, sa më shumë kalon koha, aq më pak ato përfaqësojnë shtresa të ndryshme social ekonomike apo kultura, histori e projekt - vizione të ndryshme për botën.
Pa mohuar përkatësinë e ndryshme, përsa i përket historive familjare të votuesve në kohën e Hoxhës, gjykoj se ata që diktojnë realisht politikat e këtyre dy partive janë gjithnjë e më shumë të ngjashëm me njëri tjetrin si dy pika uji, në mos qofshin edhe të njëjtët persona në shumë raste. Që të dyja përfaqësojnë interesa të së njëjtës shtresë ekonomiko shoqërore, që janë oligarkët e vendit, të cilët nuk kanë ndonjë interes të veçantë që të jenë në dy parti të ndryshme përveçse për të marrë kontrollin e plotë të territorit e të ekonomisë në duart e tyre. Jo vetëm, por midis tyre është edhe një kategori e tretë, shumë e gjerë, që i paguan të dyja partitë gjatë fushatave dhe që gjithnjë e më shumë bëhet e vetëdijshme se nuk ka ndonjë interes që ta bëjë këtë.
Duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike që duket sheshit nëpër dyqanet e supermerkatot bosh, apo në apartamentet e shtëpitë e papërfunduara apo të pashitura, ka shumë më tepër arësye që lufta politike e këtyre grupeve për të marë kontrollin përfundimtar të territorit e të ekonomisë nëpërmjet marrjes së kontrollit të politikës, të përjetohet si luftë finale apo për jetë a vdekje. Pra në këtë kontekst kjo luftë finale vjen edhe si tregues i dështimit në shumë aspekte të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, të ndërtimit e kultivimit të diversitetit politik kulturor dhe të përfaqësimit të shtresave të ndryshme të popullsisë.
Në kushtet e kësaj lufte finale ne ndodhemi përpara dy skenarësh ose më saktë përpara dy rreziqesh. Rreziku i parë është ai që PD-ja të fitojë këtë zgjedhje me çka kuptohet edhe fitorja e Tiranës. Rreziku i madh i kësaj është që, në këtë rast, të mbetemi nën diktatin e një partie të vetme me një opozitë, të mbetur vetëm te PS, që në këtë rast do të implodojë edhe për shkak se sponsorët e saj ose do të falimentojnë ose do të shkojnë të gjithë afër PD-së. Kjo do të ketë pasoja të rënda të lidhura me rritjen e autoritarizmit dhe arrogancës së PD-s, të shpërdorimit të pushtetit dhe të parave të shqiptarëve që Berisha i ka manifestuar pa kursim edhe me ekzistencën e një opozite të rëndësishme çka do të thotë se do të na mrrudhen e kërcënohen edhe mjaft të drejta e liri të shprehjes e me rradhë.
Rreziku tjetër është që PS të fitojë zgjedhjet dhe atëhere kjo do të konsiderohet prej saj, siç dhe ka premtuar, jo si një fitore e pushteti lokal, por si një fitore politike, që do të interpretohet pastaj prej saj edhe si një delegjitimim i zgjedhjeve të 2009. Pra, pas kësaj fitoreje do të ndodhemi nën rrezikun e një lufte të përditëshme civile pa armë midis dy forcave kryesore që do të vazhdojë deri në vitin 2013 nëse Berisha reziston. Me shumë gjasa sipas këtij skenari në periudhën 2011 - 2013 do të kemi një PS që arrin fitoren finale me të njëjtat pasoja si ato që parashtrova në rastin e fitores së PD më 2011.
Shkurt pra, përjashto militantët që ëndërrojnë pa dilema fitoren përfundimtare të palës së tyre, ne të tjerët, që mendoj se jemi shumica e shqiptarëve dhe, sipas meje, edhe të papërfaqësuar nga asnjëra nga këto parti, ndodhemi përpara rrezikut të një fitoreje finale të PD më 2011 me instalimit e pushteti të Sali Berishës dhe të një fitoreje finale të PS në periudhën kohore 2011 - 2013 me instalimit të pushteti të Edi Ramës me pak mundësi ndryshimi të kësaj situate për një kohë të gjatë.
Ndërkaq nuk duhet të harrojmë se demokracia është bash e kundërta e fitoreve finale. Ajo do të thotë pushtet i popullit jo thjeshtë si retorikë, por në kuptimin që pronar i karrikes së pushtetit është populli i cili ua jep si të thuash me qira, dhe me kontratë, për përfitimet e tija, këtë karrike partive të ndryshme, por kurrsesi përgjithmonë.
