Wednesday, January 29, 2014

S’mbahet shteti me gjoba



Çdokush që lëviz me makinë po jeton këto ditë një klimë frike nga policia rrugore, të pajetuar ndonjëherë këta njëzet vjet. Policë me bllok gjobe në dorë i presin në çdo cep rruge, në çdo rrethrrotullim  dhe i ndalojnë të gatshëm për tu venë gjobë. Janë aq të zellshëm në punën e tyre sa kush nuk do të prishë gjakun e  nervat më mirë të mos e marrë makinën.
Një burrë i vjetër që ka një makinë të vogël më tha se e kishin ndaluar dy herë tek rruga e Durrësit në dalje të Tiranës brenda dyqind metrash. Herën e parë tek rrethrrotullimi me shqiponjë. Nuk e mora vesh - më tha - isha i sigurt që qeshë në rregull me të gjitha, por ai më tha "kush e ka precedencën?" Të imagjinosh se mund të respektohet ndonjë rregull precedence në atë rrethrrotullim, ku s'ka as sinjalistikë precedence si në gjithë botën, është njëlloj sikur të kërkosh qiqra në hell. Shoferët atje përpiqen ku të gjejnë ndonjë hapësirë sa majtas djathtas për ta futur makinën. Pastaj, jo më larg se dyqind metra më tej, tek kthesa për Kamëz, një tjetër polic e kishte ndaluar dhe i kishte thënë "pse nuk i ndez dritat?" Edhe ai me bllok gjobe në dorë. Ndërkohë miku im i gjorë nuk dinte të thoshte nëse kthesa e Kamzës quhet Tiranë, ku mbahen dritat shuar, apo jashtë Tirane ku duhen ndezur dritat.
Shkurt është mëse e qarë se policia është lëshuar në një aksion gjobvënieje dhe duhet të jesh idiot që të mos kuptosh se ky është një "aksion me goditje të përqendruar" që bëhet nga nevoja për para. Ka gjasa që policive tu jetë thënë se po nuk realizuan planin e gjobave nuk kanë rroga.
Nuk e di se kush e ka dhënë urdhrin, por unë do t'i sugjeroja Ministrit apo Kryeministrit që ta zhbëjnë këtë urdhër sa nuk është vonë për të gjithë.
Së pari, ne kemi nevojë të mos armiqësohemi me shtetin dhe më shumë nga ç’jemi armiqësuar, të ndjejmë se shteti është në krahun e ligjit me të vërtetë dhe jo se po abuzon me të në kurrizin tonë. Vetë akti i ndalimit të tjetrit në rrugë është një akt që duhet evituar sa të jetë  mundur, sepse është ndërhyrje në qetësinë e qytetarit që po shkon në punë të vet dhe jo më edhe vënia e gjobës për minimumin e shkeljes ose pa shkelje fare.  Aq më tepër kur, si shtet, i ke për ibret rrugët, vendparkimet, vizimet e më the të thashë.
Së dyti, gjuha e përdorur nga ndonjë shef i policisë rrugore se këto gjobitje janë punë normale e policisë dhe se njerëzve u bën përshtypje ngase më parë nuk viheshin gjoba është një gënjeshtër e dyfishtë që demaskon krejt moralitetin e qeverisë.  Ne i kemi provuar mirë, edhe më parë, ndalimet nga policët për të të marrë ndonjë lek, madje kemi provuar edhe epideminë gjobitëse të karroatrecit për interes privat. Kjo e tanishmja dallohet prej tyre sepse duket sheshit se është e organizuar nga shteti, por pikërisht për këtë është një grabitje që përjetohet më rëndë sesa ajo privatja sepse nga qeveria e re ne presim të na shërbejë, siç thotë Kryeminstri dhe Kryeshërbëtori ynë, dhe jo të na presë me bllok në dorë për të na gjobitur. Më mirë të na thonë: "të dashur qytetarë, jemi keq, kontribuoni për rrogat e policëve tanë duke dërguar një sms me celular në filan numër, sesa të bëjnë sikur po na edukojnë e po na shpëtojnë nga rreziqet. Sepse, kështu minohet çdo besim tek qeveria.
Së treti, ky aksion, futet në kuadrin e fushatës së tatimeve e doganave si dhe reformën fiskale, për ta thelluar një perceptim tashmë të krijuar sipas të cilit puna konkrete e kësaj qeverie po reduktohet në punë taksidarësh. Qeveria më së pari duhet të mendojë për të ndërtuar politika që krijojnë vende pune, të ardhura e pastaj mund të vijmë tek taksat që duhet të sjellin të ardhura më shumë për buxhetin pikërisht sepse prodhohet e fitohet më shumë dhe jo në sajë të marifeteve që gjen qeveria për të na zhvatur edhe ato pak para që fitojmë, se pastaj mund të futemi në klimën e frikës se kushedi se çfarë do tu pjellë mendja nesër.
Kur i thashë një polici rrugor, që e kam të njohur: "Po e teproni shumë; 'çdo gjë me masë' ka thënë greku. S’mbahet shteti me gjoba." ai më dha një përgjigje që besoj se do të ishte mirë ta dëgjonin edhe shefat e tij. "Ke të drejtë më tha: edhe tenxherja kur e ve në zjarr të fortë dhe i mbyll kapakun pëlcet e ta hedh gjellën përpjetë, kurse kur e ve në zjarr të ngadalshëm dhe e zien dalëngadalë edhe nuk ta hedh kapakun përpjetë, që të të qërrojë sytë, edhe gjellën e bën më të shijshme." (Panorama, 14 janar 2014)

No comments: