Thursday, August 30, 2012

Ndotjet


Para disa kohësh televizioni Klan ndërmorri një fushatë kundër plehërave që kanë pushtuar territorin shqiptar që u duk se ishte në funksion të sezonit turistik e që përmbante edhe denoncime për komuna të caktuara. Pejsazhi që shpalosej ishte dëshpërues: plehëra, kryesisht në formë turrash me plasmase gjithfarëshe, qeska mbi të gjitha, ku dominojnë ato me atë ngjyrën blu të hapur të keqe dhe transparentja e pisët, shishe plasmasi, bidona gjithfarësh që, duke u mpleksur me llumin, pluhurin e gjithfarë kalbësirash e mbeturinash të tjera vijnë e derdhen në bregdet pas një rrugëtimi të gjatë nëpër lumenjtë e tërë Shqipërisë ku, gjatë rrugës, kanë takuar shoshoqet e tyre. Vende vende ato as arrijnë të derdhen pasi pllakosin tërë anët e daljes së lumit. Pastaj plehëra që dergjen rrugëve rreth e rrotur vendeve të banimit; plehëra që shkarkohen nëpër rrëpira; plehera gjithandej. Dhe ne që jetojmë mes tyre pa na bërë përshtypje. Për të na rritur ndjeshmërinë disa të huaj organizuan para disa kohësh edhe aksione ku më spektakolari ishte ai i ca të rinjve suedezë që u vunë të pastrojnë plerëhrat në Lushnje ndërkohë që shqiptarët rrinin e i shihnin me habi; apo ai i disa amerikanëve në Tiranë – medemek për të na vënë në sedër.
Por, duke udhëtuar nëpër rrugët e Shqipërisë këto ditë vere, mund të them se as kërcënimet e denoncimet e disa kryetarëve të komunave nga Klan dhe as vënia në sedër nuk ka funksionuar për të ndryshuar ndonjë gjë në pejsazhin tonë plehëror që vazhdon të mbetet tejet deshpërues. Imazhi që të përçohet është se ne rrezikohemi nga plehërat; se ato kanë zaptuar gjithandej ambjentin jetën tonë jo vetëm në kuptimin e shëmtimit të pejsazhit urban apo natyror, të shëndetit, por edhe deri mbijetesën ekonomike. Pra plehërat janë bërë protagoniste kërcënues të jetës sonë duke na bërë ne viktima në vend se ato të jenë thjesht objekte të pastrimit tonë.
Për plehërat ekzistojnë edhe fjalë të tjera të afërta si mbeturina, jashtëqitje, bajga, kalbësira etj. që kanë të përbashkëtën dhe të veçantën e tyre. Për shembull qeveritarët tanë, veçanërisht kur i referohen ligjit që kanë aprovuar për t'i sjellë ato nga jashtë për riciklim, meqë këtu brenda nuk i mbledhin dot, preferojnë fjalën "mbetje" të cilën kanë filluar ta urrejnë të gjithë ambjentalistë me të drejtë. Sipas meje kur plehërat apo mbeturinat apo mbetjet zaptojnë dhe kërcënojnë jetën e një komuniteti atëhere ato kthehen në ndotje. Prandaj unë po preferoj të përdor kryesisht fjalën ndotje për to. Do të përdor këtë fjalë  edhe pse ndotja është një fjalë që e tejkalon plehërat me qeska e shishe plasmasi. Flitet për ndotje akustike për shembull dhe ne kemi një ndotje akustike skandaloze. Ashtu siç hedhim plehërat në vendin më të afërt jashtë pragut tonë ashtu edhe ndërtojmë pranë shtëpive disko e lokale që të çajnë timpanët e veshit. Ashtu siç i hedhim qeset nga makina duke ecur ashtu edhe e ngremë muzikën e saj në kupë të qiellit pa pyetur për çka jashtë. Por flitet edhe për ndotje të ajrit psh. dhe mjafton të kalosh nëpër Tiranë, por edhe të shkoshë në ato vendet nga Kruja e përtej, ku janë ngritur fabrikat e çimentove rradhë, për të thithur me mushkëri ndotjen kërcënuese/vrastare. Flitet për ndotje industriale psh. dhe mjaft të kalosh andej nga Ballshi apo nga ish Superfosfati i Laçit për t'i parë e për t'i ndjerë efektet.  Për ndotje urbane po ashtu ku personalisht, krahas atyre që derdhen ku të munden rrugëve e rrëpirave do të fusja edhe shëmtimet e vazhdueshëm të pejsazhit me ato ndërtimet monstruoze ricikluese parash që po shpërhapen si metastaza tumorrale trupit të bukur të këtij vendi gjysma e të cilëve janë edhe në gjendje të pambaruar.
Pyetja që ngrihet është: si ka mundësi që ne nuk arrijmë ta shohim e kuptojmë një gjë kaq të thjeshtë? Sa më shumë thellohem për t'i gjetur përgjigjen kësaj pyetjeje aq më shumë më duket se arrij në përfundmin se ndotjet që shohim e ndjejmë me shqisat tona janë thjesht e vetëm pamja e jashtme e një fenomeni që do ta quaja ndotja jonë e brendëshme.
Të më lejojë lexuesi të bëj një digresion në kujtimet e shkollës së mesme për ta shpjeguar se për çfarë e kam fjalën kur them "ndotje e brendëshme". Një nga kujtimet që kam prej asaj kohe ishte kur mësuesi im i letërsisë, i ndjeri Rinush Idrizi, na komentonte Makbethin e Shekspirit duke tentuar të na shpjegonte mes tjerash edhe se ç’kuptim kishin magjistricat që i hedhin fall Makbethit duke i parathënë atij fatin. Mësuesi im i dashur, përpiqej të na shpjegonte një shprehje të Nolit për to: "shtrigat - na thoshte - janë vizualizata e jashtëme e impulseve të brendëshme të Makbethit." Ne që ishim ende fëmijë e kishim vështirë të lidhnim pamjen e jashtme të magjistricave, që na dukej se ekzistonin vërtet, me kuptimin abstrakt që merrnin ato si pamje e dëshirave të brendëshme të Makbethit. Ishin mësimet e para që merrja për metaforën që sot po rrekem ta përdor në këtë shkrim duke folur për ndotjet si metaforë. 
E pra duke parafrazuar këtë thënie të Nolit për magjistricat e Makbethit do të thoja se ndotja që  ne shohim, dëgjojmë, prekim, nuhasim e shijojmë me shqisat tona në trajtën e plehërave, mbeturinave, kalbësirave, bajgave, dioksinës etj. nuk është tjetër veçse vizualizata e jashtëme e ndotjes sonë të brendëshme.
E kam fjalën psh. për ndotjen tonë morale. Shikoni ç'bëhet: të duket sikur jemi një popull që e ka të natyrshme - ashtu sikurse të hedhë plehërat nëpër rrugë - të pasurohet duke vjedhur, mashtruar, gënjyer, trafikuar, korruptuar e jo duke punuar me ndershmëri.
E kam fjalën për ndotjen politike. Shikoni ç'bëhet: nuk gjen dot një politikan që t'i përmendësh emrin pa menduar se është i ndotur e megjithatë emrat e tyre përmenden natë e ditë me respekt të madh - pale kur lenë ndonjë koalicion e kalojnë në ndonjë tjetër.
E kam fjalën për ndotjen mediatike. Shikoni çbëhet.: gazetat e televizionet në vend se të informojnë  e të investigojnë për t'i shërbyer publikut, riciklojnë e amballazhojnë ndotjet e politikës e të korrupsionit të pronarëve të tyre për t'ia shitur publikut, nëpërmjet gaztarësh/kamarierë që të paraqesin menunë të veshur me papijon, si ushqim "bio".
Ndotje e drejtësisë. Shkoni ç'bëhet me gjyqet dhe jo gjyqet e shumta që të bëjnë të mendosh se drejtësia në vend se të jetë fshesë e pastrimit të krimit kullon krim e korrupsion vetë.
Ndotje në atë pikë sa, sikurse e thashë, nuk jemi ne që mund ta pastrojmë ndotjen, por është ndotja ajo që na "pastron" ne. A e dëgjuat kryeministrin se si tha ditë e fundit se po u bë ndotje akustike turistët nuk vijnë më. Por po ta marrim ndotjen si metaforë do të shohim se si nuk po ikin vetëm turistët nga ndotja akustike por po ikin edhe shqiptarët (fizikisht apo nga mentë e kokës)  nga ndotja, ndotja, ndotja që ua ka zaptuar jetën gjithandej.
Shkurt dua të them se nuk ka shans që ne të pastrojëmë plehërat e rrugëve pa pastruar ndotjen në rrugët tona të brendëshme të trurit. Sepse fakti që ne krijojmë ndotjen në rrugën e përbashkët, në sheshin e përbashkët, në lumin e përbashkët, në parkun e përbashkët, në bukurinë e përbashkët, na buron nga e njëjta ndotje me të cilën kemi shkatërruar qytetet tona, bregdetet tona, malet tona, pyejte tona, politikën tonë drejtësinë tonë, gazetarinë tonë etj.. Gjithë duke folur metaforikish për "vizualizatën e jashtme të ndotjes sonë të brendëshme" fatkeqësia është se prodhuesit më të mëdhenj të ndotjes po vazhdojnë të prodhojnë me egërsi të paparë ndotje duke e quajtur këtë, kur ua ua do nevoja, "efekt kolateral të zhvillimit".
Në fakt këta njëzet vjet ndotje kanë treguar se që të kontrollojmë ne ndotjen dhe jo ndotja ne duhet të bëhjmë një ndryshim në ADN tonë kulturore që vlen si për atë fshatarin në majë të malit që hedh plasmaset në përroin më afër shtëpisë për t'a larguar nga shtëpia e vet edhe për kryeministrat e ministrat tanë që kanë punuar e punojnë vetëm për të pasuruar familjet e tyre me "efekt kolateral" masakrimin e të tjerëve. Por paradoksalisht këtë "ndryshim" nuk mund ta arrijmë duke hequr tej diçka nga ne, siç bëjmë kur hedhim nga ballkoni qeskat e plehërave në ndonjë shesh apo rrugë që s'është pronë e jona. Ky ndryshim mund të arrihet duke futur diçka të re brenda trurit që s'kemi arritur dot ta bëjmë deri tani: Problemi ynë kulturor është se ne kemi arritur deri tek familja si institucion i menaxhimit të intersit të përbashkët, por jo përtej saj. Prandaj dhe shtëpitë i mbajmë pastër e bukur kurse përtej kemi një hapësirë të shëmtuar që vjen e degradon përditë duke shëmtuar, zhvlerësuar dhe kërcënuar përditë e më shumë shtëpinë tonë të vogël. Ajo që na mungon dhe që interesat e ndotësve familjarë po bëjnë çmos ta largojnë me shembulin e tyre ndotës, është fitimi i vetëdijes se ai sheshi ku hedhim plehërat nga pragu i shtëpisë sonë dhe ai pragu i institucionit publik që drejtojmë janë më të rëndësishëm sesa shtëpia jonë mu pse, pa vlerësimin dhe mirëfunksionimin e tyre, edhe shtëpija jonë do të rrethohet, deri në mbytje, nga ndotjet. (Panorama, 30 Korrik 2012)

1 comment:

The Mitrushis said...

Shumë vërejtje me vend Zoti Lubonja. Duket se njeriu është shumë më i integruar si natyrë se sa një ndarje e thatë brenda/jashtë. Sigurisht argumenti funskionon në të dyja drejtimet. E brendshmja ndikon mbi të jashtmen por edhe e reflekton atë. Ndoshta duhet të përpiqemi në të dy krahët njëkosisht. Të edukojmë vetveten me një kornizë të re morale/edukative që do të ndikojë në botën e jashtme ku jetojmë por edhe të ndryshojmë sadopak të jashtmen duke patur rregulla të thjeshta që mund të zbatohen në mënyrë që një e jashtme më normale të ndikojë në të brendshmen tonë. Eksperienca e të tjerëve në këtë pikë duhet marrë parasysh. Fushata të organizuara mediatike p.sh. për problemin e plehrave me spote të vazhdueshme televizive etj mund të sjellin rezultat. Nuk është se kërkon shumë burime financiare,më shumë dëshirën e mirë për të ndryshuar diçka nga realiteti i ndohtur në të cilin jetojmë.
Faleminderit për shkrimet

Gjithë të mirat,

Ilir Mitrushi