Tuesday, May 14, 2013

Arsyeja dhe dashuria - udhërrëfyesit e jetës


Interviste dhënë gazetës online "Start 19+1"
 
1. Patriot, nacionalist apo kozmopolit?
Preferoj ta quaj veten humanist, ose edhe socialist libertar, ne kuptimin e atij që ve në qendër të interesit të tij njeriun dhe shoqërine njerezore kudo ku jeton qoftë kjo lagjja, qyteti, shteti apo bota; në kuptimin e atij që respekton - duke e jetuar dhe jo  duke e zgjidhur - kontradiktën mes nevojës së njeriut për përkatësi, pasi është një qënie shoqërore, dhe atë për liri pasi është edhe një qënie individuale.

2. Majtas apo djathtas?
Majtas, pasi shqisa morale që rregullon raportin tim me të tjerët është (ose më saktë është bërë gjithjë e më shumë me kohën) shumë e ndjeshme ndaj barazisë së njeriut me njeriun dhe ndaj alienimit/tjetërsimit të njeriut. Dhe e majta, siç e kuptoj unë atë, ka në thelbin e vet luftën përdrejt barazisë si dhe luftën kundër tjetërsimit të qënies njerëzore në sitemin që jetojmë ku njeriu konsiderohet gjithnjë e më shumë vetëm si mjet për të pasuruar njeriun dhe jo si qëllim. Po të shikosh momente të tilla historike si heqja e skllavërësë, heqja e kolonializmit, barazija e burrit me gruan e deri tek të drejtat e minoriteteve apo të homoseksulëve të gjitha të sugjerojnë se barazia e njeriut me njeriun, si dinjitet më së pari, është një motiv për të cilin ia vlen t’i japim kuptim jetës tonë si qënie shoqërore. Po ashtu kapitalizmi liberist që e ve theksin tek pasurimi, tek gara e shfrenuar për t'ia kaluar tjetrit, kanë krijuar një tjetërsim të madh të njeriut përsa i përket atyre vlerave që lidhen me të mirat jomateriale por relacionale, shpirtërore. Dhe më duket se ndaj këtyre vlerave e majta evropiane është më e ndjeshme se e djathta.

3. Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?
Kur s'kam siguri pyes ata që dinë më shumë se unë për çështjen në fjalë, por vendos vetë duke marrë edhe përgjegjësinë e zgjedhjes.

4. Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar?
Nuk mund kurrsesi të përmend një libër të vetëm. Në një farë kuptimi të gjithë librat që kam lexuar i konsideroj si një libër i vetëm i madh. Them se klasikët kanë ndikuar në formimin bazë të rinisë, edukimin sentimental. Pastaj kujtoj librat që më kanë tronditur vizionin e botës që na kishte imponuar materializmi dialektik e historik dhe ideologjia nacional komuniste e Hoxhës si surrogat i saj. Ndër këta kujtoj si më të hershmit veçanërisht pesë leksione mbi psikoanalizën të Frojdit si dhe "Konsiderata joaktuale" të Niçes që më dhanë çelësa të tjerë për të lexuar botën.
Në mënyrë më të veçantë kujtoj Don Kishotin rilexuar dhe rizbuluar në burg, me botimin e vëllimit të dytë, të përkthyer nga Petro Zheji. Them i rizlubuar pasi në moshën e rinisë (gjimnazit) e kisha lexuar i manipuluar nga parathënia e Nolit, që ishte e vetmja pikë referimi në shkollën tonë. Noli e kishte politizuar Servantesin për ta përdorur për të larë hesapet me kundërshtarët e tij politikë të kohës – siç bëjmë edhe ne sot – duke na e bërë Don Kishotin një qënie për tu tallur, ngase Noli vetë donte të tallte bejlerët prapannikë që kishin qenë kundërshtarët e tij politikë. Dhe ky sulm i shkonte goxha për shtat edhe propagandës komuniste që godiste “botën e vjetër”. Kurse  në atë moshë më të pjekur, kur më ra në dorë vëllimi i dytë, tek ky libër gjeta tjetër gjë. Gjeta “esencën e luftës midis idealit dhe realitetit.” siç thotë Shellingu, ku “prapanikja” që mbronte Kishoti paskëshin qenë idealet e përjetëshme të njeriut për drejtësi dhe mirësi kurse “realiteti”: e shëmtuara dhe padrejtësia që mbretëron në këtë botë; kurse tek Don Kishoti, që e kishim përdorur për të tallur ëndërrimtarët budallenj, gjeta heroin që na mëson se njeriun nuk duhet të reshtë së ëndërruari dhe së luftuari kundër padrejtësisë, injorancës, ligësisë megjithë disfatat që mund të pësojë.


5. Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet shqipar?
Pako gjë, dhe më shumë për keq se për mirë.

6. A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?
Më shumë se krizë; një sëmundje në fazë terminale.

7. Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?
Të shpëtojmë fëmijët duke investuar në shkolla e mësues të mirë. Të krijojmë prokurorë e gjykatës të ndershëm e guximtarë.
Të zhvillojmë ekonomi të qëndrueshme.


8. A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?
E kam kaluar kohën kur frymëzohesha nga heronj. Personazhet historikë shqiptarë nuk i shoh në bardhë e zi, por në një gri në të cilën, për shkak të ambjentit ku kanë jetuar, dominon e zeza.

9. Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politikë?
I përkasin në thelb të njëjtës kategori: të njerëzve që  nuk dinë ç’është ideali dhe që e bëjnë të zezën të bardh dhe të bardhën të zezë shpesh me një paturpësi kriminale.

10. Pas 20 viteve tranzicion, jemi në demokraci apo post-komunizëm?
Jemi në periudhën e kalbëzimit të kufomës gjigante të komunizmit që vdiq njëzet vjet më parë, që dergjet e shtrirë përgjatë gjithë territorin të vendit tonë si dhe të lulëzimit të krimbave që po e hanë atë.

11. Shqiptarët, orientalë apo oksidentalë?
Ka kohë që kam reshtur së kategorizuari njerëzit në orientalë dhe oksidentalë.

12. Ku ndryshon një qytetar shqiptar nga një qytetar evropian?
Nuk i ndaj njerëzit as në shqiptarë dhe evropianë, por do të thoja se në tërësi ndarja themelore midis kulturave dominante qëndron në mosrespektin dhe respektin ndaj ligjit.

13. “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?
Besa ka qenë një normë e Kanunit; shprehje e nevojës për të venë sadopak rregull në një shoqëri primitive, fisnore që nuk kishte ndërtuar ende shtetin. Ishte pra një lloj neni i ligjit të pashkruar të maleve që përcaktonte se kur, ku dhe si mund dhe nuk mund ta vrisje gjaksin. Ne e kemi bërë mit/simbol të fjalës së dhënë që shqiptari e paska të shenjtë edhe e kemi përdorur fort si mit identitar. Por unë mendoj se identifikimi me këtë mit është gjë e tjekaluar dhe nga ana jetër se përvoja reale na mëson se njeriu e mban fjalën e dhënë më shumë si rezultat i edukimit e zhvillimit të personaliteti dhe dinjitetit të tij si qënie njerëzore në një shoqëri të lirë dhe të drejtë sesa prej kultit të ngrirë të besës. Për të ilustruar këtë ju ftoj të mendoni për atë se sa e mbajnë fjalën e dhënë shqiptarët në përgjithësi dhe udhëheqësit tanë në veçanti. 

14. Tirana, metropol apo fshat urban?
Tirana është shprehja më e dukshme vizualisht dhe më e zorrëshmja për t'u jetuar fizikisht dhe shpirtërisht e paaftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar komunitet dhe shtet të së drejtës.

15. Çfarë është kombi për ju?
Kombi është një “bashkësi imagjinare” (Benedict Anderson) në të cilën na mësojnë se bëjmë pjesë që kur jemi fëmijë dhe që mbahet gjallë në imagjinagtë nëpërmjet narrativash, simbolesh e mitesh, por edhe nëpërmjt jetës së përbashkët e gjuhës së përbashkët. Ai është shprehje e nevojës së njeriut për identitet e përkatësi, por tek ne, për shkak të nacional - komunizmit dhe izolimit gjysëm shekullor përkatësia në këtë bashkësi është ekzagjeruar dhe mistifikuar duke u paraqitur si e vetmja bashkësi dhe më sipërorja. Në fakt kombi s’është as identiteti i vetëm dhe as përkatësia e vetme.  Njeriu ka edhe shumë identitete e përkatësi të tjera që, varësisht nga konteksti, i thekson apo i injoron dhe që e bëjnë atë një qënie tejet komplekse dhe unike njëkohësisht. Edhe motivimet e tij në jetë po ashtu janë shumë komplekse.

16. Çfarë është familja për ju?
Një strehë e ngrohtë, por që ka nevojë për shumë dyer e dritare për të mos u kthyer në një vend të mërzitshëm e mbytës.

17. Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?
Narva 17, një qytet fantazëm në Estoni, i cili nuk kishte ekzistuar në hartë pasi atje kishte pasur, në kohën e BS, industri të karburantit të raketave që ishte sekret. Pas rënies së komunizmit ishte kthyer në një qytet thuajse të zbrazët, pa banorë. Ma ngacmoi shumë imagjnatën.

18. A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?
Kur pasi u dënova për herë të dytë në burg refuzova të punoj në minierën e Spaçit duke duruar katër muaj birucë ndëshkimore. Kjo më krijoi mundësinë që në 12 vitet e tjera të burgut të mos i derdhja krejt energjite në punën e rëndomtë fizike në minerë, por të merresha shumë më tepër me libra dhe mendjen time.

19. Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Kjo pyetje përmban paradoksin brenda sepse mund të thoja menjëherë: burgun, apo vendin ku linda, Shqipërinë, sepse linda në një diktaturë. Por atëhere do të isha njeri tjetër, që s'do të mund t'i bënte as këto ndryshime.  Edhe nëse e keni fjalën për zgjedhjet që kam bërë në jetë prap do të thoja se ka aq shumë zgjedhje që me pjekurinë që kam sot do t’i kisha bërë ndryshe. Por prap edhe ky ndryshim është i pamendueshëm sepse ky që jam sot nuk do t'i bënte dot këto vlerësime, pa ato gabime. Prandaj them se e rëndësishme është t’i japësh një kuptim fatit që të bije në jetë dhe të mësosh nga gabimet, për të ndërtuar, nëpërmjet kësaj, jetën dhe personalitetin tënd. Nëse mendon se e ke bërë dhe bën këtë atëhere përgjigja do të ishte, jo nuk do të ndryshoja asgjë, as edhe burgun.

20. “Bëhu i ditur të jesh i lirë!” – Sa të lirë janë shqiptarët? 

Njeriut iracional – thotë Poperi – i intereson të ketë gjithmonë të drejtë, (dmth. t’i dalë e vetja, siç themi ne), kurse njeriut racional i intereson të mësojë. Shumicës së shqiptarëve i intereson vetëm t'i dalë e vetja e kjo, faktkeqësisht, na le të paditur çka do të thotë edhe robër të injorancës. Pra shqiptarët kanë nevojë të zhvillojnë arsyen për të qenë të lirë. Por, megjithatë, edhe pse jam një njeri që beson shumë tek forca e arsyes, unë them se ka një ndjenjë, që shpesh quhet edhe iracionale, që e kalon arsyen jo për keq, por për mirë, e që të zbulon një tjetër dimension të lirisë. Kjo është dashuria, e cila nuk mund të përkufizohet lehtë. Fetarët e identifikojnë me manifestimin e Zotit në të cilin ata besojnë. Unë e shoh në termat e energjisë libidinale frojdjane që manifestohet në lidhjet më të forta shpirtërore midis njerëzve ku veçohen ato të të dashuruarve, ato midis prindërve dhe fëmijëve, miqësitë e thella që tek e fundit burojnë nga e njëjta rrënjë dhe janë në bazën e vazhdimësisë së jetës e të shoqërisë.
Arsyeja dhe dashuria tek komedia Hyjnore simbolizohen nga Virgjili dhe Beatriçja. Janë ato që e udhëheqin poetin (Danten) në rrugëtimin e tij. Janë këto që duhet ta udhëheqin njeriun në jetë. Edhe shqiptarët, sipas meje, kanë shumë nevojë t'i kultivojnë të dyja për të ecur në rrugën drejt lirisë, pasi i kanë shumë pak të kultivuara.

3 comments:

Igli Plaku said...

Une zoti Lubonja jetoj ne Itali prej shume vitesh dhe ju ndjek me admirim nepermjet intervistave ne shtyp dhe ne televizion...per mendimin tim Shqiperia eshte ne nje tunel shume te erret...dhe me e keqja eshte perceptimi im se vete shqiptaret ne vend qe te kerkojne zgjidhje per te dalur nga tuneli, ato kane vedosur ti pershtaten dhe ta arredojne ate...me shume respekt Igli

Unknown said...

Kenaqesi te lexosh Lubonjen.

vjollc evogel said...

arsyeja eshte ndrydhja e dashurise nisur nga nevojat elementare te trupit. te gjitha fenomenet negative jane kahu negativ i arsyes. prandaj edhe se pari duhet ruajtur (per foshnjat) dhe cliruar (per te ndrydhurit e tjere) shpirti nga arsyeja. vetem keshtu do jemi ne gjendje te gjejme minimumin e nevojshem te arsyes te nevojitur per te mbajtur trupin ne jete e per te perjetuar ne menyren me te bukur dashurine...