Thursday, February 6, 2014

Për Gjikën dhe të tjerë

Me një deklaratë të tij të botuar në Gazetën Panorama më 3 shkurt Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika më sulmon si “pseudogazetar” e “pseudoopinionist” nisur nga shkrimi im i datës 1 shkurt me titull “Ujkun e kemi prapa derës”. Në atë shkrim, duke marrë shkas nga tmerret e atentateve me tritol të kohëve të fundit, them, mes të tjerash, se për çfarë qëndron prapa tyre flet shumë edhe “kërcënimi” që i është bërë prefektit të Vlorës, Dervishi, me vendosjen e tritolit në makinën e tij.  Sipas asaj çka di unë sot për sot nga mediat, këtë bombë ia ka vënë një njeri që, deri në shtator 2013, ka punuar në Bashkinë e Vlorës, që paska disa biznese në Vlorë dhe të cilit, së fundi, me rastin e shembjeve në bregdet nga qeveria,  i është prishur edhe një parkim ngaqë e ka pasur pa leje. Sipas meje duhet të jesh fare pa tru që të mos mendosh se këtë parkim ky e ka siguruar  nga lidhjet me pushtetin në Vlorë ku njeriu më i pushtetshëm dhe mbrojtës i parë i ligjit është, apo duhet të jetë, ish prefekti dhe tani Kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika. Kështu që, kur prefekti i kërcënuar me bombë, Dervishi, deklaroi se dihet se cilit klan i përket bombëvënësi, se atentati është punë e krimit të organizuar dhe se ai do të vazhdojë luftën kundër informalitetit, duhet të jesh dy herë pa tru të mos mendosh se ai po aludon qartazi për Gjikën, i cili, për më tepër, është edhe i akuzuar në Prokurori për lejimin e informalitetit në Vlorë. Pra, besoj se është e drejta ime si gazetar që kërkon të vërtetën t’i bëjë këto arsyetime – që, në fakt, i bën çdo qytetar - dhe të arrijë në konkluzionin se aksionet e qeverisë me shembjet e ndërtimeve të kundërligjshme (ku fus edhe atë të pallatit me pronar vjehrrin e kryetarit të PD-së Basha) “kanë prishur ekuilibret e sistemit të ngrënies nga ujku dhe me ujkun në Vlorë”… e se, me bombën në makinën e Dervishit, “kemi të bëjmë me mesazhin e krimit të organizuar e të lidhur me politikën që kërcënon qeveritarët e rinj të mos u prekin interesat sepse, përndryshe, i presin bombat.” Në hipotezat që ngre më tej nuk mungon ajo se këtu mund të kemi të bëjmë edhe me zëvendësimin në Vlorë të “klanit” të Gjikës me ndonjë “klan” tjetër të PS-së.

Përpara kësaj analize, që më duket se është minimumi që mund t’i kërkohet një gazetari nga lexuesi i tij që të mund ta quajë gazetar, Gjika shpërthen me akuza dhe epitete, pa hyrë aspak në përmbajtje për ta kundërshtuar në mënyrë bindëse. E vetmja gjë që thotë, përtej epiteteve fyese, është: o provojeni në Prokurori se unë jam mafjoz ose mos flisni. Por unë nuk është se po flas (gabueshëm) si gazetar investigativ që kërkon të provojë (pa fakte) se  bombëvënësin e urdhëroi drejtpërdrejt Gjika. Unë them - me plot gojën dhe me të drejtën time të fjalës – se, në këtë histori, përgjegjësia, direkte apo indirekte, morale, politike, por ndoshta edhe ligjore e Gjikës për lidhje me njerëz të tillë që janë të gatshëm të venë bomba është evidente dhe se këto lidhje, që po na bëjnë të mos dallojmë më se ku mbaron politikani dhe ku fillon bombëvënësi, e se cili është më i rrezikshëm, janë fenomen i përhapur në krejt vendin që shtron pyetjen e madhe dramatike se ç’duhet të bëjmë ne për të çliruar politikën dhe ekonominë nga kapja prej krimit. Sikurse dihet, si për koincidencë, për këtë foli së fundmi edhe vetë Kerry.
Për ilustrim, shikoni se ç’po del nga vrasja dhe vrasja e mbetur në tentativë në Durrës. Një i ashtuquajtur “bizmesmen” i fuqishëm i gazit nuk heziton të paguajë 120 000 euro për të hedhur në erë një biznesmen tjetër i cili i paska prishur biznesin apo i bëka konkurrencë apo nuk i ka paguar para – një dreq e merr vesh pse. Deri këtu jemi në nivelin e “nëntokës” mafjoze dhe mund të ishim të qetë sikur në “mbitokë” të kishim institucionet tona që na mbrojnë nga këta biznesmenë. Por ja që s’mund ta kemi këtë qetësi sepse, së pari, na del përpara pyetja: si i kanë fituar të drejtat nga pushteti për të ushtruar aktivitetet e tyre këta biznesmenë që kuptohet se, kur bëjnë këto gjëra, mund të kenë bërë edhe shumë të tjera duke filluar nga mënyra e vënies së parave? Së dyti, na del se ky biznesmeni na qënka kaq i fuqishëm saqë ka njerëzit e tij në polici që e mbrojnë. E kanë mbrojtur deri në atë pikë saqë kjo mbrojtje bëri që t’i ikë koka një tjetër biznesmeni pasi bashkëpunëtorit të vrasësit të paguar nga biznesmeni nuk iu pranua në kohë denoncimi - çka bëri që shoku i tij të kryejë edhe një vrasje tjetër. Sipas versionit të opozitës, që po e marr, gjithsesi, me rezerva, por që pres të përgënjeshtrohet, lidhjet e besnesmenit bombëporositës të çojnë që nga shefat e komisariatit në policinë e Durrësit deri tek Ministri i Brendshëm.
Çfarë duhet të bëj unë si gazetar dhe qytetar përpara këtyre fakteve të tmerrshme që dëgjoj i pa ndihmuar as nga organet tona të drejtësisë e as nga politikanët tanë, madje shpesh i dizinformuar prej tyre pasi o janë të lidhur vërtet me këta lloj biznesmenësh o kanë  vetëm hallin e pushtetit apo parasë së tyre? Mos duhet të rri i qetë me mendimin se “ai gjarpër që s’më kafshon mua rrnoftë 100 vjet.” Por kjo s’është çështje vetëm personale. Ne jetojmë në një shoqëri dhe këto që po ndodhin kanë helmuar tërësisht klimën e shoqërisë ku jetojmë, ndjenjën e sigurisë së jetës e të shpresës për një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë. Disa, me ndihmën e gazetarëve militantë, të sugjerojnë taktikën: “futu në njërën bandë e sulmo të tjerët, që të jesh i mbrojtur.” Këtë bën edhe Gjika në deklaratën e tij kur i thotë Dervishit: “Ke bërë gol në portën tonë.” Pra ai duhet të harrojë se iu rrezikua koka mu në “portën e tij”. Ata të opozitës, nga ana e tyre, ulërijnë sikur i gjithë ky krim të ketë mbirë e rritur për gjashtë muaj kur të gjithë e dinë se ai është rritur e fuqizuar edhe gjatë tetë vjetëve që kanë qenë ata në pushtet.
Kush nuk i pranon gjysëm të vërtetat e këtyre për të mos e quajtur veten as të shitur dhe as budalla  i mbetet të futë kokën në rërë si struci. Por kjo do të thotë të jetosh me frikën e këtyre banditëve, si në kohën e Enver Hoxhës: “Mbylle gojën se përndryshe…!” e të harrojmë se historia na e ka provuar shumë herë atë thënin e vjetër tonën: “Ç’ka sheh në kodër, prite në votër.”
Pastaj, më thoni, si mund të jesh i qetë kur sheh që njeriu më i fuqishëm i vendit bën edhe ai rolin e një struci që ka futur kokën në rërë si struci. E kam fjalën për Kryeministrin. Në fakt po e krahasoj ironikisht me strucin sepse, për mua, ai ka një përgjegjësi të madhe për “afrimin” e krimit në politikë dhe shndrrimin e kësaj në luftë bandash. E them këtë  duke parë së fundmi edhe mosreagimin e tij përballë këtyre ngjarjeve tragjike apo kërkesën që i ka bërë në grupin parlamentar  deputetit Frroku lidhur me kërcënimet dhe fyerjet që ky i ka bërë Jozefina Topalli. Vini re: në një kohë kur në Shqipëri kanë shpërthyer bombat e vrasësve me pagesë, ka dalë në shtypin belg një akuzë e rëndë: se deputeti Frroku, që bën pjesë në maxhorancën e Kryeministrit, është një vrasës i kërkuar nga drejtësia belge. Ta do mendja që një kryeministër i angazhuar në luftë kundër krimit të organizuar do të duhej të alarmohej për këtë dhe të vinte në lëvizje të  gjitha institucionet brenda dhe jashtë vendit për ta sqaruar çështjen. Ta do mendja se përpara një akuze të tillë minimalisht grupi parlamentar socialist t’i kërkonte atij dorëheqjen deri në momentin që të sqarohej e vërteta. Mirëpo çfarë ndodh: jo vetëm që s’bëhet asgjë e tillë, por, kur opozita kërkon sqarime për këtë çështje, deputeti i dërgon Jozefina Topallit një sms me fyerje dhe kërcënime. Dhe ç’bën Kryeministri ynë? I kërkon deputetit në mbledhjen e grupit parlamentar thjesht t’i kërkojë ndjesë Topallit për gjuhën jo të hijshme që ka përdorur ndaj një gruaje. Ej, luani vendit! E kuptoni se ku jemi katandisur? Kjo është si t’i kërkosh ujkut që të tregohet i kujdesshëm për formën e hungërimave që nxjerr nga goja ndërkohë që ky të ka ngulur dhëmbët e ka në plan të të shqyejë.

Jo, punët janë shumë keq, të dashur bashkëqytetarë. E di se disa, të cilëve nuk u intereson gjë tjetër përveç “shëndetit” të bandës së tyre, do të më thonë: po ç’bëri Jozefina Topalli kur ishte në pushtet për të ndaluar këta njerëz? A nuk del edhe nga sms-ja që i ka dërguar Frroku se edhe ajo paska bashkëpunuar me të? E vërtetë, prandaj dhe them se punët janë keq, shumë keq. Ngjarjet që po ndodhin, kërkesat edhe të miqve  ndërkombëtarë, kërkojnë që njerëzit e vullnetit të mirë të maxhorancës dhe opozitës të bëjnë një pakt të rëndësishëm historik për pastrimin e politikës dhe ekonomisë nga krimi, një pakt ku t’i japin mbështetje drejtësisë të veprojë pa marrë parasysh përkatësi partiake. Por kjo u duket disave aq e pamundur, për shkak të fuqisë që ka krimi mbi partitë, drejtësinë, mediat, shoqërinë, ekonominë, krejt shtetin sa që këshilla më “e urtë” që të japin është: hani atë copë bukë dhe mbyllni gojën ose ikni një sahat e më parë nga ky vend sa pa ju plasur ndonjë bombë në makinë. Por kjo është një këshillë e gabuar. Krimi duket shumë i fortë, por kjo ndodh vetëm për shkak të nënshtrimit, indiferencës dhe dobësisë sonë. Ai përfaqëson gjithsesi interesat e një pakice që, sikur sejcili të ngrinte pjesën më të mirë të vetes së vet e ta luftonte, ai do të futej shumë shpejt në “nëntokën” ku i përket të jetojë.(Panorama, 5 shkurt 2014)

No comments: