Friday, November 8, 2013

Punës njeriun apo njeriut punën



Shkarkimi i Denion Meidanit nga puna si shef i Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave, që së fundi mori edhe një dimension ndërkombëtar  me ndërhyrjen e Doris Pack, është një rast për të gjykuar e reflektuar në përgjithësi mbi shkarkim/emërimet e reja që kanë hapur jo pak diskutime në publik.
Le të shpreh në fillim një mendim të përgjithshëm se si e shoh çështjen e shkarkim/emërimeve.
Së pari duhet thënë se, pa dyshim, administrata ka qenë tejet klienteliste, e mbushur me militantë, servilë e të korruptuar, dhe kjo është një ndër arsyet pse ka dështuar në punën e saj në shumë sektorë. Dihet se klientelizmi, militantizmi, tarafllëku, korrupsioni, servilizmi janë armiq të meritokracisë. Prandaj nuk ka pikë dyshimi se duhen bërë zëvendësime njerëzish që puna të ndryshojë. Pra çështja nëse përgjegjës për të keqen është sistemi apo njerëzit dhe se kush duhet ndryshuar që të eliminohet e keqja, meriton përgjigjen se duhet ndryshuar sistemi, por se ky nuk mund të ndryshohet dot veçse nga njerëzit dhe prandaj duhen njerëz të rinj e të mirë. Gjykoj se këtë vlerësim duhet ta bëjë edhe opozita me një ndjenjë vetëkritike ndaj mënyrës se si ka vepruar me emërimet kur ishte në pushtet, dhe jo thjesht e vetëm të hidhet në luftë për të mbrojtur njerëzit e vet.
Së dyti, mendoj se zëvendësimet duhet të respektojnë disa kritere. Kryesori, sipas meje, duhet të jetë ai se ndryshimet duhet të synojnë ndërtimin e një administrate efikase dhe të qëndrueshme bazuar mbi meritokracinë, pra me njerëz që duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në administratë edhe kur të humbasë pushtetin kjo maxhorancë. Një kriter tjetër duhet të jetë ai se, duke u bazuar tek ideja se është kryesisht sistemi ai që i shtyn njerëzit në të keqe, duhet synuar emërimi i atyre njerëzve që kanë për detyrë të gjejnë formulat për të ndryshuar sistemin, dhe jo formulat për shkarkimin në masë të njerëzve. Kjo nënkupton se drejtuesit e rinj politikë duhet të bëjnë kujdes, mes të tjerash, që të ndajnë të aftët nga të paaftët, që janë vënë në një punë thjesht e vetëm si militantë. Sidokudo, edhe në administratën e Berishës duhet të ketë njerëz që janë specializuar gjatë këtyre viteve apo që kanë zënë një vend në sajë të aftësive, dhe jo në sajë të klientelizmit dhe militantizmit partiak.
Një kriter tjetër duhet të jetë respekti ndaj aspektit njerëzor dhe social të këtyre zëvendësimeve. Kam parasysh se humbja e punës për një njeri është një traumë në aspektin psikologjik, e lidhur edhe me problemet ekonomike e familjare që ajo hap. Kjo nënkupton edhe një ndjeshmëri njerëzore për ata që marrin përgjegjësinë e shkarkimeve të njerëzve nga puna. Ata duhet të kenë parasysh edhe faktin që ne jemi një vend i vogël, ku e njohim të gjithë njëri-tjetrin dhe që kemi nevojë urgjente të zbusim armiqësimin që ekziston midis palëve, çka ka gjeneruar një klimë politike të pajetueshme. E kam fjalën për atë se nëse një drejtues i një institucioni shkarkon për shembull një drejtor apo një tjetër sepse ai nuk përputhet me vizionin që ai ka, apo qoftë edhe pse mendon se është i paaftë apo militant, gjithsesi është e udhës ta bëjë këtë në mënyrë sa më njerëzore, domethënë duke e thirrur, duke e falënderuar për punën që ka bërë deri më atëherë, apo edhe duke i vënë në dukje qartazi pakënaqësitë apo parealizimet, madje edhe abuzimet, por gjithsesi, duke folur me njeriun që ka përballë, dhe jo të veprojë si ata pilotët që hedhin bomba nga qielli pa parë se ç’ndodh poshtë.
Nisur nga këto kritere, që i formulova shkurt, do të thosha se i riu Meidani duhet të bënte pjesë në kategorinë e atyre që nuk do të duhej të shkarkoheshin, aq më pak menjëherë, ashtu siç ndodhi: sepse as mund të akuzohet për militant të thekur, as për korrupsion, përderisa sapo ka hyrë në atë punë dhe fare mirë mund të mendohej si një ndër ata që, me një ndryshim të sistemit dhe të frymës së punës në dogana, do të punonte edhe më i motivuar nga çka mund të ketë punuar. Nuk pretendoj se jam në brendësi të rastit dhe as se e njoh mirë punën dhe profesionalizmin e Meidanit, por po gjykoj thjesht nga perceptimi i pozicionit të tij. Dhe problemi është se rasti i shkarkimit të këtij njeriu, që perceptohet kësisoj, nuk u bë i qartë për publikun, duke na ngritur shumë dyshime për shkarkim/emërimet. Drejtoresha që e shkarkoi tha se ka shkelur etikën, por nuk u mor vesh se për çfarë etike bëhej fjalë, sepse në letrën e bërë publike prej saj nuk se kishte ndonjë informacion bindës dhe as ndonjë etikë profesionale. Ndërkaq, Ben Blushi, për t’iu përgjigjur Doris Pack-ut, u shpreh se ishte një shkarkim që kishte të bënte me mungesën e profesionalizmit të Meidanit, pra jo me etikën dhe as me përkatësinë partiake, pasi i ati ka qenë eksponent i PS-së deri edhe President i zgjedhur prej saj. Edi Rama dha variantin (me Doris Pack) se ky i ka dhënë shtypit lajmin e gjobitjes së “Kurum”-it – çka nuk duket një argument bindës për të pushuar një njeri nga puna fët e fët, aq më tepër po të kesh parasysh se është ky që i ka vënë gjobën “Kurum”-it. E përsëris, nuk dua ta ngushtoj këtë shkrim me një rast të veçantë, por nisur nga ky rast e duke e ballafaquar edhe me raste të tjera, dua të reflektoj për shkarkim/emërimet në përgjithësi. E pra, mendja më çon te dyshimi se shkarkimi i Meidanit nuk është bërë për asnjë nga arsyet e përmendura më sipër, por thjesht sepse vendi i punës së tij ishte një post i lakmueshëm që i duhej hapur dikujt tjetër. Nga sa lexojmë e dëgjojmë, ka shumë shkarkime apo zëvendësime që bëhen me këtë filozofi, që çon pastaj edhe te mungesa e ballafaqimit njerëzor për të cilin fola më lart, nganjëherë edhe tek urdhrat për shkarkime masive, siç ishte rasti i shkarkimeve në Polici. Ka shumë fakte (përveç traditës së mëhershme të kthyer tashmë në rregull) që të bëjnë të mendosh se shkarkim/emërimet u diktohen drejtuesve të institucioneve nga lart sipas pazareve partiake që janë bërë për shpërndarjen e vendeve të punës. Dhe kjo mënyrë të vepruari ka dy probleme përsa i përket efikasitetit të administratës që kërkojmë të ndërtojmë: së pari, ajo s’mund të çojë kurrsesi në krijimin e një ekipi organik dhe të motivuar për të arritur maksimumin e efikasitetit, pasi secili e di se vendin e punës e ka nga “merita” që s’kanë të bëjnë me aftësinë e tij, dhe së dyti, e shkarkon drejtuesin e institucionit, i cili duhet të jetë vetë përgjegjësi edhe për emërimet, edhe për shkarkimet (ashtu sikurse edhe për suksesin apo mossuksesin e institucionit), nga përgjegjësia e dështimit të institucionit.
Shkurt, gjykoj se, me gjithë disa deklarata të mediatizuara të Kryeministrit Rama që i paralajmëron deputetët të mos kërkojnë vende pune për kushërinjtë, ka shumë të dhëna që tregojnë se po veprohet sipas logjikës klientelare, sipas së cilës nuk ka rëndësi t’i gjendet punës njeriu, por t’i gjendet njeriut puna. Rezultatin e dimë se e kemi provuar më parë: reaksion zinxhir shkarkim/emërimesh, që shoqërojnë një proces degradimi të administratës së maxhorancës së radhës, në hullinë e traditës tashmë 20-vjeçare të përdorimit të institucioneve të shtetit për interesa korruptive private. (Panorama, 31 tetor 2013)

1 comment:

Daniela Dvorani said...

Une i jap te drejte Rames apo Tahirit kur rinovon stafet e policise apo institucioneve te tjera. Njerezit duhet te kuptojne qe edhe me indiferentizem dhe pasivitet mund te behen pjese e krimit. Dhe nese ne keto institucione ka pasur njerez te afte, po jo rezultate dmth qe ka munguar vullneti.