Thursday, December 8, 2016

Libri i dështuar i arkitekturës shqiptare



Libri i dështuar i arkitekturës shqiptare
Nga Fatos Lubonja

"Në emër të skandalozes forcë revolucionare të së kaluarës"
Pier Paolo Pasolini

Arkitektura e një vendi shpesh krahasohet me një libër, kapitujt e të cilit përshkruajnë epoka të ndryshme historike nëpërmjet stileve, materialeve, teknologjive të ndryshme me të cilët kanë ndërtuar njerëzit në shekuj. Por, tjetër gjë është të imagjinojmë një libër ideal, që do të presupozonte kapitujt e ruajtur siç janë „shkruar“ në kohën e tyre, dhe tjetër gjë të  flasim për librin që kemi në dorë. Sepse libri arkitektonik që kemi trashëguar, ndryshe nga një libër që ruhet në bibliotekë, ka qenë dhe është një libër i hapur ndaj agjentëve atmosferikë dhe atyre, shumë herë më të tmerrshëm, njerëzorë. Veprimi korroziv i natyrës, moskontinuiteti i historisë me rënien e disa qytetërimeve e ngritjen e të tjerëve, luftërat shkatërrimtare që i kanë shoqëruar shpesh këto e që jo rrallë, pastaj, janë shoqëruar me ngritjen e monumenteve të fitimtarëve mbi rrënojat e të mundurve, fetë apo ideologjitë e ndryshme të pushteteve që kanë kërkuar të ngrenë objektet e tyre të kultit, deliret dhe garat për madhështi të pushtetarëve, revolucionet, të tilla si ai industrial, me lëvizjet e shumta demografike që e kanë shoqëruar, etj., etj., kanë sjellë kudo në botë, jo thjesht kapituj të shtuar të librit, por edhe shumë kapituj të rishkruar e përçudnuar, që e bëjnë shumë të ndryshëm librin në krahasim me atë që do të mund të kishim pasur.
***
Duke i qëndruar metaforës, do të thoja se „shfletimi“ i librit të arkitekturës së vendeve të ndryshme ndonjëherë na vë përballë përçudnimesh ekstreme. Ka vende në të cilët duket sikur autori ka mbetur në kapitullin e parë sepse e ka fshirë dhe rifshirë atë për të shkruar gjithmonë një fillim të ri, pa arritur kështu të bëjë një libër.
Këtë përshtypje të le libri i sotëm i arkitekturës që gjejmë në truallin shqiptar, ku ndryshimi midis librit që do të mund të kishim pasur me librin që është shkruar e po shkruhet është i madh. Dhe ky ndryshim merr përmasa paradoksale kur ke parasysh se vetëm njëqind vjet më parë kishim një libër me kapitujt e shkruar gjatë shekujve, që ruanin faqet e veta thuajse në formën e vet origjinale.
***
E gjendur në një vend ku në shekuj kanë kaluar apo janë kryqëzuar qytetërime të rëndësishme si ato greko-romake, bizantine, veneciane, osmane; ku kanë bashkëjetuar popuj me fe të ndryshme: ortodoksë dhe katolikë, myslimanë sunitë e bektashinj dhe shumë komunitete me karakteristika etno-linguistike të veçanta, Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, ka pasur diversitete të mëdha kulturore, të shprehura dukshëm edhe në trashëgiminë e larmishme arkitektonike. Kanë spikatur objektet e kultit si kishat e manastiret bizantine në Jug dhe ato katolike në Veri, xhamitë sunite e teqet bektashiane, pa harruar edhe sinagogat e ebrejve sefarditë, që kanë qenë të mirëpritur në perandorinë Osmane gjatë kohës kur persekutoheshin në Evropë. Diversiteti arkitektonik ka qenë i madh edhe në ndërtimet e banesave rreth këtyre objekteve kulti. Ato ndryshonin si stilistikisht ashtu edhe përsa u përket materialeve me të cilat janë ndërtuar, si nga koha në kohë dhe nga krahina në krahinë. Duke u nisur nga Shqipëria bregdetare për të hyrë në atë të brendshmen, e për të arritur deri në zonat e thella malore do të takoje ndërtimet veneciane gjatë bregut të Adriatikut, kështjellat bizantino-osmane, qytete ku bashkohej tradita osmane-myslimane me atë të krishterë, ku pazaret dhe xhamijat bashkëjetonin me kisha e manastire, fshatrat me shtëpi prej guri mbuluar me rrasa të Jugut, shtëpitë me qerpiç në Shqipërinë e Mesme, kullat monumentale të veriut etj.

Lindja e nacionalizmit dhe perëndimorizimi
Nga e gjithë kjo pasuri dhe diversitet i librit të shkruar në shekujt paraardhës ka mbetur shumë pak. Janë veçanërisht dy shekujt e fundit ata që kanë shkatërruar shumëçka nga faqet e librit të vjetër. Sigurisht, Shqipëria nuk është e vetme në këtë aspekt. Nëse do ta krahasojmë me vendet e tjera ballkanike, që dolën edhe ata nga Perandoria Osmane, do të gjejmë shumë të përbashkëta por do të gjejmë edhe specificitete shqiptare.
Një e përbashkët e rëndësishme është se gjendja e librit arkitektonik të trevave ballkanike deri në shekullin XIX ka qenë goxha e ruajtur dhe, se ashtu sikurse pak më herët edhe në Greqi, edhe në Bullgari, në Serbi e më gjerë, në ish-Jugosllavi, binomi shkatërrim-ndërtim ka filluar të punojë rëndshëm me lindjen e nacionalizmave dhe ndërtimin e shteteve-kombe.
Deri në Luftën e Dytë Botërore, që shënon edhe ardhjen e komunizmit në shumicën e vendeve të Ballkanit, dallojmë tre tipare kryesore të përbashkëta të ideologjisë nacionaliste që kanë ndikuar, të ndërlidhur me njëri-tjetrin, edhe për transformimin e pejsazhit urban e arkitektonik:
Së pari do të veçojmë mohimin e identitetit osman, i cili në ideologjinë nacionaliste u konsiderua rezultat i një pushtimi që solli prapambetje dhe largim nga identiteti i të parëve. Si provë e kësaj mjaft të kesh parasysh se Beogradi e ka thuajse të zhdukur arkitekturën osmane (nga 300 xhami që ka pasur ka mbetur vetëm një). Studiuesi holandez i arkitekturës osmane Machiel Kiel thotë, në bashkëbisedimin e tij me Holta Vrionin botuar në këtë numër, se në Bullgari është zhdukur 98% e arkitekturës osmane kurse në Shqipëri 97% (të dhëna këto që i përkasin shekullit të kaluar e që me shumë gjasa janë thelluar). Po ashtu në Greqi ka ndodhur i njëjti fenomen.
Një tipar tjetër që ka shoqëruar binomin shkatërrim-ndërtim të nacionalizmit ballkanas dhe ngritjen e shteteve-komb ka qenë zhdukja, nëpërmjet standartizimit, asimilimit dhe diskriminimit e partikolariteteve të shumta etnike-kulturore që ekzistonin në këto treva, të cilat ruanin jo pak edhe veçoritë e tyre ndërtimore.
Si anë tjetër e medaljes së binomit vjen tipari ndërtues: ai i krijimit të një identiteti të ri. Ky, përveç kthimit në një lavdi të së kaluarës, ka synuar perëndimorizimin, tipare të të cilit janë modernizimi, industrializimi dhe revolucionit teknologjik, urbanizimi. Shumë qytete të Ballkanit filluan të ndërtojnë duke imituar arkitekturën perëndimore të shekujve XIX-XX, jo vetëm duke shtuar kapituj të rinj, por edhe duke fshirë dita-ditës historinë e tyre disa shekullore. Për të ilustruar këtë fenomen, në rastin shqiptar, është emblematik transformimi i Kullës së Sahatit në qendër të Tiranës, pranë Xhamisë së Et'hem Beut, që është ndër xhamitë themeluese të qytetit të Tiranës. Ajo është ndërtuar në stil oriental në gjysmën e parë të shekullin XIX, por mbreti Zog, në emër të perëndimorizimit, ia ndryshoi harqet origjinale me stil oriental që kishte në majë duke e kthyer në një kullë të tipit venecian, duke imituar kullën e San Markos.

Binomi shkatërrim-ndërtim dhe komunizmi
Komunizmi që erdhi pas Luftës së Dytë në shumicën e vendeve ballkanike, si një formë e dhunshme e modernizimit apo si „pseudomodernizim“, - siç e kanë quajtur një pjesë studiuesish, - apo kapitalizëm shtetëror, me kultin e mohimit të së shkuarës në emër të ngritjes së një bote të re; me lëvizjet e mëdha demografike nga fshati në qytet, me ekzaltimin që i bënte industrializimit dhe materialeve të tilla si hekuri dhe betoni, ka ndikuar shumë për të shkruar kapituj të rinj, por edhe për të fshirë faqe të tëra të kapitujve të librit të vjetër.
Për disa vende ballkanike mund të thuhet se komunizmi ka shkruar në librin e tyre të arkitekturës më shumë duke shtuar sesa duke prishur e rishkruar mbi kapitujt paraardhëse, siç mund të sjellim p.sh. rastin e Sarajevës, ku ruhet mirë qendra historike osmane dhe ndërtimet e mëvonshme austro-hungareze. Edhe Beogradi, edhe Sofja komuniste dallohen për ruajtjen më të mirë të ndërtimeve të periudhës nacionaliste pas osmane. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Bukureshtin e Çausheskut, i cili është i njohur për prishjen e një pjese të Bukureshtit të vjetër në emër të ndërtimit të arkitekturës së tij delirante paranojake.
Përsa i përket Shqipërisë, mund të thuhet se diktatura e Enver Hoxhës ka të përbashkëtat me elementë modernizues industrializues të komunizmit në vende të tjera, por ka edhe karakteristika e veta specifike.

Disa specifika shqiptare
Shqipëria, deri në ardhjen e komunizmit, ka qenë e vonuar në procesin e shkatërrimit të identitetit të vjetër dhe ndërtimi të një identiteti të ri. Kjo për disa arsye ndër të cilat do të veçonim: faktin se Shqipëria e fitoi pavarësinë më vonë, vetëm në vitin 1912, faktin se vendi kishte varfëri më të madhe, - ishte kryesisht me popullsi që jetonte në fshat, dhe procesi i industrializimit dhe modernizimit nuk kishte filluar ende - si dhe faktin se duke qene me fe të ndryshme, madje me maxhorancë myslimane, shqiptarët nuk e ndërtuan identitetin e ri mbi një përkatësi fetare. Edhe kjo ndikoi që shqiptarët, gjatë periudhës së mbretit Zog, të mos i hynin shkatërrimit të trashëgimisë osmane, veçanërisht xhamijave, në shkallën që kjo ka ndodhur në Serbi, Greqi dhe Bullgari, ku feja ortodokse dhe kombësia u panë si dy anë të së njëjtës medalje.
Kështu, deri afër Luftës së Dytë Botërore, libri që kishte trashëguar Shqipëria ishte dëmtuar më shumë nga agjentët atmosferikë se sa nga ata njerëzorë. Në pjesën më të madhe të vendit, si në fshatrat edhe në qytetet kryesore ruheshin partikolaritetet kulturore fetare të trashëguara në shekujt paraardhës, ku më ndaras dhe ku më në bashkëjetesë.
Në periudhën rreth viteve 30, mbreti Zog e përqendroi prirjen modernizuese në qytetin  Tiranës, që u bë edhe kryeqyteti i vendit, duke thirrur arkitektë italianë të kohës së fashizmit të projektojnë kryeqytetin.
Projektit perëndimorizues të nisur nga mbreti Zog iu bashkëngjit shumë shpejt projekti fashist, që synoi integrimin e Shqipërisë në perandorinë fashiste duke shkruar kësisoj kapituj të rëndësishëm edhe në librin e arkitekturës së vendit, veçanërisht në kryeqytetin Tiranë, aq sa Tirana mund të konsiderohet si qytet i projektuar nga italianët. Në projektin fashist, krahas karakterit perëndimorizues gjejmë edhe karakteristikat estetike ideologjike të arkitekturës fashiste që synonte t’i vite vulën epokës. Më emblematiku është kompleksi i arkitektit fiorentin, Gherardo Bosio, që përfshin Bulevardin e Madh me ndërtesën e Hotel Dajtit, atë të Kryeministrisë, kompleksin e ndërtesave rreth sheshit Nënë Tereza si dhe Sheshin Italia sëbashku me Stadiumin Qemal Stafa, të projektuar në mënyrë të tillë që nga avioni të ravijëzonin formën e sëpatës së liktorit.
Një karakteristikë tjetër e periudhës së ndikimit dhe pastaj pushtimit fashist ka qenë zhvillimi i arkeologjisë, që pasuroi trevat shqiptare me trashëgiminë greko-romake, më i rëndësishmi është rasti i Butrintit - dhe që vazhdoi edhe në periudhën komuniste.
Projekti modernizues fashist, ndonëse mbeti i papërfunduar, ka shkruar një kapitull të ri të rëndësishëm të librit duke u bërë, tek e fundit, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare, që e dallon atë nga vendet e tjera ballkanike.
Projekti komunist nuk e preku arkitekturën fashiste, përkundrazi e integroi atë si pjesë e modernizimit të vendit. Ideologjikisht, ai vazhdoi traditën nacionaliste të denigrimit të periudhës paraindustriale rustike-osmane shqiptare dhe, në këtë aspekt, u tregua më radikal se vende të tjera komuniste përsa i përket shkatërrimit të kësaj të kaluare osmane në emër të ndërtimit të botës së re. Raste emblematike janë shkatërrimi, fill pas Luftës së Dytë, i xhamisë themeluese të qytetit të Tiranës, Xhamia e Sulejmanit, për të ngritur në vend të saj një monument të partizanit të panjohur, si dhe shkatërrimi në vitet 60 e pazarit të vjetër të Tiranës, për të ngritur atje Pallatin e Kulturës.
Megjithatë, specifika më e madhe e komunizmit shqiptar vjen në vitet 1966-67, kur nën ndikimin e revolucionit kulturor Kinez, komunistët e shpallën Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë dhe i dhanë nismën aksionit të rinisë për prishjen e shumë kishave dhe xhamive, ose shndërrimin e tyre në salla kinemaje apo pallate sporti, e deri edhe në magazina apo stalla. Ja si e përshkruan historiani i arkitekturës osmane Machiel Kiel këtë valë: "Prej gjurmëve të Revolucionit Kulturor të vitit 1967 kujtoj minaretë e gjata që shtriheshin në një prej rrugëve kryesore të Shkodrës, e që e bllokonin krejtësisht trafikun. Në vende të tjera pamë letra të vogla udhëzimesh, që u mësonin njerëzve si të shkulnin minaretë: lidhni një litar të fortë përreth ballkonit të minaresë, mblidhni 30-40 njerëz të fortë dhe filloni të tërhiqni." Shkatërrimin e xhamive të Kavajës dhe Peqinit ai e krahason me sakrificat barbare asteke, në të cilat drejtuesit e riteve asteke shkulin nga trupi i gjallë i të sakrifikuarit zemrën që rreh. [...] "një humbje e vetshkaktuar", - thotë Kiel - "për të cilën mund të fajsohen vetëm shqiptarët, jo osmanët e ligë, të cilët, në fakt, kishat dhe manastiret më të shquara dhe më të mrekullueshme të arkitekturës mesjetare të krishterë ortodokse i lanë të paprekura." Studiuesi ka të drejtë: mjaft të kesh parasysh kishat bizantine në Jugun e Shqipërisë, kishat në Elbasan, Berat, Korçë, Shkodër, por edhe manastirin e Deçanit apo patriarkanën e Pejës në Kosovë.

Kultura konsumiste - "forca revolucionare e së kaluarës"
Një nga intelektualët evropianë që ka shprehur në mënyrën ndoshta më elokuente ndjenjat e studiuesit holandez për këtë "varfërim të dhimbshëm për bashkësinë, të cilit vështirë t’i gjendet shërim" është Pier Paolo Pasolini. Ai ka denoncuar fort në vitet 60 - 70 valët shkatërruese të modernizmit qoftë në vendet ku ky ka ardhur në formën e kapitalizmit, qoftë ku ky ka ardhur në formën e regjimeve komuniste. Në dokumentarin „Forma e qytetit“ (1974), Pasolini e vendos kamerën filmike përpara qytetit mesjetar italian Orti, që ndodhet në Lacio të Italisë. Pasi na e tregon qytetin mbi kodër në formën e tij të përsosur stilistikore, ai e lëviz kamerën majtas ku shfaqet një ndërtesë e re: "diçka e huaj që s’ka lidhje me qytetin", - thotë Pasolini. Pastaj e zhvendos djathtas dhe e vendos mbi disa ndërtesa moderne "ekstremisht mediokre, të varfra, pa fantazi, pa krijimtari", që “i përkasin një bote tjetër, kanë karaktere stilistikore komplet të ndryshme”; "që mund të ishin ndërtuar gjetkë, jo aty"; “Sepse aty”, - thotë Pasolini - ato janë një “trup i huaj”, jashtë atij që mund të quhet tesuti perfekt i qytetit dhe, që për më tepër, prishin raportin e tij me natyrën përreth. Pasolinit i shkaktojnë "dhimbje, ofendim, zemërim" këto pamje; i kujtohet qytetit i jashtëzakonshëm Yazd, në Iranin e sotëm, ku - tregon ai - ka pasur një sistem ventilimi antik dy-tre mijë vjeçar, me kullat e erës, që shëmbëllenin si tempuj grekë apo egjiptianë dhe që Shahu i kishte shkatërruar - sikur të kishte bërë një bombardim - për të ndërtuar atje një qytet të ri, në emër të modernizimit.
Për të na futur më thellë në mendimin e tij, Pasolini e vë kameran edhe përpara qytetit Sabaudia, të ndërtuar nga fashistët. Ja çfarë thotë teksa kamera shëtit mbi pejsazhin e Sabaudias:
"Sa kemi qeshur ne intelektualët me arkitekturën e regjimit me qytetet si Sabaudia. Por tani shohim se kjo arkitekturë nuk ka asgjë ireale, qesharake. Me kalimin e viteve, ne zbulojmë se kjo arkitekturë ka një karakter midis metafizikes dhe realistes. Metafizike në sensin evropian të fjalës, që na kujton pikturën metafizike të De Chiricos; realiste sepse qyteti është në dimension njerëzor, se aty jetojnë qënie njerëzore të vërteta në integritetin dhe përunjësinë e tyre. Si ta shpjegojmë këtë magji të Sabaudias? […] Unë them se Sabaudia, edhe pse u ndërtua nga fashizmi sipas disa kritereve racionaliste-estetizante-akademike, nuk i ka rrënjët tek regjimi që e porositi, por […] tek ai realitet që fashizmi e dominoi me tirani, por që nuk arriti as ta gërvishtë, e kam fjalën për realitetin e Italisë provinciale, rustike, paleoindustriale. Është ai që ka prodhuar Sabaudian jo fashizmi."
"Sot po ndodh e kundërta”, - vazhdon Pasolini - “regjimi është demokratik etj. etj., po pikërisht atë akulturim, atë homologim që fashizmi nuk arriti absolutisht ta kryejë, pushteti i sotëm i shoqërisë së konsumit po e arrin në mënyrë të përsosur […], duke shkatërruar realitetet e ndryshme partikolare italiane, duke i zhveshur realitetin mënyrave të ndryshme të të qenit njeri që Italia i ka prodhuar në mënyrë shumë të diferencuar. Fashizmi i vërtetë është pikërisht ky pushtet i qytetërimit të konsumit; është ai që po shkatërron Italinë dhe kjo po ndodh me aq shpejtësi saqë as nuk e kemi vënë re, […] ne sot po zgjohemi si nga një ëndërr e keqe në të cilën po shihnim Italinë të shkatërrohej, të zhdukej dhe duke hedhur vështrimin rreth e rrotull konstatojmë se nuk mund të bëjmë dot asgjë.”; "Se në vend të Italisë së bukur dhe njerëzore, edhe pse të varfër, sot kemi diçka të papërkufizueshme, që ta quash e shëmtuar është pak.”
Fjalët e Pasolinit përpara Sabaudias na çojnë në themelin më të thellë të refleksionit të tij mbi nevojën e mbrojtjes të kaluarës. Ai nuk e gjen arsyen thjesht tek cilësitë estetike të konteksteve të ndryshme, por në atë që e përsërit dhe ripërsërit gjatë refleksionit të tij: fjalët "realitet" dhe "zhdukje e realiteteve". Ai na bën të mendojmë se mosshikimi i bukurive të së kaluarës e ka burimin tek fshirja e së kaluarës në mendjet e njerëve, tek paaftësia e tyre për t’u përballur me të, që do të thotë edhe për të nxjerrë mësime prej saj e për të zgjidhur problemet e së tashmes duke iu referuar asaj. Sepse rruga e vetme për të kuptuar të tashmen është kërkimi në të kaluarën, kërkime që janë "hija e pyetjeve që e tashmja projekton mbi të kaluarën" (Foucault). Dhe kur fshijmë të kaluarën mbetemi pa përgjigje. Nuk arrijmë dot të kuptojmë realitetin dhe shpesh ky moskuptim zëvendësohet me irealitetin. Pasojat e kësaj janë katastrofike sepse humbasim kontaktit me “botën reale”, me njeriun real dhe nevojat e tij, për të kaluar në triumfin e “irealitetit” që së jashtmi shfaqet me spekullimet ndërtuese të shoqërisë së konsumit.
Se deri në ç’nivel mund të shkojë zëvendësimi i realitetit me irealitetin, ia vlen të tregojmë historinë e Dohas, kryeqyteti të Katarit. Sheiku i Katarit mburret sot me mbi tridhjetë grataçielat që ka ndërtuar në Doha. Ai e ka zakon t'i marrë dhe shëtisë me makinë udhëheqësit e vendeve të ndryshme që vizitojnë Katarin për t'u treguar qytetin, veçanërisht grataçielat që ka ndërtuar. "Unë i kam shumë qejf grataçielat”, - u thotë Sheiku – “Kur udhëtoj nëpër botë, sapo shoh ndonjë grataçielë që më pëlqen, urdhëroj që të më sjellin arkitektët që e kanë projektuar dhe u kërkoj të më bëjnë një si ajo në Doha." Dhe kështu në Doha janë ngritur rreth tridhjetë grataçiela që imitojnë grataçielat e ngritura nëpër botë. Por historia nuk mbaron këtu. Në njërën nga këto shëtitje, teksa sheiku tregonte grataçielat ra mbrëmja dhe befas politikani evropian që ishte me të vuri re se u ndezën menjëherë të gjitha dritat në të gjithë grataçielat. “Si ka mundësi”, - e pyeti sheikun – “jeni marr vesh me banorët që ata t'i ndezin grataçielat në të njëjtën orë?”; “Çfarë banorësh”, - ia ktheu sheiku – “aty nuk ka banorë, ato janë bosh. Dritat i ndezim ne.”; “Po ky është shpenzim i madh parash.”; “Aspak”, - iu përgjigj sheiku – “Këto para i kishim poshtë nën tokë në formën e naftës dhe i kemi nxjerrë mbi tokë.”
***
Refleksionet e Pasolinit dhe kjo histori e sheikut të Katarit i shkojnë shumë për shtat historisë së arkitekturës shqiptare të kohës së triumfit të shoqërisë së konsumit. Megjithë dëmet e mëdha të shkaktura nga komunizmi, në fillim të viteve 90, Shqipëria nuk kishte pësuar agresionin homologues të shoqërisë së konsumit dhe globalizimit, të përzjera me një ethe për t’u bërë të ngjashëm vizualisht me vendet perëndimore. Mund të thuhet se komunizmi shqiptar, edhe pse ishte shumë më shkatërrues i së kaluarës sesa komunizmat në vendet e tjera evropiane, shumë më homologues nëse do të përdornim termin pasolinian, nuk arriti kurrsesi të bëjë atë fshirje në librin e arkitekturës që ka bërë periudha 25 vjeçare e ashtuquajtur tranzicionit, që filloi në vitet 90 me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, në emër të ndërtimeve për banesa për njerëzit që gjatë regjimit kishin pasur ngushtësi banimi, dhe po kulmon me ngritjen e grataçielave të zbrazura.
Në vitet 90 asaj i shkonin ende për shtat thirrja që Pasolini i bënte në vitet 70 UNESCO-s për ruajtjen e qytetit Sana të Jemenit:
" I drejtohemi UNESCO-s ta ndihmojë Jemenin të fitojë ndërgjegjen e identitetit të vet dhe të vendit të çmuar që është."
"I drejtohemi UNESCO-s që të kontribuojë të ndalojë një spekulim mjeran që po bëhet në këtë vend, e që askush nuk e denoncon."
"I drejtohemi UNESCO-s që të ndërhyjë sa nuk është vonë që të bindë një klasë drejtuese, ende naive, se pasuria e vetme e Jemenit është bukuria e vet dhe se të ruash një bukuri të tillë do të thotë të kesh një burim ekonomik që nuk kushton asgjë ... sepse Jemeni është në kohë të mos bëjë gabimet që kanë bërë vendet e tjera."
"I drejtohemi UNESCO-s, në emër të vullnetit të vërtetë edhe pse të pashprehur ende, të popullit Jemenit, në emër të njerëzve të thjeshtë që varfëria i ka mbajtur të pastër,
në emër të hirit të shekujve të errët,
në emër të skandalozes forcë revolucionare të së kaluarës”
Kjo thirrje e Pasolinit sot duket si një thirrje e vonuar për Shqipërinë.
***
Qëllimi i këtij numri të Përpjekjes mbi arkitekturën në Shqipëri nuk është të rishkruajë librin ashtu siç mund të kishte qenë duke përshkruar periudhat e ndryshme historike edhe pse nuk mungojnë përshkrime të tilla. Qëllimi është të përpiqet të na tregojë e shpjegojë se çfarë ka ndodhur ka ndikuar që sot ne kemi një libër arkitektonik kaq të përçudnuar në raport me librin që do të mund të kishim pasur. Edhe pse artikujt janë renditur sipas epokave që shqyrtojnë, çdo artikull sjell histori, aspekte, detaje, që shërbejnë si çelësa leximi të librit ekzistues dhe që njëherësh hedhin sadokudo dritë mbi librin e humbur.

No comments: