Wednesday, May 4, 2011

Mbi racizmin e Kadaresë

Zoti kryeredaktor,
 
lexova para disa ditësh një dyfaqësh të botuar në gazetën Panorama ku spikat letra që shkrimtari Ismail Kadare ju ka derguar kundër meje, shoqëruar me një intervistë të tijën si dhe me një dokument, të nxjerrë nga arkiva, rreth romanit Koncerti. E gjitha kjo si përgjigje ndaj një artikullit tim ku, mes tjerash, duke kritikuar gjuhën fyese, deri raciste, të përdorur në një shkrim të Ilir Yzeirit ndaj ambasadorit amerikan përmendet, shkarazi, edhe ky roman, meqënëse përdoret nga autori për ta theksuar gjuhën e tij fyese.
Më duhet t’ju them që në fillim se, pas leximit të atij dyfaqëshi, mendimi i parë që më erdhi nëpër mend ishte: si ka mundësi që Panorama i ka bërë një shërbim kaq të padenjë gënjeshtrës, urrejtjes dhe intrigave! Ju do të thoni se është e drejta e shkrimtarit të bëjë replikë dhe s’mbani përgjegjësi për ato që ai thotë. Keni dhe s’keni të drejtë. Megjithatë, përpara se të shpreh se pse nuk keni të drejtë, le t’ju sqaroj më së pari për gënjeshtrat.
E pra, më vjen keq, por nuk kam parë ndonjëherë në faqet e Panoramës një koncentrat të pavërtetash si ato që përmban ai dykollonësh që keni botuar në faqen 16 të së premtes së shkuar kundër meje. Shkrimtari fillon e gënjen që në paragrafin e parë kur më akuzon se në shkrimin tim them se frymëzuesi i racizmit të shqiptarëve është Kadare. Në shkrim, duke dënuar fyerjet deri në racizëm të Shekullit ndaj Arvizut, ku autori e fton me tallje ambasadorin të lexojë librin Koncerti, them tekstualisht: “na duket normale t’i themi dikujt “kinez ”, “evgjit”, “çam”, “çifut”, “çoban”, “grek ”, “shkjah” etj., për ta sharë e ofenduar ngase kemi bindjen se këta janë racë inferiore ndaj sonës. Na duket normale t’i referohemi edhe Kadaresë – librit “Koncerti” të të cilit i referohet autori i shkrimit kur e akuzon ambasadorin për « kinezëri » – duke mos qenë në gjendje as të vëmë re se shkrimtari ka qëndrime raciste të shumta në librat e tij e jo vetëm ndaj kinezëve, siç ka libri në fjalë. Këto janë harxhet e izolimit nacional-komunist. Kjo është kultura jonë e trashëguar.” Kaq them unë e këtu s’ka asgjë që të lerë të kuptojë se frymëzuesi i racizmit tonë na qenka Kadare. Me duket se Kadareja pretendon ca si tepër edhe në të keq. Si për të provuar këtë humbje të kontaktit me realitetin ca më poshtë ai vazhdon e thotë se  na qënka akuzuar si shkaktar i  ftohjes me kinezët dhe se tani po u akuzoka se po nxitka ftohjen me amerikanët.  Kush e di pak historinë e di se si ka ardhur prishja me Kinën dhe nuk i ka shkuar as ndërmend t’ia veshë këtë përgjegjësi Kadaresë, kurse që ai po na ftohka me “partnerin strategjik”, siç e quan SHBA në letrën e tij, mos o Zot, s’i ka shuar ndërmend njeriu ta akuzojë.
*
Pasi pozicionohet kësisoj në të akuzuarin e madh që me një libër të tijin na prishka ekuilibret e Shqipërisë me botën, “shkrimtari i madh” më akuzon se, i shtyrë nga ambicia e shkrimtarit të vogël, kam njëzet vjet që e akuzoj, sëbashku me një “klan” rimohuesish, si racist, çka, sipas tij, është njëlloj si t’i thuash tjetrit terrorist, fashist, të kërkosh dënimin e tij me burg, paçka se ndaj meje këtë akuzë e bën që në titull e pastaj gjatë gjithë shkrimit. Edhe ketu, zoti Kryeredaktor, kemi të bëjmë me një manipulim pasi në shkrimet e mija nuk jam marrë me racizmin e Kadaresë. Jam marrë, po, me nacional - komunizmin që racizmin e ka si një nga ushqyesit e tij më të shëmtuar; dhe jo i shtyrë nga ambiciet personale dhe as për t’u marrë me Kadarenë, por për një arsye shumë më të rëndësishme: pasi ideologjinë nacional - komuniste, për propagandimin e së cilës akuzoj edhe Kadarenë se ka luajtur një rol të dorës së parë me veprën e tij, e kam konsideruar dhe e konsideroj ideologjinë e pushtetit të Enver Hoxhës që, bashkë me shqiptarët, i izoloi shkencat shqiptare të tilla si historia apo gjuhësia, ashtu sikurse edhe letërsinë dhe mendimin shqiptar në përgjithësi për dyzetepesë vjet dhe që, me pseudoshkencën që ka prodhuar e me metodat e të studiuarit e të menduarit, po vazhdon t’i mbajë edhe sot të izoluar nga mendimi dhe studimi bashkëkohor. Është ky njeri, në fakt, që ndaj këtij debati që përfshin edhe veprën e tij, e që ka të bëjë me destalinizimin e vendit, nuk ka pasur asnjëherë kurajon intelektuale të përgjigjet me argumente, por duke përdorur ndaj meje dhe kolegëve që ndajnë mendime të ngjashme fyereje e shpifje të tilla si: antishqiptarë, ziliqarë, spiunë të perëndimorëve, agjentë të serbëve  e të tilla broçkulla që në shtypin shqiptar i gjen vetëm në basifondet e gazetarisë.
Si për ta ilustruar këtë kulturë më poshtë në letrën e tij ai e quan  kritikun letrar të Gazeta Wiborsha, Kaczorowski, “fundërrinë” e Polonisë “nga ata që dorëzonin hebrejtë gjatë luftës” pasi në reçensionin e librit Pallati i ëndrrave, përveçse paska shprehur mendimin e tij se ky është një shkrimtar mediokër, paska shfrytëzuar edhe ca “raportime” të Lubonjës mbi Kadarenë, sipas të cilave ky e ka biografinë në komunizëm “mos më keq”. Në fakt, e vërteta është përsëri tjetër: kritiku polak, të cilin personalisht as qe e njoh, e akuzon Kadarenë për manipulimin e biografisë së tij ku, nga shërbëtor i regjimit, është përpjekur t’i paraqitet Perëndimit si disident i regjimit dhe, për këtë, sjell shembullin e manipulimit me historinë e poemës Pashallarët e Kuq të cilën, nga një poemë që glorifikon Enver Hoxhën dhe bën thirrje të pushkatohen armiqtë e klasës në Bulevard - aq sa diktatori  e ka ndaluar botimin e saj për zell të tepruar – Kadare ka  tentuar t’ia shesë Perëndimit si poemë kundër regjmit.  Dhe polaku nuk e ka mësuar këtë histori nga ndonjë spiunllëk prapa shpine i Lubonjës, por nga libri i tij me artikuj dhe ese Liri e Kërcënuar botuar në Poloni, pasi i ka bërë edhe recension këtij libri në Gazeta Wiborsha. Dhe, sikurse e dini, zoti kryeredaktor, polemika për atë poemë ka qenë krejt publike dhe, kur u gjet poema, e vërteta doli ashtu siç thoja unë e jo ashtu siç manipulonte Kadareja me shokë.
*
Më tej, i verbuar nga urrejtja për shak të qëndrimeve të mija kundër nacional - komunizmit në veprën e tij e më gjerë, që burojnë nga bindjet dhe vizioni im për botën, shkrimtari i etiketon ato si “racizëm antishqiptar” dhe, për t’i sulmuar ato, përdor një intrigë sa të ulët aq edhe të rëndomtë:  i referohet ndonjë burimi që nuk e citon (unë, që i njoh më mirë se ai reagimet ndaj shkrimeve të mija, nuk e kam gjetur kund në shtypin serioz shqiptar), që i shpjegoka ato me qënien time jo shqiptar, por vllah. Dhe pastaj na thotë se puna paska arritur deri aty sa me “pabesinë vllahe” ndaj shqiptarëve unë paskam provokuar në Shqipëri racizmin antivllah (!!!) që ai na e dënoka medemek, e, për këtë, na citon një fragment nga libri i tij  Mosmarrëveshja, i cili, sipas tij, na qenka manifest i mbrojtjes së shqiptarëve nga racizmi kundër tyre i ushtruar nga “të huajt” si Lubonja me klanin e tij.  Në fakt ky shkrimtar nuk e fsheh dot racizmin e tij antivllah, e jo vetëm. Mjaft të kesh parasysh se në ”Nga një dhjetor në tjetrin” ai kërkon ta shpjegojë egërsinë e regjimit komunist me “shulet” (siç i quan maqedonasit) dhe vllehët: ”zakonisht në Byronë Politike një e katërta e ndoshta një e treta ishin “shule” ose vllehë. Të zgjedhur nga Kominterni ose Enver Hoxha “shulet” dhe vllehët ishin tepër të përshtatshëm për udhëheqjen komuniste për arsyen e vetme se ata, duke mos patur lidhje me kombin shqiptar, nuk kishin kurrfarë dhimbsurie për të. Atyre mund t’u thoshe: goditini pa mëshirë! Dhe ata do të godisnin pa ju dridhur dora gjithshka: themelet e kombit, historinë, njerëzit. Ata do ta gjymtonin racën krenare të shqiptarëve me shumë zell ngaqë, në këtë zell kishte pjesën e vet revanshi për fyerjet e dikurshme, hakmarrja dhe komplesi i tyre i inferioritetit.” (Fayard, 1991, f. 65- 66). Shihni se si gjuha e këtij “ultrasi”, siç do ta quante Adam Michniku, ngjason si dy pika uji me diskurset e Hitlerit për t’ia hedhur fajin ebrejve për të këqijat e Gjermanisë e për të kërkuar pastaj  shfarosjen e tyre  si trup i huaj?
Sa për kuriozitet të lexuesit, zoti kryeredaktor, unë gjyshin dhe gjyshen nga im atë nuk i mbaj mend të kenë folur ndonjëherë vllahisht në shtëpi, por vetëm shqip, e po ashtu gjyshi im bën pjesë ndër ata fanolistë që kanë ardhur në 1920 me Vatrën nga SHBA për të luftuar për Shqipërinë, por, çfarëdo origjine etnike që të kenë pasur, shqiptare, greke, vllahe, serbe, maqedone, malazeze, evgjite, rome, turke, çifute të përzjerë apo të stërpërzjerë gjatë shekujve në Perandori kjo për mua s’është as objekt krenarie dhe as poshtërimi sepse bëj pjesë ndër  ata që njohin vetëm një racë: racën njerëzore dhe që njeriun e konsiderojnë produkt të kulturës dhe jo të racës. Ndërsa përsa i përket kulturës sime, për këtë mund të them se jam krenar që krahas gjuhës shqipe e kulturës së shoqërisë ku jam rritur  jam përpjekur e përpiqem të hap sytë e veshët edhe ndaj kulturave të tjera çka më bën sot të ndjehem një qënie që vlerëson më shumë individualitetin dhe personalitetin tek tjetri sesa përkatësinë e tij etnike e që e përbuz me neveri punën e atyre që tentojnë ta reduktojnë njeriun në identitetin e grupit etnik apo fetar pasi  një punë të tillë e konsideroj punë injorantësh e manipulatorësh të rrezikshëm. Sikurse thotë edhe Amarty Sen në “Identiteti dhe dhuna” shpesh ky reduktim synon linçimin e tjetrit. Sipas meje këtë synon edhe Kadareja me paçavuret nacionaliste e raciste që shkruan apo me intrigat në letra si kjo ku guxon deri edhe të na kërcënojë, në emër, medemek, të mbrojtjes së shqiptarëve, kur thotë se “patologjisë antishqiptare” (të joshqiptarëve si unë) nuk ka ndërmend t’i gjejë një emër më të butë (se racizëm): “Ajo është gjithashtu murtajë, dhe sjellësit e murtajës, nga çdo drejtim që vijnë, nuk do të përkëdhelen prej askujt.” Me fjalë të tjera kush guxon të sjellë mendime të ndryshme nga Kadareja apo kundër tij në kulturën shqiptare të ketë kujdes se mund të akuzohet si racist antishqiptar, si sjellës i murtajës. Ky njeri ka harruar se nuk jeton më në kohën e totalitarizmit kur kërcënonte: “Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj./Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit/Të të vejë në mur/tek Bulevardi i Madh.”
*
Kadare thotë se unë kam manipuluar kontekstin e cilësimit nga ana e tij të gjuhës serbe “jevgë”. E vërteta është se këtë shprehje unë e kam lexuar për herë të parë në burg në gazetën Drita dhe jo në ndonjë fiksion të autorit, por në fragmente të librit “Ftesë në Studio” (Drita, 30 shtatorit 1990) dhe e kam komentuar më së pari në librin tim ditar i burgut “Në vitin e 17-të”. Ai është një tekst ku për gjuhën shqipe flitet me tonet e një  një nacional - romantiku të shekullit XIX, ku ekzaltohet shqipja si gjuhë epërore, ku turqishtja krahasohet nga autori me një mamuth të ngathët që lufton me bisht përballë një luani që përdor dhëmbët e kthetrat e del fitues (shqipja) e ku, në përgjithësi, ajo trajtohet si e sulmuar nga ata që sipas autorit kanë një qytetërim, gjuhë e kulturë inferiore, prandaj vuajnë nga një “zili e zezë, që ska shërim”. Dhe për autorin këta janë fqinjët veçanërisht serbët. Në këtë kontekst duke folur për  shqiptarët e ekzaltuar ai ve në gojën e tyre krahasimin  e shqipes me serbishten“si një zonjë e rëndë përbri së cilës serbishta s’qe veç një shërbëtore jevgë.” (vini re racizmin e dyfishtë atë ndaj shtresës dhe atë ndaj evgjitëve).  Po të kesh parasysh kontekstin e krejt tekstit aty nuk gjen dënim të racizmit të shqiptarëve aty gjen pak a shumë të njëjtin stil “hidh gurin e fshih dorën” (që mos të të quajnë evropianët racist se shqiptarët e kuptojnë mirë çfarë do të thuash) që përdor në letrën që ju kadërguar ju kundër meje. Aq më tepër po të kesh parasysh se nuk citon se nga ku e ka burimin e këtyre shprehjeve për të provuar se nuk janë produkt i mendjes së tij raciste.
Zoti kryeredaktor,
Unë jam një ndër ata që mendojnë se ne shqiptarët kemi një prapambetje kulturore  nga e cila nuk dalim dot me vetëmburrjet nacionaliste dhe qëndrimet raciste, që veçse na bëjnë groteskë, por edhe  të rrezikshëm për veten e për të tjerët. Shkaqet e saj nuk janë racore, siç mund të na akuzojnë racistë të tjerë që kemi edhe rreth e rrotull. Ato janë kulturore e  historike, por mbi të gjitha lidhen me izolimin dhe injorancën dhe shplarjen e trurit nga ana e regjimit nacional - komunist të Enver Hoxhës.
Ajo që kam bërë unë, duke filluar që me ato rreshta që janë shkruar në një ditar burgu në një kohë kur nuk dinim nëse do të dilnim gjallë prej andej, edhe ato që kam bërë më pas me revistën Përpjekja, edhe me çfarë kam shkruar sëbashku me kolegë që Kadareja i stigmatizon duke i quajtur “klan rimohuesish” është një përpjekje për të dalë nga kjo kulturë e për të zhvilluar frymën kritike në kulturën shqiptare në emër të diturisë e të lirisë. Prandaj dhe moton Përpjekjes ia kam vënë: “Bëhu i ditur të jesh i lirë”. Në funksion të kësaj diturie jam përpjekur edhe për dekonstruktimin, që do të thotë zbërthimin, analizimin, e miteve të nacional - komunizmit, si histori e ndërtimit të tyre, por edhe si instrumente sundimi e trushpëlarjeje. Kadare, dhe jo vetëm ai, më akuzojnë për këtë si “çmitizues i egër”. Për mua e egër dhe barbare ka qenë dhe mbetet gjuha e atyre që i kanë kepërdorur këto mite dhe ky debat për mua s’është ndeshje personash, por një ndeshje kulturore. Sipas meje shoqëria shqiptare vazhdon të mbisundohet nga një elitë e përbërë nga njerëz të tillë, që kanë ndërruar vetëm lëkurën e sipërme të asaj ideologjie, atë komuniste, por që kanë ruajtur, madje edhe zhvilluar, nacionalizmin megalloman, izolues e vetshaktërrues që kultivoi ai regjim, veçanërisht pas viteve 60, kur e paraqiste Shqipërinë si kështjellë graniti që i rezistonte edhe Lindjes dhe Perëndimit (Lexoni për këtë edhe Kështjella e Kadaresë në variantin shqip të asaj kohe). Për arsye të ruajtjes së pushtetit të tyre intelektual e politik këta vazhdojnë të kultivojnë të njëjtën kulturë që shfaqet sheshit edhe në letrën që ju ka dërguar Kadare, por edhe në mjaft diskurse e forume intelektuale shqiptare. Mjaft të kujtoj frymën me të cilën u trajtua në Shqipëri, me në krye Kadarenë, monografia e Skënderbeut e profesor Schmitt gjë që ka çmeritur çdo studiues të huaj të kohës sonë. Si rezultat i kësaj pune të mbrapshtë, ajme, ajo që vihet re është se edhe njëzet vjet pas hapjes së Shqipërisë ndaj kulturave të tjera e ndaj mundësisë për të zhvilluar frymën kritike, për shumicën e shqiptarëve është më e lehtë të mbushen me mburrje megallomane e urrejtje për të tjerët e ta kërkojnë identitetin e tyre në përkatësinë etnike sesa të kërkojnë të ndërtojnë, me frymë kritike, individualitetin dhe personalitetin e tyre në një shoqëri të hapur e demokratike.
*
Dhe ja ku mbrrita tek pakënaqësia ime ndaj Panoramës. Për fat të keq edhe mënyra se si e parqaqiti gazeta reagimin e Kadaresë ndaj meje reflektoi këtë kulturë. Nuk e kam fjalën për letrën e autorit i cili ka të drejtën e padiskutueshme, tek e fundit, të bëjë replikën e tij, sipas kulturës së tij. Por është e pafalshme për gazetarin që inteviston të mos ketë as minimumin e dijeve të veta, të frymës kritike e të etikës profesionale kur interviston. Gazetari që interviston Kadarenë dhe ka përgatitur dyfaqëshin nuk di (ose bën sikur nuk di) se librit Gjakftohtësia, i titulluar kështu sipas titullit të një kapitulli të rëndësishëm të atij që u bë më vonë romani Koncerti, i është dhënë Çmimi i Republikës më 1981, atëhere kur ky pretendon se persekutohej. Gazetari nuk e di (ose bën sikur nuk di)  se libri nuk është shkruar për të demaskuar regjimet socialiste, por ishte një libër që glorifikonte prishjen e Shqipërisë staliniste me Kinën që kishte marrë rrugën revizioniste dhe se Kadare, ashtu siç glorifikonte tek Dimri i madh Enver Hoxhën e tallte e përqeshte sovjetikët e “tradhëtarët” shqiptarë, në këtë libër ka glorifikuar Enver Hoxhën e ka talluar e përqeshur kinezët dhe “tradhëtarët” e rinj shqiptarë (gjeneralët e pushkatuar me në krye Beqir Ballukun). Gazetari duket sikur të mos ketë lexuar asnjë resht nga debati mbi Pashallarët për të cilin s’pati gazetë që nuk shkroi. Ai nuk di (apo bën sikur nuk di) se megjithëse e vërteta e asaj poeme doli ashtu si doli  kjo nuk e ndaloi Kadarenë ta botojë Librin e Maks Velos në Perëndim, e gënjeshtra e fabrikuar të citohet edhe në vlerësimet ndërkombëtare, si shenjë disidence. Gazetari, sikur nuk ka asnjë shqetësim profesional e njerëzor për të kërkuar të vërtetën përtej autoritetit të atij që i servir të vërteta. Ai nuk shfaq asnjë ndjeshmëri etike dhe morale ndaj  ndrrimlëkurësisë së intelektualëve shqiptarë të komunizmit. Ai vetëm emocionohet nga suksesi i Kadaresë në Perëndim dhe nuk di se Balzaku ka thënë se në letërsi historia e mashtrimeve është më e madhe se në politikë. Po ashtu, më vjen keq ta them, gazetarit nuk i pipëtin asnjë fije ndërgjegje kur sheh se, në shkrimin në fjalë, transmetohet një urrejtje e pakufi dhe krejtësisht e padrejtë ndaj një bashkëpunëtori të gazetës së tij, sepse, megjithëse prita një numër pyetjesh për sqarim, nga ana juaj, ato nuk erdhën.
Ky aspekt, që ka të bëjë me të rinjtë, zoti kryeredaktor, është për mua shumë më shqetësues sesa Kadareja, i cili duket sheshit se zor se do të mund të heqë dorë nga kultura që përfaqëson. Kjo gjë më bën të mendoj se ajo  dituria që do t’i bëjë shqiptarët vërtet të lirë do të vonojë, por megjithatë, shpresoj se një ditë do të bëhet pjesë e kulturës sonë. Në fakt nuk do të kisha marrë kurrsesi mundimin t’jua shkruaja këtë letër  sikur të mos mendoja se ajo mund të jetë e dobishme për të rinjtë që kërkojnë një kulturë tjetër në këtë vend.
Duke e mbyllur letrën me këtë shpresë,
ju uroj shendet e gjithë të mirat,
Fatos Lubonja
  
Panorama, 27 prill 2011

6 comments:

Anonymous said...

Nuk ka cfare te shtoj me teper. Eshte nje pergjigje e plote dhe e qarte, por kam nje dyshim. A mundet i madhi Kadare, qe ndihet si nje zot, si Enveri dikur, te ndryshoje ide e te jete me elastik ne gjykime?
Jo! Sepse ai ka qene nje i perkedhelur i regjimit, e dime shume mire ne se cdo te thote te jesh femija e perkedhelur i nje familje. Nuk degjon te tjeret e mendon se vetem ti ke te drejte.
Une besoj, sinqerisht, se ndoshta per kete mani autoreferenciale e aspak altruiste, kete mendjemadhesi intelektuale, kane qene shkaku qe cmimin Nobel nuk ia dhane asnjehere.
E shpresoj te mos ia japin kurre. Kush e di, pastaj shnedrrohet ne nje intelektual diktator e egoja e tij behet e pakufishme.
Per fat qe Shqiperia ka studiues me kendveshtrime te larmishme e jo monodirezionali, si do te thuhej italisht, studies si Fatos Lubonja, e te tjere.
Ju pershendes, e vazhdoni keshtu. Resistoni mbetjeve krijuese te komunizmit, qe sic duket jane me keq sesa vete komunizmi.
Laura R.

Anonymous said...

me vjen keq qe kane ndodhur keto qe shkruan Fatosi ... per mua kadareja vleren me te madhe e ka si perdorues i shkelqyer i shqipes. Sa per vepren e tij kemi lexuar aq sa te kuptojme pse nuk i jepet "Nobel".Diku me ka zene veshi se eshte shprehur se kjo vjen nga qe eshte shqiptar. kjo nuk e nderon Kadarene. Kemi shkrimtare te nje niveli me lart me te cilin mund te krenohemi, MArtin Camaj eshte nje i tille, packa se nuk jeton me. Letersia jone jashte kufijve ka autore te shkelqyer , qofte poete , qofte edhe prozatore .

Sole said...

Une jam rritur ne kohen e diktatures ( ne 1991 isha 18 vjec )dhe me pas kam ardhur ne perendim ku jam munduar te zgjeroj horizontin tim ne te gjitha fushat. Persa i perket racizmit ndaj njerezve me ngjyre apo jevgjeve eshte nje histori akoma me e hershme se ajo dyzetepesevjecarja e komunizmit dhe kam pershtypjen se nuk ishte regjimi ai qe e thelloi ate. Gjysherit e mi qe nuk shquheshin per zell ndaj qeverise komuniste ngase ishin te shpronesuar nga pushteti popullor, mbaj mend qe i ndanin njerezit ne te bardhe dhe me ngjyre. Kjo gje ka ndikuar shume ne edukimin tim. Mendoj qe shumica derrmuese e bashkemoshatareve te mi apo brezat paraardhes dhe pasardhes jane edukuar ne te njejten menyre.
Po ju tregoj nje episod qe me ka ndodhur ne vitin 1995:
Nje pedagog i imi i Universitetit te Tiranes me bindje politike te se djathtes ne nje ore leksioni, per te treguar padrejtesite e medhaja qe i shin bere kur punonte si inxhinier ne nje ndermarrje shtererore na thote:
"Ne kohen e Dulles edhe nje portier, nje jevg i qelbur ta merrrte erzin ne sy te te gjitheve po te vije pese minuta me vonese ne pune, vetem sepse ishte komunist."
Ne kohen e komunizmit ka pasur sigurisht nje moral te dyfytyreshem persa i perket racizmit por populli shqiptar ka nje lloj predispozicioni kultural per te bere diferencim te njerezve, te pakten ne baze te ngjyres se lekures. Keshtu qe termi "kinezeri" eshte mjaft i kuptueshem sepse rrjedh nga " ik re jevgo" apo " ik e re cam".
Gjeja tmerresisht skandaloze dhe krejtesishte e papranueshme eshte qe keto terma i perdorin sot ata qe teorikisht i perkasin klases se
intelektualeve shqiptare dhe nga te cilat une si nje qytetare e thjeshte distancohem sepse nderkohe kane kaluar njezet vjet dhe ne nuk mund te quhemi njerez qe paguajme harxhet e” izolimit nacional komunist. Ne udhehiqemi nga nje elite relativisht injorante dhe pa nivel kulturor. Keta njerez nuk kane alibi as tek izolimi i epokes enveriane dhe tek ideologia komuniste, pasi prapambetja kulturale ashtu si injoranca qe eshte nena e racizmit jane tregues krejtesisht individuale. Problemi qendron tek fakti qe keta njerez po pregatisin breza medioker dhe me horizont te ngushte.

Pershendetje

Anonymous said...

Zoti Lubonja, faleminderit per punen qe beni. Jeni nje nga te paket qe perpiqen ta kuptojne dhe analizojne shoqerine shqipetare. Nje popull i shtypur nga nje ideologji e semure nacional-komuniste qe vazhdon te mbaje, pa e kuptuar, shenjat e ketij manipulimi mendor.
Persa i perket Kadarese eshte e qarte perse nuk ja japin cmimin Nobel dhe nuk ka te beje me faktin se eshte shqiptar apo jo. Ai qe shkrimtari i pushtetit komunist dhe me shkrimet e tije ndihmoje ne formmimin e kultures nacional-komuniste pa kundershtuar kurre (perndryshe nuk do te ishte akoma ketu). Shume nga kultura e prapambetur, raciste dhe nacionaliste e semure, e shqiperise se sotme, eshte ndertuar edhe fale Kadarese. Kete bota e dine dhe e kupton fare mire.
Ndersa persa i perket shqipetareve çeshtja eshte me e nderlikuar. Sipas mendimit tim jemi nje popull qe nuk ka arritur kurre nje pjekuri shoqerore ne menyre autonome. Siç na tregon historia kemi qene gjithmone nen sundimin e dikujt; turqeve, italianeve, gjermaneve, komunisteve... Si shtet nuk kemi arritu nje zhvillimi social dhe kulturor per te kuptuar cfare do te thote ne te vertete liria dhe democracia. Kjo shihet dhe ne faktin qe kemi 20 vjet qe vazhdojme te votojme Sali Berishen. Ne nje fare menyre vazhdojme te deshirojme qe dikush te na sundoje.
Mundesia e vetme per te mposhtur kete sistem eshte kultura dhe nje perdorje e drejte e arsyes.
Zoti Lubonja vazhdoni i patrembur te na ndrisni me dijen tuaj. Fale jush arrij te kem akoma shprese ne nje te ardhme me te mire, Faleminderit.
Ana H.

Anonymous said...

Qendrimi juaj ne kete ceshtje dhe mendimet qe shprehni per nacional-komunizmin ne veçanti e per krizen e identitetit te shqiptareve ne pergjithesi u japin nje kendveshtrim objektiv te rinjve qe nuk e njohin ose e kane harruar te kaluaren. Nuk duhet te harrojme se e kaluara e mbuluar nga harresa, e pare nen driten e bute te nostalgjise zhvesh nga rendesa edhe krimet me te renda te diktatoreve si Hoxha & co. Vazhdoni te na ndihmoni te mos harrojme. By Domiziana

Anonymous said...

Pershendetje Z. Lubonja,
Me lejoni t'ju them se sa me shume ju lexoj, aq me shume ju respektoj.Kam ngelur e pa fjale gjate gjithe leximit te ketij shkrimi, me shume e habitur nga akuzat e Kadarese ndaj jush! Me duket si nje paranojak qe kerkon te sulmoje cdo kandidat te mundshem qe kerkon t'i marre ate qe ai "meriton" i.e. e ka zene frika se do e merrni ju Nobelin e jo ai. Ndersa pergjigjja juaj eshte e gjetur, e matur, akademike dhe e perpikte. Ju falenderoj per vlerat e bukura njerezore qe mundoheni te percillni se me duket se ka nje mungese te thelluar dijeje ne kete audience me se shumti te ceket e te limituar ne mendime.