Saturday, July 7, 2012

A ka faj opozita



Edi Rama kohët e fundit është angazhuar me disa shkrime apo prononcime, nëpërmjet të cilave kërkon të provojë falsitetin e akuzës së maxhorancës se përgjegjësia për mosarritjet e Shqipërisë, përsa i përket integrimit në Europë, dhe më konkretisht njohjes së statusit të vendit kandidat, është e opozitës.
Sipas meje, meriton të bëhet një debat i rëndësishëm mbi shqetësimin që ngrihet nëse ka apo nuk ka faj opozita për çka po ndodh në këtë vend.
Sipas mendimit të gjithëpërhapur nga mediat tona, Shqipëria nuk e meriton statusin e vendit kandidat sepse maxhoranca dhe opozita nuk janë bashkëpunuese, sepse zgjedhjet nuk janë të ndershme, sepse ka korrupsion, sepse herë pas here opozita kalon në mjete jashtë-institucionale dhe maxhoranca përgjigjet me metoda edhe më brutale, si 21 janari, sepse Berisha dhe Rama nuk janë në gjendje të ulen së bashku për të zgjedhur një President konsensual, sepse nuk votohen disa ligje që janë me tre të pestat, sepse nuk kemi dialog sa duhet e të tjera si këto, e prandaj duhen reforma që i kanë linjat e tyre të përcaktuara edhe në rekomandime nga ndërkombëtarët. Me fjalë të tjera, perceptimi është se mungojnë disa gjëra që do të jepnin imazhin se demokracia dhe shteti ligjor funksionon në Shqipëri, e ndër këto gjëra opozita e vë theksin veçanërisht në reformën e sistemit zgjedhor që do të pengojë vjedhjen e votës. Shqiptarëve, ndërkaq, nuk mund të mos u bjerë në sy se lufta më e madhe bëhet pikërisht për t’i bindur ndërkombëtarët se kush e ka fajin, madje se sa më shumë kalon koha, aq më shumë duket sikur për opozitën, e vetmja mënyrë për të rrëzuar Berishën, mbetet bindja e ndërkombëtarëve që fajtori i vetëm është Berisha, ndërkohë që për Berishën preokupimi kryesor është që, gjithë duke vazhduar rrugën e tij për kapjen e të gjitha institucioneve, të akuzojë opozitën se është ajo fajtorja që ai po i kap këta. Në ravën e kësaj lufte kemi edhe ndërhyrjet e fundit të Ramës.
Së pari duhet thënë se Shqipëria nuk e meriton statusin e vendit kandidat, me çka nuk kuptoj hyrjen në paradhomën e klubit, por bërjen e cilësisë së jetës së shqiptarëve pak a shumë të përafërt me atë të qytetarëve europianë. Dikush si unë, që është në (o)pozitën e një shqiptari i cili nuk ka ndonjë interes personal nëse kthehet në pushtet PS apo jo, por që kërkon ndryshimin e kësaj gjendjeje, do t’u thoshte pa ngurrim ndërkombëtarëve: Vazhdoni t’u bëni presion dhe më kryesorin duhet ta ushtroni mbi maxhorancën. Mund të  ndryshoja mendim vetëm nëse dikush tjetër do të më bindte me argumente se futja në familjen e madhe do të ishte më efikase për të ndryshuar klasën politike, sesa lënia jashtë, por kurrsesi nuk do të pranoja që opozita të bënte gjithçka që kjo të ndodhte. Madje do të thosha se një opozitë që, e kompleksuar nga akuzat se po pengon futjen e vendit në BE ose pse e blerë nga maxhoranca, do të krijonte, me sjelljen e saj, imazhin sikur gjërat shkojnë për bukuri në Shqipëri, do të akuzohej si fajtore së bashku me maxhorancën për një mashtrim të madh të popullit këtu më së pari dhe të ndërkombëtarëve më së dyti. Pra, sipas gjykimit tim, opozita nuk ka ndonjë faj kur bën disa veprime për të treguar se vuajmë nga një sëmundje e keqe e prandaj duhet të kurohemi përpara se të pranohemi në mënyrë që të mos vazhdojë të përparojë e keqja në vend e të mos shpërhapet ajo edhe te të tjerët.
Ndryshon puna, ndërkaq, kur shtrohet çështja e marrjes përsipër të përgjegjësive të opozitës për këtë sëmundje dhe çfarë bën ajo për t’i njohur këto dhe për t’i kapërcyer. Personalisht, kur them se Shqipëria nuk e meriton statusin e vendit kandidat, më shumë se sa simptomat tregues të mosfunksionimit të demokracisë që numërova më lart, kam parasysh shkakun e thellë të këtyre simptomave. Për mua shkaku kryesor pse Shqipëria nuk funksionon si një shtet demokratik është ngritja e një sistemi ekonomik dhe politik, i cili e bën të pamundur funksionimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në vend. E kam fjalën, pra, se shteti shqiptar është i kapur në atë shkallë nga interesa private që janë kundër interesit publik, saqë, në shumë aspekte, ai i shëmbëllen një organizate të madhe kriminale, çka e bën të pamundur funksionimin e demokracisë si pushtet i popullit, sepse është pushteti i krimit, dhe se, në një rreth vicioz, mosfunksionimi i demokracisë e stimulon edhe më shumë këtë pushtet.
