Të thuash sot në Shqipëri se procesi zgjedhor është më i rëndësishëm sesa rezultati nuk të marrin seriozisht, ta quajnë për retorikë boshe apo të thonë se je një idealist koti pasi të gjthë janë të përqendruar aq shumë tek emocionet e rezultatit sa arritja e fitores së palës për të cilën bëjnë tifo u duket gjithshka kurse procesi asgjë. Mirëpo edhe pse pjesa jonë emocionale, dmth. truri i vogël flet kështu, ajo pjesa jonë racionale (që shpesh edhe ajo vihet në shërbim të emocioneve e interesave të ngushta në vend se t’i frenojë ata në emër të një interesi më të madh e më afatgjatë), kur arsyeton ftohtë, na le të kuptojmë se sa më i rëndësishëm është procesi nga rezultati. Mjafton të mendosh pasojat që kemi hequr nga këta procese zgjedhore të kontestuara, apo edhe tensionet e ditëve të kësaj jave, për të provuar këtë. Të kesh sigurinë e një procesi zgjedhor të paanshëm është një gjë e madhe, që të jep siguri në shumë aspekte të tjera të jetës. Për fat të keq edhe këto zgjedhje nuk po jetohen me këtë ndjenjë, përkundrazi, vazhdon avazi i vjetër.“Avazi” i procesit kësaj here ndoshta më shumë se çdo herë tjetër lidhet me atë që quhet “faza e numurimit” si tejzagjatja e saj.Kur e pyeta, gjatë një emisioni, për shkaqet e kësaj tejzgjatjeje, Kryetari i KQZ m’u përgjegj shkurt e qartë se kjo i atribuohet mosbesimit të palëve të cilat, meqënëse kërkojnë të kontrollojnë gjithshka, e vonojnë procesin. Mirëpo vonesat që po ndodhin i tejkalojnë edhe vonesat e kësaj natyre. Ajo çka po del në pah qartazi kësaj here, veçanërisht duke patur parasysh Tiranën, është fakti se këto vonesa bëjnë pjesë në një strategji lufte të menduar që më parë. Pra duket se palët synojnë të numërojnë të parat kutitë e zonave ku ata kanë përvojën se fitojnë më shumë sesa kundërshtari. Thuhet se kjo bëhet për efekt psikologjik, që të mos demotivohen militantët, por, ndërkohë që tensioni është rritur, rreziqet e kësaj zvarritjeje janë shtuar, veçanërisht në një rast si ky i Tiranës ku, kandidatët kanë shkuar për një kohë të gjatë rrotë më rrotë. Kjo ka sjellë edhe bllokimin e zonave të catuara. Paraqitja nëpër ekrane e garës ka apasionuar shumë militantë duke shtuar rrezikun që në zona të caktuara, ndoshta vendimtare, të ndodhin skandale të gjithfarllojshme që nga tentativa për t’i nxjerrë ato të pavlefshme e deri tek blerja e komisionerëve.Pa hyrë në hollësira, meqënëse procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, do të thoja se gjëja më e rëndë e këtij lloj numërimi është fakti se partitë kryesore e trajtojnë votën e qytetarëve sikur ajo të jetë pronë e tyrja, që mund ta numërojnë kur të duan madje me të cilën mund të bëjnë ç’të duan. Në fakt votat nuk janë të tyret, madje as ato të militantëve të PD dhe PS të cilët edhe mund të durojnë çdo tekë të partive të tyre. Në zgjedhje kanë marrë pjesë qytatarë të ndryshëm, të cilët, për një arësye apo për një tjetër, kanë dhënë votën për një kandidat apo për tjetrin, që nganjëherë edhe mund ta kenë kryqëzuar atë apo që edhe mund ta kenë lënë të bardhë. Dhe këta qytetarë, ashtu sikurse edhe vetë militantët, meritojnë që vota e tyre të respektohet dhe jo të nëpërkëmbet kësisoj. Dhe këtu vijmë tek thelbi i asaj që desha të them. Garant për votën e çdo qytetari në fakt duhet të jetë shteti. Është ai që duhet të numërojë votën dhe jo militantët. Kurse sistemi zgjedhor që kanë zgjedhur të dy partitë, me pretekstin se ata nuk kanë besim tek institucionet e pavarura të shtetit pasi ato blihen nga më i forti, ka bërë që votat të numërohen nga partitë dmth. nga militantët të cilët, pastaj, u binden urdhërave që u vijnë nga qendra që të ndalojnë numërimin apo të fillojnë numërimin në bazë të strategjisë në fjalë, duke nëpërkëmbur kësisoj procesin zgjedhor.Gjykoj se kjo duhet të ndryshojë medoemos, por gjithashtu gjykoj se një gjë e tillë nuk është e thjeshtë pasi e njëjta gjë, dmth lënia e të gjithë pushteteve dhe kontrolleve partive, të cilat janë që të dyja në pushtet - mjaft të kesh parasysh edhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve ku rezulton se opozita ka një numër të madh bashkish - ka ndodhur me thuajse të tërë institucionet që në një demokraci duhet të jenë të ndara nga interesat e këtyre dy partive, madje garant i interesave të qytetarit nga abuzimet e këtyre dy partive. Për shembull e njëjta gjë ka ndodhur me pushtetin mediatik. Në shumë faza të zgjedhjeve njerëzit shihnin rezultate të kundërta nga njëri ekran tek tjetri, varësisht nga afiliacioni i mediave të caktuara me njërën apo tjetrën parti - ndërkohë që nuk ekziston asnjë media që të jetë garant i pasqyrimit me vërtetësi të procesit zgjedhor.Në këtë aspekt vonesën e numërimit të votës për shkak se nuk kemi ndërtuar dot një shtet që të bëhet ai garant i saj dhe asnjë media që ta pasqyrojë atë më vërtetësi unë e shoh si një metaforë të vonesës së demokracisë. Pra, nëse do të aplikonim atë thënien e famëshme se zgjedhjet janë një test i demokracisë do të thoja se këto problemet e numërimit në këto zgjedhje, ashtu sikurse edhe në të tjera më parë, bënë edhe një herë të qartë se sëmundja kryesore e demokracisë sonë të brishtë, është mungesa e kontrollit të dy partive nga institucionet që duhet të garantojnë këtë. Në fakt ishte një gjë e pritur. (Panorama 11 maj 20011)
Friday, May 27, 2011
Vonesa e numërimit si vonesë e demokracisë
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
1 comment:
Z. Lubonja, nuk arrij te kuptoj se ku qendron boshlleku ligjor per votat e hedhura ne kutite gabuara. Boshlleku egziston ne mendjet tona te shkreta. Ne castin qe pranohet se nje fletevotimi ndodhet ne kuti qe nuk perkon me te, atehere , ashtu si u dhane udhezimet nga KQZ, vota e eshte e pavlefshme.
Stefani
Post a Comment