Takova para disa ditësh një të ri i cili bën pjesë në kategorinë e atyre që kalojnë një kohë jo të vogël para kompiuterit. E pyeta se si e shihte ai fushatën elektorale. Mu përgjigj me një anakdodë që më pëlqeu, prandaj po e ndaj me lexuesin.“A e di çfarë më kujtojnë ato dy posterat e Ramës dhe Bashës? - më tha.”“Çfarë?” - e pyeta.“A e ke degjuar atë barcaletën me Bill Gate në Ferr?”“Jo.”“Kur vdiq Bill Gate, meqë ishte njeri që kishte bërë punë të mëdha, i dhanë mundësi të zgjidhte se ku do shkonte. Për këtë i shfaqën tre ekrane kompiuterike. Billin e tërhoqi veçanërisht Ferri: me një breg deti të kaltërt, me shezllongje e palma e me femra të bukura rreth e rotull. E zgjodhi menjëherë. Mirëpo, sapo hyri atje, ç’të shihte: shtëllunga flake, gropa vullkanike, vende torture, dmth. ferr i vërtetë. ‘Ç’është kështu? - u tha të dërguarve të Zotit, - unë pashë tjetër gjë në ekran!’ ‘E po - i thanë - ajo që pe ti ishte screen saveri.’Mua – vazhdoi të më thotë miku im - ajo buzëqeshja e Bashës para fotos së Tiranës dhe ato dhëmbët e reja rruazë të bardhë të Ramës, shoqëruar me tre katër femra në rresht, që na dalin çdo dhjetë metra kur ecim nëpër rrugë dhe që i sheh të stampuar edhe nëpër makina që të shoqërojnë gjatë gjithë rrugës, më duken si screen saveri i Ferrit.”Më kapi e qeshura dhe shyqyr që e kemi ruajtur ende këtë veti se prapa aplikimit të kësaj barcalete në kontekstin shqiptar qëndron një dramë shumë e thellë për të gjithë ne.Nuk di nëse është më shumë përvoja e hidhur e këtyre njëzet vjetëve, që na bën t’i shikojmë këto premtime me aq mosbesim, apo fakti se fushatat tona elektorale po bëhen gjithnjë e më shumë thjesht e vetëm propagandë si ajo e kohës së komunizmit. Ndoshta të dyja janë të vërteta. Mosbesimi ka arritur një pikë kulmore për shkak të premtimeve të pambajtura kurse premtimet e pambajtura, që gjithsesi janë shpërblyer me votë, e kanë bërë klasën tonë politike gjithnjë e më arrogante e harbute, por njëherësh gjithnjë e më të bindur se në këtë vend gënjeshtra shpërblehet më shumë sesa e vërteta kurse atyre që s’duan ta hanë u thuhet: “O ti mangi questa minestra o ti butti dalla finestra!”. A ju kujtohet, o qytetarë të Tiranës, se kur na u vu mbi kokë ajo linja e tensionit të lartë në Bulevardin Zogu i Parë pati një valë jo të vogël protestash për rrezikshmërinë e saj, për faktin se një gjë të tillë nuk e sheh gjëkundi në qytetet e botës së qytetëruar e më the të thashë? Dhe si përgjigje nga ata që e vunë – nuk e mbaj mend fare se kush ishte asokohe - na u tha se ishte një gjë e përkohëshme, sa për të stabilizuar për pak kohë tensionin; se shumë shpejt do të vendosej kablli nëntokësor, si në tërë qytetet normale të botës. E pra, kanë kaluar ndonja dhjetë vjet, besoj, dhe ende ato shtylla tensioni të lartë i kemi mbi kokë, mu në mes të Tiranës. Tani i kemi harruar fare që i kemi mbi kokë. Kemi harruar edhe protestat që kemi bërë madje. E sot këta mashtrues profesionistë kanë për borxh që ca shtylla si ato të na i ngrenë mbi krye e të na i shesin edhe për sukses.Premtimi i Edi Ramës përveç buzëqeshjes së freksët nëpër postera është po ai i këtyre njëzet vjetëve sipas të cilit votën ta garantojnë zullumet e kundërshtarit: votoni për mua të heqim Saliun se ai po ju vjedh kurse unë me të mijtë nuk do t’ju vjedh. A thua se këta qindra mijëra ndërtime që na kanë vjedhur deri edhe ajrin e prej të cilëve nuk është vjelur taksë as sa për të bërë capak gjëra normale si puna e një thertoreje të mos jenë ndërtuar në kohën e tij dhe nga njerëzit e tij. Ndërkaq, premtimi i Lulzim Bashës është edhe ai po i vjetri: do t’ju bëj të jetoni në më të mirën e botëve pa përjashtim: vepra publike si unaza e madhe ku do të punësohen njerëz, zgjatja e bulevardit të madhe deri tek lumi, parqe, shkolla, kopështe, biblioteka (harrova, të dy palët na premtojnë edhe tramvaj; madje së fundi po haen se kush ia ka vjedhur këtë ide tjetrit) të cilat do të shoqërohen edhe me ulje taksash për të gjithë, edhe me falje borxhesh. Nuk ka rëndësi se deri tani edhe me taksa të larta ne jemi në këtë derhexhe përsa i përket publikes. Në fakt Basha premton se do të gjejë kredi. Por kjo do të thotë para borxh, dhe, a nuk jemi të mbytur me borxhe deri tani? Mirëpo maxhoranca ngulmon “rrugë”, “rrugë”, rrugë”, rrugë” – me borxhe sigurisht. Edhe në screen saverin që mban Berisha prapa shpine rrugë ka. Mirëpo, ndërkëq, prapa këtij premtimi ferri është i paparë. Le ta vizitojmë këtë ferr vetëm në nja dy tre “lagje”: maxhoranca i ka premtuar ish të burgosurve politikë dëmshpërblimin që është një shumë të hollash mjaft më modeste në krahasim me premtimet që bëjnë këta: dhe a e dini se ndërkohë që ish të burgosurit politikë duket të kishin marrë këstin e katërt - po të llogaritësh atë që thotë ligji i aprovuar - nuk ka mbaruar së dhëni kësti i parë (sepse ato lista që dalin nëpër gazeta me shifra lekësh në krah e që shumë nga ata që nuk dinë gjë i bën të pandehin se këta ish të burgosur po zhdëpen në lekë në fakt janë thjesht e vetëm vazhdim i listës ende të pambaruar të atyre që u njihet e drejta për t’u dëmshpërblyer kurse, se kur do t’i marrin, askush nuk e di). Le të vazhdojmë më tej: numri i ish pronarëve që presin të marrin kompensimin për pronën që u është marrë (edhe atje ku ndërtohen rrugë) është po ashtu tejet i madh. Ka nga ata që kanë nevojë urgjente për këtë të holla pasi nuk mjekohen dot më e nuk blejnë dot më as ilaçe, por kush pyet. E meqë ra fjala le të shohim pak gjendjen e spitaleve publike: mungojnë ilaçet më elementare, njerëzit detyrohen të lenë qimet e kokës nëpër farmacira, rrogat e mjekëve dhe infermiereve janë mizerabël. Po ashtu një polic e ka rrogën 33000 lekë me të cilat s’paguhet dot as minimumi jetik po të jesh beqar. Në një sondazh të kryer para disa kohësh nga një institut një e treta e të rinjve do të iknin me qejf të punonin jashtë shtetit, një e treta tjetër po ashtu e ka këtë aspiratë të fortë dhe vetëm më pak se një e treta thonë se preferojnë të jetojnë në Shqipëri.Po të shikosh lajmet nëpër televizionet e shumta asgjë nga këto thuajse nuk del përveçse si propagandë elektorale. Edhe vetë lajmet janë kthyer në fushatë elektorale mbi premtimet, edhe debatet po ashtu. Kush e tha i pari idenë e tramvajit? Tram apo tramvaj? Screen saveri mbulon vrimat e Ferrit derisa të mbarojnë zgjedhjet dhe të hapen portat e tij. (Panorama, 23 Prill 2011)
Friday, May 6, 2011
Fushata si screen saver i Ferrit
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
1 comment:
Zoti Lubonja jam e lumtur qe me ne fund gjeta blogun tuaj ne internet. Ju ndjek vazhdimisht ne daljet tuaja televizive tek Opinion dhe me duhet te pranoj qe jeni kthyer ne personazhin me racional dhe objektiv ne mediat tona calamane. Urime per menyren tuaj te te menduarit!
Post a Comment