Tuesday, May 29, 2012

Gazetaria dhe universitetet private

Para disa ditësh, Henri Çili, i cili, me sa di unë, përveçse gazetar analist, është pronar kryesor dhe menaxher i Universitetit Europian të Tiranës, pronar i gazetës “Mapo” dhe revistës “Mapo”, i shtëpisë botuese “Mapo” (nuk marr përsipër të di të gjitha funksionet e Çilit, por thonë se ka edhe disa funksione të tjera si këshilltar  në shtet dhe në shoqërinë civile), botoi në gazetën e tij “Mapo” një letër të hapur me të cilën i drejtonte publikut, por në mënyrë të veçantë disa emrave të mediave, shqetësimin për “linçimin” e padrejtë, sipas tij, të të gjitha universiteteve private, ngase i futën të gjithë në një kallëp me Kristalin e Renzo Bossi-t.

Duke qenë se bëj pjesë ndër të përmendurit me emër, po shpreh disa mendime rreth dy aspekteve që më tërhoqën vëmendjen në mënyrë të veçantë. E para, përmendja e emrave të njohur të gazetarisë si zhgënjyes për Çilin në debatin mbi universitetet; e dyta, çështja e universiteteve në Shqipëri dhe se çfarë duhet bërë për të ndryshuar gjendjen e tyre.

Po e filloj nga e para.

Çili shtron pyetjen se pse akademikë, pedagogë dhe veçanërisht gazetarë të njohur, që kanë pasur rastin ta prekin, sipas tij, nga afër cilësinë e UET-it, nuk kanë thënë asnjë fjalë të mirë për universitetin e tij. Kjo ngriti, në fakt, jo pak pikëpyetje te publiku i gjerë mbi rolin që kanë gazetarët në këto universitete. Në fakt, po të lexoje me vëmendje nëpër rreshta, renditja e emrave të njerëzve të medias s’përmbante vetëm zhgënjimin e sinqertë të Çilit me ta. Meqenëse shumë prej tyre i ka edhe të njohur apo kolegë, sqarimin për heshtjen ai mund t’ua kërkonte, më së pari, në rrugë personale, kurse nxjerrja në media, sipas meje, kishte edhe synime të tjera. Personalisht, “përvojat” që rendiste Çili, të cilat, sipas tij, u kanë vërtetuar këtyre gazetarëve cilësinë e UET-it, m’u dukën më shumë si favore personale dhe prapa ndjenjave të zhgënjimit personal nuk mund të mos ajgëtoja në to një mendim që Çili s’ka munguar të ma shprehë edhe publikisht: ju që hani nga ky sistem, që keni marrë edhe goxha para prej tij, pse nuk e mbroni atë? Pale që ka edhe ndonjë mosmirënjohës si Lubonja që arrin deri ta na shajë. Madje, madje, nuk mund të mos u asocioje atyre edhe një kërcënim me elegancë: pra, ju, që hani te ne, kini kujdes se po nuk na shërbyet, mund t’ua heqim edhe bukën e gojës.

Çështje e marrëdhënieve të lirisë dhe mundësisë së shprehjes së individëve me sistemin ku ata punojnë është një çështje principiale dhe, për mua, sot e gjithë ditën e pazgjidhur, madje edhe e rënduar në shoqërinë shqiptare.

Është e vërtetë se ne hamë/jetojmë brenda sistemit ekzistues, ku kam parasysh jo vetëm atë mediatik, por edhe më gjerë: atë politik, ekonomik, administrativ etj. Por më së pari na duhet të bëjmë një sqarim se çfarë duhet të kuptojmë me këtë sistem. Personalisht kuptoj dy gjëra që kanë, mes tyre, pika takimi dhe ndarjeje. Më një anë, po të kemi parasysh Kushtetutën, ligjet dhe po ashtu aspiratat, ne jemi një sistem demokratik, çka nënkupton para së gjithash disa liri themelore si ajo e fjalës, e manifestimeve, e krijimit të partive, e tregut të lirë; meritokracinë, sundimin e ligjit mbi krimin dhe po ashtu edhe ndarjen e pushteteve, ndër të cilat do të përmendja, në këtë rast, pushtetin e mediave. Por, më anë tjetër, ne sigurisht nuk mund të themi se funksionojmë dhe ushqehemi sipas këtij sistemi, përkundrazi, te ne ka një grumbullim në pak duar të pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik, që kanë kapur tregun nëpërmjet klientelizmit e korrupsionit, ku një rol të rëndësishëm luan edhe krimi i organizuar, madje. Megjithatë, midis këtyre dy sistemeve, ku të parin po e quaj fasada, – apo “sistemi i të ndershmëve” po të doni, kurse të dytin – për të rimarrë temën e shkrimit tim paraardhës, – “sistemi i maskarenjve”, nuk ka një vijë ndarëse të prerë. Ç’kuptoj me këtë? Le ta shpjegoj nëpërmjet komentimit të një mesazhi që më shkruante së fundi një lexues: “Tek lexoja shkrimin tuaj m’u kujtua një nga seritë e serialit ‘EZEL’; ku personazhi në fjalë i drejtohet një kryebanditi, si këta tanët, me kërcënimin se do t’i tregojë të fshehtat e tij para një tryeze me miq. Banditi, duke qeshur, i përgjigjet: ‘Mendon ti se kam frikë për ato që do të thuash? Aspak, se këta që të dëgjojnë do ta harrojnë në çast atë që thua ti, pasi janë si unë. Ti flet se të lejoj unë, ose me saktë, ti jeton se të lejoj unë. Gazeta që blen, banka ku ruan paratë e çdo gjë qe ke janë të mijat’ […]. Ju shkruani e flisni, zoti Lubonja, se duan ata; se jo vetëm nuk përbëni asnjë shqetësim për ta, por u shërbeni pasi u duhet një zë si i juaji për të provuar se janë demokratë”. (http://perpjekja.blogspot.it/2012/05/beautiful.html)

Jam edhe nuk jam dakord me këtë konstatim të lexuesit. I gjithë problemi është se lexuesi im “sistemin e të ndershmëve” e sheh si formë/fasadë, kurse atë “të maskarenjve” si substancë apo përmbajtje. Mirëpo, sikurse dihet, kategoritë aristoteliane formë/përmbajtje janë të vjetruara tashmë, pasi forma (në këtë rast fasada “për t’u dukur si demokratë”) është edhe përmbajtje. Fakti që edhe “maskarenjtë” që duan të aplikojnë sistemin e dytë flasin gjithë ditën se po ndërtojnë e po punojnë për të parin e ka një kuptim, d.m.th. përmbajtje. Asnjë kryeministër, për shembull, nuk guxon sot të thotë hapur në Shqipëri se, meqenëse është qeveria e tij ajo që i paguan rrogat Këshillit Drejtues, drejtorit dhe gazetarëve, ai ka të drejtë ta vërë TVSH-në në shërbimin total të vetin, siç ndodh te ne ditën për diell. Asnjë pronar mediash private nuk thotë dot publikisht se ka hapur një televizion apo gazetë për të mbrojtur interesat e biznesit të tij, paçka se edhe kjo ndodh ditën për diell. Edhe shumica e gazetarëve, që bëjnë politikat editoriale, meazallah se thonë se i hartojnë ato sipas diktatit të padronit, por sepse këto janë bindjet e tyre. Kjo, sipas meje, vjen sajë presionit që dikton “forma”/fasada, d.m.th. sistemi i parë mbi të dytin. Sipas sistemit të parë, nëse qeveria/shteti apo kompani private si “Vodafone”, “AMC”, japin para reklamash për televizionet dhe gazetat, këto nuk i japin për të mbajtur në pushtet një kryeministër apo për të pasuruar x apo y pronar, por që të krijojnë lirinë e shprehjes. Dhe ky është një realitet, nuk është një gjë virtuale, sikurse mendojnë disa. Sipas sistemit të dytë, të gjitha paratë publike e private të reklamave duhet të vihen në shërbim të pushtetit dhe pasurimit të disa individëve, e, nëse këto nuk mjaftojnë, këta do të vënë para të tjera, nga fitimet e tjera, që do t’i kompensojnë pastaj nëpërmjet shërbimeve apo shantazheve që do t’i bëjnë politikës. Mirëpo edhe ky sistem, që disave u duket si realiteti i gjallë, i pamposhtshëm, i përjetshëm, është gjëja më virtuale, më e brishtë, një fantazmë pushtetin e së cilës e mban në këmbë frika e njerëzve prej saj. Fakti është se të dyja këto sisteme, sikurse e thashë më lart, nuk janë të ndara me thikë njëri-me tjetrin, por kanë osmozat e tyre, pika takimi me njëri-tjetrin dhe përbëjnë një realitet të vetëm. E nëpër këto osmoza duhet të gjykojmë edhe lojën dhe rolet e individëve që punojnë brenda sistemit, se sa disa kërkojnë, me më shumë a më pak kurajë, të zgjerojnë hapësirat e lirisë që u ofron sistemi i parë dhe sa disa të tjerë punojnë për sistemin e dytë apo i nënshtrohen atij.

Është e vërtetë se sistemi i dytë, i maskarenjve, punon që këtë liri ta bëjë sa më të parrezikshme për të, ta kërcënojë me psikologjinë e frikës së sistemit të vjetër totalitar, me mendësinë e klanit që ka peshë më shumë se ligji, me mendësinë padron – skllav: unë të jap të hash, ti duhet të më shërbesh, ashtu sikurse edhe me metoda “të reja” – “të tregut” do t’i quante Çili – duke injektuar para për të anestezuar koshiencën publike nëpërmjet pagimit të atyre që duhet të jenë realisht sensibilizuesit e saj. Dhe duhet pranuar se deri më tani, si pasojë e kësaj loje, realiteti i mediave është i turpshëm, por, për arsyet që u rreka të shpjegoj më lart, për shkak të osmozës me sistemin fasadë, rezultantja nuk është e zhveshur nga elemente të demokracisë si sistem që i jep mundësi vetes të përmirësohet, mu pse e lejon kritikën ndaj tij. Ky është një sistem pra që po të kolapsojë, nesër nuk mund të dalë dot dikush të thotë: “Ishim të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”. Jo, ky ka fajtorë ligjërisht, ka përgjegjës moralisht, ashtu sikurse ka edhe mjaft viktima. E përsëris, me kontributin e shumëve si Çili, ka një prirje të përgjithshme për ta bërë bashkëfajtore të gjithë elitën e vendit, veçanërisht duke injektuar para për anestezimin e ndërgjegjes publike. Edhe tekstin e tij unë kështu e kuptova: si një dëshmi përpara publikut se edhe këta që hiqen si burra të mirë, te ne hanë. Kështu e kuptova edhe karikaturistin e gazetës së tij “Mapo” (që s’u lodh, i shkreti Bujar, së përkuluri shpinën padronit të radhës), kur, pas shkrimit tim “Të diplomuar për maskaralogji”, shtronte pyetjen: Mirë ne qenkemi maskarenj, po ky Lubonja çfarë e di veten, burrë më të mirë se ne? A thua se futja ime në radhën e maskarenjve lan fytyrën e Kapexhiut dhe padronëve të tij. Më troç dhe shumë sinqerisht, përgjigjja ime është kjo: tjetër gjë është të prodhosh mut gjithë ditën dhe tjetër gjë është të mbash erë sepse jeton në mut, – duke e shprehur ose jo, sipas hallit, shqetësimin për erën e keqe. Sepse, kur prodhon mut dhe don të pasurohesh nëpërmjet tij, nuk të mjafton heshtja e shumë kolegëve që po rrinë në nevojtoren tënde me hundë të zëna, por kërkon që ata edhe të reklamojnë “erën e mirë” që vjen prej saj. Përsa më përket, Çili e di mirë se të paktën për erën e keqe s’kam reshtur së shkruari, por ai përsëri bën gazetarin e keq, kur ndërkohë që përmendte blerjen nga UET-i më 2007-n të njëqind a dyqind kopjeve të librit “Si bëhet një punim diplome”, “harronte” se po në atë kohë unë i refuzova të bëhem anëtar, madje kryetar, sipas propozimit të Çilit, të bordit të UET-it mu pse kam qenë parimisht kundër modelit të këtyre universiteteve. Dhe, meqë ra fjala, bëj çudi pse Çili nuk rreshtoi në listën e atyre që e kanë zhgënjyer me heshtjen e tyre edhe anëtarët e nderuar të bordit të tij me në krye kryetarin Ismail Kadare dhe nuk vuri edhe rrogat mujore që u ka dhënë? A nuk është detyrë e anëtarëve të bordit mbikëqyrja dhe pastaj mbrojtja e universitetit, apo ato rroga jepen për tjetër gjë?

Gjithsesi, nuk mund të mos shtrohet pyetja: a ka ndonjë problem moral në faktin që, siç pretendoj unë, disa, edhe pse marrin e japin me sistemin, ruajnë lirinë për ta kritikuar atë? Sipas meje ka, por jo ai që presupozon Çili: se nuk duhet të flasësh kundër padronit që të jep të hash, por sepse kjo mund të të pengojë të flasësh sa duhet kundër tij, duke e bërë kështu publikun, që ka nevojë të ketë besim tek elita e tij intelektuale, të të shohë si “qen roje” të padronit. Heshtjen e akademikëve dhe gazetarëve Çili mund ta interpretonte edhe kështu pra: se këta gazetarë, analistë, akademikë, profesorë – duke më përfshirë edhe mua – nuk kanë bërë sa dhe si duhet detyrën e tyre mu pse kanë pasur privilegje prej universitetit të tij ose prej universiteteve të tjera, dhe jo, siç reklamon lart e poshtë nëpër media, se sistemi i tij ua ka rritur rrogat e mirëqenin siç nuk e kishin menduar ndonjëherë, prandaj duhet të flasin mirë për ne. Filozofi dhe teologu italian, Vito Mancuso, hapi një goxha polemikë në Itali para ndonjë viti kur hoqi dorë nga botimi i librave të tij te Mondadori, duke u bërë thirrje edhe mjaft intelektualëve të tjerë që botonin atje të hiqnin dorë përderisa ishin kritikë të pronarit të kësaj shtëpie botuese, Berluskonit; pasi nuk ishte e moralshme që të kontribuonin për pasurimin e tij, prandaj duhet të zgjidhnin të tjera shtëpi botuese. Dhe këtu vijmë përsëri te thembra e Akilit të sistemit ku jetojmë, që Çili e njeh dhe e përdor shumë mirë për interesat e tij kur, indirekt, na thotë: unë jam më i mirë ndër të këqijtë, prandaj ejani tek unë. Sepse ndërkohë që më një anë mundësia për të ndërtuar një media private që të punojë sipas meritokracisë, konkurrencës së lirë, reklamës, sipas audiencës apo tirazhit të gazetës është dhunuar rëndshëm nga klientelizmi, korrupsioni dhe paraja e pisët, më anë tjetër, media publike, që sipas meje është forma më e mirë për ta çliruar gazetarinë nga interesat e kësaj privateje, është kthyer në veglën më të shëmtuar të qeverisë, aq sa mediat private duken përsëri demokratike në krahasim me të. E në këto kushte, mbetet e hapur pyetja: a ka mundësi ky realitet kështu siç është katandisur nën thundrën e atij që e quajta “sistemi i maskarenjve”, të përmirësohet nëpërmjet kritikës, që, siç e thashë, gjithsesi, nuk i ka munguar, apo, përkundrazi, siç thotë lexuesi im, kjo kritikë “nuk përbën asnjë shqetësim” për Çilin&Co, madje u bën mirë, pasi u ve një kollare demokratike?

Ka një fjali kuptimplote në këtë drejtim që mund të shërbejë si busull: “eliminim i konfliktit të interesave”, me të cilën duhet të kuptojmë më së pari një aksion radikal që duhet të ndërmarrë shoqëria për të ndarë punën e atyre individëve që kanë pranuar të punojnë për interesin publik, në krye të të cilëve bashkë me politikanët hyjnë edhe gazetarët, nga ata që punojnë për interesin privat. Një aksion ky, që, dy herë i dështuari në politikë Sali Berisha, e premtoi më 2005-n dhe e harroi sapo mori pushtetin. Por, këtë temë po e lë ta trajtoj në shkrimin pasardhës, ku do të merrem me çështjen e dytë që më tërhoqi vëmendjen në shkrimin e Çilit: Ç’duhet bërë për të ndryshuar gjendjen e universiteteve tona private dhe publike.  (Panorama, 29 maj 2012)
 

3 comments:

Anonymous said...

Nuk e di se si mund tju kontaktoj zoti Lubonja. Jam nje studente dhe doja te shkruanit dicka mbi nje artikull te shkruar ne gazeten mapo mbi historianin Prof. Schmitt.Artikulli pervec se eshte i mbushur me genjeshtra (se njohurite e gjermanishtes se atij zoterise qe e ka shkruar le te themi lene per te deshiruar-po frika eshte se shkrimi eshte tendencioz) eshte dhe frikesues per shume arsye. Mendova tju shkruaj sepse ka lidhje me arikujt e fundit te shkruar prej jush. Sistemi i maskarenjve i kalon kufijte.Ju faleminderit

Fatos Lubonja said...

mund te me shkruani ne e-mailin flubonja@hotmail.com

Anonymous said...

zoti lubonja jam krenare qe vendi im eshte i presantuar nga nje shkrimtar si ju .e me vjen shume keq por ju me ne fund moret fitoren tuaj,ajo qe me vjen akoma me keq eshte qe ky popull nuk ka pasur nje lider qe te mendoj per te.por te gjithe ata si puna juaj ne kohe te enverit ishin vetem egocentrici,qe u gjenden ne momentin e gabuar dhe vendin e gabuar per te shprehur egoismin e tyre.dhe nelson mandela qe ne burg per 25 vjete por mendimi i atij burri ishte si te nhdimonte vendin dhe poullin e tij ne linj te par ,ai pastaj te tjeret dhe e beri ,nuk eshte e mundur qe ne gati4milion njerze qe ka ky vende,nuk ka nje lider qe te mendoj per te vetem 50%jo me shume,me fal ne qofte se bej shume gabime ne te shkruajtur po un vij nga nje familje e varfer qe mundesi te studjoja nuk e pata ,por kam lexuar librat tuj ,per te pasur me informazione ,shpresoj me gjithe zemer ,qe per femijet tane.....