Sunday, January 5, 2014

Letër e hapur Prokurorit të Pëgjithshëm


Para disa ditsh ne u bëmë dëshmitarë të një akti veçanërisht të rëndë. E kam fjalën për vënien e tritolit në makinën e Prefektit të Vlorës, por edhe për qëndrimet që e pasuan atë.
Sikurse duhet të jeni në dijeni për këtë akt ne kemi dy versione diametralisht të kundërta. Njëri është versioni i palës së Prefektit që e lidh këtë akt me kërcënim për shkak të detyrës - më konkretisht me shembjen e Pallatit në Vlorë.
Në anën tjetër kemi versionin e opozitës e cila e konsideroi këtë akt si një inskenim nga ana e maxhorancës, për të justifikuar blindimin e pushtetarëve si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vëndi, siç është edhe debati i fundit lidhur me taksat.
Sikurse besoj, ju e kuptoni qartë që të dy këta versione  kanë përmbajtje të lartë rrezikshmërie, dhe, mesa gjykoj, duhet të jenë objekt i hetimeve dhe i ndjekjeve penale.
Nëse qëndron versioni i parë: dmth. se tritoli është vendosur në makinën e Prefektit me qëllime mafjoze, ky është një paralajmërim me përmbajtje tejet të rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Ai të bën të mendosh se krimi i organizuar guxon të godasë shumë lart dhe të kërcënojë edhe stabilitetin e shtetit nëse i preken interesat e tij. Kjo na e bën jetën të pasigurt të gjithëve sepse jep sinjalin që shteti nuk do të forcohet dot kurrë për të na mbrojtur nga krimi i organizuar.
Në rast se vendosja e tritolit është inskenuar nga pushtetarët atëhere përsëri jemi përpara një akti me rrezikshmëri të lartë që na e bën jetën të kërcënuar nga një qeveri dhe maxhorancë që nuk kurseka as veprime të tilla mafjoze për të arritur qëllimet e veta.
Ndëkaq nëse ky version i dytë është shpifje nga ana e maxhorancës - e cila, sikurse besoj se jeni në dijeni, nuk hezitoi të flasë edhe për "burime të saj të sigurta" - atëhere besoj se përsëri kemi të bëjmë me një shpifje me pasoja të rënda për shoqërinë, që, sipas gjykimit tim, nuk mund të kalojë pa ndëshkimin  e autorëve të saj.
Besoj se është e qartë zoti Kryeprokuror se sa e rëndësishme është detyra juaj ndaj vendit lidhur me hetimin dhe sqarimin deri në fund të kësaj ngjarjeje. Ne nuk mund të vazhdojmë me të vërteta dhe verdiktet gjyqësore që jepen nga partitë që akuzojnë njëra tjetrën dhe që pretendojnë se versionet e tyre janë edhe verdiktet e gjyqsorit, siç ka ndodhur deri më tani, fatkeqësisht.
Ne kemi nevojë të ndjejmë se përtej luftës politike dhe akuzave politike kur vjen puna për akuza kriminale kemi besimin se këto do t'i vendosë një drejtësi që nuk është as në shërbim dhe as e kërcënuar nga këto parti. Ne kemi nevojë të na bashkojë e vërteta e faktit dhe drejtësia edhe kur jemi të ndarë politikisht. Sikurse e dini deri më sot për fat të keq organet e drejtësisë nuk e kanë kryer këtë funksion. Njerëzit vazhdojmë të mendojmë se drejtësinë kundër atyre që kanë abuzuar me pushtetin do ta bëjnë ata që do të vijnë në pushtet, të cilët, në fakt, deri më sot kanë bërë revanshin e rradhës me ndihmën aktive ose pasive të organeve të drejtësisë. Konflikti maxhorancë opozitë që provokoi interpretimi i ngjarjes i bën qytetarët e thjeshtë të përjetojnë vazhdimësinë e kësaj përvoje e ta jetojnë drejtësinë në këtë vend si një konflikt mafjozësh që janë mbi drejtësinë dhe ligjin. Pa dyshim se në raste të tilla si ky i fundit dështimi i kapjes së fajtorëve e ndihmon edhe më shumë këtë përjetim, duke e bërë të paqartë kufirin që ndan drejtësinë, politikën dhe krimin e organizuar. E kjo bën që e ardhmja  e shtetit ligjor të duket shumë larg dhe, kuptohet, bashkë me këtë edhe siguria, mirëqënia dhe liria e ne të gjithëve.
Rasti në fjalë, sipas mendimit tim, është një sfidë për ju dhe kolegët tuaj, jo vetëm për të zbuluar kriminelët e vërtetë, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një procesi pavarësimi dhe fuqizimi të  organeve tona të drejtësisë.

Me shpresë se ju dhe kolegët tuaj do të ndani këtë shqetësim.
Fatos Lubonja

 (Panorama, 18 dhjetor 2013)

No comments: