Friday, August 31, 2012

Do të isha i kënaqur nëse opozita do të fliste me gjuhën time




Intervistë dhënë gazetarit Aristir Lumezi (Panorama, 31 gusht 2012) 

Zoti Lubonja, një shqetësim juaji i shprehur përmes një shkrimi në gazetën Panorama për ndërtimin pa kriter në të gjithë Shqipërinë të HEC-eve, gjeti një reagim nga kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Si u ndjetë ndaj këtij reagimi?
(qesh)… nga e dinit ju se reagimi i Kryeministrit kishte të bënte me shkrimin tim, sepse ai thotë "një eksponent i opozitës", unë nuk jam eksponent i opozitës; thotë për titullin "hidrocentralizimi i Berishës", ndërkohë që titulli i shkrimit tim ishte "Hidrocentralizimi i Shqipërisë"…
Por tema e trajtuar është juaja..
Po, tema është imja. Dhe, pa humor, besoj se reagimi ishte bash ndaj shkrimi tim. E prita me trishtim. Pavarësisht nga gjuha që përdor unë si gazetar, që më lejohet të përdor edhe satirën, apo ironinë dhe provokimin, thelbi i artikullit meritonte një përgjigje serioze, institucionale, dhe jo përgjigje plot me insinuata dhe sulme ndaj personit. E para gjë që dua të them është se unë ka shumë kohë që e ngre këtë shqetësim. Thelbi i shkrimit tim ishte që në Shqipëri nuk ka një vizion zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, por interesa klientelare biznesesh të tipit “kafsho dhe ik” që kanë kapur dhe komandojnë politikën me pasoja katastrofike për territorin.  Këtë e kam denoncuar në mënyrë të vazhdueshme edhe gjatë kohës që në pushtet ishin socialistët. Në atë kohë e kam vënë veçanërisht theksin tek industria e ndërtimit që shkatërroi shumçka në bregdetin tonë, në qytetet tona, në tokat tona të bukës me pasoja që sot i sheh kushdo. I kujtoj kryeministrit që edhe ai vetë kur ishte në opozitë, e sulmonte këtë industri të Edi Ramës, si industria e pastrimit të parave të pista. Unë them se po aplikohet me lejet për HEC-et i njëjti model falimentar i lejeve të ndërtimit, po kalohet nga politika “një pallat një votë” në “një HEC një votë”, apo “një fabrikë çimentoje një votë”. Meqë më cilëson si eksponent i opozitës, unë do t'i përgjigjesha Kryeministrit se do të isha shumë i kënaqur sikur opozita të fliste me gjuhën që flas unë, por fatkeqësisht nuk është kështu.
Mendoni se ka një handikap mes prioritetit për turizmin dhe zhvillimit industrial në zonat turistike?
Unë nuk them se nuk kemi nevojë për energji, por se, nëse ke prioritet turizmin, nuk mund të ndërtosh HEC mbi gjiret më të bukura të bregdetit shqiptar, apo deltat e lumenjve apo në Lurë si kanë bërë këta, se Shqipëria ka nevojë për energji, por me masë, sipas nevojave që kanë shqiptarët dhe jo ta kthesh vendin në një platformë HEC-esh që do të prodhojnë energji që do të shitet në të gjithë Ballkanin e më gjerë e që rrezikon të na çimentojë territorin. HEC-i i Ashtës psh. që përmendte Berisha do t'i shesë Keshit për 35 vjet energji. Unë ngre pyetjen: cili është përfitimi nëse ne e blejmë energjinë nga jashtë apo e blejmë nga austriakët e Ashtës dhe, edhe nëse ka ndonjë përfitim, a ia vlen ky në krahasim me humbjet ambjentale, pejsazhike, turistike, etj që sjell ky çimentifikim. Shikoni këtë foton që tregon pamjen nga Vau i Dejës për në Shkodër çfarë mrekullie pejsazhike është. Kjo deltë është kthyer në një kanal çimentoje sot nga HEC-i i austro-berishistëve. Atje ka pasur ngjala me një sasi të tillë sa thuhej se vendasit ia jepnin derrave. Ka pasur trofta. Ato janë zhdukur. A nuk është krim ky? Unë kam këtu një letër që Qendra Ekolëvizja e Xhemal Matos i ka drejtuar Kryeministrit dhe tërë autoriteteve mbi pasojat mjedisore të HEC-eve që po ua jap me lutjen që ta botoni bashkë me këtë intervistë. Pasi të lexosh edhe atë mund të ngresh edhe një herë pyetjen: përse këta austriakët nuk ndërtojnë HEC-e në Austri për t'ua shitur botës, por i ndërtojnë në Ashtë, Devoll e ku di unë?
Por zoti Berisha ju akuzon si antiglobalist
Dihet se një nga problemet e mëdha që ka nxjerrë globalizmi sot në botë është mungesa e institucioneve globale që të kontrollojnë ekspansionin e pakontrolluar të kapitalit. Vende si Shqipëria janë të predispozuar për të qenë viktima kryesore të këtij ekspansioni; sepse janë vende ku nuk ka politikanë që përfaqësojnë realisht interesat e shumicës, ka pak reagim qytetar, shoqëri civile, medie të ndershme. Kështu kryeministri ynë ia jep terrenin tonë pa kontroll ekonomisë globale, madje duke nxjerrë edhe një parrullë "Shqipëria një euro". Ju kujtoj se pak kohë më parë i ftoi italianët për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri ndërkohë që po në atë kohë Niki Ventola, guvernatori i Pulias, deklaroi se qeveria italiane vetëm me ushtri mund ta ndërtonte një central bërthamor në Pulia. Pra shikoni se çfarë diference. I them po ashtu Kryeministrit se sipas studimeve del se, nëse të gjithë duhet të jetojnë në standartet e SHBA, siç aspirojmë, do të duhen 5 planete përsa i përket burimeve. Kjo e ka vënë botën në alarm lidhur me atë se çfarë po bëjmë ne me planetin, e të kërkojë ndryshime rrënjësore të zhvillimit në emër të mbrojtjes së planetit. Kjo duhet të na bëjë ne të ndjehemi të përgjegjshëm për këtë planetin tonë të vogël, Shqipërinë, me të cilin kemi lidhur jetën tonë dhe të fëmijëve tanë. Ti skartosh këto shqetësime duke përdorur në mënyrë mistifikuese fjalën "antiglobalist" këtë mund ta hanë injorantët, por kam përshtypjen se Kryemistri e ka humbur kontaktin me njerëzit.
Megjithatë shoqëria civile duket se është inegzistente, por si gjykoni edhe mungesën e një reagimi të fortë nga opozita, e cila e ka detyrim dhe për shkak të votës që ka marrë nga qytetarët për të bërë oponencën e qeverisë në interes të publikut?
Kjo pyetje meriton të ndalemi në dy çështje. Së pari, për fat të keq, siç tregon edhe reagimi i Kryeministrit ndaj meje, në Shqipëri klasa politike ka krijuar një bipolarizim llogoresh, duke futur dhe mediat në këtë lojë, sipas mendësisë staliniste “ose me mua, ose kundër meje” sipas të cilit po nuk je me Berishën je me Ramën dhe e kundërta e duke e asgjësuar edhe shqërinë civile si kundërpart i pushtetit. Unë jam një njeri i shoqërisë civile, i shtypit, që kam mbrojtur disa tema të caktuara të cilave mendoj se i qëndroj dhe do t'i qëndroj koherent kushdo që të jetë në pushtet. Kurse Kryeministri në vend se të merret me argumentet kërkon të më deligjitimojë si pjesë e armikut të tij. Për fat të keq këtë ka bërë opozita me mua edhe kur kritikoja ndërtimet në Tiranë, bregdet e gjetkë.
Këta kanë harruar se ne jetojmë në demokraci që do të thotë: ekzistenca e shumë palëve, shumë ideve, shumë pushteteve (jo vetëm një apo dy) dhe mbi të gjitha ekzistencë e "check and balance" e sundimit të ligjit/së drejtës ndaj të cilit të gjithë janë të barabartë. Këta duan ta reduktojnë demokracinë në alternim i pushtetit të Sali Berishës dhe Edi Ramës si dy kryetarë bandash që s'pyesin as për drejtësi as për opinion publik. Nëse nuk ekziston drejtësia, media e pavarur, shoqëria civile atëherë llogorizimi në dy ushtri që kërkojnë të asgjësojnë njëra tjetrën do të çojë tek eleminimi përfundimtar i njërit dhe në një regjim putinist - siç po ndodh.
Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës?
Lidhur me heshtjen e opozitës unë ngulmoj se ajo që trajtoj s'ka të bëjë thjesht me emrat Rama-Berisha, por është çështje sistemi, i marrëdhënies biznes - politikë që kemi ndërtuar dhe se opozita eviton të merret me këtë së pari pasi është ndërtuesja e këtij sistemi, e dyta sepse është peng e tij dhe e protagonistëve të tij. Shikoni se ç'ndodh në Durrës, në Vlorë, në Korçë ku qeveris opozita, shikoni Tiranën e Edi Ramës - është e njëjta praktikë ekonomie të paqëndrueshme shkatërruese të territorit, të trashëgimisë kulturore etj.. Prandaj akuza e kryeministrit se unë punoj për llogari të Edi Ramës, tenton të manipulojë ato mendje militantësh sipas të cilëve nëse je kundër kryeministrit, je me Edi Ramën. Unë i kam rezistuar dhe do t'i rezistoj këtij manipulimi që kërkon të na imponojë një realitet sipas të cilit nuk kemi asnjë shpresë tjetër veçse të punojmë për njërën bandë apo për tjetrën. Me këtë rast dua t'i tërheq vëmendjen kryeministrit, dhe jo vetëm atij, në faktin se në të gjitha ato vende që janë në një lloj krize të besueshmërisë ndaj kastës politike në pushtet dhe opozitë, si Greqia, Italia, Spanja, do të vesh re sot një rritje të jashtëzakonshme të atyre që kontestojnë tërësisht këtë kastë duke mbështetur forca të tjera. Në Greqi është Syriza, partia që ka marrë më shumë vota se edhe vetë PASOK-u, në Itali është lëvizja e Pepe Grillos që, sipas sondazheve, ka shkuar në 20%, në Spanjë janë të indinjuarit, lëvizje transversale që kritikon tërë klasën politike, që mbështeten në masën 80% nga opinioni publik. Sot më tepër se kurrë ndjehet edhe në Shqipëri nevoja për këto forca të reja.
Ju keni qenë edhe kundër lëvizjes importimit të plehrave. Kërkesa juaj për referendum u shty deri në bllokim të saj për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa kryeministri po bëhet gati të verë në lëvizje të gjithë institucionet për të nisur me shpejtësi një referendum për imunitetin. Shikoni në këtë rast një standart të dyfishtë?
Për fat të keq ky fakt është treguesi më elokuent i asaj që kryeministri nuk arrin dot më as ta ruajë formalisht aparencën e funksionimit të institucioneve që, me ligj, duhet të jenë të pavarur, jashtë diktatit të tij. KQZ-ja bëri të gjitha manovrat e mundëshme për ta shtyrë referendumin tonë në kalendat greke, kurse sot Kryeminstri flet sikur ta ketë Restanin apo zëvendësin e tij në xhep. Meqë ra fjala edhe kritika jonë për plehrat është në koherencë me çka them për HEC-et, pra që nuk po bëjmë ekonomi të qëndrueshme për vendin, por ekonomi për interesa të një pakice  të papërgjegjëshme, për të mos thënë kriminale. Po ju bëj unë një pyetje juve? Ku janë baronët e drogës sot, të cilët kryeministri i kishte të skeduar? Jo vetëm që në burg nuk kanë hyrë, por kam përshtypjen se një pjesë e mirë kanë ndërruar kostumet dhe e kanë bërë blu!
A është momenti për një rotacion dhe a vjen zgjidhja pas saj?
Unë jam i mendimit që kjo qeveri duhet ndëshkuar sepse ka dështuar dhe po i del situata gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit. Nuk po kontrollohen dot më as zjarret e le më kriminaliteti që është bërë i frikshëm. Ndoshta Kryeministri takon vetëm njerëz të kënaqur dhe xhepaplot, por mua më rezulton se pasiguria e së ardhmes dhe pyetja gjithë frikë: "Ku po i rrisim fëmijët?" po pushton një pjesë gjithnjë e më të madhe të shoqërisë. Ndërkaq jam shumë i vetëdijshëm se duhet një projekt i besueshëm nesër, që të mos ndërrojmë vetëm shoferin e makinës, ndërkohë që makina vazhdon të ecë drejt humnerës. E kam thënë edhe në shkrimin e fundit  dhe e përsëris që, për fat të keq, nuk shohim projekte bindëse nga opozita e vjetër dhe opozita e re që të ndryshojë rrugën e kësaj makine. Në këtë aspekt mendimi im është se duhet kushtëzuar fort opozita për të ndërtuar një projekt të tillë, duhet bërë luftë politike që nesër, nëse ikën kjo qeveri, të mos përsëritet e njëjta situatë me pasoja të njëjta.
Si mund të bëhet ky kushtëzimi?
Kjo është e vështirë kur ke parasysh se opinioni bombardohet nga mediat që të votojë për fitoren e njërit apo për humbjen e tjetrit dhe jo një projekt bindës ndryshimi. Opozita ka deklaruar se do t'i anullojë konçesionet e HEC-eve. Kjo jep vetëm pak shpresë sepse s'mund të harrosh se edhe Berisha bëri propozime të tilla ndaj projekteve të opozitës dhe nuk i mbajti pasi  fjalët në opozitë bëhen për të mashtruar popullin, por veprat në pushtet pastaj bëhen për ata që të kanë paguar fushatën elektorale sipas modelit klientelar e korruptiv për të cilin po flas. Prandaj unë kam ngulmuar se duhet sulmuar sistemi në thelbin e vet dhe se figurat përgjegjëse për këtë sistem duhet të ikin nga skena politike duke përfshirë edhe Ramën, se duhet të dalin njerëz të rinj që nuk janë peng i lidhjeve të vjetra dhe i të njëjtit model. Mirëpo kjo, realisht, duket e pamundur pasi është bërë manipulimi llogorizues prapa këtyre liderëve, por edhe sepse duket sikur s'ke ku t'i gjesh njerëzit e rinj në këtë  këtë realitet ku e keqja në mënyrë kapilare prek çdo njeri. Unë nuk bëhem dot as mbështetës i AK e cila më duket sikur kërkon t'i mbulojë me një flamur kuq e zi tërë këto probleme që ka vendi, apo t'i transferojë në Greqi apo tek ruajtja e gjakut shqiptar të pastër. Çdo ndryshim është ndryshim thotë një fjalë e urtë. Ndoshta një kombinim aleancash bashkë me rritjen e ndjeshmërisë me thellimin e krizës, mund të na sjellë ndryshim pozitiv. Por duhet të kemi parasysh se ndryshimi i një ekonomie, që për mua është në koma, mbetet tejet problematik sepse, dashur pa dashur, ai mund të këpusë edhe tubat e fundit që e mbajnë të sëmurin në jetë. Por ndoshta është më mirë kështu sesa ky ngulmim terapeutik për ta mbajtur të sëmurin gjallë në gjendje kome. 

Fund i intervistës

Letra e EkoLevizjes drejtuar Kyeministrit

 

DREJTUARKryeministrisë
Ministrisë së Mjedisit
                        Këshillit Kombëtar të Ujërave
                        Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës
                        Këshillit Europian
                        Komisionit Europian
                       

OBJEKTI:      Mbi pasojat mjedisore të ndërtimit të hidrocentraleve



I nderuar Z./Zj.,


Rrjedhat ujore mund te konsiderohet pasuria natyrore me e madhe per Shqiperin. Qeveria shqiptare ka vendosur si objektiv  të shfrytëzojë ekstremisht lumenjte me ndërtimin e HEC-eve për prodhimin e energjisë elektrike. Përpos 108 hidrocentraleve të vjetër që kanë qenë në funksionim që përpara viteve 90, në periudhën 2007-2011 janë dhënë 120 konçencione për ndërtim HEC-esh dhe numri i pergjitheshem i licensave te reja per hidrocentrale te vegjel i kalon  400 h/c-et. Ky numur i madh i H/C-ve, i vendosur vetem ne 7 lumenjte kryesore te vendit tregon se kjo veprimtari perben nje shfrytezim  te deformuar te ketyre burimeve natyrore.
Ne e vleresojme prodhimin e energjise nga hidrocentralet si nje energji e paster dhe me ndikime më të vogëla në mjedis, në krahasim me energjinë e prodhuar nga termocentralet, por ndikimi kumulativ i ketyre h/c-eve, ne teresine e tyre do jete mjafte i larte si per mjedisin dhe ekonomine
Ndikimet e priteshme do te jene:
Ne ujin e pijshem, ujitjet, rezervate, industrit, etj.), te cilat ndodhen ne pjesen e poshteme te rrjedhes
Punimet hidro-teknike te nevojshme si (iga, vepra e marrjes, kanalet e rrjedhjes së ujit, tunelet, linjat e tubacioneve, godina e centralit, etj), prekin parametrat baze jetesor te gjallesave qe rriten ne to, ne teresi do te perbejne nje ndikim mjedisor mjafte  te larte ne biodiversitetin e ketyre ekosistemeve te medhenj
Ekonomia e peshkut ne keto ekosisteme demtohet mjafte rende (vecanereshisht peshqit migrues si njala dhe trofta). Kujtojme se para viteve ’90 ne lumenjte tane ekonomia e peshkut nxirte mbi 1100 kv peshk ne vit dhe punësonte shume njerëz.
Do të ketë pakësim të prurjeve të lumenjve poshtë HEC-eve dhe për pasojë humbje dhe varfërim të tokave në grykat dhe brigjet e lumenjve poshtë HEC-eve (psh. në Lezhë janë humbur 42 ha tokë për shkak të ndërtimit të HEC-it),
Kjo merr më shumë rëndësi në kushtet e ndryshimeve klimatike që do të rrisin thatësirat në periudhën e verës dhe nuk tregon nje maxhim te integruar te burimeve ujore duke përfshirë natyrën dhe përdoruesit,  ne menyre qe te maksimizoje rezultatin ekonomik dhe mireqenien shoqerore ne nje menyre te barabarte, pa kompromentuar qendrueshmerine e ekosistemeve jetesore.
Për arësyet e sipërpërmendura kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që të bëhet një vlerësim strategjik mjedisor i strategjisë energjitike të prodhimit të hidroenergjisë, sikurse kërkon dhe ligji nr. 8990, datë 23.1.2003 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis “.
Sugjerojmë vëmendje të veçantë ndaj basenit të Vjosës, ndër lumenjtë kryesorë të vendit.

Sugjerojmë që vlerësimi strategjik mjedisor të përfshijë:

a. një përshkrim të gjendjes aktuale të biodiversitetit në basenet e lumenjve;
b. ndikimet e mundshme negative ne mjedis të HEC-eve të reja, duke përfshirë ndikimet ne biodiversitet,  toke, uje, peisazh;
c. masat e parashikuara për të shmangur, apo zbutur sa më shumë të jetë e mundur pasojat e ndikimeve ne mjedis të HEC-eve;
d. parashikimin e masave për monitorimin e ndikimeve ne mjedis të HEC-eve;



Në pritje të përgjigjes suaj,

Me nderime,




Qendra e Grupimit “Ekolëvizja”



2 comments:

Jan Jansen said...

Më vjen shumë mirë se ka njerëz në Shqipëri të cilët mendojnë për situatën ekologjike. Edhe se gjej Fatos Lubonjën ndër ta! Ka një kohë të gjatë se nuk kam vizituar Shqipëri, ndoshta është kohë për ta bërë edhe një herë. Kam shumë qejf të takohemi përsëri, zoti Lubonjë.
Jan Jansen, Holandë

Rita Strakosha said...


Rita Strakosha Nga intervista duket se jeni me afer Syrizes dhe Pepe Grilos se te majtes dhe te djathtes. Keto kane programe te forta ambjentaliste. Kane vetem nje pike te dobet: nuk heqin dore nga rritja ekonomike si objektiv dhe injorojne realitetin se teknologjia me moderne nuk e ndalon dot demin ekologjik ne rritje qe po shkakton rritja ekonomike. Teknologjia moderne vetem e kombinuar me vendosje kuotash emetimesh si dhe kuota per shfrytezimin e burimeve natyrore, mund te ndaloje degradimin ekologjik. Kuota te tilla si efekt anesor do te shkaktonin ndalimin e rritjes ekonomike. Efekti tjeter do te ishte falimentimi i shteteve dhe bizneseve nga paaftesia e shlyerjes se borxheve. Falimentimi mund te shmanget me faljen dhe ristrukturimin afatgjate te borxheve. Fatkeqesisht vendet kredidhenese po i shtyjne vendet debitore drejt degradimit me te madh ambjental, kjo per te perfituar interesin plus principalin e borxheve. Falja e konsiderueshme e borxheve sot eshte e paimagjinueshme pa kaluar vendi debitor ne krize te thelle ekzistenciale. Pra kemi dhe disa vite vuajtjeje ne rritje perpara se te shohim nje kthese ne politike.