Sunday, November 25, 2012

Era e hajdutërisë


Ka plot histori që ndodhin në Perëndimin e idealizuar nga shumë prej nesh që të bëjnë të mendosh se ne shqiptarët, që na njohin e diskriminojnë në Perëndim si hajdutë e trafikantë, duhet ta normalizojmë disi ndërgjegjen tonë. Nuk jemi vetëm
ne që vjedhim – ne kemi të keqen se sistemeve që adoptojmë u japim tiparet më groteske – por sistemin që ka çelur erën e hajdutërisë nuk e kemi sjellë ne. Shikoni krizën që ka mbërthyer botën perëndimore. Në rrënjë të saj është fakti se jetojmë në erën e hajdutërisë, ju siguroj unë. Po pse e quan “era”? – do të thoni ju - hajdutëria është një erë e vjetër, që hundët tona e njohin shumë mirë që në lashtësi; dhe vetë sistemi kapitalist është akuzuar me kohë si i tillë; mjaft të kesh parasysh Marksin dhe teorinë e tij të “mbivlerës”. Megjithatë, unë e kam fjalën pikërisht për një erë të re në kuptimin e një epoke të re dhe të një njeriu të ri, “homo hajduticus”, “ladronicus” do t’i thoshin italianët, që po del në pah si mbijetuesi më i fuqishëm i seleksionimit natyror në këtë epokën tonë.

Por, më mirë, përpara se të filozofoj, le t’ju tregoj historinë që më nxiti të dal në përfundimet në fjalë.

Të hënën në mëngjes të kësaj jave u nisa nga Firencja me autobus për në Aeroportin e Pizës, për të fluturuar për në Tiranë. Kisha prerë një biletë vajtje-ardhje dhe po kryeja “ardhjen”. Kur mbërrita në Aeroportin e Pizës shkova në vendin e Check-in-it dhe po kërkoja tabelën AIR ONE, kompania italiane me të cilën do të fluturoja. (Sa për dijeni të atyre që nuk e njohin, është kompania “low cost” e Alitalia-s, për privatizimin e së cilës (Alitalia-s) u bë një zhurmë e madhe sepse u tha se pronarët e rinj morën pjesën e shëndoshë, duke i lënë shtetit borxhet).

Kërkova te radha e check-in-eve të gjej tabelën ku shkruhej “Tirana”, por nuk po shihja gjë. Atëherë shkova te një nga ekranet ku jepeshin të gjitha nisjet dhe, për çudinë time, vura re se ora e nisjes 11:25 nuk figuronte kurrkund, as emri Tiranë.

Diçka ka ndodhur – thashë – po shkoj të pyes informacionin. Ndërkaq, nxora nga çanta fletën e printuar të biletës së blerë on-line, për të parë se mos kisha lajthitur dhe kisha gabuar datën. Jo, hiç fare, 19 nëntor, ora 11:25.

Punonjësja e informacionit më tha se fluturimi im ishte ndryshuar, por se, për më tepër, mund të shkoja të pyesja te biletaria… në fund të korridorit, majtas.

Ajo e biletarisë më dha një lajm që nuk po doja ta besoja: se fluturimi im ishte kryer një ditë më parë, të dielën, dhe se, për këtë ndryshim date, unë kisha marrë një njoftim me e-mail.

“Me e-mail! – i thashë, – po unë marr kushedi se sa e-mail-e në ditë, midis të cilave edhe ato që dërgon AIR ONE-i për reklamë. Ja nuk e pashë unë e-mail-in, kaq mjaftuaka që të më fshini ju nga lista. Po numrat e telefonit pse m’i keni marrë atëherë? Pastaj, kam dëgjuar për fluturime që shtyhen, por për fluturime që kryhen përpara, kurrë ndonjëherë”.

Mirëpo ajo e biletarisë nuk ishte punonjëse e AIR ONE-it. Më zgjati një fletë A4, ku kishte numrat telefonikë të “call center”-ave të kompanive ajrore, midis të cilave edhe AIR ONE.

Bëra numrin 892 444. Në fillim më doli një zë burri që më njoftonte për tarifat se sa kushtonte një minutë a ku di unë. S’kisha nerva ta dëgjoja e të bëja kalkulimin se sa do të më kushtonte telefoni. Vura re se ishte një zë që fliste një italishte me aksent. Pas atij më doli një zë tjetër i regjistruar, që thoshte se duhej të prisja dhe pasi mbaroi edhe ai, më doli më në fund një operatore. Fliste një italishte shumë të mirë. “Më jep një çikë numrin e regjistrimit të biletës”, më tha. Fillova t’ia bëj me spell: “B come Bologna, 4, C come Como…”, derisa e mbarova dhe ajo gjeti emrin tim.

“Lubonja?”.
“Po, Lubonja, Fatos”
“Ne na rezulton se ju kemi dërguar një e-mail…”
“Po njeriu mund të jetë i sëmurë, mund të jetë i hutuar, mund të jetë në mal, ku s’ka internet, mund të jetë…, – fillova t’i dërdëllis, – si mund të mjaftoheni ju me një e-mail për ta ndier veten të qetë se e keni kryer shërbimin ndaj klientit, ndërkohë që i keni shkaktuar një bela kaq të madhe duke i ndërruar datën e fluturimit…?”
“Keni të drejtë, do të përpiqem të bëj diçka, – më tha, – por ne jemi thjesht operatorë”.
Më përsëriti disa herë “keni të drejtë” kur i shprehja argumentet e mia. Dukej sheshit se edhe ajo ishte e pakënaqur. Me gjithë hallin që më kishte zënë, fillova të kërkoj të gjej me mend se nga më flisnin ato operatoret. “Ndoshta nga Shqipëria, – thashë me vete, – ndoshta edhe nga India”. Mu kujtuan ulërimat e Peper Grillos: “Ju duket punë ajo në call center?!”. Por edhe një shkrim i “La Republica”, një faqe e tërë, që tregonte se si i transferojnë këto ndërmarrje në Shqipëri pasi atje kushton pesë herë më pak “krahu”, më falni, “goja” a punës, sesa në Itali.
Gjithsesi, përgjigjja përfundimtare e operatores ishte se ata shefat i kishin thënë se nuk mund të bëhej që unë të fitoja të drejtën për fluturimin pasardhës. Mirëpo ndërkohë që filloi të më shpjegonte se ç’duhet të bëja më tej, u pre telefoni. “Janë këto linjat e dobëta të internetit…”, – thashë me vete gjithnjë e më i acaruar. Prita pak dhe mora përsëri. Dëgjova edhe një herë dy lloje zërash të regjistruar, pastaj më doli një zë femre që m’u duk si zëri i parë, por nuk ishte ajo. “Kushedi është në një tjetër ‘call center’, kësaj here ne Kinë”, – thashë. Edhe një herë operatorja e dytë më kërkoi numrin e biletës. “B… come Bologna, 4, C come Como…”. Mirëpo, sapo mbarova spellingun dhe fillova t’i shpjegoj edhe një herë nga e para se ç’kishte ngjarë, m’u ndërpre lidhja përsëri. “Dreqi ta hajë, – thashë, – me këto linjat e internetit”. Gjeta në ekranin e celularit numrin që kisha bërë dhe shtypa tastierën. Por kësaj here, në vend të tri radhëve të zërave, më doli krejt tjetër muzikë:
“Në rimbushjen tjetër paguaj një euro që të fitosh dy euro… Grazie”
“Ç’është kjo? – thashë. – I kam rënë numrit gabim?”. I rashë prapë. Prapë i njëjti zë: “Në rimbushjen tjetër paguaj dy euro të fitosh një euro… Grazie”.

E kuptova. E pabesueshme! Ju betohem se celularin nuk kisha shumë që e kisha mbushur dhe duhet të kisha minimumi dhjetë euro. Kishin ikur të gjitha për “call center”-at e mallkuar dhe pa zgjidhur asgjë. Kisha mbetur edhe pa celular, sepse ndërkaq i kisha hipur autobusit për t’u thyer nga Piza në Firence jo pa llogaritur edhe shpenzimet e ikura dëm për biletat.


Kur mbërrita në shtëpi nxitova të marr një numër fiks të AIR ONE-it. Kësaj here duket se ishte numër italian, sepse kishte prefiksin e Italisë. Më doli një operatore edhe kësaj radhe. Edhe një herë “…B come Bologna, 4, C come Como…”. Edhe njëherë i shpjegova se çfarë më kishte ndodhur.
“Të shohim çfarë mund të bëjmë, – më tha, – prit një minutë”.
Nuk di çfarë provoi dhe pastaj tha:
“Jo, nuk ma lejon sistemi ta kaloj biletën tuaj në fluturimin e së mërkurës”.

Kësaj here dukej sikur vullneti i njeriut ishte, por nuk kishin vullnet makinat, d.m.th. kompjuterët.
Pasi shkëmbyem edhe disa fjalë të tjera, ku i thashë se AIR ONE një dy e ndërron oraret e fluturimit me Shqipërinë, se një fluturim më parë kisha ndenjur pesë orë në Aeroportin e Pizës, ajo  më tha:
“Prit një minutë se duhet të sinjalizoj shefat më lart, sepse vetëm ata mund ta lejojnë një veprim ndërrimi date bilete në kompjuter”.

Iku e më la të prisja një copë herë me telefon hapur. Më në fund u kthye e më tha se nuk mund të bëhej gjë e se, me sa dukej, nëse doja të fluturoja për në Tiranë, unë duhet të blija një biletë të re.

“Po kujt mund t’i ankohem për këtë që më bëri AIR ONE?” – e pyeta.

“Mund të bëni reklamim”.

“Ku mund ta bëj?” – i thashë. Po kërkoja dëshpërimisht një emër njeriu. Por ajo më dha vetëm një e-mail: customerserviceairo-ne@alitalia.it.

U ula menjëherë të shkruaj:

“Gentili signori di AIR ONE” (nuk më vinte fare t’u thosha “gentili”, por kuptohej se ishte “per modo di dire”, siç i thonë italianët.

E fillova duke përshkruar tërë historinë: “… Sot, më datë 19 nëntor shkova në Aeroportin e Pizës…” dhe e përfundova duke u kërkuar dëmshpërblim për dëmin që më kishin shkaktuar me këtë sjellje që e gjeja të padrejtë dhe të një moskorrektese të rëndë – pasi më kishin prishur krejt planet e punës për atë javë, si dhe që të më mundësonin fluturimin të mërkurën, pa shpenzime shtesë.
Për hir të së vërtetës, të nesërmen shërbimi i klientit i AIR ONE-it më ktheu përgjigje duke më njoftuar se fluturimin tim të së hënës, që ishte kryer të dielën, e kishin spostuar për të mërkurën, pa shpenzime.


* * *

Sidoqoftë, kjo nuk më bëri ta ndërpres refleksionin që zhvillova tërë atë ditë e të nesërmen mbi idenë se jetojmë në epokën/erën e hajdutërisë. Po cili është dallimi i kësaj epoke me të tjerat? – do të thoni ju – duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi. Menjëherë do të thosha se dallimi qëndron në atë se në epokat paraardhëse veprimet e shtyra nga etja e panginjur për fitim ishin në mos një gjë e paligjshme, të dënueshëm moralisht, kurse në këtë epokën tonë sikur jo vetëm është zhdukur kufiri midis së ligjshmes dhe së paligjshmes në hajdutëri, por sikur po zhduket çdo skrupull moral përpara etjes për fitim me çdo mjet. Dhe po ashtu, ndryshimi qëndron sepse epoka jonë, duke u bërë gjithnjë e më virtuale në sajë të teknologjisë së internetit, krijon një lloj hajdutërie si në ajër, kur ti nuk e merr vesh se si të merren të hollat dhe as se cili t’i merr. Kjo historia me “call center-a” e me një e-mail që mjafton për të të marrë qyl të hollat e biletës, është vetëm një aspekt i vogël i kësaj bote të madhe të frikshme. Mjaft të mendosh ato që quhen “bonuse të helmatisura” që qarkullojnë nëpër bursat e gjithë botës, të shpërndara nga disa “golden boys” në Wall Street apo për të famshmin “spread” që po rrëzon qeverinë, në emër të diktaturës së tregut, e që, tek e fundit, është edhe ai një lojë virtuale me kompjuterë nëpër bursa që bëhet me qëllim fitimin maksimal të disa pehlivanëve, të cilët ligjërisht nuk ke ku i kap. Prandaj them se, më shumë sesa e globalizimit, kjo epoka jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hajdutizimit.

Por, këtë refleksionin tim e bazoj edhe mbi dy paradigma të tjera. Së pari, njeriu perëndimor i kohës sonë jo vetëm që jeton shumë më pak se në epokat e tjera me besimin në vlerat që promovojnë fetë si ato të sakrificës së njeriut për njeriun apo të karitasë që kanë qenë themelore deri në shekujt e fundit, por nuk jeton më as si në shekullin XX si pjesë e projekteve të mëdha nacionaliste apo komuniste. Ato projekte kanë dështuar duke marrë me vete, për fat të keq, edhe dy ëndrra/vlera të mëdha të njeriut: atë se njeriu mund ta ndryshojë botën me vullnetin e tij dhe atë të barazisë – duke e lënë kësisoj njeriun e shkretë në projektet e tij të vogla personale, meskine që, tek e fundit, reduktohen te nevoja për para, që kështu të ndërtojë një shtëpi, të blejë një makinë, të sigurojë fëmijët, e ku di unë. Me një fjalë, t’i adoptohet këtij realiteti të ndyrë dhe jo të kërkojë ta ndryshojë atë, nga frika se mos krijon një monstër si nazizmi apo komunizmi. E dyta, kur vjen puna te paraja, problemi është se këto shoqëritë tona kanë tendencën të shndërrohen gjithnjë e më shumë nga kapitalizëm prodhues në kapitalizëm spekulativ financiar dhe në shoqëri shërbimi. E kam fjalën veçanërisht për këto perëndimoret, ku ne aspirojmë të bëjmë pjesë. Dhe kjo do të thotë që në vend se të fitohen paratë duke prodhuar mollë, rrush, dardha, vezë, mish, djathë, hekur, çelik, bakër, energji, aeroplanë, makina, e ku di unë, këto të fitohen gjithnjë e më shumë duke ofruar shërbime, siç janë edhe “call center”-at e duke bërë spekulime financiare nëpër bursat. Kjo çon në gjetjen dhe sofistikimin e trukeve se si të nxirren para nga paraja e klientit. Dhe ata që krijojnë këto truke  gjithnjë e më shumë shtrëngohen t’i sofistikojnë ato pasi paraja që vjen nga prodhimi bëhet gjithnjë e më e pakët. Këta djem, pra, që jo më kot i quajnë “golden” (të artë), seleksionimi i ka nxjerrë në pah si qenie superiore. Unë i quajta “homo hajduticus”, si përfaqësuesit më të suksesshëm të një epoke që nuk e dimë se ku po na çon, por që sot ka hyrë në krizë. A do të zhduken këta nga ky ndryshim klimaterik që po ndodh me krizën, apo do të triumfojnë plotësisht këta? – Dhe unë në një rast të tillë nuk do të merrja më fare përgjigje nga customerserviceairo-ne@alitalia.it. Nuk e dimë ende.

Desha ta ngjyroj me pak humor këtë refleksionin pas historisë me AIR ONE-in që tregova, por shoh se nuk ia dola siç desha ca nga paaftësia ime dhe ca, ndoshta, ngaqë me pengoi serioziteti i çështjes. Prandaj po e lë me kaq, si pa fund, këtë shkrim, me shpresë se lexuesi do të më mirëkuptojë. (Panorama, 24 nëntor, 2012)

4 comments:

Anonymous said...

Bienvenuto nel mondo reale di Occidente Z. Lubonja . Me vjen shume keq per çka ju ka ndodhur. Artikulli eshte shume domethenes dhe pershkruan nje padrejtesi sociale qe nuk je i vetmi qe ke pesuar kete dem, ka me mijera kliente te tjere qe provojne te njeten vjedhje, ose fat. Ceshtja eshte nga se vjen kjo padrejtesi? Ne fakt ky artikull ne nje fare menyre eshte nje afirmacion te asaj çka une kam komentuar ne artikullin e me parshem, dhe ju po filloni te ngjiteni pak nga pak drejt asaj qe Etienne Chaurd (profesor ne ekonomi) e quan "la cause des causes" ose "shkaku i shkaqeve" (nese nuk e njihni ju keshilloj ta degjoni). Ju e quani shume bukur "era e hajduterise" vetem se une do te thosha se kjo ere ka ekzistuar gjithmon ne vendet perndimore por jo vetem. Ajo merr forma te ndryshme duke ju pershtatur dy faktoreve kryesor: rritjes se teknollogjise (qe ju e citoni ) ose zhvllimit te shkences dhe rritjes demografike, ne kete forme edhe vjedhja behet me e sofistikuar por edhe me e kamufluar. Pra ju keni ngjitur nje shkalle duke ju afruar "thembres se Akilit", duke cituar sistemin financjar, bursen, "qeniet superiore" qe Wall Street i “golden boys”. Kompania AIR ONE-in ne kete mes nuk ka faj, ajo eshte pasoj e sistemit finacjar, pra i struktures se tij: tregut bursier. Ky treg qe gati gati eshte kthyer virtual pasi normal duhet te bazohej mbi ekonomine reale e cila vet ka kaluar teper marxhinal, eshte nje tip kazinoje ky gjithçka luhet me hile. Ne fund dihet kush fiton, ne italisht thuhet bukur "la casa vince sempre". Pra keto kompani per te rritur dividentet (fitimet) e aksioneve ose edhe me e keqja per ti shpetuar falimentimit perdorin medota nga per te ndyrat dhe me te sofistikuarat per te qendruar ne biznes fal teknollogjise se inforamcionit. Ceshtja eshte se ketu edhe vet bursa eshte nje pasoj pasi ka nje burim qe eshte krijuar dhe shkaku eshte se sitemi bankar i duhesh nje "kazino" per te kontrolluar me mire industrialistet nen preteksin e financimit direkt pa ndermjetes vetem se aksionet emetohen perseri nga bankat dhe loja kontrollohet prej tyre (eshte si puna e ketyre lojrave te fatit ku kompanit qe i kane krijuar ua marrin njerezve leket me deshir pa pasur nevoj te taksohen nga shtetit nenpreteksin se ata mund te fitojne para pa pasur nevoj te punojne). Si perfundim ju kane mbetur akoma dy shkalle : e para te ngjitesh tek sistemi bankar dhe financimi i tyre (emetimi i bazes monetare dhe pronesia mbi kete te drejte) dhe e dyta nga buron kjo e drejte (Kushtetuta) (ketu eshte burimi i te gjitha padrejtesive sociale si dhe e kesaj tuajes). Respekte!

Anonymous said...

Shkrim shume i bukur! Gjithsesi, krahas hajduterise ne rritje, eshte dhe nje rryme mendimi qe promovon filantropine ne rritje. Filozofi Charles Eisenstein thote "Ne kohe krize, investimi me i mire qe mund te bejme eshte te ndihmojme sa me shume te tjeret. Mirenjohja dhe ndihma e tyre reciproke do te na ndihmojne permes koherave te pasigurta. Kush synon parane thjesht do terheq me shume grabites".

Anonymous said...

Nje ngjare gati e njejte me ka ndodhur edhe mua me tragetin e triestes, por une nuk do e harroj kure sjelljen e ekuipazhit. E pabesueshme te qendrosh gati 10 Ore ne port me dyer te mbyllura dhe pa asnje informacion. Marrje peng dhe heqe e lirese ne kohet moderne ne nje shtet me tradita shume te lashte ne historine e modernizimit te shtetit dhe perparimit te zivilizimit.
Nje paragjykim shume i paqelluar me shqeteson ose me duket me tej e absurd,qe pothuajse ne te gjitze europen shqipetaret jane ose hajdute ose kriminele menjehere pa u faktuar asgje. Kjo eshte nje realitet i besueshem ne te gjithe europen. Perse? Jo per faj te shqipetareve por kjo perdoret shume kollaj nga injoranca qe sundon ne Europe mbi shqipetaret. Europa jo vetem qe nuk i njeh shqipetaret por shqipetaret duken sikur jane popull exotik. Per te permbysur kete pseudo gjykim duhet shume pune nga ne shqipetaret. Pa e stergjatur shume, hajdutet shqipetare dhe hajdutet Europjan jane te gjithe Hajdut. Prejardhja apo nenshtetesia nuk munde te dalloje deliktin. Pra nje hajdut eshte i njejte pa dallime te simbash shijesh etj. etj. Ketu ku jetoj une ka nje ligj administrativ mbi te drejtat e te Huajve. Ne kete ligj administrativ fshihen edhe paragrafe qe denojne veprime te ndryshme administrative sikur te ishin shkelje penale. Kur i bisedoja me nje Jurist ketu dhe e pyesja qe perse shkelja administrative te gjykohet me pasojat penale te ligjit, me pergjigjej se keshtu e parathote ligji administrativ. Dmth. nje absurditet Juridik ne nje nga shtetet ne zemer te Europes dhe qe mban peshen me te madhe ekonomike te saj. Ndoshta ky shembull eshte i pa kuptueshem per shqipetaret por kjo eshte aktuale. Ne shqiptaret jemi shume mendje lehte dhe jo te vemendshme se cfare ndodh me ne rreth e rrotull. Behemi aktiv kur na djet By....

Anonymous said...

Si ky incident i juaj ndodhin per dite ne boten perendimore qe Shqiperia aq shume e inspiron. Kjo eshte nje epoke e degradimit te kapitalizmit. Ne Perndim ndeshkohesh perse para-ardhesi yt kur mer nje shtei me qera nuk ka shyer detyrimit ndaj nje banke apo nje kompanie. Adresa jote do ndeshkohet per sa kohe ti te banosh aty. Nuk mer dot kredi. Nuk hap dote nje banke te re llogarie. Pale qe te jeshe ti si person qe te mos shlyesh detyrime je i perndjekurne cdo cep dhe emri yt paraqitet ne cdo kompjuter. Keto indienta ndodhin ndonjehere kur dhe ti nuk je ne dijeni q eke bere dicka gabim. Ky lloje kontrolii te kujton sistemin komunist. Por ashtu si ju Zoti Lubonja dhe komentatoret teknologjia ndihmon qe te vjedhesh me lehte. Teknollogjia e ben njeriun qe te mos kontakt direkt me njeriun dhe kur te ndodh keshtu behesh armiqsor sepse perfundon dhe flet me kompjuterat! Korrupsioni ne Perendim eshte me i sofitikuar dhe ne shuma me te medha se ne Shqiperi. Ne vende si Shqiperia pervec njerevze ne kasten politike qe mund te luanje me shuma te medha , pjesa tjeter eshte shume naive. Si per shembull, ofro nje dreke, ose pak leke per te mbaruar nje problem te vogel. Me e keqja eshte se kjo lloje hajduteri eshte e dukshme dhe duket me e shemtuar. Vjedhjet ne Perendim jane te sofistikuara dhe pasi behet vjedhaj mbulohet me legjislacion. Merni shembuje se sa deputet ne Parlamentin Angleze jane akuzuar me akuzen e vjedhjes se lekeve duke abuzuar procedurat e kerkimit te shperblimeve te ndryshme te pa bazuar ne fakte te verteta. Nuk jane vetem Shqiptaret qe bejne korrupsion por jane te vetmit nese e perkufizon keshtu qe e bejne vjedhjen ne menyre te hapur sikur nuk do te kete me te neserme! Ju i nderuar mund te filloni nje proces civil nen Bashkimin Europian legjislacion. Jo vetem qe duhet te kerkosh kompensime por bileten dhe ekstra por edhe nje cechtje qe dinjiteti juaj eshte cenuar. Por ajo eshte per ju te vendosni.