Wednesday, December 28, 2011

A na duhen heronjtë

Në shkrimin e fundit "Për një histori pa heronj" i premtova lexuesit se do të shkruaj për temën e heronjve, a na duhen apo jo, pse na duhen, si na duhen, me një fjalë cili duhet të jetë raporti ynë me ta. Kjo është një temë tejet e ndërlikuar, e cila ka të bëjë si me  psikologjinë e individit ashtu edhe me atë të masës dhe të cilës duhet t'i qasemi duke iu referuara studimeve të antroplogjisë mbi mitologjinë, religjionet të kryqëzuara me psikoanalizën, veçanërisht atë jungiane, pa harruar historinë dhe duke patur parasysh se këto bëjnë pjesë në kategorinë e shkencave historike - hermeneutike, çka do të thotë se nuk janë shkenca ekzakte,  por interpretative e, prandaj, askush s'mund të pretendojë të japë një përgjigje të vetme, aq më pak përfundimtare. Prandaj, çka do të përpiqem të argumentoj këtu është mendimi im mbi këtë temë në pikën që kam mbrritur deri më sot. Madje këtë shkrim e konsideroj një përpjekje për të thelluar edhe njohjen time mbi temën e heronjve.


Heroi dhe individi

Nëse do t'i referohemi Jungut nevoja jonë për heronj na buron nga  arketipi i heroit që, sëbashku me arketipin e nënës, babait, zotit, animas (për meshkujt) animus (për femrat) e një miraidë arketipesh, popullojnë sferën e asaj që ai e quan subkoshienca kolektive e një individi, që e trashëgojmë si një farë ADN-je të psikikës sonë. Sipas psikoanalizës jungiane, që sipas meje është një nga interpretimet më të thella të psikikës njerëzore, (ndonëse jo e vetmja dhe as shteruese), arketipet, janë një tendecë e jona e lindur për t'i përjetuar në një mënyrë të caktuar gjërat në nivelin psikik, ashtu siç janë instinktet një tendencë e jona e lindur për t’u sjellë në një mënyrë të caktuar në nivel biologjik. Pra, psh. po të na vdesë nëna që në lindje, ashtu sikurse biologjikisht instikti do të na çojë të kërkojmë një gji për të thithur, ashtu edhe shpirtërisht arketipi i nënës do të na shtyjë të kërkojmë një figurë femërore të na zëvendësojë nënën. Po kështu arketipi animas është pjesa jonë femërore subkoshiente (kur jemi meshkuj), animus është pjesa jonë mashkullore (kur jemi femra) që luajnë rol të rëndësishëm në raportet tona me partnerin. Arketipi i zotit përfaqëson nevojën tonë për të kuptuar universin, për t'i dhënë një kuptim tërë asaj që na rrethon, që ta shohimsidiçka që ka një qëllim apo një drejtim. Sipas Jungut janë arketipet ata që krijojnë, mitet, fetë, idetë filozofike dhe prandaj këto i gjen në të gjitha popujt dhe në të gjitha epokat. Rreth origjinës së arketipeeve më duket më bindëse hipoteza se ata e kanë bazën në përsëritjen e vazhdueshme në shekuj të të njëjtave eksperienca njerëzore që kanë plazmuar psikikën e njeriut (e këtu kam rezerva ndaj teorisë sé Jungut që arrin deri né ezoterizëm dhe misticizëm kur trajton arketipet).
Një nga arketipet më të rëndësishëm është ai i heroit. Është ky arketip që, prej thellave të subkoshiencës, na shtyn të kërkojmë heronj që të na inspirojnë duke shprehur kësisoj një nevojë tonën shpirtërore. Tërheqja emocionale që provojmë kur dëgjojmë apo lexojmë historitë me heronj shpjegohet me rezonancën që ato krijojnë në shpirtin tonë. Përpjekjet e heroit, që kapërcen frikëra dhe pengesa, për të arritur qëllimin e tij, na shërbejnë si shtysa që të bëjmë të njëjtën gjë edhe ne, të çlirohemi nga ndrydhjet e të gjejmë kurajo në vetvete që të ndjekim atë shteg që na çon (dhe këtu i kërkoj lexuesit të përqendrojë vëmendjen) tek realizimi i potencialiteteve tona, i vetvetes, që sipas Jungut është tërësia e rrathëve të koshiencës dhe subkoshiencës. Mitet me heronj, pra, sipas Jungut na shërbejnë si një manual autoterapie rezultati përfundimtar i të cilës, për ata që dinë t’i përdorin këta mite me sukses, është arritja e një mendjeje të ndriçuar, e një njeriu që e njeh vërtet vetveten. Këtë proces Jungu e quan individuim. Njeriu arrin vetërealizimin, sipas thënies së Niçes "bëhu vetja jote", kur bëhet plotësisht koshient për subkoshiencën dhe arketipet që ruhen atje.
Shkurt, ne kemi nevojë për heronjtë, që të ndërgjegjësohemi se ata shprehin një nevojë tonën shpirtërore për t’u bërë heronj të vetvetes. Dhe ky ndërgjegjësim është një proces që na çon në integrimin nga subkoshienca  në koshiencën të arketipit tonë të heroit. Kurse për sa kohë idealizojmë dhe adhurojmë figura të jashtëme s'bëjmë tjetër veçse projektojmë arketipin tonë të heroit tek këto figura, duke mbetur larg njohjes së vetvetes, individuimit. Është e njëjta gjë me dashurinë. Kur ne provojmë atë që quhet dashuri me shikimin e parë, që na verbon, por që shumë shpejt edhe na zhgënjen, sipas Jungut ne s'bëjmë gjë tjetër veçse projektojmë animas/animus-in tonë tek një femër/mashkull tjetër. Kurse, për të ndërtuar një lidhje të shëndoshë dashurie, ne duhet më së pari ta integrojmë në koshiencën tonë animas/animusin tonë kurse tjetrin e jashtëm, me të cilin lidhemi duhet ta takojmë si një të ndryshëm, jo si dikë që na plotëson gjysmën e munguar dhe që, pastaj, na zhgënjen pasi ai/ajo nuk përputhet me animas/animus-in tonë. Kjo nuk do të thotë se s'duhet t'i provojmë këto ndjenja. Duhet të kemi guximin të hyjmë në xhungël, thotë Jungu. "Nuk është kurrë aq i mënçur sa duket ai që s'ka njohur çmendurinë," - thotë La Roshfuko. Por për të arritur mënçurinë duhet t’i intergojmë në koshiencë kafshët që popullojnë subkoshiencën tonë, duhet ta forcojmë koshiencën, përndryshe janë ato që do të na e zotërojnë atë duke na mbajtur në çmenduri/skicofreni.
Pa e zgjatur ideja është se kur piqemi, nëse jemi zhvilluar mirë, ne fokusohemi më thellë tek vetvetja çka do të thotë se me vetërealizimin, individuimin njeriu diferencohet nga sjelljet kolektive, sepse çdo vetvete e realizuar, sipas Jungut, është e ndryshme nga një tjetër.

* * *
Për të kaluar tek tema jonë, kur shkruaj për një historiografi pa heronj kam parasysh në nivel të psikikës individuale, si pjekurinë e një autori, që nuk projekton arketipet e tij të heroit tek figurat që përshkruan, edhe atë të një lexuesi të pjekur. Sipas gjykimit  tim për arsye të shumta që kanë të bëjnë si me regjimin totalitar që kemi kaluar që punonte, përkundrazi, për ta mbajtur njeriun të padiferencuar nga të tjerët, si me izolimin nga njohjet që kanë prurë, veçanërisht gjatë shekulit XX, filozofia, antropologjia, psikoanaliza, njeriu shqiptar thuajse nuk e njeh këtë proces pjekurimi. Mosfutja e kulturës psikoanalitike dhe psikoterapeutike edhe njëzet vjet pas rënies sé totalitarizmit shfaqet sot me pasoja dramatike përsa i përket vetërealizimit të njeriut dhe shoqërisë shqiptare. Mbetja në një fazë papjekurie është një nga shpjegimet, sipas meje, pse shumica e shqiptarëve janë aq të ndjeshëm kur u "preken" heronjtë; se përse kur u thua disa të vërteta  “të padëshiruara” mbi ndonjë figurë mitike të historisë sonë, si Skënderbeu apo Ismail Qemali, të sulmojnë sikur po i godet e fyen ata vetë, nganjëherë në mënyrën më iracionale (ndërkohë që të tjerë, më të lexuar, racionalisht mund ta njohin aspektin e tyre njerëzor, por nuk arrijnë ta bashkojnë atë me bëmat e tyre mbinjerëzore). Gjithë duke iu referuar Jungut kjo tregon se ata kanë projektuar arketipin e heroit tek kjo figurë, çka, me fjalë të tjera, do të thotë se ky arketip, si një kafshë e xhunglës së subkoshiencës që s’arrin të gjejë qetësi pasi kjo s’arrin ta njohë e t’ia kënaqë nevojën që shpreh, e turbullon koshiencën e tyre aq më dhunshëm sa më e pngopur që të jetë. Jo rastësisht njerëzit sa më pak të lexuar që të jenë aq më të kapur pas heronjve janë.
Nga gjithë sa shtjellova deri këtu shpresoj ta kem bërë të qartë përgjigjen time ndaj pyetjes së gazetares Xhunga drejtuar historianes Clayer: "“Pra, sipas jush, do të na duhet të çlirohemi nga simbolet dhe heronjtë në historinë tonë; nuk paskemi nevojë për to?”. Përgjigja ime është se heronjtë na duhen në procesin tonë të njohjes së vetvetes, të vetërealizimit, të bërjes individë dhe se bash kur ndodh ky proces ne çlirohemi nga adhurimi që kemi për figura të jashtme duke u bërë heronj të vetvetes, e duke i pranuar ata të jashtmit (psh. figurat historike) ashtu siç i njeh diskursi që e quajta “shkencor” i historisë jo ai  “ideologjik”. Sepse, ndryshe nga ç'u duket shumë prej atyre që e gjejnë forcën tek “besimi i patundur” tek heronjtë, imitimi i një figure të jashtme, apo ndërtimi i shpresës tek ato është shenjë e një pasigurie të brendshme. Dhe me këtë nuk duhet të kuptojmë se kësisoj do të arrijmë të bëjmë “mrekullirat” që kanë bërë heronjtë që kemi idealizuar kur projektonim arketipin tonë të heroit tek ata, por se do të fitojmë besimin për të qenë vetvetja, për të mos mbetur imitues, por për tu bërë krijues, e për tu ndjerë përgjegjës për aktet tona. (Responsabile (përgjegjës) vjen nga latinishtja që do të thotë i aftë për të peshuar gjërat).
Dhe këtu dua të shtoj diçka shumë të rëndësishme përsa i përket temës së heronjve tanë kombëtarë që u bë shkas për këtë shkrim. Sipas, meje heronjtë e moshës së fëmijërisë dhe rinisë, që njerëzit i lexojnë nëpër libra e i shohin nëpër filma, s'ka pse të jenë figurat historike të nacionalizmës. Për fëmjët dhe të rinjtë shërbejnë shumë më mirë si udhërrëfyes drejt njohjes e realizmit të vetvetes heronjtë e përrallave, të mitologjisë, të letërësë. Kurse me figurat historike. sipas meje, ata duhet të takohen ndryshe, kur të kenë arritur një pjekuri më të madhe, (forcimin e egos/koshiencës do të thoshte Jungu dhe Frojdi), por edhe nëpërmjet një takimi më tokësor. Sepse bash fakti se do t'u duhet të takohen me ta si figura historike, me të mirat dhe të këqijat e tyre, dhe jo si heronj, është një nga arsyet se pse nuk duhet t'i trajtojmë si mite nëpër tekste. Përndryshe një indoktrinim me ta në fëmijëri dhe një takim ndryshe në moshë të rritur, është një premisë skicofrenie. Prandaj jam kundër katekizmit me fenë nacionaliste që u bëhet fëmijëve tanë në tekstet shkollore (ashtu sikurse, në thelb për të njëjtat arsye, jam edhe kundër katekizmit fetar), pasi këto çojnë tek një njeri i ideologjizuar i cili. sipas interpretimit jungian të psikikës njerëzore, që u rreka të shtjelloj më sipër, shkon kundër njeriut të vetërealizuar. Por fakti që kjo ndodh kaq shpesh  na sjell në një aspekt tjetër të heroit, tejet më problematik sipas meje, atë të rolit të heronjve në psikologjinë sociale që më shtyn ta vazhdoj shtjellimin e argumenteve të mësipërm me një kapitull tjetër, atë  mbi heroin dhe shoqërinë. (Panorama, 28 dhjetor 2011)

4 comments:

alban enver malko said...

Ben mire Lubonja se na heq vemendjen nga shume probleme.jui referoheni Jungut i cili ka qene bashkohes i Freud.Fillimisht edhe bashkepuntor,por thuajse ne 2-3 vjetet e para u pane divergjencat e thella te tyre,te cilat krijuan 2 shkolla te ndryshme.Psikanaliza eshte si nje mur qe eshte ne ndertim ku shume e shume psikanalist kane kontribuar por askush smund te harroje baballaret e saj.tani arketipi cdo te thote?
vjen nga greqishtja dhe do te thote
Model,Imazh.FREUD dhe JOUNG kane 2 qenndrime te ndryshme mbi arketipin.FREUD thote se arketipat krijohen dhe zhvillohen gjate jetes.JOUNG thote se eshte primordial,ne ADN etj.ne kete rrast ne kendveshtrimin tim ka me shume te drejte FREUD.PSE? nese flasim per nje qenie humane ajo ka nje kapacitet intelektiv dhe selektiv nepermjet koshiences.por nga ana tjeter ne nuk mund te mohojme nje gje qe eshte ne adn tone impulsivitetin ose jo tonin.thene kete cilet jane HERONJTE.ATA jane pjesa emocionale e nje populli apo komuniteti.nuk duhet absolutisht te ngaterrojme arketipin e HEROIT me GUERRIERIN(luftetarit).Guerrieri ka si objektiv shfarosjen armikut,pervetesimin.HEROI ate te drejtesise,luajalitetin,ndershmerise.nje nga karakteristikat e HEROIT eshte altruizmi.por ne per fat kemi dhe arketipin tone ate te vetvetes.ky arketip eshte opozicion me arketipat e tjere.eshte ky arketip i cili na siguron njefare ekuilibri,por ky arketip eshte nje variabel,pra i ndryshueshem.kujdes HERONJTE e vertet jane te tille edhe kur bien IDEOLLOGJITE,NDERSA ata qe bien bashke me idellogjite,ata jane falsi.Heronjte e vertet jane si nje drite te cilet jane te vetedijshem per rreziqet por ata duket sikur nga lart na thone.UNE po digjem per ju qe ju te shikoni,une vdes per ju qe ju te jetoni.ju do te thote populli.rrasti ekzemplar ne historine e fresket tone eshte ADEM JASHARI.KU shkuan teorite e mbijeteses apo autokonservacionit te psikanalisteve?HEROI eshte vetmohues.ai eshte nje superman i mire,tmerresisht i mire.etj etj etj

Rita Strakosha said...

Kemi nevoje per heronj te paqes, njerez qe sakrifikojne rehatin dhe te mirat e tyre materiale per te ndihmuar njerezit ne nevoje dhe komunitetin. Problemi yne eshte se kemi kryesisht heronj lufte. Heronjte e luftes jane njerez me karakter te dyshimte, sepse nese nga njera ane mbrojne nje grup njerezish nga ana tjeter demtojne nje grup tjeter njerezish (per keta heroi yne eshte kriminel).

Anonymous said...

Nje nga artikujt me te bukur qe kam lexuar Z. Lubonja. Urime!!!!

Anonymous said...

"Gli Dei sono diventati malattie" - C. G. Jung