Le ta ilustroj me një shembull të freskët për të cilin kam shkruar dhe protestuar si qytetar disa ditë më parë. Të gjithë kemi parë se si një firmë e pajisur me ruspa dhe sharra iu fut një cope të Parkut Kombëtar të Tiranës për të zgjeruar Rrugën e Elbasanit duke prerë me qindra pemë, duke hyrë deri në Varreza, duke projektuar edhe shembjen e murit të Pallatit të Brigadave, që është monument kulture i shkallës së parë. Dhe e gjitha kjo u bë duke shkelur të gjitha ligjet e mundshme në fuqi, pra pa projekt të aprovuar e të firmosur nga kryetari i Bashkisë, pa vendim të KKRRTSH-së, pa u pyetur Instituti i Monumenteve, pa u përfillur Konventa e Arhusit pa…, pa… dhe pa na ardhur asnjë përgjigje nga institucionet përgjegjëse për këto shkelje ligjore, por vetëm një prononcim i Kryeministrit se populli i do rrugët – a thua se jetojmë ende në ndonjë monarki absolute ku mbreti thoshte se shteti, ligji dhe interesi i popullit jam unë. Në një shtet demokratik, ku funksionon ligji, Prokuroria do të duhej të kishte bllokuar punimet dhe hapur menjëherë çështjen, – edhe sikur të mos kishte shkuar denoncimi qytetar që, me sa kam dijeni, ka shkuar si në Prokurori, edhe në Inspektoratin e Bashkisë, Inspektoratin e Mjedisit dhe Inspektoratin e Ndërtimit. Por asgjë nuk ndodh. Ruspat vazhdojnë punën. Pse? Sepse shteti është i kapur nga ata që kanë projektuar, për interesat e tyre, këtë rrugë. Dhe problemi është se ajo çka po ndodh në këtë rrugë është metaforë e asaj që po ndodh në tërë Shqipërinë. Pra unë them se dikush që ndjek nga afër – siç presupozohet se duhet të jenë edhe ndërkombëtarët që kemi këtu – se çfarë po ndodh në Shqipëri do të gjykonte se ky vend nuk meriton të marrë statusin e një vendi që e afron me vendet demokratike më shumë duke analizuar çfarë tregon sjellja e shtetit në Rrugën e Elbasanit, sesa duke parë se si u zgjodh Presidenti. Megjithatë, siç thashë, nuk i shoh pa lidhje njërën me tjetrën, pasi ajo që po ndodh (simbolikisht) në këtë rrugë, është shkaku më i thellë pse në Shqipëri nuk ka demokraci.
Këtë që po na thua ti tani i ka thënë edhe kryetari i opozitës kur ka deklaruar se vidhet vota që të vidhet Shqipëria – do të më ndërhynte ndonjë lexues socialist në këtë pikë, – prandaj ti duhet të protestosh për vjedhjen e votës. Jo, unë nuk them tamam kështu. Ajo që dua të theksoj është pikërisht e kundërta: se në një vend ku sundon sistemi i vjedhjes, nuk mund të mos vidhet vota. Dhe problemi është se opozita nuk merret ashtu dhe si duhet me sistemin e vjedhjes, por e redukton opozitarizmin te disa vjedhës, nganjëherë madje vetëm te familja e Kryeministrit apo te vjedhje të veçanta, duke mos e trajtuar çështjen si çështje sistemi, se ajo u mëshon reformave dhe transparencës për mosvjedhjen e votës së shqiptarëve, duke mos krijuar dot besimin se kërkon ta ndryshojë sistemin e vjedhjes së lekëve e të pronës publike të shqiptarëve.  Ky është për mua faji kryesor i opozitës. Dhe për ta ilustruar këtë, po i referohem përsëri rastit që mora si metaforë: çfarë po ndodh te Rruga e Elbasanit? Sikurse u bë e njohur tashmë edhe në disa media, pronari i firmës që po shkatërron këtë pjesë të Parkut ka qenë një deputeti i PS, i cili, kur u bë deputet – ia ka kaluar firmën vëllait apo kushëririt të parë. Dhe është e qartë se përzgjedhja për t’ia dhënë tenderin e pa pajisur me leje ndërtimi “familjes socialiste” nuk është rastësore. Ajo është bërë që opozita të mos protestojë. Ja, pra, se si sistemi bashkon maxhorancën dhe opozitën në pikën e vjedhjes. Në fakt, opozita bëri dekorin, foli kundër kësaj rruge, disa deputetë të saj dolën edhe në protestë, por asgjë nuk ndodhi përtej kësaj. Firma e “familjes” socialiste vazhdon të marrë nga Bode lekët publike duke shkelur ligjin, njëlloj si firmat e familjes demokrate, kurse deputetit nuk dimë t’i ketë kërkuar ndokush llogari në partinë e tij. As të jetë bërë ndonjë përgënjeshtrim. Pra, gjithë duke e përgjithësuar problemin që paraqet rasti i abuzimit me këtë rrugë, problemi është se sistemi i vjedhjes së publikes me kësi lloj firmash që kanë kapur shtetin ose që bashkëpunojnë me shtetin në formën e një organizate që kryen krime kundër interesit publik, është gjithandej. Ai funksionon kështu edhe në Korçë, ku qeverisin socialistë, edhe në Vlorë, edhe në Durrës. Ka funksionuar po njëlloj edhe në Shqipërinë e qeverisur nga Fatos Nano e Ilir Meta, edhe në Tiranën e qeverisur nga Edi Rama. Dhe ngulmoj se ky sistem nuk është i palidhur me demokracinë, për të cilin flet gjithë ditën opozita duke akuzuar se po kapen të gjitha institucionet. Pse? Po jap një argument pak të tërthortë për ta shtjelluar. Dikush me të drejtë do të shtrojë pyetjen: Po nëse Partia Socialiste do t’u kundërvihej këtyre “firmave”, nuk do të kishte asnjë shans të vinte në pushtet? Imagjino për një çast se si do të mbetej ajo pa asnjë media që e mbështet, pa asnjë sponsorizim për fushatën elektorale, sepse gjithçka është në duart e këtyre. Madje për ilustrim mund të më sillte edhe rastin se si, kur një pjesë nga ata që denoncuan çfarë po ndodh te Rruga e Elbasanit sot, si Artan Lame e Artan Shkreli, denoncuan, në thelb për të njëjtat arsye, projektet e “firmave” të kryetarit socialist të Bashkisë në Korçë, ky sipas disa zërave brenda PS, kërcënoi se do të shkonte te LSI-ja dhe fakti është që kryetari Rama i doli në mbrojtje publikisht kryetarit të Korçës kundër Lames, Shkrelit e të tjerëve. Pra edhe në Korçën ku qeverisin socialistë mbretëron pushteti i firmave, dhe jo pushteti i popullit, ashtu si në Tiranën ku qeverisin demokratët.
Dhe ja ku arrita te pika që na intereson më shumë. Shqipëria, duke përfshirë edhe opozitën me aq sa ajo ka pushtet dhe është pjesë e shtetit, nuk sillet dot si një demokraci, d.m.th. si sistemi që bazohet mbi përfaqësimin e të gjitha grupeve të interesave dhe harmoninë e grupeve të interesave, me shtetin si arbitër, si kurator të interesit publik, sepse është nën sundimin ekskluziv të firmave. Në një sistem të tillë, të diktaturës së firmave, që shpesh nuk janë thjesht e vetëm biznese që, për të mbijetuar, kanë nevojë të korruptojnë shtetin, por edhe grupe të fuqishme trafikimi droge e riciklimi parash të pista, ku morali i vetëm është peshku i madh e ha të voglin, a nuk është e pashmangshme që shteti, në vend se kurator i interesit publik, të tjetërsohet në ortakun e firmave të mëdha, veçanërisht duke pasur parasysh edhe se jemi në kohë krize ekonomike? Sipas meje, po. Pra, nëse jetojmë në një vend ku Presidenti zgjidhet me arrogancë, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sillet si instrument në duart të maxhorancës për të manipuluar votën, ku vota vidhet, ku hasim një pandëshkueshmëri të pushtetit në atë pikë sa figura politike të përfshira në korrupsion që në një demokraci do të ishin nën pranga sot përcaktojnë fatet tona, kjo është pasojë e një sistemi të ndërtuar që të funksionojë si pushtet i firmave, dhe kjo nuk rregullohet duke ndryshuar sistemin elektoral, por duke ndryshuar raportin e  partive dhe, për rrjedhojë, të shtetit me grupet e ndryshme të interesit. Kjo do të thotë që përpara transparencës së votës të kërkohet nga opozita transparenca e financimit të partive, për shembull.
Përndryshe, sipas meje, situata do të degradojë në pikën ku opozita mund të humbasë arsyet e ekzistencës. E vërteton këtë edhe ajo që ndodhi në prag të zgjedhjes së Presidentit. U hodh teza se për të evituar rreziqet që sjell kjo gjendje për demokracinë duhet të bashkohen të gjitha “firmat” e mundshme që të mundet partia e super-firmave të Berishës e për këtë dikush sugjeroi se “partia firmë”, LSI-ja, do të ishte vendimtare. U bë madje edhe tentativa për ta afruar. Rama shkoi deri në Gjirin e Lalzit për të takuar Ilir Metën, i shoqëruar nga një person që ka qenë në burg për kontrabandë. Por pikërisht fakti se gjithçka u bë me logjikën e firmës me interes privat, bëri që “firma LSI” ta përdorë  takimin për të rritur fitimin e aksionerëve të saj. Rezultati u pa.
Dhe pyetjet që duhet të shtrohen edhe pas këtij rezultati janë: Së pari, kur politika katandiset në këtë lloj lufte peshqish të mëdhenj që hanë të vegjlit, a nuk është logjike që demokracia të përfundojë? Së dyti, mos ndoshta për ta ruajtur e fuqizuar demokracinë, opozita e vërtetë duhet kërkuar/ndërtuar si përfaqësuese bash e atyre që po dhunohen e grabiten përditë nga partitë “firma” dhe shteti i tyre? E nëse PS nuk e bën dot këtë ngase është e dënuar të mbesë nën hyqmin e sistemit mu pse i ka ngritur vetë më së pari shtyllat e instrumentet e tij (kujtoj në këtë rast në mënyrë të veçantë mediat e firmave), e vazhdon të jetojë e punojë për të atje ku ka pushtet, a mos duhet kërkuar kjo opozitë e re, më me ngulm se kurrë, diku gjetkë? (Panorana, 5 korrik 2012)

3 comments:

Anonymous said...

Problemi jane firmat. Atehere zgjidhja eshte rishperndarja e pasurise qe te rikrijohet barazia ekonomike, per pasoje dhe barazia politike midis qytetareve. Rishperndarja e pasurise kryhet ne menyre demokratike duke vendosur takse progresive shume te larte. Nqs. rruga demokratike deshton, ka alternativa me pak demokratike.

Anonymous said...

Problemi eshte sistemi i ri konsumist te cilin mundohen ta paraqesin nen sistemin e vlerave demokratike.Problemi eshte me i gjere dhe ne shqiperi vetem aplikohet alla balkance, eshte i imponuar nga fuqi te medha ekonomike te cilat kane kapur shtetin ne te gjithe boten.Rasti me flagrant eshte ai i Italian, te cilin Fatosi duhet ta njohe shume mire.Eliminimi i nje kabineti te tere qeveritar te zgjedhur nepermjet votes dhe zevendesimi i tij me nje ekip "teknikesh" te komanduar nga keto fuqi ekonomike qe nuk njohin arsye demokratike.Njerezimi eshte bere laborator eksperimentimesh i ketyre grupeve.Ne Shqiperi voten bene sikur e lexuan me 1000 akrobacira kurse ne perendimin e vlerave "demokratike" nuk duan as ta lexojne voten.Megjithate idealismi dhe te enderrosh ben pjese tek natyra njerezore.

Anonymous said...

Po po problemi jane firmat.Firmat e hedhura per te bashkepunuar me sigurimin e shtetit(bashkepunetore qe gjenden me shume djathtas),firmat e hedhura per te denuar njerez te pafajshem(shefa sigurimi,gjykates prokurore shumica majtas),firma te ngritura duke vjedhur e xhvatur pasuri publike,firma te ngritura me veprimtari kriminale,firma te hedhura ne borderote e firmave(mediat dhe mediatistet perfshi lloj e sorollop ,gazetare ambjentaliste e analiste)."Firmat" krijuan kete sistem monster te pashoq dhe pa asnje lidhje me demokracine, ku te gjithe perpiqen te mashtrojne e te vjedhin te gjithe.
A ka diku gjetke zoti Lubonja se mua nuk me duket te kete.