Një video ku shfaqet
ministrja rilindëse Milva Ikonomi duke përuruar hotelin "Privilege" të
kryetarit të Bashkisë dhe Koordinatorit të PS për qarkun e Shkodrës, Valdrin
Pjetri, i cili na doli edhe ai, si shumë të tjerë, i dënuar për trafikim droge
në Itali, më ngjalli disa fantazma e makthe të vjetra që s'më ndahen.
Një herë e një kohë, kur,
pas rënies së piramidave financiare, pararendësit e rilindësve kishin marrë
pushtetin dhe kishin filluar të hidhnin themelet e Shqipërisë kapitaliste që gëzojmë
sot, kam përdorur një metaforë ku i kam krahasuar intelektualët si vetja ime,
Milva Ikonomi etj., me ata shkencëtarët gjenetistë në filmin "Jurassic
Park" të Spilbergut, që patën idenë fatkeqe të ngjizin në epruvetë
dinozaurët, duke pandehur se do ta kontrollonin procesin. Mirëpo dinozaurët u
shumuan në mënyrë të paparashikuar, dolën jashtë kontrollit, dhe rrezikuan jetën e tërë banorëve të
parkut, sepse, për më tepër, shkencëtarët kishin zgjedhur të riprodhonin një
nga dinozaurët më të rrezikshëm, tiranozaurin, që është mishngrënës. Metafora që
kam ndërtuar asokohe ishte se ne, të ashtuquajturit intelektualë, na dukej
vetja më të rëndësishëm sesa biznesmenët e rinj që kishin dalë në skenë. Sipas
nesh ata nuk mund të ekzistonim pa ne, pasi ne ishim superiorë, ishim ne
fytyra, sytë dhe truri i sistemit që po ngrihej kurse ata vetëm muskujt, sepse
ishim ne që na njihte populli, që kishim edhe mbështetje ndërkombëtare e që
ftoheshim nëpër ambasada, pasi dinim edhe gjuhë të huaja, kurse shumica e tyre
nuk dinin as shqipen mirë. Psh., a mund të hapnin dot ata gazeta e televizione
pa mendjen dhe idetë tona të ndritura? Jo që jo. Me një fjalë ne ishim si
shkencëtarët kurse ata si dinozaurët e Spilbergut. Mirëpo nuk kaloi shumë dhe
ata u rritën e fuqizuan aq shumë sa filluan, dora dorës, të na kontrollonin ne
intelektualët shumëgjuhësh: doktorë, profesorë, aktorë, piktorë, shkrimtarë,
gazetarë, historianë, gjeografë, matematicienë, fizikantë, pasi kishin një armë
shumë të fuqishme që i bënte superiorë ndaj nesh: paranë me të cilën ne duhet të
ushqenim veten dhe familjet. Aq më tepër që ata i rritën shumë shpejt me paranë
e tyre standardet e jetës kështu që kacidhet që na jepnin fondacionet e huaja
nuk na mjaftonin më, aq më pak u mjaftonin rrogat modeste shtetërore atyre prej
nesh që u bënë kryeministra, ministra apo kryetarë bashkie. Kështu tiranozaurët morën pushtetin në
parkun tonë dhe filluan të diktojnë përcaktimin e lumenjve që do të pinin dhe të
kodrave që do të hanin, të brigjeve të detit ku do të ngrinin vilat e tyre dhe
të parqeve lulishteve fushave sportive oborreve të shkollave ku do të fshinin
barin dhe gjelbërimin dhe do të ngrinin kullat e tyre prej betoni, duke e transformuar
edhe pejsazhin natyror dhe urbanistik nga dimensionet humane në dimensione
dinozauristike. Këto vendime i përgatisnin në shkresa dhe i firmosnin shkencëtarët
e bërë politikanë e i promovonin nëpër media e nëpër ambasada sivëllezërit e
tyre të shoqërisë civile. Asokohe kam shkruar edhe një shkrim me titull:
"Kukullat në skenë, oligarkët në prapaskenë" ku, kuptohet, kukullat
ishin politikanët e dalë nga sëra jonë, si Edi Rama, kurse oligarkët ishin
tiranozaurët.
Mirëpo me kohën kam
arritur në mendimin se metafora ime e asaj kohe ka pasur një kufizim të rëndësishëm.
Ka qenë gabim themelor të mendoje se tiranozaurët u krijuan nga shkencëtarët
(dmth, medemek, nga ne intelektualët). Nëse do të pranojmë se me rënien e
komunizmit e filluam të gjithë nga zero atëherë duhet të pranojmë se lindja e
tiranozaurëve dhe vendosja e sundimit të tyre erdhi kryesisht si meritë e vetë
atyre. Nëse do të pranojmë shpjegimin që i jep Hegeli ndarjes së shoqërive në
padronë dhe shërbëtorë, sipas të cilit padronë bëhen ata që nuk kanë frikë nga
vdekja kurse shërbëtorë ata që kanë frikë nga vdekja, mund të them se ata, që
metaforikisht i quajta tiranozaurë, patën meritën se në atë kohë nuk patën frikë
të venë kokën në rrezik duke u marrë me lloj lloj krimesh për të bërë para që
nga grabitjet e pronave deri
trafiqet njerëzore të prostitutave e ato të drogës, kurse pjesa tjetër, që
kishte frikë për t'u marr me këto gjëra, u bënë shërbëtorë të tyre. Ndërsa, nëse
do ti referohesha Hobsbawm-it, meritën e tyre do ta shpjegoja me faktin se, me
rënien e murit të Berlinit, mbaroi gara maratonë e nisur 200 vjet me parë midis
frymës së revolucionit industrial dhe atij francez me fitoren e të parit që do
të thotë me fitoren e primatit të ekonomisë mbi politikën, që nxori edhe në
vendet ish-komuniste, ku sundonte politika mbi ekonominë, njerëz të rinj me
talente të larta ekonomike që u mbështetën nga sivëllezërit e tyre perëndimorë. Gjithsesi, pavarësisht nga këto
shpjegime të paplota historiko - ekonomiko - psikologjiko - filozofike, duke
vazhduar me gjuhën e metaforës them se, ndryshe nga parku i Spilbergu, ku dykëmbëshit
humanë, në sajë të superioritetit të intelektit fitojnë mbi dykëmbëshit tiranozaurë, (për ata që
nuk e dinë edhe dinozaurët janë dykëmbësha) në parkun tonë tiranozaurët - me
subspecien e tyre të veçantë drogozaurët - e morën pushtetin dhe i kthyen
"shkencëtarët" në "qen roje" të tyre. Duke parë Milva
Ikonomin që i bënte reklamë
hotelit të drogozaurit Valdrin Pjetri nuk mund të mos kujtoja Metën që
inauguronte hotelin e Balilit në Sarandë, Gjiknurin tek inauguimi i Gulfit,
Berishën tek CNN-i i Ulajt, pale pastaj Edi Ramën që s'le inaugurime të tilla
pa marrë pjesë, që madje ka shpikur edhe kategorinë e tiranozaurëve gjenij duke
u venë emra tiranozarësh edhe rrugëve. Apo, se harrova, edhe krejt Parlamentin
që para disa vjetësh u ngrit i gjithi në këmbë e mbajti një minutë zi kur një
drogozaur i njohur mbeti i vrarë në luftën midis llojit.
Metafora, siç e kam
artikuluar, ka prapë disa kufizime të rëndësishme. Ajo e ka vështirë t'i japë përgjigje
atyre që mund të më thonë: ku duhet t'i fusim Sali Berishën, Fatos Nanon, Ilir
Metën, Edi Ramën tek shkencëtarët apo tek dinozaurët, tek shërbëtorët apo
padronët? Po intelektualët shqiptarë a nuk janë po ata "qen roje" të
pushtetit që shërbenin kështu edhe në kohën e primatit të politikës mbi
ekonominë? "Gjej më mirë një metaforë tjetër zoti autor ose
korrigjoje!" - më thotë zëri i këtyre kritikëve.
Duke u përpjekur ta
korrigjoj e ta zhvilloj në fillim mendova se ndoshta duhet të fus në metaforë
edhe elementin seksual ku çiftëzimi i dinozaurëve me humanë prodhon metisë apo
edhe humanë me kokë dinozauri apo dinozaurët dhe kokë humani si puna e minotaurëve
apo centaurëve. Pastaj mendova se ndoshta do të isha më afër të vërtetës nëse do
të përdorja metaforën e dramës "Rinoceronti" të Ioneskos ku asistojmë
në procesin e kthimit të humanëve në rinocerontë, me skena ku humaneve fillojnë
tu dalin brirët në ballë. Sipas këtij versioni, pas marrjes së pushtetit nga
dinozaurët, në parkun tonë fillon kthimi i humanëve në dinozaurë duke arritur
deri në erën rilindëse të dominimit të drogozaurëve mbi tiranozaurët. Por prapë
në këtë pikë më del një vështirësi. Po u kthyen të gjithë në dinozaurë atëhere
ku do t'i gjejnë këta humanët e thjeshtë që t'i përdorin si skllevër, por edhe
humanët shumëgjuhësh me tituj profesorë e doktorë që t'i përdorin si shërbëtorë
nëpër ministrira e punë administrative të rëndomta, por edhe shkrimtarët e
gazetarët e artistë e këngëtarët që t'i përdorin për propagandë; po diplomatët
nga do t'i nxjerrin pastaj? Ku ta fusim Milva Ikonomin që inauguron "Privilegjin" e drogozaurit
me emrin e valëve të lumit tonë më të madh, Drinit? Hmmm, nuk është e lehtë.
Por ndoshta e gjeta. Metafora i afrohet më shumë të vërtetës nëse, pranojmë me
hidhërim se në parkun tonë janë kthyer të gjithë në dinozaurë, por se nuk janë
të gjithë njëlloj. Ka një hierarki si në trup si në fuqi që i bën disa padronë
e të tjerë shërbëtorë, por, sipas pasurisë dhe pushtetit, këta mund të jenë
padronë të atyre më poshtë dhe shërbëtorë të atyre më lart. Ja ky do të ishte
një variant më i mirë - thashë ne vete - përndryshe do më duhet t'i kthehem
asaj metaforës së librit "Planeti i majmunëve".
Poshtë shënim: mbrëmë
pasi kisha arritur në këtë pikë të shkrimit, s'po më punonte më imagjinata dhe
rashë të fle. Në gjumë mu bë vetja sikur isha duke vazhduat shkrimin, por ndërkaq
po shndërrohesha në një tiranozaur. Dhe shenja e parë që vura re ishte se më
kishin dalë luspa në trup dhe ndjeva një shndërrim të gishtave të duarve me të
cilët po shkruaja në tastierën e kompjuterit. Në fillim ato filluan të më
mpihen, pastaj mu zhduk gishti i vogël, pastaj ai i unazës dhe më në fund ai i
mesit. Nga me pesë gishta duart mu bënë vetëm me dy gishta, i madhi dhe
treguesi, që filluan të rriten e të bëhen siç i kanë duart tiranozaurët: me dy
gishta që i përdorin në formë dare për të mbërthyer, e shkulur, e mbytur pretë
e tyre. Dhe teksa ato bëheshin gjithnjë e më të mëdhenj mu shpif Edi Rama nga
prapa shpine shumë herë më i madhe e më i fuqishëm se unë, që kishte varur kokën
e tij me gojë të madhe pa veshë dhe gjithë luspa dhe po lexonte me sytë që lëshonin
xixa çfarë po shkruaja. Në një moment
tha: "në kazan, në kazan!" dhe menjëherë u shfaq ministri i
brendshëm Lleshi që i tha: "si urdhëron shef!" dhe më kapi me darën
gjigante të dy gishtave të tij gjithë luspa dhe, teksa unë përpëlitesha i
pafuqishëm duke i folur se po shkelnin të drejtat e njeriut më rrasi në kazanin
e plehrave të padiferencura të lagjes duke i thënë shefit të tij që po gajasej:
edhe ky e paska marrë vesh që koha e humanëve ka mbaruar, por s'po e lemë të
shndërrohet. Në momentin që po më mbyllte kapakun më zuri syri Milva Ikonomin që
nën qepallat e mbuluara me luspa më hodhi një shikim gati human, sikur t'i kishte
mbetur diçka nga koha kur punonim së bashku për të drejtat e njeriut. U zgjova
i tmerruar dhe akoma nuk jam i sigurt nëse jam një njeri që pa ëndërr ikur po
kthehej në dinozaur apo jam një dinozaur që po sheh ëndërr sikur është njeri.
(Panorama, 23 gusht 2019)
No comments:
Post a Comment