Friday, May 27, 2011

Edhe një herë mbi procesin

Tani që kemi arritur thuajse në përfundim të pjesë më të vështirë të procesit zgjedhor, numërimit të votave, mund të thuhet se ky proces ka ecur në mënyrë të atillë që palët, përveç rastit të Tiranës, që është komplikuar shumë për shkak të rezultatit jashtëzakonisht të ngushtë, kanë shumë më pak kontestime serioze për vjedhje votash se më parë, por… Diçka e rëndësishme qëndron prapa “por”-it. Pyetja është nëse ky përparim erdhi pasi nuk kemi të bëjmë më me manipulues apo vjedhës votash, se këta janë sofistukuar, apo çfarë? Gjykoj se votat u ruajtën më mirë se më parë jo pse kemi arritur të ndërtojmë institucion votimi e numërimi të tillë që të garantojë votën e lirë, por kryesisht në sajë të strategjisë së ruajtjes së hajdutit. Në mënyrë figurative mund të thoja se situata ishte e ngjashme me atë të hajdutëve që janë të paralajmëruar se në filan ditë dhe në filan javë të gjitha kamerat e vëzhgimit dhe të gjitha mjetet e përgjimit janë në alarm maksimal prandaj kjo nuk mund të jetë dita e vjedhjes për ta, gjë që, nga ana tjetër, nuk i bën ata njerëz të ndershëm. Ose ose: ti je hajdut, mund të vjedhësh gjithshka, por jo në shtëpinë time sepse unë e kam të ruajtur atë. Nuk duhet harruar se një ndikim të fuqishëm për këtë ka luajtur faktori ndërkombëtar që ka përgjuar edhe ai me kandil në dorë. A është kjo garanci për të nesërmen? Sigurisht jo, por të kesh zgjedhje me një rezultat që nuk mund të kontestohet lehtë nga palët është më mirë se të kesh zgjedhje të kontestueshme. Ndërkaq, në këtë kontekst, gjithë duke folur për vota të pakontestueshme, mund të shtojmë se kjo nuk do të thotë se këto ishin të pamanipuluara, Fakti është se në zgjedhjet lokale, shumë  më tepër sesa në zgjedhjet e përgjithshme vihet re një fenomen që edhe pse nuk mund të quhet vjedhje e kontestueshme e votës duket sheshit se është një  manipulim i votës. Me këtë kam parasysh se vota në shumë raste diktohet nga rrjete të fuqishme interesash e klientelash që kanë krijuar grupe të pasuruarish në qytete apo komuna të ndryshme, shpesh edhe duke pas qenë për të disatën herë në krye të bashkive të ndryshme, që  janë bërë gjithnjë e më të fortë nga mandati në mandat e që, sikurse thonë shumë zëra, kanë arritur deri ta blejnë me para në dorë votën e të varfërve.  Në këtë aspekt mendoj se është bërë pak ose shumë pak, nga ana e mediave veçanërisht, për të investiguar se cilët kanë qenë kandidatët për bashki, cilat kanë qenë pasuritë e tyre, si janë venë ato pasuri, etj.. Një nga arësyet pse kjo nuk është bërë mendoj se vjen ngase të dy palët në shumë raste kanë ndjekur të njëjtën strategji të mbështetjes në këtë kategori politikanësh. Rastet më flagrante të këtij fenomeni, sipas mendimit tim, janë ato kur vihet re një zhvendosje e votës për kyetar bashkie nga ajo për këshillin bashkiak ku, ndërkohë që vota e kryetarit i është dhënë përfaqësuesit të njërit koalicion vota popullore i është koalicionit tjetër me diferanca të pajustifikueshme – ndër të cilët më skandalozi është rasti i Durrësit. Shumë të dhëna flasin se këto zhvendosje nuk i dedikohen ashtu dhe aq karizmës së individit fitues apo mungesës së karizmës së humbësit, por fuqisë financiare dhe klientelës shumë më të fortë të fituesit, e fuqizuar kjo nga qeverisja në qeverisje, ose nga ndonjë biznes i fuqishëm.
Nëse Tirana nuk e vërteton këtë, pasi rezultati duket se ka shumë më tepër ekuilibër, kjo, sipas gjykimit tim, vjen për shkakun se në Tiranë ka shumë më tepër ekuilibër pushtetesh financiare, mediatike e administrative midis pushtetit qendror dhe atij lokal.

Sigurisht nuk mendoj se vetëm aspekti fuqi rrjetesh klientelare ka ndikuar në votën. Sikurse e kam thënë në shkrimin ”Ekuacioni i zgjedhjeve” një faktor i rëndësishëm është edhe faktori pakënaqësi në rritje si ndaj pushtetit qendror edhe atij lokal. Megjithatë rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sipas gjykimit tim, provojnë se faktori pakënaqësi, ndryshe nga çfarë prisja, ka luajtur një rol më të vogël sesa faktori fuqi klientelare. Ndoshta për këtë ka ndikuar edhe fakti se opinioni i gjerë i të pakënaqurve nuk ka ndonjë pritshmëri të madhe ndryshimi. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe fakti se në një kohë kur Shkodra është përmbytur në mënyrë dramatike gjatë kësaj maxhorance kandidati demokrat për bashki votohet në mënyrë spektakolare. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe fakti se ndërkohë që Durrësi është masakruar nga betoni protagonistët e masakrimit shpërblehen me votë ndërkohë që vota për këshillin i shkon koalicionit kundërshtar. Nuk ka se si shpjegohet se ndërkohë që  ish kryetari i rikonfirmuar i Korçës përgatit shkatërrimin e qytetit në emër të interesave financiare të një grushti njerëzish  merr votën e shumicës edhepse kundërshtari i tij premton ta shpëtojë qytetin nga kjo masakër. Nuk ka se si shpjegohet fakti se ndërkohë që LSI ka kaluar një krizë të paparë morale për shkak të skandalit për korrupsion që ka përfshirë jo vetëm kryetarin e partisë Meta, por edhe një nga udhëheqësit e tij më të spikatur, ish ministrin Prifti, kjo parti fiton më shumë vota nga ç’ka fituar në 2009.

Për gjithë sa thashë gjykoj se këto zgjedhje meritojnë të quhen më të pakontestueshme se paraardhëset, por jo të pamanipuluara. Dikush do të thotë se gjithsesi kjo përbën një hap përpara madje se edhe në demkracitë e konsoliduara perëndimore mund të flitet për disa nga llojet e manipulimit që përmenda. Është e vërtetë, por po ashtu është e vërtetë se diferenca e jonë me këto demokraci është ende mjaft e madhe, madje edhe me ato të vendeve ish lindore. Dhe problemi kryesor që del sipas këtij arsyetimi është se rritja më e madhe e ndikimit të fuqisë klientelare mbi rezultatin e votimit ndaj ndikimit të pakënaqësisë popullore rrezikon që oligarkia, kleptokracia, klientelokracia të fitojë në të ardhmen edhe më shumë terren në dëm të përpjekjes sonë për liri dhe demokraci. (Panorama, 17 maj 2011)


No comments: