Sunday, September 3, 2017

Bashkëqeverisja me popullin - antiinstitucionale, antidemokratike

Pasi e ka denigruar për katër vjet elektoratin e partisë opozitare duke e quajtur “dele” dhe kryetarin e saj “dështak”; pasi ka punuar për të kastruar shoqërinë civile deri në atë pikë saqë, pastaj, ka ngritur pyetjen “ku është shoqëria civile që t’i çoj një tufë lule në varr?”; pasi ka skualifikuar tërë gazetarët kritikë duke i quajtur “kazan”,  pasi bëri pakt me Metën për të nxjerrë Bashën nga protesta në çadër dhe pastaj  me Bashën për ta akuzuar Metën si “shushunjë”, Edi Ramës i duket se me rezultatin që arriti në votime i ka elimminuar të gjitha këto pengesa. I ka cilësuar si e keqja e Shqipërisë që u mund nga populli (në fakt nga paratë e drogës) dhe tani po shtron platformën e tij të qeverisjes, pa i llogaritur më këta faktorë. Emri që i ka vënë kësaj platforme është “bashkëqeverisje direkt me popullin”. Me një fjalë, tashmë, kush ka probleme që kanë të bëjnë me keqqeverisjen apo nevojën e ndryshimit të ndonjë gjëje nuk ka më pse të  humbasë kohë e energji të organizohet në shoqëri civile; as pse t’u drejtohet mediave, e aq më pak të mendojë të organizohet në opozitën e vjetër apo me ndonjë parti opozitare të re. Mjafton të komunikojë direkt me liderin suprem dhe gjthshka do të shkojë si jo më mirë.
Po të kthesh kokën pak në historinë jo shumë të largët, por edhe mjaft të afërt, do të gjesh jo pak shembuj qeverisjesh kësisoj. I pari që mu kujtua kur lexova nëpër media për këtë “gjetje” të re të Ramës ishte Çavesi i Venezuelës. Ai kishte organizuar një program televiziv në të cilin lidhej direkt me popullin ku njerëzit i shprehnin shqetësimet e nevojat që kishin dhe ai ua zgjidhte menjëherë direkt, me një telefonatë nga studioja.  Ka shumë gjasa që, duke e perfeksionuar idenë e bashkëqeverisjes me popullin, edhe udhëheqësi yni ta bëjë këtë nëpërmjet televizionit të tij EdiRama tv. Kush do të mësojë se ku të çon kjo lloj qeverisjeje le të shohë se ç’po ndodh sot në Venezuela.
Në fakt një variant të zbehtë të kësaj ideje, sa të vjetër aq edhe të re, e ka përdorur edhe paraardhësi i tij Sali Berisha. A nuk ju kujtohet numri i telefonit të tij ku qytetarët mund të çonin sms të ankoheshin? Po qytetari dixhital që në vend se të ankohet në institucione ankohet tek lideri legjendar i opozitës Berisha?
Sigurisht, kush e ka marrë seriozisht se Edi Rama ka nevojë vërtet të dëgjojë ankesa e kritika të njerëzve të popullit që të përmirësojë punën e tij gabohet. Po të kishte nevojë vërtet për të dëgjuar kritika, dhe t’i merrte ato seriozisht, ai do të vraponte me vrap tek Erjon Veliaj, sapo të shihte qytetarët duke protestuar për parkun që ua rrëmbeu fëmijëve pa pikë turpi një javë pasi u rrëmbeu votën. Jo. Kjo qeversje direkt me popullin duke anashkaluar institucionet është krejt tjetër gjë nga mirëqeverisja; është bash forma ekstreme e keqqeverisjes. Në thelbin e saj qëndron ideja (e gabuar) e kultit të pagabueshmërisë së liderit suprem, i cili, i shtyrë nga nevoja e sëmurë për gjith[pushtetshmëri, mendon se ai i mjafton dhe i tepron popullit të vet; i liderit që, për të rritur gjithpushtetshmërinë, përdor idenë tjetër të gabuar - se populli është i pagabueshëm - për të eliminuar kundërshtarët e tij.