Çfarë duhet bërë që të shpëtojmë nga rreziku i këtyre dy skenarëve që do të thotë, metaforikisht, të kalojmë midis Shillës dhe Karridbës pa rënë viktima të asnjërës prej tyre. Sot për sot shqiptarët, për fat të keq, kanë në dorë për këtë vetëm një instrument: votën e tyre. Sipas meje më i suksesëshmi për të dhënë mesazhin se karriken e pushteti nuk mund ta fitojë kurrë përgjithmonë asnjëri do të ishte bojkotimi masiv. Në mungesë të këtij, pa hyrë në hollësira, do të thoja se përdorimi sa më i zgjuar i kësaj vote duhet të jetë ai që do t’ i bënte të dyja palët të mos ndjeheshin të sigurt se e kanë fituar betejën përgjithmonë. (Panorama, 31 mars 2011)
2 comments:
Populli ka shume ne dore per te mos thene cdo gje. Por ne kemi problem me popullin. Ne Shqiperi akoma mbizoteron nje mentalitet qe vjen nga e kaluara. Ata qe jane ne qeveri shikohen shikohen si perendi. Harrohet qe cdo person qe ka nje detyre publike duke filluar nga presidenti dhe kryeministri paguhet nga leket e te gjitheve per te bere nje pune te caktuar. Kryeministri nuk eshte gje tjeter vetem nje CEO i nje ndermarje te madhe ku aksionere jane te gjithe banoret e Shqiperise, dhe sic ndodh me cdo ndermarje te madhe nese shumica e aksionereve nuk jane te kenaqur me menyren si CEO e ben punen e zevendesojne ate menjehere.
Per fat te keq shumica e njerezve ne Shqiperi ndjehen shume inferior karshi pushtetit, i shikojne pushtetaret si njerez te fuqishem ndaj te cileve nuk mund te besh asgje. Ky mentalitet ben qe aty pushtetaret te bejne ato qe bejne dhe te mos kene pasoja.
Me kete sistem politik (me keto dy parti hajdutesh dhe kriminelesh) nuk mund te vazhdohet me. Te dyja alternativat e sotme ngjajne si dy pika uji. Ka ardhur koha per dicka te re. Kjo klase e sotme politike (qe shumica eshte e inkriminuar) duhet shporrur. Edhe nese njerezit nuk shkojne me shumice ne votime prape keta qe i shikojne kutite do e bejne sikur kane shkuar. Duhet me teper se bojkotimi masiv i votimeve.
Pershendetje!
Lexova me vemendje postimin si dhe komentin. C'eshte e verteta nuk e kam pare deri tani fushaten lokale si lufte pushtetesh, por e kam pare ne kendveshtrimin e alternativa.
Cdo nate shikoj dhe degjoj lajmet ku thuhet qe Edi Rama ishte ne X njesi bashkiake, Lulzim Basha ishte ne y njesi bashkiake. perpiqem te kap alternativat.
Lulzim Basha me eshte dukur qe premton pa kufi,ulje te taksave te biznesit te vogel, rritje e punesimit, sheshe shplodhese dhe lojrash per te moshuarit dhe femijet etj. me duket se ka hapur thesin e premtimeve. per mua do te ishte me i besueshem nese do thoshte 3-4 pika te forta dhe ca pika te tjera sekondare. Sepse mendoj qe nese do pergjysmoje taksat e biznesit te vogel, do te kete nje buxhet me te vogel te bashkise per te realizuar investime si shkolla, parqe etj. gjithsesi mendoj qe duhet ta shpalose alternativen e tij ne nje emision te posacem dhe ishalla do flase pak gjere e gjate per oferten e tij drejtuar qytetareve te Tiranes.
Nga ana tjeter, per kryetarin ne fuqi mendoj qe ka bere nje pune shume te mire mandatin e pare, kur pastroi Lanen, shembi kioskat etj. Mirepo ne mandatet e tjera, dhe sidomos kete te fundit, nuk i mbaj mend te kete bere ndonje gje te shenuar. mbase ngaqe mban dy kunguj (kryetar i ps dhe i bashkise njehkohsisht) nen sqetull, nuk ka dhene maksimumin e tij te pakten per sherbimin ndaj qytetareve. Si nene e nje femije te vogel, qe ne momentin qe vajza ime filloi te ece, ndjej nevojen per nje sheshe lojrash per zhvillimin psiko-motorr te saj. Mirepo ja qe nuk e ka realizuar. Dhe nuk ma premton kete radhe. E degjova mbreme ne nje tv,kur njerzit i ankoheshin qe nuk kishin leke dhe z. Rama i jep nje pergjigje "Kur te ike Saliu, do vijne leket". Mua kjo pergjigje me fyen sepse ska te beje me ofertat per qytetarin e Tiranes te cilit i kerkon voten, ska te beje me vajzen time qe detyrohem ta coj ne lokale me lodra me pagese nderkohe qe duhet te mi ofroje bashkia ime keto sherbime. Mbase motoja "kur te iki Saliu, vijne leket" mund te godase qytetarin me arsim 8-vjecar, por jo me arsim te mesem dhe te larte.
Sot kalova ne sheshin e Skenderbeut, dhe desh rashe ne ca male dhe gropa nga punimet shume "intensive" dhe mu kujtua e inatosur shprehja "Gjithe fajin e ka Saliu" edhe per gropat qe hap kryetari i bashkise.
Dhe per ta mbyllur, nuk me intereson politika, me interesojne sherbimet qe do ofroje produkti politik i zgjedhur per bashkine. Keshtu qe alternativa "Premtime per studentet, biznesin e vogel, femijet, te moshuarit, te papunet" fiton si alternative edhe pse tullumbac i fryre para JOAlternatives "Gjithe fajin e ka Saliu".
Financa AL
Post a Comment