Monday, August 24, 2015

A ndërton dot Rama shtet


Lajmet për urdhrat që paska dhënë Kryeministri në Jug, kur ishte me pushime, për të mbyllur disa diskoteka që, me muzikën e tyre të lartë, i paskan shqetësuar gjumin e natës më tërhoqën vëmendjen në mënyrë të  veçantë. Ore, paska edhe veshë ky! – u thashë me të qeshur ca miqve duke kujtuar një debat që kam bërë dikur me të ku i kam thënë se karikatura më e përshtatshme që i shkon atij është ajo e krokodilit që s’ka veshë (për të dëgjuar) sepse është i gjithi gojë.
Megjithatë më duhet të them se nuk mund veçse të solidarizohem me shqetësimin e veshëve të Ramës qytetar  pasi edhe vetë i vuaj situata të tilla. Më kujtohet se para dy tre vjetësh kam qenë edhe vetë atje ku ishte Kryeministri, në Jalë, dhe mu në mes të natës, kur sapo kisha rënë të flija në një nga çadrat e një kampingu poshtë ullinjve, në një qetësi të mrekullueshme, filloi një muzikë diskoje aty pranë që më detyroi të marr makinën dhe të ngjitem lart në mal për të fjetur në kabinë ku, në fakt, në vend të gjumit më kapi ndjenja e revoltës ndaj paturpësisë së njeriut shqiptar për t’ia ndotur jetën tjetrit si dhe ndaj bashkëpunimit të shtetit me këtë lloj njeriu. Që prej atëherë nuk shkoj më në Jug gjatë verës.
Në fakt muzika është e bukur për veshët dhe trurin vetëm atëherë kur ti zgjedh se çfarë do të dëgjosh dhe kohën kur do ta dëgjosh. Përndryshe ajo është një nga gjërat më invaduese në trurin e njeriut, jo vetëm kur ke nevojë të biesh në gjumë, - e jo të dëgjosh diskotekat apo dasmat që lenë pa gjumë një lagje të tërë, - por edhe kur je zgjuar. Sepse ti mund të jesh duke duke lexuar ndonjë libër a gazetë në shtëpi dhe komshiu të hap një muzikë aq lart saqë nëpërmjet veshëve të hyn në tru dhe të thotë mos lexo, mos mendo, por merru me mua; ti mund të jesh në një lokal me miq e kërkon të bisedosh, por i zoti i lokalit apo banakieri të ka hapur muzikën dhe ajo të thotë: dua të rri edhe unë me ju në tryezë të bisedoj, madje të jem zëri i parë. Në fakt kam vënë re se një pjesë e duan muzikën jo për punë fitimi, por sepse nuk kanë asgjë në tru dhe e mbushin atë me muzikë. A i keni parasysh ata që kalojnë me makinë me muzikë në kupë të qiellit. Ata janë kombinim më i paparë i truboshësisë me arrogancën e njeriut të ri shqipar. Prandaj Rama qytetar ka plotësisht të drejtë që është revoltuar.
Por le t’i kthehemi tani Ramës pushtetar.
Ka disa që thonë se ky urdhër është shenjë se Kryeministri ka ndjenjën e shtetit, apo se "po vendos shtet". Të përmendin me këtë rast edhe shembjen e pallateve si ai i vjehrrit të Lul Bashës, aksionin e Lazaratit, aksionin për pagesat e elektrikut nga banorët e ndonjë aksion tjetër të gjitha të kryera me ndihmën e policisë, prokurorisë e gjykatave.
Do të ishte një lajm i mirë për shqiptarët vullneti i Kryeministrit dhe i kësaj klase politike për të ndërtuar shtet, por, sipas meje, në këta urdhra ka një keqkuptim bazë - përveç atij se nuk mjaftojnë urdhrat policore për të ndërtuar shtet se përndryshe arrijmë në një shtet policor. Keqkuptimi bazë qëndron në atë se këta urdhra, që i jepen me telefon direkt Ministrit te Brendshëm, shpesh janë shprehje e arrogancës së një personi që ka personalizuar shtetin, pasi kjo nuk është punë e Kryeministrit, por e policisë së zonës. Më kujtohet se një herë më ftuan diku afër bllokut në plazhin e Durrësit për të kaluar një natë dhe kur u thashë se ka muzikë diskoje përreth që të le pa gjumë më thanë: jo se ka ardhur me pushime Saliu. Dhe personalizimi i shtetit është bash e kundërta e shtetit të së drejtës. Puna është se ne kemi një ligj që është ai i prishjes së qetësisë publike dhe ai duhet zbatuar edhe sikur kryeministri të jetë në Kinë kurse, në këtë rast, ai është zbatuar sepse zhurma i ka prishur qetësinë Kryeministrit. Përndryshe koncerti do të vazhdonte.
Poende, le të mos harrojmë se muzika është vetëm një nga instrumentet e simfonisë makabre akustike që luhet me veshët tanë si dhunë e dyfishtë - akustike dhe psikologjike - në këta njëzet e kusur vjet, madje, në të hyn edhe kori i britmave e ulërimave njerëzorë, dhe, po ashtu, të mos harrojmë se ajo të shoqëron jo vetëm kur je në plazh me pushime, por edhe në qytet kur je me punë.   Psh. një nga zërat më të shëmtuar në simfoninë e ndotjes akustike që kanë njëzet vjet që e dëgjojnë banorët e Tiranës është ajo e ndërtimeve në mes të pallateve dhe shtëpive: ruspa, buldozerë, çpues themelesh, betoniera, makina të rënda transporti, çekiçë që ngulin goshda, kthyese hekurash ditë e natë natë e ditë shkatërrojnë nervat e qytetarëve që banojnë përreth gropës së hapur për të mbushur me çimento hapësirën e gjelbër të radhës. E pra, në të njëjtën kohë kur Kryeministri jepte urdhra në breg të detit sepse po i prishej qetësia personale, unë si qytetar (dhe jo vetëm unë) kam marrë në telefon policinë e shtetit për një shembje shtëpie krejt të paligjshme që po bëhej në mes të natës duke zgjuar me tmerr fëmijë e të rritur në lagjen time. Them të paligjshme se u interesova dhe ata nuk kishin leje ndërtimi që të kishin leje shembjeje.  Përgjigjet që mora nga policia qenë “janë me leje” apo se “makinat e rënda mund të lëvizin vetëm pas orës 20, prandaj dhe buldozerët që ngarkojnë ato mund të punojnë vetëm pas kësaj ore” – Çfarë paradoksi, ndërkohë që kemi një ligj për mbrojtjen nga prishja e qetësisë publike kemi edhe një ligj tjetër që me ligj mund të prishësh qetësinë publike pikërisht në orët e gjumit. Dhe ju kujtoj, meqë ra fjala, se Kryeministri është një nga ndotësit më të mëdhenj akustikë që ka prodhuar ky tranzicion me lejet e pallateve pa asnjë kriter urbanistik që ka dhënë mes shtëpive e pallateve të banuara dhe, po të ndjekim logjikën e urdhrave me celular Tahirit,  tani që ka shkuar me banim në Surrel, s’ka shans ndokush që mund të ishte komshi i tij të shpëtojë  nga zhurma e ndonjë ndërtimi ngjitur me banesën e tij.
Ja u rrëmbeva nga zhurmat dhe po i iki idesë themelore që desha të shtroj në këtë shkrim: nëse kemi shanse që Kryeministri dhe njerëzit rrotull tij të na ndërtojnë shtetin. Problemi është se kjo puna e urdhrave që vijnë nga lart është histori e vjetër që ka të bëj me kulturën tonë të pushtetit; se Kryeministri ynë i radhës dhe ata që e rrethojnë, edhe kur bëjnë ndonjë punë të mirë, japin vazhdimisht mesazhe se atyre nuk u intereson shteti i së drejtës, por shteti i personit të tyre, klanit rreth tyre, i fisit, i shokëve, i miqve, i partisë së tyre, se janë këta që po e bëjnë këtë punë dhe, po ashtu, se kush është me ta shteti nuk e godet. Disa kohë pasi ishte shembur një ekomonstër siç qe pallati i vjehrrit të Bashës në Vlorë më qëlloi të shkoj në Qeparo ku pashë dy ekomonstra (jo vetëm atë të Koços që ka denoncuar PD-ja duke përdorur edhe ajo selektivitet, po dy) mu në vijën bregdetare. Banorët përreth më thanë se në kohën kur shembej pallati i Bashës dhe propagandohej pastrimi i bregdetit atje kanë vazhduar punimet në qetësi. Të njëjtën gjë kam parë në Velipojë me një ekomonstër tjetër që po ndërtohet nga një deputet i LSI-së. E njëjta gjë mund të thuhet për Lazaratin dhe luftën kundër drogës që vazhdon të kultivohet dhe tregtohet tjetërkund. E njëjta gjë mund të thuhet për faturat e elektrikut, ku ndërsa të vegjlit janë futur deri edhe në burg për shifra modeste, të fuqishmit vazhdojnë të mos paguajnë borxhet e akumuluara. E pra, kur ligji përdoret me dy standarde, një për të tutë dhe një për kundërshtarët e tu, një për të dobëtit dhe një për të fortët  është dy herë më keq sesa të mos përdoret fare.
Problemi është se shteti duhet të jetë ndër ato “pushtete etike" sikurse i quan Hegeli , që shërbejnë për të disiplinuar interesat private duke i venë ato në harmoni me interesat e komunitetit, kurse kur ai përdoret kundër komunitetit sepse ka në bazë arrogancën, padrejtësinë, dhunimin, selektivitetin, poshtërimin nga një pakicë të shumicës apo tjetrit kundërshtar ai nuk ka shans të pranohet nga njerëzit dhe prandaj nuk ka shans të mbijetojë si institucion. Por edhe në kuptimin e efikasitetit: një institucion është i suksesshëm atëherë kur ai vazhdon të funksionojë mirë edhe kur krijuesi apo një drejtues i tij i suksesshëm ikën prej andej. E kjo ndodh kur ai nuk vendos në krye të institucionit personin e tij dhe servilët e tij, por profesionalizmin e njerëzve që punojnë në administratë e atij institucioni. Ktheni kokën prapa për të parë se çka ndodhur me institucionet ku ka punuar Kryeministri ynë i radhës (dhe në përgjithësi drejtuesit tanë të radhës të institucioneve shtetërore). Ai prishi struktura të Ministrisë së Kulturës gjoja për të ndërtuar struktura të reja më efikase. Në fakt e bëri këtë për ta personalizuar institucionin dhe për  të mbledhur një tufë miqsh dhe servilësh rrotull tij duke mos i dhënë institucionit jo vetëm asnjë sens etik në kuptimin hegelian, por edhe asnjë efikasitet e qëndrueshmëri pasi, kur iku, la atje vetëm disa mure të kuqe në korridoret e saj dhe disa foto të Marubit ndërkohë që mori me vete krejt stafin e Ministrisë për në Bashki. E njëjta gjë ndodhi edhe në Bashki. Për 12 vjet nuk hartoi planin urbanistik të qytetit që konsiderohet kushtetuta e një qyteti që rregullon ndërtimet e gjithshka, nuk krijoi një zyrë kryearkitekti e kryeurbanisti që të mbante përgjegjësi morale profesionale dhe ligjore për çdo shkelje te rregullores së urbanistikë që ndodhte në qytet. Kjo sepse nuk donte t'i jepte pushtet këtij plani, këtyre specialistëve serioze e kompetente që do të duhej të qëndronin atje pavarësisht nga kryebashkiaku i radhës, por që ta mbante të gjithin për vete për t'i dhënë leje ndërtimi klientelës e miqve të tij e të partisë së tij. E kur iku i gjithë stafi u transferua në partinë Socaliste kurse institucioni u ribë nga e para me njerëzit e Lulzim Bashës, me të njëjtën frymë personalizimi. Tani po ribëhet përsëri me njerëzit e Veliajt. Kjo përvojë tashmë e bërë praktikë e rëndomtë është bash e kundërta e asaj që mund të quhet krijim i një institucioni “si pushtet etik:" në shërbim të komunitetit. Dhe kjo nuk është e rastësishme, por kulturë politike e trashëguar që nga koha e partisë shtet të Enver Hoxhës kur nuk vendoste ligji, por partia dhe personi në krye të saj e ku aplikohej rëndom "politika e goditjes" e cila e përdorte ligjin me dy standarde, një për "familjet e mira" njerëzit e partisë dhe një për "familjet e këqija" ose të ashtuquajturit të deklasuarit. E keqja është se në rreth vicioz sa më shumë qëndrojnë në pushtet njerëz si Kryeministri që shprehin këtë kulturë shtetërore aq më shumë akumulojnë gabime dhe krime, e, sa më shumë akumulojnë gabime dhe krime aq më shumë ndjehen të kërcënuar nga shteti ligjor si pushtet etik dhe rrisin shtetin e dështuar të arrogancës që jo rrallë çon deri në shtetin policor.
Që të dalim nga ky rreth vicioz duhen dy gjëra: njerëz që kanë nxjerrë mësime nga e kaluara dhe njëhersh, njerëz të lirë nga e kaluara. Rama dhe kjo klasë ekonomike dhe politike që ai përfaqëson për fat të keq nuk i ka të dyja këto. Siç duket sheshit jo vetëm nga shembujt që solla, Kryeministri i radhës, dhe në përgjithësi oligarkia që e rrethon "nuk ka mësuar asgjë dhe nuk ka harruar asgjë", siç thotë Talejrandi për politikanët, nga përvoja kur shkatërronin Tiranën për interesat e tyre meskine, dhe, prandaj, ne po përjetojmë një fazë të personalizimit të mëtejshëm të shtetit, të  padrejtësisë dhe arrogancës së oligarkisë që ka kapur shtetin, si dështim i shtetit të së drejtës. (Panorama, 23 gusht 2015)

No comments: