Saturday, December 12, 2015

Si e gjykoj protestën e opozitës

Së pari,  
Nuk mendoj se bunkerin prapa ministrisë së transporteve, që u sulmua ditën e enjte nga protestuesit me akuzën se po na ngre simbolet e diktaturës, Edi Rama e ka ngritur për nostalgjikët e Enver Hoxhës.  Por mendoj se si bunkerin ashtu edhe objektin tjetër të sulmuar e dëmtuar, tendën në hyrje të Kryeministrisë, aq e ndryshme nga pamja dhe materiali me bunkerin, i ka ndërtuar me mendësinë e Enver Hoxhës: duke dhunuar qendrën historike të Kryeqytetit me idenë se “historia fillon me mua”; duke përçmuar e përdhunuar opinionin publik, që në pjesën më të madhe nuk i do këta objekte; duke u vënë mbi ligjin madje duke ia kaluar dhe Enver Hoxhës në delir - sepse  gjëra të tilla ai të paktën i bënte duke ua ngarkuar specialistëve të kohës së tij, kurse ky bën vetë edhe pushtetarin edhe arkitektin, edhe urbanistin edhe artistin.
Thënë kjo, sipas meje, problemi i Ramës dhe i dhunës simbolike që ushtruan protestuesit kundër veprave të tij, që ishte një dhunë simbolike kundër tij, nuk janë thjesht këta dy objekte. Problemi më i madh është se ashtu sikurse kanë ndërtuar këta objekte, duke na zbuluar një ditë perden dhe duke na thënë: "O mangi questa minestra, o salti dalla finestra!"(O haje këtë çorbë, o hidhu nga dritarja!) ai dhe të tijtë kanë kryer edhe shumicën e aksioneve politike gjatë këtyre dy vjetëve që qeverisin. (Ngulmoj të përmend “të tijtë” sepse ka shumë njerëz që nuk mund të lahen sot nga përgjegjësia për ato që po ndodhin dhe mund të ndodhin nën drejtimin katastrofik të Edi Ramës.)
Gjykoj, pra, se dhuna që u krye nga protestuesit opozitarë ndaj dy objekteve ishte një dhunë simbolike që kërkonte të godiste dhunën kryeministrore, dhunën policore,  dhunën tatimore, dhunën mediatike, që i ka lodhur e nervozuar së shumti shqiptarët jo vetëm sepse është e shoqëruar me selektivitet dhe padrejtësi, por edhe me mashtrimin se gjoja po ushtrohet në emër të ndërtimit të shtetit, kur në fakt duket qartazi se po bëhet në emër të konsolidimit të pushtetit arrogant,  oligarkik, kleptokratik, përçmues të bandës së radhës me në krye Kryeministrin.
Kush nuk do ta lexojë kështu, dhe të nxjerrë mësime, duhet të përgatitet për akte më të dhunshme nesër që nga dhunë simbolike mund të kthehen edhe në dhunë shkatërrimtare. Reagimi i Kryeministrit dhe i të tijve nuk lë shumë shpresa se ky reflektim mund të ndodhë.

Së dyti,
Nga Kryeministri dhe opinionbërësit e mediat pranë tij po kërkohet t’i faturohet kjo dhunë një opozite të vjetër që është mësuar me akte shkatërrimi. Unë mendoj ndryshe: shansi i Edi Ramës me shokë që këta objekte vetëm u dëmtuan dhe nuk u shkatërruan plotësisht (po shprehem gjithmonë simbolikisht duke nënkuptuar me shkatërrim të plotë rrëzimin e qeverisë) është pikërisht kjo opozitë. Me atë që na shohin sytë e na dëgjojnë veshët përditë nga njerëzit që takojmë kudo, zhgënjimi ndaj kësaj maxhorance është duke u ngarkuar përditë me ndjenja urrejtjeje dhe neverie që kanë kapur kulme që mund të krahasohen vetëm me periudhat më të errëta të periudhës pas komuniste. Sepse gjendjes gjithnjë e më të rëndë ekonomike, mungesës së perspektivës dhe shpresës, korrupsionit dhe vjedhjes së paturpshme që bën klientela e Kryeministrit,  kjo maxhorancë po i bashkëngjit edhe suprlusin e tekave si ato të bunkerit, të tendës e të jaguarëve më një anë dhe arrogancën, talljen dhe përçmimin e një Kryeministrit që duket se provon kënaqësi sadiste kur fyen tall e përçmon ata që nuk lëpijnë pështymën e tij.

Sipas gjykimit tim, pra, pikërisht fakti se shumë nga njerëzit e zhgënjyer që po mbarsen me urrejtje nuk e ndjejnë të dalin në shesh për të sjellë në pushtet edhe një herë Sali Berishën dhe të tijtë, për të grabitur bashkë me të njëjtët oligarkë që dje grabisnin me Berishën dhe sot me Ramën; mendimi se qeveria teknike që po kërkon PD-ja, si shkallë për të riardhur në pushtet, do të ishte si ajo e Bashkim Finos në vitin 97-të, që e lëshoi Shqipërinë në kaos, janë fati i Edi Ramës. Sepse, sikur të dilte sot një opozitë që vërtet të frymëzonte besimin se do ta rrëzonte regjimin oligarkik, kleptokratik të instaluar në Shqipëri, që e denoncoi Basha në fjalim (pasi e ndërtoi për tetë vjet edhe vetë), dhe i të cilit sot Rama po bëhet përfaqësuesi më i urryer, jam i sigurt se ajo që do të mund të ndodhte në shesh në 25 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit nuk do të ishte thjesht gërvishtja e një bunkeri dhe thyerja e disa xhamave, por do të ishte vërtet e proporcioneve të asaj lëvizjeje që nuk i pa shqiptarët të ndarë siç janë sot, por thuajse të gjithë bashkë për të rrëzuar një regjim të urryer. (Panorama, 11 Dhjetor 2015)

No comments: