Thursday, January 30, 2014

Vrasjet dhe debati fals mbi policinë

Pas shkrimit tim "Humbja e kredibilitetit dhe militantizimi i shoqërisë", thelbi i të cilit ishte se dy forcat politike që kemi kompensojnë kredibilittin e humbur nëpërmjet uzurpimit të çdo hapësire publike dhe militantizimit të shoqërisë, më kanë ardhur një sërë kritikash - të përsëritura tashmë - ndaj këtij qëndrimi që ka kohë që e mbroj. E kam fjalën për kritikat sipas të cilave unë, dhe ata që mendojnë si unë, duke i kritikuar apo akuzuar të dy palët, duke mbajtur distancë nga të dy palët, duke thënë se të dy palët janë njëlloj, "dy banda" etj. - prodhojmë sterilitet politik, ruajtje të statukuosë.  Dje, ata që ishin në opozitë më akuzonin se kështu po i shërbeja maxhorancës në pushtet, të cilës i interesonte statukuoja, kurse sot këta që janë në opozitë më akuzojnë për të njëjtën gjë.
Problemi është se unë i mshoj pikërisht të kundërtës: se është pikërisht dinamika false maxhorancë - opozitë,  e cila, në mungesë të forcave të reja politike, drejtësisë dhe të medieve e shoqërisë civile që duhet të denoncojnë të dyja palët, dhe jo të bëhen pjesë e njërës apo tjetrës, ka prodhuar dhe po vazhdon të prodhojë sterilitet politik dhe ruajtje të statukuosë.
Le ta ilustroj këtë që mbroj me mënyrën se si e trajton kjo kastë politike një fenomen jashtëzakonisht të rëndë që po grryen ndjenjën e sigurisë së jetës në Shqipëri. E kam fjalën për numrin e madh të vrasjeve ku spikasin edhe ato të kohëve të fundit me atentatete me tritol. Para dy ditësh përsëri një shpërthim tritoli në makinë i mori jetën në Durrës një personi që merrej me ndërtime.
E pra cili është debati apo polemika midis maxhorancës dhe opozitës që po zhvillohet lidhur me krime të tilla. Opozita akuzon se krimi ka marrë dhenë ngase janë hequr policët e aftë dhe janë zëvendësuar me militantë. Nuk mungojnë edhe akuza sipas të cilave disa krime që kanë ndodhur kundër kryekomunarësh të PD-së janë organizuar për të terrorizuar opozitën ashtu sikurse nuk mungoi edhe akuza e fundit sipas së cilës vetë kryetari i PS, Edi Rama, dhe krerë të tjerë të partisë janë krahu politik i krimit. Nga ana e maxhorancës pretendohet se krimi është paksuar dhe jepen edhe shifra për këtë dhe vazhdohet me denoncimin e policisë së Berishës, e cila ka qenë e militantizuar dhe e lidhur, ajo, me krimin.
Unë ngulmoj se të kapemi dhe mbetmi tek një polemikë e tillë do të thotë t'i ikim debatit të vërtetë që duhet bërë lidhur me krimin në Shqipëri. Askush me dy para mend në kokë nuk beson se këto krime që po ndodhin sot janë shtuar pasi u zëvendësuan disa oficerë e policë të aftë me disa të paaftë. Askush nuk beson se iu bëka atentat një kryekomunari në një komunë, për të terrorizuar opozitën, ashtu sikurse askush nuk beson se krimi po pakësohet ngase socialistët kanë vënë ca më të zot apo edhe ngase iu rrit rroga policëve apo ndryshuan ca struktura apo emra strukturash. E vërteta është se për të ulur krimin ne kemi nevojë më së pari të kërkojmë shkaqet më të thella e më të vërteta  të tij - përse psh. i është vënë tritol personit në Durrës apo kryekomunarit - dhe tu shkojmë deri në fund këtyre shkaqeve për të kuptuar sistemin, rrjetin e lidhjeve mafjoze, ekonomike e politike viktimë e të cilave kanë rënë këta duke qenë ndoshta edhe bashkëpunëtorë dje. Unë besoj se ky hetim do të na çojë, në një formë ose në një tjetër, tek ajo që është më e besueshme: se sistemi ekonomik dhe politik që kemi ngritur është i lidhur ngushtësisht me krimin dhe se numri spaktakolar i vrasjeve dhe atentateve që po ndodhin sot është shenjë e rëndimit të këtij sistemi në një kohë krize siç jemi sot.
E pra unë shtroj pyetjen: a mund t'i hyjnë këto forca politike që kemi debatit mbi krimin deri në këtë thellësi dhe të ndërtojnë, pastaj, strategji, edhe të përbashkëta, për luftën kundër krimit? A mundet një gazetari në shërbim të këtyre forcave politike apo edhe një prokurori të hetojë deri në këtë nivel pa dallim partiak?  Unë them jo sepes nuk janë të interesuar për këtë pasi kjo rrugë i çon tek dega ku rrinë vetë. I kujtoj lexuesit se para disa javësh i bëra një letër të hapur Prokurorit të Përgjithshëm ku i kërkoja të hetonte me gjithë seriozitetin e duhur mbi atë se kush e vuri tritolin në makinën e prefektit të Vlorës pasi kishim dy versione politike: një të opozitës dhe një të maxhorancës, që diktonin dënimin e njërës ose tjetrës palë. Asgjë nuk ndodhi. Sepse tek ne nuk bëhet zbulimi, por e kundërta: për të mbuluar të vërtetën dramatike të krimit devijohet debati tek akuzat e ndërsjellta dhe mbrojtjet e ndërjellta se këto akuza janë palitike. Pastaj, nëpërmjet militantizimimit, kërkohet t'i imponohet shoqërisë ideja se e gjithë e vërteta qëndron tek ky debat fals. Në fakt ky është steriliteti i politikës dhe ruajtja e statukuosë dhe pikërisht për këtë duhet të dilet jashtë shinave të debatit fals të kësaj kaste politke për të hapur rrugë të reja debati, kontestimi dhe denoncimi të vërtetë. Dhe unë them se atëhere ky debat e denoncim i vërtetë do të na çonte tek fakti se krimi i organizuar dhe i paorganizuar, madje edhe vrasës, kanë hyrë sot deri në Parlamentin shqiptar pa dallim partiak e kjo do  të duhet të ngrinte shoqërinë në këmbë në protesta edhe më të fuqishme se ato kundër sjelljes së armëve kimike. (Panorama, 27 janar 2014)

No comments: