Thursday, September 17, 2015

Industria e baltës dhe industria e propagandës


Në shfaqjen e radhës të organizuar në Pallatin e Kongreseve me titull “antidroga”, fjalimi i regjisorit dhe kryeaktorit të shfaqjes, Kryeministrit Rama, u përqendrua fund e krye rreth një shprehjeje: “industria e baltës”. Kjo industri, sipas tij, na qenka një fenomen i njohur botërisht i reagimit të së keqes ndaj qeverive të suksesshme si kjo e tija, madje, sa më shumë kanë suksese ato, aq më shumë rritet industria e baltës ndaj tyre. 
Personalisht, duke parë shfaqjen, bëra çudi, për të kushedi të satën herë tashmë, se si ka mundësi që një njeri që dikur e krijoi karizmën e tij duke ironizuar diktatorin dhe të kaluarën komuniste, ka degraduar aq shumë, sa që nuk arrin të kuptojë se ajo që po shpaloste në Pallatin e Kongreseve ka një emër shumë të mirënjohur për shqiptarët: industria e propagandës komuniste. 

Si një fantazmë e asaj kohe, kjo industri na u shpalos në sallën e stërmadhe të atij pallati famëkeq të ndërtuar pikërisht në funksion të propagandës, në mënyrën më të ekzaltuar. Aty pamë si dikur, njerëz që kishin vetëm një detyrë: ta mbushnin atë sallë përplot për të treguar unitetin e partisë rreth popullit dhe të duartrokisnin, vetëm të duartrokisnin. Si në kongreset e dikurshme të Enver Hoxhës aty na u shpalosën fillimisht arritjet dhe sukseset me zërin e ministrit dhe shefit të Policisë dhe pastaj dëgjuam mbështetjen e delegacioneve të huaja, ambasadorit amerikan dhe atij italian, e më në fund e mori fjalën udhëheqësi vetë. 

Ishte një fjalim që po ta shohësh nga pikëpamja psikologjike, të ndihmon të kuptosh se si funksionojnë mendjet e sëmura totalitare, si ajo e Enver Hoxhës me shokë, që vetëm me demokracinë nuk kanë lidhje, por që tingëllonte qesharak më shumë sesa i frikshëm, për shkak të kontekstit ku jetojmë. 

Pse e them këtë? Sepse arsyeja ta do që, duke njohur problematikën e rëndë që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi me krimin e organizuar e me trafiqet e drogës, edhe nëse Policia ka arritur ndonjë sukses, siç është pakësimi i sipërfaqeve të mbjella me kanabis, detyra e një qeveritari është të përqendrohet te problematika, te punët për të nesërmen, pra të jetë sa më modest për sukseset dhe sa më i ndjeshëm ndaj mosrealizimeve. Por kështu funksionon një mendje e shëndoshë demokratike, jo ajo e Kryeministrit tonë. 

Ai ka të tjera shqetësime në kokë: të justifikohet për të keqen që ka brenda, duke e hedhur fajin jashtë vetes, si dhe të damkosë ata që vazhdojnë t’ia tregojnë fytyrën në pasqyrë ashtu siç e ka, duke mos e lënë të sundojë i pashqetësuar në mbretërinë e njerëzve të frikësuar e depersonalizuar që kërkon të ndërtojë. 

Duke u mbështetur vetëm në një gjë, pakësimin e hektarëve të mbjellë me drogë, i gjithë fjalimi i tij shpalosi vizionin e një Shqipëria ashtu siç e shihte dikur mendja delirante e Enver Hoxhës, ku më një anë qëndron qeveria e tij dhe populli që po i gëzon të mirat që i ka sjellë partia dhe udhëheqësi kryesor dhe, më anë tjetër, armiqtë e popullit dhe bashkëpunëtorët e tyre – ata që sot kanë ende mundësi të shkruajnë në gazeta, të flasin në televizione, të bëjnë opozitë, – sipas tij duke ngritur një mal me baltë dhe shpifje. Detyra jonë e parë – tha Kryeministri – është të mos i dëgjojmë ata. 

Unë hedh poshtë me neveri – vazhdoi ai – ata që i bëjnë përgjegjëse të dy palët për gjendjen e Shqipërisë (duke hedhur poshtë edhe fjalën e ambasadorit amerikan që e vuri në dukje një gjë të tillë). Jo, më një anë jemi ne, të bardhët, më anë tjetër janë ata të zinjtë: “industria e baltës”. Kujtdo që ka jetuar kohën famëkeqe të Enver Hoxhës nuk mund të mos i asociohej “industria e baltës” me shprehjet “reaksioni”, “armiqtë e partisë dhe të popullit” që, sipas Hoxhës, duheshin hequr qafe sa më parë dhe sa më tërësisht që Shqipëria të lulëzonte siç lulëzoi.

Duke dëgjuar Kryeministrin, askush nuk arriti të kuptojë një gjë, megjithatë, (besoj se edhe ambasadori amerikan dhe ai italian): Si ka mundësi që ky kalorës radikal i luftës kundër të keqes, krimit dhe drogës paska futur aq shumë kriminelë, trafikantë e të korruptuar në Parlament në krahun e tij? Dhe pse? Por detyra e industrisë së propagandës nuk është kjo. Detyra e saj është të manipulojë dhe frikësojë njerëzit. (Panorama, 17 shtator 2015)
  

No comments: