Wednesday, November 23, 2011

Kadare, Rama - Memuaristika si operacion plastik

 
I ftuar në emisionin Opinion për të diskutuar mbi librat e fundit që po bëjnë bujë në Tiranë, citova edhe një herë Maks Weberin, sipas të cilit: “në fushën e aktivitetit intelektual mund të thuhet se është “personalitet” vetëm ai që i shërben thjesht dhe pastërtisht objektit të tij. Nuk mund të jetë “personalitet” ai që, si një tregëtar, nxjerr në skenë, sëbashku me objektin, të cilit duhet t’i dedikohet, edhe veten e tij.” E kam cituar për herë të parë në shkrimin "Mbi personin dhe personazhin Kadare" (Korrieri, 23 tetor 2006) ku, mes tjerash, shkruaj se mund të vijë një moment në aktivitetin e një figure të njohur kur ai kthehet në personazh duke reshtur së qëni një person; kur, më shumë sesa ajo që bën, të vlejë ajo se kush e bën, kur vetvetja e tij bëhet objekt i aktivitetit të tij më shumë se vepra, madje në një shkallë të tillë saqë ai sillet sikur vetë ekzistenca e tij të jetë një kryevepër.
Nuk bëj pjesë ndër ata optimistë që besojnë se idetë e tij mund të ndryshojnë shpejt e shpejt botën edhe kur ato janë të mbështetura nga filozofë e mendimtarëve të mëdhenj si Weberi. Përkundrazi, bëj pjesë ndër ata që, edhe për shkak të përvojës, përsërisin shpesh e më shpesh me ironi aktualitetin, çprej 10 mijë vjet para Krishtit, të thënies së famshme të Solomonit "Stultorum infinitus numerus est" (I pafund është numri i budallenjve), paçka se s'gjej megjithatë kuptim më të mirë jete sesa të provokoj në emër të së vërtetës besimin syverbër të "budallenjve" në zotat e rremë, me shpresën se e vërteta, si ato oazet që mbijetojnë në shkretëtirë, do të gjallojë ndonjë ditë edhe tek ata. Megjithatë, për të qenë i sinqertë, nuk mund të mos çmeritem duke konstatuar se, që nga viti 2006 e deri tani, pra në harkun kohor të vetëm 5-6 vjetëve, fenomeni i kthimit të personave në personazhe, në matrapazë e tregëtarë të veprës së tyre, ka ecur si rëra në shkretëtirë me hapa të tilla galopante, saqë po vazhdoi kështu edhe disa vjet, shkretëtira shpirtërore e shqiptarëve do të arrijë kulme të papara. Në emisionin për të cilin e kam fjalën tre botues kishin dalë në skenë për të promovuar autorët e tyre pasi kishin shpërndarë e botuar nëpër të gjitha gazetat pjesë të tëra nga librat që sapo kishin botuar, të cilat i gjeje madje edhe në dy tre katër gazeta njëherësh, shoqëruar me foto të stërmëdha të autorëve në faqe të parë - gjë kjo e paparë në ndonjë vend që ka respekt për librin dhe lexuesin. Drejtuesi i emisionit, Favziu, ishte edhe ai një ndër autorët. Pashë pastaj panairin e librit të uzurpuar nga këta personazhe, ku rradha të rinjsh prisnin të merrnin autografe për libra rreth cilësisë së të cilëve s'kishin asnjë ide, madje në mungesë totale të ndonjë kritike serioze për ta. Kjo pasi vlera e tyre nuk diskutohej; për këtë mjaftonte vetvetja e autorëve të dalë në skenë, pasi "videokracia", sipas së cilës po dole në gazeta e televizion të shohin të gjithë dhe bëhesh popullor dhe kësisoj i suksesshëm; se "të jesh" do të thotë "të dukesh nëpër media" ka arritur në mbretërinë tonë një grotesk të paparë.

* * *
Fenomeni i autorit që del përpara veprës ra më së shumti në sy në ato libra që përmbajnë memuaristikë pasi, për nga vetë natyra e kësaj krijimtarie, janë ata ku autori merret me vetveten duke e bërë atë personazh. Dy librat që më tërhoqën më së shumti vëmendjen në këtë lëm ishin ai i Elena Kadaresë (ku personazhi në fakt është Ismail Kadareja, që del se është bashkautor pasi, me një deklaratë të papërgënjeshtruar nga autorja dhe botuesi, deklaroi së fundi se i paskësh dhuruar së shoqes 70 faqe e se po ashtu është edhe censor i librit, pasi i ka prerë 100 faqe) si dhe libri i Edi Ramës "Kurban". Në këtë shkrim do të merrem me këta dy libra, por duke patur parasysh se fenomeni për të cilin po shkruaj është shumë më i gjerë.
Duket sikur janë të ndryshëm dy librat në fjalë pasi të ndryshme janë periudhat për të cilat shkruhet e të ndryshëm brezat e autorëve, por, paradoksalisht, duke lexuar faqet e tyre kuptohet lehtë se që të dy janë të ngjashëm në thelb. Ngjashmëria më sipërfaqësore është se që të dy kërkojnë të na tregojnë versionin e tyre të kohëve të kaluara në të cilat, në një mënyrë apo në një tjetër, të dy personat/personazhe kanë qenë protagonistë e që shqiptarët i kujtojnë si kohë të këqija; ngjashmëria më e thellë qëndron në atë se metoda e mendimit dhe e të shkruarit - që është vetë njeriu - është huazuar nga ajo kulturë që tjetërkund e kam quajtur kulturë e "manipulim-simulimit", që e kemi provuar në trajtën e vet më të shëmtuar në memuaristikën e Enver Hoxhës, i cili e shkruante historinë sipas midesë së vet pasi raporti i këtij njeriu me të vërtetën ishte i tillë që mendonte, se duke qenë i pushtetshëm kishte pronë edhe mbi të vërtetën - çka ia bënte të ligjshëm jo vetëm përgojimin e kujtdo sipas qejfit, por deri edhe gënjeshtrën, edhe retushimin e ngjarjeve, deri të fotove të së kaluarës, duke  fshirë krejtësisht nga skena personazhe e ngjarje e duke sajuar apo nxjerrë në pah të tjerë, sipas regjisë së egos dhe interesave të tij personale, por krejtësisht në dëm të së vërtetës.
Mjafton të lexosh vetëm pak faqe për të kuptuar shfaqjen e kësaj kulture në dy librat në fjalë e pikërisht në raportin e keq të autorëve me të vërtetën. Duke lexuar këta dy libra më erdhi spontanisht të përdor metaforën: memuaristika si operacion plastik. Kjo, pasi kush i njeh ngjarjet dhe historitë e përshkruara, por edhe personat personalisht, nuk mund të mos zgurdullojë sytë duke parë se si janë fshirë nga tiparet e tyre rrudhat e jetës; shenjat e plagëve që kanë marrë, se si kanë fryrë me silikon buzët e kanë ngritur gjinjtë, kanë mbjellë flokë e më the të thashë, duke bërë personazhin e dalë kësisoj tjetër gjë nga personi që kemi njohur. Por, pse të ndodhë kjo, është pyetja. Çdo të thotë për një person të shfaqet si një personazh që s'korrespondon me të? Sipas cilit model e plazmon ai personazhin vetvete? Kjo është një dramë më vete, në fakt. Kjo shpjegohet me atë që mund të quhet intencionaliteti i librit. Drama e librave të shkruara sipas kulturës së manipulim-simulimit është se ato nuk shkruhen duke patur parasysh atë lexues që është, në thelb, lexuesi kryesor i një autori, vetvetja, sipas idesë se një libër i mirë është para së gjithash një bashkëbisedim i sinqertë me veten për ta njohur atë dhe botën më mirë. Kultura e manipulim-simulimit, që ne e kemi zhvilluar tejskajshëm në periudhën e realizmit socialist, nuk e njeh këtë lloj krijimtarie, ajo nuk synon njohjen e së vërtetës, përkundrazi ajo sendërgjon vepra që shkruhen për një publik që synohet të gënjehet, manipulohet, të sundohet, të seduktohet nga autori në emër të rritjes së pushteti të tij apo të pushtetit që ai përfaqëson. Në dy librat në fjalë gjejmë me okë të vërteta të dhunuara nga vullneti për pushtet i personazheve që flasin për veten, nga narçizizmi i tyre, nga nevoja e tyre për të kontrolluar të kaluarën, historinë, për të krijuar një version dominant të kësaj historie që synon, me kalimin e kohës, të eliminojë çdo histori tjetër. Ajo që zhduket pas këtij operacioni plastik është ajo më e bukura gjë që mund të ishte: vetvetja e autorit, e vërteta e tij e, në një kuptim më të gjerë, njohja. Por kjo nuk ka shumë rëndësi në këtë lloj kulture. Rëndësi ka imazhi, madje, edhe kur flas për lexues, kam përshtypjen se për këta autorë nuk ka aq rëndësi lexuesi se sa spektatori jo aq ajo se çfarë kanë shkruar se sa  buja televizive e promovimit, të ftuarit e rëndësishëm që do të marrin pjesë, numri i shitjeve, intervistat,  zaptimi i faqeve të gazetave që ka të bëjë me ruajtjen në faqe të parë të imazhit, për të mos u zhdukur, për "të qenë". Librat janë kësisoj një lloj "substitute" (zëvendësues) i personit të bërë personazh.

* * *
Le të hyjmë pak më konkretisht në dy librat në fjalë. Në rastin e Kadaresë, operacioni plastik me të cilin kemi të bëjmë synon kryesisht pastrimin e jetës dhe veprës së tij nga bashkëpunimi me regjimin e Enver Hoxhës, madje deri edhe paraqitjen e saj si jetë/vepër kundër atij regjimi. Është një operacion që nuk e ka për herë të parë që e kryen. Në fakt, operacioni plastik, si ruajtje imazhi, ka edhe një karakteristikë. Ai që i hyn atij pas një kohe ka nevojë për një operacion tjetër pasi moskompatibiliteti organik me silikonin vjen e bëhet i tillë saqë duhet një ndërhyrje e re.
Kësaj here Kadare ka përdorur të shoqen. Si edhe më parë ai i drejtohet madje një publiku të huaj më së pari, por me shpresën se edhe versionet jo konform të vetit për të kaluarën e jetës dhe veprës së tij me kalimin e kohës, e me imponimin e versionit që pranon bota e huaj, do të zhduken. Në këtë kontekst një "ndërhyrje' e re interesante që gjeta ishte ajo se, sipas zonjës Kadare, shkrimtari ynë i madh nuk i përket sojit të atyre autorëve që në rini kanë qenë besues të komunizmit, pastaj kanë filluar të ndërgjegjësohen e të krijojnë vepra me probleme disidente, dhe pastaj janë arratisur jashtë. (Të vjen ndërmend në këtë rast Çeslav Milosi). Jo, sipas Kadarejve, shkrimtari ka qenë i ndërgjegjshëm qysh në moshë shumë të re për regjimin. E provon këtë romani "Qyteti pa reklama", sipas tyre i shkruar andej nga viti 1959 i cili, sipas autores, nëse nuk është "antikomunist", është "akomunist". Le ta pranojmë deri këtu këtë version edhe pse nuk mund të mos kujtojmë se ky libër nuk është botuar asokohe, por, në vitet 90, e me këtë rast kemi të drejtë të dyshojmë për vërtetësinë e kësaj kur kemi parasysh se me një operacion të paparë plastik Kadare na e shiti edhe poemën Pashallarët e Kuq si antikomuniste në këto vite. Por, problemi kryesor që nxjerr versioni i antikomunistit të hershëm është se autorit/es në këtë rast i duhet të shpjegojë pse ky antikomunist ka bërë në vazhdim vepra prokomuniste, madje një korpus të tërë ku hyjnë vëllimet me poezi e poema për ndërtimin e socializmit e për shekullin e komunizmit sikurse edhe dy poemat e mëdha të vlerësuara me çmimet më të larta të Republikës: "Pse mendohen këta male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", por edhe vepra të tilla si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (i cili është krejtësisht në koherencë me mënyrën se si e trajtonte regjimi luftën Nacional - Çlirimtare, por edhe priftërinjtë, edhe botën kapitaliste), romanet "Dasma" e "Kështjella" etj.. Për t'ia arritur kësaj në operacionin e vet plastik, zonja Kadareja heq thuajse krejtësisht "dhjamrat" e vëllimeve me poezi të cilat nuk përmenden fare në libër. Pastaj përdor edhe shumë silikon për të fryrë e transformuar vepra të tjera. Kështu, për shembull, i heq novelës "Përbindëshi" intencionin e asokohshëm duke "harruar" të thotë se Kali i Trojës ku qëndronin armiqtë e Tiranës, që kërkonin të hynin pabesisht brenda për të djegur qytetin, ishte metafora e përdorur për revizionizmin që e gjeje asokohe rëndom në propagandën kundër BS. Personalisht e kujtoj kështu novelën e lexuar në atë kohë sepse jam i sigurt që autori i ka bërë edhe asaj operacion plastik siç i ka bërë psh. versionit të asokohshëm të "Kështjellës" simbol i rezistencës së Shqipërisë ndaj imperializmit dhe revizionizmit, që, në versionin e fundit, është ndryshuar në simbol të një kështjelle që mbron Krishtërimin nga sulmi Islam. Shumica e shqiptarëve as nuk i dinë këto, po ç'rëndësi ka kjo për kulturën e manipulimi-simulimit? Dikush mund të thotë se një ditë studiues seriozë do të merren me këtë dhe do të nxjerrin përfundimet e tyre, pasi veprat, ashtu si janë shkruar në atë kohë, shpesh edhe me shpjegimin që u bën autori, janë ende nëpër biblioteka. Por, siç e thashë, kultura e manipulimit nuk punon për njohjen, as për një grusht të diturish: ajo punon për "popullin", imagjinatën e tij kolektive, pushtetin mbi të; ajo punon për mistifikimin dhe historia ka treguar se mitet, një herë që janë ndërtuar, zor se mund të rrëzohen nga fakte "dytësore", "të parëndësishme".
Ajo që ka të re libri në fjalë në aspektin  mistifikimit është se tani duket se po bëhet përpjekja që krejt jeta e autorit/personit t'i përshtatet operacionit që u është bërë veprave. Më bëri shumë përshtypje fakti se në këtë operacion të fundit plastik Kadareja paraqitet sikur të ketë qenë ndonjë shkrimtar i formuar në kohën parakomuniste e që, deri tek Dimri i Madh, paska shkruar vepra në mos "antikomuniste", "akomuniste" - aq sa kjo paska rënë në sy duke e rrezikuar atë. Në këtë pikë të rrezikut, sipas autores, ky vendos të bëjë një "kompromis" me diktatorin (a thua se ishte i barabartë me të) duke vendosur të shkruajë një libër politik që do ta mbronte nga armiqtë e shumtë. Por kujdes, edhe këtu kompromisi është i justifikuar. Vërtet po hyjnizon diktatorin, por ama Kadare paraqitet sikur ka qenë dakort me prishjen pasi shpresonte se Shqipëria do të kthehej nga Perëndimi. Le t'i harrojmë librat e shumtë me poezi e prozë të viteve 50 - 60 që vetëm akomuniste nuk mund të quhen, përkundrazi, janë propagandë e gjallë. Le të harrojmë se antikomunisti në atë kohë kishte bërë kërkesën për t'u pranuar në partinë komuniste, pjesë e së cilës u bë duke marrë edhe urimin personal në shtëpinë e tij të Nexhmije Hoxhës. Por si mund të pranohet versioni se autori besonte se prishja me BS ishte pozitive kur dihej që në vitet 60 se prishja ishte bërë në emër të mbrojtjes së Stalinit kundër revizionizmit, dhe se ishin revizionistët ata që akuzoheshin se kërkonin të afroheshin me Perëndimin? Jo vetëm, por libri është shkruar dhjetë vjet pas kësaj prishje, kur ishte bërë e qartë se Shqipëria, jo që s'ishte kthyer nga Perëndimi, por kishte përqafuar eksperimentet e Revolucionit Kulturor kinez dhe ishte izoluar tragjikisht nga bota. Silikoni megjithatë mendohet se është aq i suksesshëm sa mund t’i bëhet  mishi dhe gjaku i vërtetë njeriut e t'i trajtojë kockat dhe mishin e tij të plakura si mbeturina që duhen nxjerrë jashtë.
Për ta bërë sa më të vërtetë silikonin zonja Kadare na tregon edhe disa anë të mbrapshta të autorit. Por edhe këtu operacioni bëhet me kujdes, sipas një shijeje të kulturës së "simulimit" që t'i përgjigjet gustove të publikut shqiptar që tërhiqet aq shumë nga njeriu i fortë, i gjithpushtetshëm. Kadareja shfaqet edhe si personazh "i keq", por i keq si perënditë, si Zeusi, psh. i cili ka edhe zemërimet e tij të padrejta. Kujtoni psh. trajtimin në libër të Qoses, të ish presidentit Mejdani apo të kritikut Agim Vinca: se si Zeusi hedh rrufetë e zëmërimit mbi ta. Po ashtu, shëmbëllyeshëm me Zeusin, ai ka edhe impulset e tij seksuale, le me barrë ndonjë tokësore andej këtej, gjithmonë të bukur yll, por Zeusi mbetet Zeus.
E vërteta që humbet në tërë këtë histori është raporti i shkrimtarit dhe i njeriut në përgjithësi me regjimin diktatorial. Duke na e paraqitur shkrimtarin si ata heronjtë pozitivë të soc-realizmit, dhe jo si bashkëpunëtor me hir ose me pahir të së keqes (në rastin në fjalë më shumë me hir sesa me pahir), humbet jo vetëm e vërteta e njohjes së asaj kohe për të cilën kemi aq shumë nevojë që të mos përsëritet, siç po na përsëritet,  - dhe prandaj po na përsëritet, - por humbet drama e vërtetë njerëzore e intelektualit në diktaturë. Mirëpo zonja Kadare u cilësua autorja e vitit. Dhe duhet ta duartrokasim, s'kemi ç'bëjmë. Vazhdojmë të jetojmë në mbretërinë e gënjeshtrës që është ndërtuar me kontributin e rrallë të të shoqit. A nuk kaluam gjysëm shekulli nën mbretin e parë të saj? Jo më kot një lexues i shkruante tek "Shekulli" Hans Joachim Lankschit që reagonte për disa gënjeshtra në libër lidhur me marrëdhëniet e Kadaresë me Camajn: "Zoti Lanksch, mos u bëni naiv! 
A mendoni se i bëhet vonë dikujt në Shqipëri për të vërtetën?
 
Shqipëria është botë e çudirave dhe e vërteta është irrelevante dhe diçka me të cilën merren vetëm “marksist-leninistët”.
 Ismail Kadare është Liza në Botën e Çudirave dhe ai nuk e ka për gjë ta përshtrijë kreativitetin letrar edhe në botën reale.
 Nga ana tjetër, publikut nuk i bëhet vonë se a gënjen Liza apo jo.
 A nuk e dini se Kadare është disidenti më i madh në Ballkan, Evrope, botë dhe më gjerë?
 A nuk e dini se të gjithë librat e tij kanë qenë kundër diktaturës, por këte kanë mundur ta kuptojnë vetëm të zgjuarit ?
 Njësoj si rrobat e mbretit që kanë mundur t'i shohin vetëm të zgjuarit."


* * *

Ç'është e vërteta, Edi Rama e ka edhe më të vështirë operacionin plastik që kërkon të kryejë me Kurbanin e tij, sepse libri/personazhi që kërkon të zëvendësojë veprën/personin është shumë më afër në kohë dhe i mungon mbështetja ndërkombëtare që ka fituar Kadareja, jo pa mundim të vetin e të regjimeve të asaj kohe e të kësaj kohe edhe pse ka punuar shumë për këtë duke e ditur se kjo peshon aq shumë tek shqiptarët e frustruar nga komplekti i inferioriteti ndaj Perëndimit. Jo vetëm, por vepra e tij, që është Tirana, nuk është e fshehur nëpër biblioteka mes librash e gazetash të pluhurosura e që, tek e fundit, dikur edhe mund të digjen e të zëvendësohen, me dekret qeveritar, nga versioni i fundit i shkrimtarit kombëtar të mbretërisë së gënjeshtrës. Operacioni plastik i Edi Ramës është shumë më i vështirë pasi ai duhet të na heqë nga pamja me Kurbanin e tij volume masive betoni e çimentoje pallatesh shumëkatëshe e të na rishfaqë pamjen e Malit të Dajtit, të lulishteve, të oborreve të shkollave, të fushave të sportit, të kinemave të vjetra të qytetit, të qindra shtëpive të Tiranës historike të zhdukura nën rruspat e miqve të tij të korrupsionit. I duhet që pusin e thellë me grataçiela, siç kishte ndërmend ta bënte qendrën e Tiranës për interesa kësisoji, të na e paraqesë si mrekulli arkitektonike; i duhet të na heqë nga mushkëritë pluhurin e gazin që po na helmon e kancerizon mushkëritë. Silikoni i Edi Ramës, i ngjyer me jeshil, duhet të na shfaqet gjithandej para syve në formë bari për të mbuluar çimenton, pluhurin, gazrat e plehërat. Megjithatë ai guxon paturpësisht ta bëjë këtë pasi e di se vetëm turpi s'ka kuptim në këtë mbretërinë tonë të gënjeshtrës që ekziston në ndërgjegjen e imponuar kolektive të banorëve të saj në formën virtuale të një vendi që, qysh në kohën e romakëve, si një hero kryelartë e i pamposhtur, e ka çarë historinë me shpatë në dorë: që ka mundur romakët, barbarët, bizantinët, osmanët, italianët, gjermanët, imperialistët, socio - imperialistët; në këtë Shqipërinë tonë ku Kryeministri i vendit inauguron një rrugë në fund të 2011-të dhe u thotë bashkëkombësve të vet se kjo rrugë është edhe një mirënjohje për Skënderbeun që ka luftuar në këto anë në 1400-tën. Aq më tepër kur ke në shërbim një hordhi gazetarësh injorantë e servilë dhe intelektualësh të tredhur që në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, të cilët kanë hall të parë ta kenë mirë me pushtetin pasi ky të bëhet garant jo vetëm i mbijetesës ekonomike, por edhe i suksesit, aftësisë, talentit.
Në fakt, Edi Rama ka përvojë jo të pakët në zanatin e operacionit plastik. Kulturën e manipulim-simulimit dhe metodat e saj të mendimit e krijimit i ka provuar me sukses të rrallë dhe më parë. Në këtë pikë, madje, më duhet të pranoj se metafora që përdora me operacionin plastik ka një kufizim, pasi ajo nënkupton sikur personi të ketë patur një fytyrë dhe, pastaj, kur shndërrohet në personazh të pushtetit e të mediave, na shfaqet një tjetër. Kur e mendoj pak më thellë, veçanërisht duke patur parasysh personin e Edi Ramës, më del se ndoshta vetëm ata që e shohin së jashtëmi mund të flasin për një operacion plastik duke krahasuar pamjen që i kanë parë me atë se si ai na shfaqet. Kurse për personazhin së brendëshmi nuk jam i sigurt se mund të thuhet se e ka një vetëdije të vetvetes që pastaj e transformon qëllimisht nëpërmjet operacionesh plastike të vazhdueshme. Më duket se është më e drejtë të thuhet se ka një kategori njerëzish, që janë vetëm personashe pa qenë asfare persona, pasi ata ia adoptojnë gjithnjë vetveten rrethanave, ambjentit, interesave, duke mos marrë asnjëherë asnjë ide seriozisht, veçanërisht atë që quhet e vërtetë, pasi kjo mund t'u bëhet pengesë për aktrimin e tyre në skenë. Është si të imagjinosh një aktor për të cilin jeta e tij jashtë skenës të mos ekzistojë, ose më mirë të themi sikur e amputon atë pasi, për të luajtur sa më mirë identitetin e personazhit që i kërkon regjia e rradhës, i është më e volitshme të mos ketë fare identitetin e tij apo një gjykim përfundimtar për diçka. Vini re, pasi nuk ka lënë gjë pa thënë për Ilir Metën dhe llumin ku ai ka rënë Rama përfundon duke thënë se "s'është e thënë që kjo të jetë e vërteta ime e fundit për Ilir Metën", "kjo botë është e bukur se nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë." E ka thënë edhe Shekspiri në "As you like it" (Si t'ju pëlqejë) se e gjithë bota është një skenë dhe njerëzit, burrat dhe gratë e saj, nuk janë veçse aktorë që luajnë pjesë të ndryshme në të.
Mirëpo Shekspiri bën ironi të hidhur. Në fakt, kush ka njohur aktorët e vërtetë të skenës dhe jetën e tyre, - e them këtë duke patur parasysh jo vetëm aktorët e skenës por edhe ata të jetës - e di mirë se nuk mund të "luash" vërtet bindshëm një personazh pa qenë më së pari brenda vetes një person. Edi Rama, si në jetë edhe në këtë libër, na shfaqet si një personazh i luajtur keq mu pse brenda tij mungon personi. Më kujtohet një miku ynë i përbashkët, që thoshte me shaka se Edi Rama, po t'i dalë natën ndonjë makinë përpara, rrezikon të bjerë nën rrotat e saj pasi do i dalë përpara duke kujtuar se fanarët e saj janë prozhektorë të skenës. Ajo që i ka ndodhur në jetë - por edhe në këtë libër - është pikërisht ngatërrimi i makinës së rëndë shtypëse të pushteti me dritat lajkatare të skenës.

* * *

Duhet pranuar, megjithatë, se nuk është kaq e thjeshtë analiza kur e ngremë çështjen e personit që humbet vetveten duke u bërë personazh, pasi, në fakt, askush nuk mund të pretendojë se është një person i vetëm që kur lind e deri sa vdes. Në fakt ne mësojmë gjëra të reja dhe, duke mësuar, ndryshojmë; ne besojmë në diçka, por duke mësuar diçka tjetër ne e humbasim besimin e parë duke përqafuar një tjetër; ne kemi një profesion dhe ushtrojmë një tjetër; shpesh ne bëjmë aq shumë gabime sa jeta jonë mund të quhet një ndreqje e vazhdueshme gabimesh. Atëhere pse t'i bijem në qafë Edi Ramës; pse duhet të kapemi tek gjërat që ai ka thënë dje për t'ia hedhur poshtë ato që thotë sot në Kurbanin e tij e ta quajmë personazh pa person? Sipas mendimit tim sepse megjithë ndryshimin e vazhdueshëm ka diçka që mbetet e pandryshueshme apo që duhet të mbetet e pandryshueshme që ne të mos e humbasim personin/vetveten në rrugën e kërkimit të së vërtetës. Kjo është ndershmëria: në raport me vetveten më së pari dhe pastaj edhe me të tjerët. Vërtet njeriu mund të bëjë aq shumë gabime sa jeta e tij të quhet një ndreqje e vazhdueshme gabimesh, por ama, vetë ekzistenca e gabimit, sikurse thotë Popperi, në kundërshtim me ata që në emër gjoja të relativizmit justifikojnë çdo gënjeshtër, nënkupton kërkimin e së vërtetës. Dhe ky kërkim nuk mund të kryhet pa dritën e ndershmërisë e cila s'ka se si të mos na çojë dhe tek njohja e gabimeve tona. Është kjo, mosnjohja e gabimit, ajo që e kompromenton rëndë librin e personazhit Rama. Thuajse në çdo faqe të librit ai s'bën tjetër veçse largon gabimin dhe fajin nga vetvetja. Të vetmen gjë që pranon janë gabimet në ndryshimet kushtetuese, por edhe ato pa na shpjeguar sinqerisht motivet e vërteta, por në funksion të asaj se rindreqja e tyre i duhet për nesër. Dikush më tha se këtë libër Edi Rama e ka shkruar si psikoterapi pas humbjes së Tiranës. Është e vërtetë se një libër mund të shërbejë edhe si psikoterapi, paçka se profesionistët thonë se psikoterapinë duhet të ta bëjnë të tjerët jo vetvetja pasi ka shumë rreziqe që, në këtë mënyrë, ta thellosh sëmundjen. Por edhe ata që arrijnë ta bëjnë vetëterapinë - thonë se Frojdi ishte një i tillë - e arrijnë nëpërmjet një bashkëbisedimi të thellë intim me vetveten. Kurse Kurbani i Ramës vetëm bashkëbisedim me vetveten, introspeksion, nuk ka. Ai, me një ekzibicionizëm e ekstroversitet arrogant, thjesht bën kurban të tjerët për të larë vetveten duke e thelluar kësisoj dramën e tij të mungesës së gjetjes së vetvetes e të realitetit.

* * *
Po ndalem vetëm në një moment të librit: ai i së vërtetës së futjes së Edi Ramës si intelektual në politikë. Nuk është hera e parë që Rama shpalos gënjshtrën se ai hyri në politikë ashtu rastësisht, pas vdekjes së të atit, se këtij artisti dhe intelektuali iu lutën që të kryente sakrificën e të bërit politikan, që ai e pranoi vetëm e vetëm për t'u bërë mirë shqiptarëve. Nuk është vendi në këtë artikull për të bërë memuaristikë duke hyrë në kujtime personale që provojnë se nuk është kështu, por nuk mund të mos i referohem diçkaje që thotë për miqësinë time me të për çka është abuzuar shumë këto vite ndërkohë që unë s'kam shkruar asnjëherë pasi kam gjykuar se si gazetar duhet të merrem me punën e tij dhe fenomenet që përfaqëson si person publik: "… një miqësi e dashur që e humba kur zbrita në arenën politike... një histori kjo jo aq e lehtë për t'u shpjeguar sa ç'mund ta bëjë Fatosi…" Do ta komentoj këtë duke u marrë me thelbin e së vërtetës që Edi Rama ia fsheh më së pari vetvetes dhe pastaj të tjerëve, pasi më duket tejet i rëndësishëm ky moment për të gjithë shoqërinë, veçanërisht për intelektualët shqiptarë, pasi ka të bëjë me raportin e tyre me pushtetin politik. Do të përpiqem ta bëj duke patur parasysh se sigurisht çdo histori është e komplikuar për t'u shpjeguar, nganjëherë nuk kemi as instrumentet kulturore për ta shjeguar, por e rëndësishme është të kesh qëllimin e sinqertë për ta shpjeguar atë, ndershmërinë intelektuale dhe jo synimin për ta shtrembëruar.
Pyetja që duhet të shtronte Edi Rama, po të shkruante një libër të vërtetë, duhet të ishte se çfarë humbi ai duke hyrë në politikë, miqësinë me Fatosin apo ndonjë gjë tjetër shumë më të rëndësishme. Përgjigjen se çka humbur nuk e thotë tek Kurbani, por e ka thënë shumë kohë më parë, në një intervistë të pambaruar, fragmente të së cilës i kam cituar në një shkrim që botova në Koha Jonë të nesërmen e goditjes që i bënë njerëzit e Berishës në fillim të vitit 1997: "Intelektuali nuk kërkon vota, por kërkon të vërtetën."
Pyetja që shtrohet sot është: a e ka pasur ndonjëherë synim të vërtetën ky njeri? Mua nga përvoja e viteve në vazhdim më rezulton se jo, se edhe të vërtetat që shkruante asokohe kur ishim miq, edhe me gabimet që mund të mbanin, nuk synonin të vërtetën, por, nën diktatin e egoizmit të pafre dhe me metodat e kulturës së manipulim simulimit, synonin pushtetin. Kjo është e vetmja e vërtetë e pandryshueshme e Edi Ramës. Sa për miqtë dhe miqësinë, njerëzit që e duan pushtetin si Rama, e të mbrujtur me kulturën e manipulim-simulimit, nuk e njohin atë. As atë thënien e famshme të Kantit: "Mallrat kanë një vlerë, njerëzit një dinjitet." Kultura e manipulim-simulimit, si kulturë e njerëzve të pushtetit, në vendet jo demokratike veçanërisht, miqtë edhe mallrat i sheh në të njëjtën mënyrë: si sende që blihen dhe shiten, që përdoren e hidhen kur nuk ju duhen më, e që rimerren përsëri po t'ua lypë interesi.
Asgjë nuk ka të vërtetë në atë që thotë Rama se ai u fut rastësisht në politikë, më 1998, duke sakrifikuar artin për t'u bërë mirë shqiptarëve. Ai pushtetit i ka ardhur rrotull që me kohë dhe deri këtu s'ka ndonjë gjë të keqe; njerëzore është kjo; e keqja qëndron në llojin e raportit të tij me pushtetin dhe këtu diskutimi e tejkalon Edi Ramën dhe librin e tij. Një nga gjërat që vihet re sot si simptomatike në shoqërinë shqiptare është hipertrofizimi i politikës. Shpjegimi është i thjeshtë: pa qenë në politikë, pa pasur mbështetjen e pushteti politik direkt apo indirekt nuk je thuajse asgjë në Shqipëri. Në këto kushte sigurisht, njerëzit ndjehen "të vegjël", duke e krahasuar veten me politikanët tanë - siç thotë ai për mua, duke i shpjeguar me këtë frustrim timin, shqelmat që unë hedh kundër politikanëve, pa e kuptuar se, në fakt, ka projektuar vetveten tek unë. Personalisht frustrimin e kësaj "vogëlsie" përpara politikanit e kam provuar në mënyrën më dramatike në qelitë ku më plasi Enver Hoxha dhe e pranoj se ky frustrim mund të të çojë shumë kollaj tek tundimi i pushtetit. Është një nga tre tundimet që Djalli i shfaqi edhe Krishtit. Kush mund ta mohojë se nuk e ka provuar dhe nuk e provon këtë tundim veçanërisht në një shoqëri si kjo e jona. Por, tek e fundit, njeriu është zgjedhja që bën, veprimi i tij dhe jo tundimi e tij. Dhe këto zgjedhje kondicionohen shumë edhe nga kultura e tij edhe nga morali i tij edhe nga njohja e realitetit që jeton. Personalisht bëj pjesë ndër ata që në zgjedhjet dhe veprimet që kam bërë në liri s'jam nisur kurrë nga mendimi se për tu ndjerë/bërë "i madh" duhet të futesh në politikë dhe as se për të pasur sukses në art a letërsi duhet t'u shërbesh të pushtetëshmëve. Përkundrazi edhe jeta që kam pasur në diktaturë më ka mësuar se kategoritë "i vogël", "i madh" jo vetëm që janë shumë relative, por i përkasin një kulture antidemokratike dhe se duhet të luftojmë për një shoqëri të barabartish e jo të mëdhenjsh e të vegjëlish. Miqësia ime me Edi Ramën u krijua në krye të herës, të paktën nga ana ime, pasi ai mu paraqit si një kontestues i kulturës autoritare, i modelit të intelektualit që lidhet me pushtetin për të arritur suksesin. Një nga gjërat që e bëri atë simpatik në sytë e mi ishte pikërisht kontestimi i veprës së baballarëve që i ishin nënshtruar kësaj kulture duke filluar që nga i ati dhe deri tek Kadareja. Besova se po inauguronte një gjeneratë të re intelektualësh në Shqipëri sëbashku me demokracinë; të intelektualëve që janë "counterpart" i pushtetit, që kërkojnë të vërtetën e cila, shpesh, sidomos në një vend si Shqipëria, është me pakicën dhe jo me votën e shumicës, intelektualë që sipas meje janë shumë më të rëndësishëm sesa politikanët në një shoqëri - thuaj po deshe edhe më "të mëdhenj" se ata. Nuk na lidhte pra ndonjë miqësi fëmijërije apo nga ato të burgut por ndarja e një sëre parimesh e vlrash në të cilat mendoja se besonte ashtu si unë. Ai e di shumë mirë zhgënjimin tim ndaj një artikulli të tij plot me servilizma për Fatos Nanon, të shkruar nga Parisi në pranverë 1998, (ndërkohë që unë, akuzoja qeverisjen e tij "shkërdhatokraci") ku i shkruaja: "Në emër të ruajtjes së kësaj ndjenje (miqësisës FL), […] desha të të them se je shumë i lartë dhe shumë i madh që të katandisesh në një shkop që i duhet X-it për të përzierë sëbashku me Y një supë, që e ha Fatos Nano me …". Po i le m "X" dhe "Y" emrat e personave të tjera pasi koha më provoi se "kuzhinieri i supës" nuk qenë ata, por dora vetë Edi Rama, i cili po përgatitej (me servilizma pa fund ndaj Nanos, sëbashku me sivëllain e tij, Ardian Kosin) të bëhej ministër; siç më provoi po ashtu, kur Edi Rama hipi në pushtet, se llafet e tij të mëdha për intelektualin që kërkon të vërtetën, për antiautoritarin, kishin qenë një bllof i madh, një aktrim, për të arritur tek baballarët. Ai në një farë mënyre u bë përsëritës i babait e jo një kontestues i tij. Madje mund të thuhet se ai e çoi në shkallën më të lartë të mundëshme modelin e intelektualit që e arrin suksesin nëpërmjet pushtetit. Duke tentuar të përdorë pushtetin për të bërë edhe artistin dhe intelektualin e suksesshëm ai u bë një personazh imitues i liderëve famëkeq që nxorri shekulli i XX me bollëk dhe në mënyrë dramatike. Një karikaturë e tyre sigurisht, pasi kohët kanë ndryshuar, por jo pa pasoja të rënda kur ke parasysh shkatërrimin që i shkaktoi Tiranës apo sistemin e tmerrshëm mediatik që krijoi nëpërmjet pushteti të tij për të ushqyer narçizizmin, ekzibicionin dhe etjen e tij të pafre për pushtet.
A është kaq "e thjeshtë" sa ç'po e tregoj unë kjo histori. Sigurisht jo, por më duket se është një tentativë shumë më e sinqertë dhe drejtpërdrejtë sesa shpjegimi i asaj se pse në vend të "miqësisë së dashur" me Fatosin ai zgjodhi "miqësinë" me lloj lloj mashtruesish e trafikantësh të njohur e të panjohur, me fjalët "na ndau skena e politikës".
Libri i tij më vërteton se nuk ka kuptuar asgjë nga këto teksa e shoh se si, në stilin e kujtimeve të Enver Hoxhës, lëvdon "miqësitë" e mbrapshta që ka lidhur, e merr nëpër gojë me arrogancën e pushtetit "miqtë" dhe "armiqtë" e tij pa pasur asnjë skrupull ndaj të vërtetës, (përveç kalkulimit nëse i duhen apo nuk i duhen për karrierën e ardhshme politike); ku spikat, mungesa e inteligjencës për të kuptuar se askush vërtet inteligjent nuk i beson ato që po thotë, injorimi i deshmitareve me idenë se ata ose janë "të mundur", ose i skualifikoj si armiq, ose nuk mund të flasin pasi i kam nën pushtet apo i kam korruptuar.

* * *

Të dy personazhet e këtij shkrimi, Kadareja dhe Rama, takohen në një moment shumë interesant të librit të Kadarejve, që flet shumë për klimën e hipokrizisë dhe të pabesisë që mbretëron në gjirin e të ashtuquajturës elitë të kësaj mbretërisë sonë të gënjeshtrës. Është i paparë fragmenti në librin e Kadarejve ku këta i botojnë me datë e me orë sms-të që Edi Rama i ka dërguar zonjës Kadare, ku i kërkon që i shoqi të bëhet President. "Zemër, a do të ndodhë mrekullia!" - thotë në njërin prej tyre intelektuali që kërkonte të vërtetën i shndërruar në Kryetar të Partisë Socialiste. Kush e njeh aktorin Edi Rama nga afër nuk mund të mos qeshë me të madhe me këto sms e të kujtohet se një nga vetitë e rralla të tij, me të cilën mund të thuhet se e ka pasuruar kulturën e manipulim simulimit, është  aftësia për të korruptuar njerëzit, prveç të tjerash, edhe duke mikluar tek ata atë dobësi njrëzore për të cilën Rusoi thotë se është e vetmja ndaj të cilës çdo njeri është i pafuqishëm: vanitetin. "Sa i madhe je ti!" "Çfarë gjeniu është ky!" - janë të shumtë ata që kanë rënë në grepin e këtij seduktori të madh pa e kuptuar se "gjenialitetin" dhe "madhësinë" e vërtetë ky njeri ia njeh vetëm vetvetes. Për hir të së vërtetës më duhet të pranoj se e kam gëlltitur edhe unë ca kohë këtë grep. Afërmendsh, Kadarejtë e dinë se po kërkon t'i përdorë. Aq më tepër duke patur parasysh se ç'ka shkruar Rama për Kadarenë edhe për Partinë Socialiste në kohën kur shkruante se kërkonte të vërtetën. Por ata nuk i bëjnë asnjë koment këtij uriahipizmi. Kjo u prish punë. Nesër ky mund të bëhet kryeministër e mund të na duheet për ndonjë tjetër favor si ato që na ka bërë Berisha e Meta. Pastaj, e rëndësishme për ta është që t'i tregojnë lexuesit perëndimor, për të cilin është shkruar libri, se si i luten e i bijen në gjunjë shkrimtarit të madh liderët e maxhorancës dhe të opozitës. Mirë, po ç'nevojë kanë të na i shkruajnë me datë dhe me orë - do të pyesë lexuesi naiv. Pasi edhe këta e dinë se në mbretërinë e gënjeshtrës nesër historinë ky do ta shkruajë ndryshe, sikur iu lut Ismaili që ky ta bënte president, siç thotë tani për Nanon.
E në këtë kontekst pyetja që shtrohet më gjerë është: a e dinë të vërtetën e kësaj hipokrizie e të këtyre gënjeshtrave njerëzit. Agim Vinca kishte shkruar një shkrim të ngarkuar me habi për gënjeshtrat e zonjës Kadare lidhur me takimin e tij me shkrimtarin. Të më falë Vinca, por mua nuk më duket e sinqertë habija e tij. Kam frikë se, sikur të mos ishte prekur vetë ai, nuk do t'i kishte shkruar asfare ato reshta dhe ky është problemi, pasi nuk është kjo gënjeshtra më e madhe që lexojmë nga Kadarejtë dhe kritiku Vinca do të duhej ta kishte ngritur zërin atëhere e jo tani. Edhe Ardian Klosi, Piro Misha e Ardian Vehbiu nuk se nuk e dinë të vërtetën e Edi Ramës mbi Tiranën kur shkruajnë ato që kanë shkruar në kopertinën e librit. Problemi është se - nëse do të perifrazoja Heidegerin - ne e banojmë kulturën tonë të gënjeshtrës, ashtu si ngjala banon llumin e kënetës, duke jetuar në simbiozë me të. Kulura e kësaj memuaristike në fakt është një kulturë që e gjen rëndom në njerëzit e thjeshtë, në mënyrën se si ata tregojnë për veten apo për të kaluarën e tyre, plot mburrje e gënjeshtra. Duket sikur në një rreth vicioz, "të mëdhenjtë" tanë u adoptohen këtyre njerëzve "të vegjël" për t'u pëlqyer e njëherësh shërbejnë si modele kulturore për ta. Këta lloj librash e riprodhojnë këtë llumkulturë dhe kjo llumkulturë riprodhon këto lloj librash e këtë model intelektuali që nuk e di nëse do të emancipohet ndonjëherë.
Në mbyllje të këtij shkrimi dua t'i kërkoj ndjesë lexuesit, nëse ashtu sikurse i duket Edi Ramës, i duket edhe atij se kam treguar në këto radhë një "superioritet të fryrë moral" a thua se veten e konsideroj si peshk që nuk jeton në kënetën e kësaj llumkulture, sikur të mos i kem edhe vetë mbi shpinë njollat e saj. E siguroj lexuesin se nëse ai i gjen këto tone ato vijnë nga të ndjerit keq në këtë llum, nga nevoja për të ulërirë se s'duhet të pranojmë të jetojmë në këtë llumkulturë - në emër të më shumë dinjitet dhe më shumë lirie për të gjithë - dhe jo pse dua të nxjerr veten të larë prej saj. Këtë shkrim, madje, e konsideroj shprehje të të gjithë atyre që e kanë vuajtur dhe e vuajnë kulturën e manipulim-simulimit në mbretërinë tonë të gënjeshtrës e që janë shumë më të numërt nga ç'i mendojnë pushtatarët që e shohin Shqipërinë vetëm nga ekranet mediatike. (Panorama, 19 - 20 Nentor 2011)

5 comments:

Glen LLaçi said...

Qe me debatin para disa muajsh ndermjet Lubonjes, Tufas dhe Klosit me ka ngelur ne mendie nje pyetje per intelektualet e pozicionuar pas njeres apo tjetres parti. (intelektual qe nuk hezitojne te baltosin njeri tjetrin). pyesja gjithmone veten per steriotipin e tyre, ku qendron problemi me kete steriotip qe nuk e lejon te avancoje shoqerine?... Mu kujtonte figura biblike e tradhetise se Krishtit nga dy nxenesit e tij Petro dhe Juda. Petro nje steriotip impulsiv dhe pasionant aq sa godet me thik nje nder ushtaret per te mbrojtur Krishtin dmth idealin e tij, po prej ketij impulsiviteti dhe pasioni pas disa oresh e mohon idealin e tij ne nje moment frike dhe presioni. Gjithesesi intelektualet tane te rreshtuar neper parti me duken larg Petros sepse edhe debatin pasionant (large arsyes) nuk me duket se e bejne prej krishtit te tyre dmth idealit qe besojne.
Ndersa figura dhe Dilema e Judes me duket me prane. Juda (nje figure po aq interesante) ishte nje person jo i pashkolluar per kohen e tij, mos harrojme qe ai ishte edhe mbajtesi i kuletes dmth "nje lloj ekonomisti". Ai ishte ne dileme ndermjet "Iealit" dhe "materiales" dileme qe e perfundoi me shitjen e idealit (krishtit) kundrejt 30 asprave. them dileme sepse nese ai do ta kishte humbur kete besim ke ideali i tij nuk kishte pse ta tradhetonte apo ta "shiste". Ajo qe e bene me dramatike dhe me prane realitetit Juden eshte fakti qe ai e kupton gabimin dhe kthehet te prifterinjte duke u hedhur 30monedhat ne kembe dhe i thote se kishte dorezuar te ata gjak te pafajshem. Por prap figura e Judes nuk ngjit edhe aq me steriotipin ne fjale, ke ky steriotipi yne vazhdon ti shijoje ato monedhat dhe as qe tregon te pakten nje lloje sindrome te judes. cuditerisht shkrimi i sotem i Lubonjes mbase i ka dhene pergjigje steriotipit te politikaneve apo intelektualeve qe ashtu si une shume shqiptare pyesin veten "c'brum jane keta". Ne fakt ajo qe karakterizon kete steriotip eshte pushtetdashja e permendur nga Lubonja dhe çuditerisht na del se ky steriotip i pershtatet me teper Pilatit. Pilatiti i interesonte me teper pushteti i tij se sa drejtesia aq sa denoi me kryqezim dike qe nuk gjente faj dhe lau duart nga "ideali" i Petros dhe Judes. Po ashtu edhe intelektualet tane qendrojne aq larg te vertetes sepse preferojne me teper komoditetet qe mund ti japi X apo Y pushtet. Ashtu si Pilati kishte mungese njohje dhe luciditeti ngaqe pushtet dashja nuk i'a lejonte nje vullnet te tille, po keshtu edhe intelektualet tane jane te gjymtuar ne vullnet per te njohur te verteten.
Dhe kur them te vertetn nuk e kam fjalen per te verteten e Krishtit, por per te verteten e K.R.Popper-it libri i te cilit "Njohja objektive" fatkeqesisht nuk ekziston ne shqip. eshte shume e sakte ajo qe thote Lubonja ne lidhje me afrimin e te vertetes duke korrigjuar njohjet tona nga gabimet qe ato permbajne dhe duke i'u perqasur njohjeve si hipoteza dhe jo si dogma. kete fryme e shikon edhe me teper ne nje tjeter liber te Popper-it "Shoqeria e hapur dhe armiqte e saj" aty ai thote nje shprehje teper te goditur qe i pershtatet edhe problematikes shqiptare: " Duke kerkuar Qytetin Hyjnor sa ne te shkuaren sa ne te ardhmen, duke i bere apel emocioneve tona ne vend qe ti therrasim arsyes, perfundojme duke e bere token sketerre ne vend te parajsa qe kerkonim"
P.S. Zoti lubonja do ju sugjeroja te perktheni per "Perpjekjen" nje tjeter liber te poperit, "Televizioni si armik i demokracise" E ka botuar ne vitin 93 me duket. Dhe eshte nje liber qe nuk ka shum vellim.
Glen Llaçi.

Ardiana S. Prishtina said...

Ka shekuj qe s'kam lexue shkrim kaq te mire. Ka shekuj, qe ndjeje te njejten nevoje me ulurite. Faliminderit, faliminderit, faliminderit ..., qe i dhate shprehje ulurimes tem, qe s'kam dite, e kurre s'kisha me dite, me e nxjerr nga vetja e me u clirue.

p.s. e permendet Ardian Vehbiun ne fund, per kete person, me te cilin kam pas "nderin" me diskutue ne nji debat per gjuhen shqipe, standarin, gegnishten, kulturen shqiptare. Vetem muj me thane, qe me nji njeri ma te kompleksuem, ma te vuejtun per autoritet, popullaritet dhe ma injorant, nuk kam fol asnjihere ne jeten tem, sepse ai u'a kalonte te gjitheve injorantve qe njohe, qofte per nga injoranca, qofte per nga ndjenja superiore ndaj te tjereve, me te cilen ish i fryme si ballon.

nik said...

Rrencaku i madh Kadare thot se nuk asht marrë me politikë, as nuk pranon me hy në të. E vërteta asht se ka qenë në tre mandate deputet i Kuvendit Popullor dhe nënkryetar i Frontit Popullor. A qe n'interesin e Shqipnisë, e demokracisë dhe jopolitike kërkesa që ia paraqiti z. Basha që të tërhiqet nga kandidimi për Kryebashkiak të Tiranës?! Si gjithë jetën edhe me këtë tentim antidemokratik ai i shërbeu pa sukses sockomunistëve të tij...

Anonymous said...

Përshëndetje z. Lubonja!
Kisha dëshirë të lexonja këtë artikull..., por nuk e lexova!!!, vetëm dy tri rreshtat e parë, e dini pse?, shumë të gjata po i shkruani këto artikuj, a nuk mundeni me më pak fjalë ta shprehni atë " që e keni shprehur", apo qëllimi i juaj është që të ketë sa më pak lexues!!!!.
Mërgimtari

Anonymous said...

I them komentuesit te fundit qe, mos valle nuk duhen shkruar as librat mqnse njerezit "nuk kane kohe" te mjaftueshme?

Edhe pse bie pjeserisht (pjese shum e vogel ama) dakort; Lubonja ndonjehere ka mundesi qe te jete edhe me konciz.

Z. Lubonja, vetem vazhdoni te shkruani, nuk ka rendesi se cfare stili ndiqni, kurre mos pushoni.
:)