Ata që duan shpjegimin e këtij fenomeni nga pikpamja psiko-sociale i ftoj të lexojë shkrimin tim “Edi Rama - narçizizmi malinj dhe shoqëria shqiptare” http://perpjekja.blogspot.si/2017/04/edi-rama-narcizizmi-malinj-dhe-shoqeria.html.
Por këtu nuk bëhet fjalë më për analiza psiko-sociale dhe as për t’i bërë thirrje Ramës që të heqë dorë nga sëmundja e tij, që nuk e kontrollon dot. Këtu bëhet fjalë për të mbrojtur ato pak arritje demokratike që na kanë mbetur. Sepse kjo lidhje direkt me populin duke anashkaluar institucionet, veçanërisht ata që shërbejnë si kontrollues të pushtetit, si opozita, mediet, shoqëria civile na kthen në kohë të errëta që i kemi provuar e që duket sheshit se nuk i kemi kaluar.
Në funksion të rezistencës ndaj këtij rreziku le të kthejmë pak vështrimin mbrapa në historinë e diktatorit tonë për të kërkuar rrënjët e fenomenit në fjalë. Historia e Shqipërisë diktatoriale ka njohur dy faza që, po t’i shohësh me kujdes, kanë dallim me njëra tjetrën, pikërisht përsa i përket fenomenit të raportit të liderit me institucionet. Faza e parë është ajo e kohës kur ishim të lidhur me Bashkimin Sovjetik. Në atë periudhë, ndonëse kishim sestemin e partisë – shtet ku pushteti i Enver Hoxhës ishte shumë i madh, u ndërtua, megjithatë, një lloj ndarje kompetencash, nëse mund ta quaj kështu, midis atij që quhej shteti dhe partisë. Për këtë Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i kryeministrit, që e mbante në vitet e para pas Luftës. E kam fjalën se në fazën e parë ekzistonte ajo që rëndom quhet “burokraci” apo pushteti i zyrave, i njerëzve teknikë e specialistë, me në krye kryeministrin e vendit Mehmet Shehu. Vërtet një pjesë e ministrave, si dhe vetë kryeministri ishin anëtarë të Byrosë Poltike, por këta qenë të detyruar të respektonin sadokudo punën e kësaj burokracie e teknokracie ku lideri suprem ndërhynte për gjëra të mëdha, po jo për të qeverisur gjithshka vetë e për të vendosur edhe se ku kishte naftë dhe ku nuk kishte psh.. Kjo pa dyshim vinte nga ajo pak përvojë e shtetit të Zogut, por edhe nga përvoja e shteti sovjetik, që edhe pse i ndërtuar mbi parimin e partisë – shtet, respektonte më shumë kompetencat e specialistëve apo  teknicienëve që punonin në institucioneve të shtetit, veçanërisht pas vdekjes së Stalinit.
Periudha e dytë është ajo e pas prishjes me BS që u inspirua nga idetë e revolucionit kulturor kinez kur kryetari Mao lëshoi gardistët e kuq për të goditur kundërshtarët e tij si Liu Shao Ci etj. duke i nxjerrë një pjesë syresh në rrugë me dacibao të varur në qafë dhe kapuç në kokë si autodafe. Ky revolucion në thelb ishte një sulm kundër pushtetit të institucioneve dhe njerëzve të tij në emër të pushtetit absolut të Maos. Të njëjtën gjë, me të njëjtin synim, bëri edhe Enver Hoxha në atë kohë. Është periudha kur mbajti fjalimin e famshëm “Kur flet klasa (punëtore F.L.) nuk flet burokratizmi”, që qe një goditje kundër Mehmet Shehut, kur hoqi edhe gradat e ushtarakëve dhe kur institucionet e shtetit, deri edhe ato të studimeve shkencorea u vunë nën një presion të madh të fletë rrufeve që bënin njerëzit e popullit (gjoja nga poshtë, por të nxitur nga lart). Ishte periudha kur shteti u zëvendësua totalisht me udhëheqësin e lavdishëm që vazhdoi (në vitet 70) me eliminimin e gjithë atyre kuadrove që kishin një lloj merite nga e kaluara e tyre e Luftës apo edhe profesionale dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të klasës që kishin vetëm një meritë: adhurimin e diktatorit. Fundi mjeran i kësaj qeverisjeje dihet.
Sigurisht sot nuk mund të arrijmë në çmendurinë dhe tragjizmin e atyre viteve. Por ajo çka shohim tregon se trashëgimia e asaj të kaluare ka mbetur shumë e fortë si tek njerëz si Edi Rama që na drejtojnë, edhe tek populli. Prandaj mendoj se kjo strategji e eliminimit të institucioneve e të kundërshtarëve nëpërmjet masave s’mund të merret kurrsesi me mendjelehtësi. As duke aplikuar atë thënien sipas së cilës historia përsëritet dy herë: të parën si tragjedi dhe të dytën si farsë. Edi Rama nuk duhet parë, siç e shohin një pjesë, si një përsëritje komike e Enver Hoxhës sepse situata e shqiptarëve nën drejtimin e tij nuk po është edhe aq komike. Thënia në fjalë i atribuohet  filozofëve si Hegeli apo Marksi që kishin një konceptim determinst të historisë, që e shihnin historinë si një ecje gjithnjë përpara drejt realizimit të një ideje që ishte përtej vullneteve njerëzore. Sipas këtij konceptimi kush kërkon ta kthejë historinë prapa bëhej qesharak. Por sipas filozofëve të tjerë si Karl Poperi psh. historia nuk ecën kështu. Ajo mund të kthehet edhe prapa e të shkojë edhe më për dreq. Ashtu sikurse nuk është e vërtetë ideja që populli nuk gabon kurrë. Tragjedi të tilla si fashizmi apo komunizmi e provuan këtë. Thënia në fjalë mund të jetë vërtethënëse (në mënyrë të kufizuar në kohë dhe hapësirë) vetëm kur bëhet fjalë për popuj që ecin përpara në dije dhe përvojë, të cilët, kur e kanë provuar një të keqe nuk e lejojnë më atë të përsëritet.  Por jo të gjithë popujt e kanë këtë mënçuri. Madje edhe ata që i konsiderojmë më të përparuarit bëjnë gabime pa fund prandaj dhe janë aq vigjilentë për të ruajtur institucionet e kontrollit të pushteve të tilla si opozita, shoqëria civile, mediat e pavarura etj.
Duke parë historinë tonë mund të thuash se në këta 100 vjet shqiptarët kanë mësuar pak apo aspak nga historia e tyre tragjike me liderë supremë. Prandaj dhe e kanë provuar përsëritjen e historisë së tyre në forma, edhe pse të ndryshme, gjithmonë tragjike, edhe në kohën e Zogut edhe në kohën e Hoxhës edhe në kohën e paskomunizmit që nesër mund të quhet edhe koha e Berishës, e Nanons, e Metës, e Ramës.  Mefshtësia me të cilën është reaguar ndaj arrogancës së Ramës dhe po reagohet edhe ndaj kësaj aveture të tij të re është shenjë e një historie që po përsëritet në formën e një tragjedie të re. (12 korrik, 2017)

  

Zgjedhjet - pardokset e rezultatit dhe rreziku i tij

Rezultatit të këtyre zgjedhjeve përmban disa paradokse që kushdo që ka një fije racionaliteti e ka të vështirë t’i shpjegojë me reformën në drejtësi, me estetikën urbane apo me sjelljen prej rock-star-i të Ramës gjatë fushatës - sikurse lexojmë aty këtu të na e shpjegojnë njerëz nga  kampi i mbështetësve të Kryeministrit. Në fakt rezultati përmban katër paradokse që lipset të shpjegohen për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht.
Paradoksi i parë nis me faktin që, sipas të dhënave të Gallupit, Shqipëria e Edi Ramës u bë e dyta në botë, pas Sierra Leones, përsa i përket personave që duan të braktisin vendin (56%). Kujtoj se Sierra Leone po masakrohet në luftëra civile dhe ka një moshë mesatare jetëgjatësie 30 vjeç dhe se, pas Shqipërisë, në renditje vjen Liberia dhe pastaj Kongoja. Atëherë, si shpjegohet që, megjithatë, partia në pushtet shpërblehet me vota, madje jo thjesht me një ruajtje të vendit të parë, por me rritje vote? Po të dëgjoje fushatën elektorale të Edi Ramës ky paradoks edhe do të mund te shpjegohej me thirrjen e tij për t’i braktisur partitë e vogla “shushunja” me të cilat ai paska qenë i detyruar të (keq)qeverisë për shkak të sistemit klientelar dhe të korrupsionit që e mbiquajti “të tepsisë”.
Mirëpo ky arsyetim na çon tek një paradoksi i dytë. Megjithë akuzat e Ramës kundër shushunjave, të cilave, madje, iu shtuan edhe akuzat e PD-së së Lulzim Bashës, partitë bashkëqeverisëse të Ramës LSI dhe PDIU njohën rritje të votuesve dhe të deputetëve në krahasim me vitin 2013. Dhe të mos harrojmë që në votime kanë dalë rreth 140 000 votues më pak sesa në 2013-tën.
Paradoksi i tretë lidhet me pyetjen: si shpjegohet që rritja në 56% e të pashpresëve nuk ndikoi që të rritet sadopak elektorati opozitar i PD, qoftë edhe thjesht si ndëshkim, por, përkundrazi, pamë një bjerrje të mëtejshme të deputetëve të saj duke arritur minimumin historik? Një shpjegim mund të ishte fakti i të kaluarës së kësaj partie, fakti që edhe ajo ka qenë pjesë e të njëjtit sistem. Disa thonë se për këtë ka ndikuar edhe mosangazhimi i pd-istëve që Basha i përjashtoi nga listat si dhe i atyre që menduan se ai do të bënte bashkëqeverisje me Ramën.
Po këto argumente na çojnë tek një paradoks të katërt: mirë që shqiptarët nuk paskan dashur të votojnë PD për këto arsye, por si ka mundësi që një pjesë e tyre nuk votuan aq sa për të nxjerrë qoftë edhe vetëm një deputet nga partitë e Blushit dhe Bojaxhiut, por dhanë më shumë vota për parti si PDIU apo Social Demokratja e Tom Doshit që janë aleate të djeshme dhe të sotme të partisë në pushtet?
Është e qartë se shpjegimet e këtyre katër paradokseve, pra edhe i këtij rezultati paradoksal, nuk mund të konvergojnë veçse në një pikë: kemi të bëjmë me rritjen e agresvitetit të sistemit klientelar, korruptiv, të ndarjes së territorit në duar të fortësh - oligarkë apo të lidhur me paratë e drogës - që po i shndërron shqiptarët gjithnjë e më shumë – nga halli apo nga malli - në bashkëpunëtorë të këtij sistemi.  Përdora termin bashkëpunëtor duke pasur parasysh thënien e Orwellit se një popull që voton politikanët e korruptuar nuk është viktimë, por bashkëpunëtor i tyre.


Dobësia e kronike dhe akute e PD-së

Si anë tjetër e medaljes së këtij shkaku të rezultatit kemi dobësinë e opozitës.  Kur flas për dobësi të opozitës kam parasysh mbi të gjitha dobësinë e PD-së, por nuk mund të mos anlizohet edhe rezultati i dobët i partive të reja opozitare si Libra e Blushit dhe Sfida e Bojaxhiut.
Përsa i përket PD-së mund të flisja për dy dobësi të saj: një “kronike”, që ka të bëjë me kohën që ka qenë në pushtet, dhe një“akute”: dobësia që tregoi Lulzim Basha në momentet para zgjedhore.
Dobësia kronike e PD-së lidhet me faktin se, në pushtet, edhe ajo ka vepruar sipas parimit “vidh shqiptarët për të vjedhur votën dhe vidh votën për të vjedhur shqiptarët”, se nuk ka përfaqësuar interesate56%-shit, por të një pakice gjithnjë e më të kriminalizuar, pra se edhe ajo ka dhënë një kontribut jo të vogël për ta çuar shifrën e të pashpresëve në 56%. Kjo e sëmurë kronike, nuk mund ta fitonte luftën me Ramën e LSI-në me të njëjtat mjete si të tyret, sepse, ndërkaq, këta i kishin marrë edhe Bashkinë e Tiranës, duke mbledhur rreth vetes jo vetëm paratë e oligarkëve, por duke shtuar edhe ato të njërëzve të krimit.
Duke e ndjerë këtë dobësi PD u kujtua në gjysmën e mandatit të Ramës të denonconte njerëz të krimit të futur në Parlament dhe në disa bashki, të denonconte kanabizimin e vendit, por, për shkak të dobësisë kronike, me këto aksione nuk arriti të prekte sensibilitetin e 56%-shit. Atëhere u fut në çadër. Por edhe aksioni i çadrës (siç rezultoi) nuk synonte zemrat e këtyre njerëzve, por  sensibilizimin e të huajve. Në momentin kur u pa se këta nuk e mbështetën, Basha doli nga çadra dhe u fut në një marrëveshje të turpshme me Ramën duke i shtuar dobësisë kronike të PD-së edhe dobësinë e tij akute.
Gjithsesi, mëkati më i madh i Bashës nuk është se humbi zgjedhjet. Mëkati i tij më i madh është që, ashtu siç e menaxhoi situatën e krijuar, me marrëveshjen me Ramën e qendrimin në fushatë, ai mori rolin e gjethes së fikut për mbulimin e një realiteti dramatik që vetë e kishte denoncuar (rrejshëm) për tre muaj në çadër. Fakti që LSI, ashtu sikurse dhe PDIU u rrit në numër votuesish dhe në numër deputetësh, megjithëse ndaj tyre u hap një front i dyfishtë elektoral për t’u rrëmbyer votën, tregon se me vendosjen e gjashtë ministrave dhe shtyrjen një javë të zgjedhjeve nuk mund të neutralizohej kurrsesi sistemin klientelar e i parave të drogës.

Prova e vështirë e partive të reja

Në kontekstin e këtij realiteti dramatik duhet folur edhe për rezultatin e dobët të partive të reja të sopoformuara si ajo e Blushit apo e Bojaxhiut. Moshyrja e tyre në Parlament bëhet edhe më dëshpëruese për shqiptarët që duan t’i rezistojnë këtij sistemi kriminal, veçanërisht po të kesh parasysh rezultatin e suksesshëm të partive më të vogla të sistemit si PDIU apo partia Social Demokrate e Tom Doshit që arritën të hyjnë në Parlament duke i shtuar atij edhe katër deputetë nga ata të fortët e super të pasurit e vendit e duke i hequr edhe një rezistent ndaj sistemit.
Rezultati i Libra-s dhe Sfida-s flet për rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur bashkëpunimin me sistemin e oligarkisë dhe krimit, të ndarjes së territorit në duart e të fortëve, në dëm të numrit të shqiptarëve që duan ta refuzojnë atë. Një qëndrim i tillë duket se tashmë është bërë kulturë dominante politike e popullsisë. Dëshira për të lënë vendin nuk është gjë tjetër veçse faqja tjetër e medaljes së manifestimit të kësaj kulture sepse ajo flet për dorëzim dhe ky nënkupton edhe nënshtrim dhe bashkëpunim me sistemin.

Si përfundim

Kush flet në këto kushte për një boshllëk opozitar që pret të mbushet kam frikë se sheh një ëndërr me sy hapur. Mjaft të hedhësh sytë përtej Shqipërisë dhe do të shohësh se regjimet autoritare që kontrollojnë votën e qytetarëve, duke mos lejuar rotacion e duke i bërë ata gjithnjë e më shumë bashkëpunëtorë të tyre mbulojnë pjesën më të madhe të hartës së botës. Nga sa kuptohet prej retorikave të fitimtarit Rama pas zgjedhjeve, me thirrjet e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”, për bashkëpunim të mëtejshëm me Lulzim Bashën, për ndërtimin e një ministrie që do t’i mundësojë qeverisjen direkt me popullin, kuptohet se kërkon ta “mbushë” vetë vakuumin opozitar, duke e rritur këtë kulturë bashkëpunimi edhe më tej.
Pyetja që ngrihet pas këtij rezultati është: a do të transformohen dot partitë opozitare si PD dhe LSI nga parti klientelare dhe oligarkësh, që vjedhin votën për të vjedhur shqiptarët dhe vjedhin shqiptarët për të vjedhur votën, në parti që do të shkojnë vërtet tek 56%-shi për t’i bërë rezistencë këtij rreziku?Apo protagonistët e tyre kryesorë do të kujdesen të ruajnë bizneset e interesat personale që kanë kuruar kur kanë qenë në pushet duke u shkrirë kësisoj gjithnjë e më shumë në ndërmarrjen e madhe monopoliste të Edi Ramës?
A do t’u bashkohen ato, që nesër, atyre qytetarëve tek Parku i Autobuzave të Tiranës që vetëm një javë pasi u mori votën Edi Rama ua rrethoi parkun e fëmijëve sepse ia ka dhënë për ndërtim ndonjërit prej oligarkëve që i ka financuar fushatën apo do të heshtin siç kanë bërë rëndom sepse ky oligark ka mbushur dje edhe xhepat e tyre?
A do t’u bashkohen atyre qytetarëve Blushi, Bojaxhiu dhe njerëzit e tyre në emër të një Shqipërie më të jetueshme për të gjithë, më të lirë dhe më demokratike apo do të struken nga taksidarët, policët, shantazhuesit, korruptuesit, votëblerësit dhe denigruesit e sistemit kriminal? (2 korrik, 2017)





Edi Rama dhe sistemi i tepsisë

Edi Rama ka dalë në fushatë elektorale dhe po kërkon maksimumin e votave me një argument që po e përsërit nga televisioni në television dhe nga mitingu në miting. Sipas tij janë partitë e vogla (e ka fjalën për LSI kryesisht, por edhe PDIU, PPDNJ etj.) që nuk e kanë lënë të bëjë shtet me institucione dhe administratë funksionale sepse ato imponojnë « sistemin e  tepsisë » siç e quan ai. Ky sistem - sipas tij i ndërtuar që prej 25 vjetësh - konsiston në shantazhimin e kryeministrit të zgjedhur si kryetar i partisë së madhe nëpërmjet kërkesave klientelare të të voglave të cilat, përndryshe, nuk e lenë të qeverisë.  Dhe kështu, sipas Ramës, e keqja hyn në administratë e mbetet brenda. Prandaj thotë ai, kësaj here mos i votoni ato, por votoni partinë time, që do t’ju ndërtojë më të mirën e administratave, për të dalë pastaj në një sistem bipolar, ku të dini se kë të ndëshkoni pasi të qeveris unë edhe katër vjet të tjera. Duket se në këtë hulli arsyetimi qëndron pakti që ka bërë me Lulzim Bashën për të pastruar partitë e vogla nga jeta politike e vendit.
E kanë akuzuaar se nuk ka program. Në fakt ky është programi elektoral i Ramës.
Ky argument elektoral mban era mashtrim që nga shumë larg, por, si të gjitha mashtrimet, e ka një pikë të vërtete ku Rama e ka mbështeteur levën për tua hedhur edhe një herë shqiptarëve: partitë e vogla vërtet kanë vepruar kështu. Por ama e vërteta e kësaj mënyre të vepruari është shumë më e madhe se sa kaq. Le të jap vetëm ndonjë argument që e nxjerr zhveshur gënjeshtrën e Edi Ramën.

Argumenti historik

Rama gënjen kur thotë (siç tha tek « Të paekspozuaarit » se « sistemi i tepsisë » ka funksioniuar kështu që prej 25 vjetësh. E vërteta është se në kohën e Berishës së parë ky pati mundësi të qeverisë vetëm dhe e keqja nuk erdhi nga partitë e vogla, por nga pushteti i madh i së madhes dhe të kryetarit të saj. E njëjta gjë mund të thuhet për qeverisjen e socialistëve 1997 – 2005. PS-ja në fillim përfshiu në kolacion edhe disa parti të vogla jo nga halli, por për të zgjeruar bazën e qeverisjes në emër të ndërtimit të një shteti. Nëse punët filluan të degradojnë kjo nuk ndodhi për shkak të partive të vogla, por për shkak të partisë së madhe dhe kryetarit të saj të madh.
E vërteta historike është se sistemi me parti të vogla që luajnë « king maker - in ka filluar të bëhet problem për kryeministrat pas marrëveshjes PD- LSI të vitit 2009 dhe asaj PS – LSI të vitit 2013. Dhe fakti është se dy lëvizjet e LSI-së janë aprovuar nga shumica e zgjedhësve si formë ndëshkimi ndaj autoritarizmit dhe arrogancës në rritje të të mëdhave, që është bërë më i padurueshëm edhe sesa efekti « tepsi».

Argumenti i qeverisjes Rama

Sadoqë përpiqet tua hedhë fajin partive të vogla për  keqeverisjen Rama nuk i reziston dot një argumenti që ia kanë evidentuar mëse një herë. Edhe nëse të voglat në praktikat e tyre kanë punuar sipas « sistemit të tepsisë », çfarë e ka penguar atë, atje ku e ka pasur gjithshka në dorë të vet dhe të të vetëve, të funksikonojë ndryshe, në emër të interesit publik dhe jo të klientelizmit partiak? Sikur ai dhe të vetët të mos bënin korrupsion, klientelizëm, politika partiake dhe abuzime të ndryshme ky do të ishte shembulli më i mirë për tu konfrontuar gjatë fushatës me të këqijtë dhe për të marrë votat e elektoratit të tyre. Por të gjithë e dinë se nuk ka ndodhur kështu, por e kundërta : se Rama dhe të vetët kanë qenë kampionët e keqqeverisjes dhe abuzimit gjatë këtyre katër vjetëve. Sjellja e Ramës si opozitar ndaj « sistemit të tepsisë »  po të thellohesh vetëm fare pak, kuptohet se është në fakt një vetëdenoncim.

Pse gënjen Rama

Edhe kësaj here, si në të gjitha komunikimet e tij, Rama po kërkon ta fshehë të vërtetën dhe ta manipulojë publikun me gënjeshtrën e rradhës duke na servirur një shkak të rremë të së keqes dhe një kurë të rreme. E keqja e madhe shqiptare nuk janë partitë e vogla, por kapja e të gjitha partive kryesore dhe, nëpërmjet tyre e shtetit dhe institucioneve të tij, nga 5% që i quajmë rëndom oligarkë dhe bosët e krimit. E keqja e madhe nuk qëndron tek ndarja e buxhetit të rrogave dhe të njerëzve të administratës midis militantëve të njërës parti apo tjetrës. As tek abuzimet e këtyre njerëzve. Këto janë vetëm një degës e të keqes së madhe. E keqja e madhe qëndron në masakrimin e parasë publike dhe po ashtu e territorit dhe pasurisë publike, e burimeve tokësore dhe nëntokësore, ashtu sikurse edhe turistike të vendit nga 5% që rëndom i quajmë oligarkë dhe njerëz të krimit. E keqja e madhe nuk është ndarja e tepsisë, por shndërrimi i Shqipërisë në tepsi dhe kapja e kësaj tepsie nga partitë nëpërmjet lidhjeve të shkurtëra të politikanëve si Rama me këtë 5% duke anshkaluar institucionet ose duke i përdorur këta vetëm si fasadë.
Rama nuk e thotë dot këtë të vërtetë  për dy arësye. E para sepse nëse ka njeri që ka punuar në mënyrë sistematike në shërbimi të këtij sistemi është ai. Së dyti sepse nuk ka ndërmend ta luftojë, por ta shfrytëzojë këtë sistem edhe më tej. Në fakt fushata e tij elektorale është në shërbim të këtij sistemi, por me ndryshimin se ai po synon të verë nën kontroll të gjithë tepsinë - me shumë gjasa në bashkpunim me oligarkët kryesorë të 5%-shit të cilët deri dje kanë qenë edhe me PD-në edhe me LSI-në. 
Si e tillë kjo është një zgjedhje e rrezikshme  që është një hap larg predikimit që kanë bërë diktatorët që e fajësonin demokracinë për mungesë eficense, që i bënin thirrje popullit t’ia jepnin të gjithë pushtetet atyre sepse ata dhe vetëm ata do të bëheshin garant të mbrojtjes së interesave të tyre. Musolini psh. e përkufizonte regjimin fashist si aleancë e pushtetit fashist me korporatat.

Në emër të demokracisë, lirisë, të mbrojtes së të vërtetës dhe ruajtjes së shpresave, si dhe të një shpërndarje disi më të drejtë të të ardhurave, shqiptarët duhet ta refuzojnë në kutitë e votimit me vendosmëri këtë projekt. (23 qershor, 2017)

Saturday, September 2, 2017

Të gjithë opozitarë në fushatë

Kjo është fushata elektorale më groteske që na kanë parë sytë në këta 25 vjet. Arsyet janë të shumta , por si kulm i tyre qëndron fakti se nuk ka ndodhur ndonjëherë që partitë që na kanë qeverisur këta 25 vjet të bëjnë të gjitha fushatë si opozitare. Kështu, ato ua kanë lënë votuesve “dobiçin në derë”: d.m.th. pa ditur se kë duhet të ndëshkojë për keqqeverisjen e këtyre viteve që ka bërë që 56% e shqiptarëve (sipas Gallupit) të kërkojnë të lënë Shqipërinë.
Po si arritëm deri këtu?
Gjykoj se në këtë grotesk na solli marrëveshja Rama–Basha. Fushata e nisur pas saj ka kaluar deri tani në dy faza. Në fazën e parë, aktorët e nisën fushatën si të paqartë për rolet e reja që duhet të luanin. Edi Rama e filloi me do batuta e tallje të zbehta për kundërshtarin Basha, që s’kishin asnjë efekt. Lulzim Basha, pasi e harxhoi gjithë talentin e tij si aktor te çadra, u kthye në një kopje të zbehtë të vetes. “Republika e re” filloi të tingëllonte në gojën e tij si sinonim i “Rilindjes”. Ilir Meta po përpiqej me zor të luante një lojë të dyfishtë, pa ditur nëse duhet të bënte opozitarin apo maxhoritarin. Edhe më qesharake u bë situata kur të tria palët, duke i trajtuar shqiptarët si të paaftë për të menduar përtej çka u servirin ata, filluan të na thonë se do të dalin parti e parë, duke mos pranuar të vinin në diskutim asnjë alternativë se çfarë do të bënin nëse do t’u duhej koalicioni…
Pas këtij momenti kaluam në fazën e dytë, që e gjallëroi disi skenën elektorale sepse u duk se u gjet çelësi i motivimit apo mashtrimit edhe një herë të votuesit. Konflikti opozitë (PD)– maxhorancë (PS+LSI) u zhvendos befasisht në konfliktin midis partive të mëdha PS+PD dhe partive të vogla me në krye LSI-në. Nëse Shqipëria ka pasur keqqeverisje gjatë këtyre viteve fajin nuk e kanë të mëdhatë, por “shushunjat” e vogla si LSI-ja – po thotë Rama. Kurse Basha nuk e shfajëson PS-në, por theksin e vë edhe ai te sulmet ndaj LSI-së. Si kundërpërgjigje Meta po merret me karakteristikat (i)morale të dy kryetarëve të marrëveshjes, si dhe duke bërë opozitarin për qeverisjen që ka mbështetur deri dje vetë. Kështu, kemi arritur në fazën kur, pasi të gjithë kanë bërë marrëveshje me të gjithë, kanë filluar të gjithë t’i shajnë të gjithë.

Po a duhet ta marrim aq seriozisht motorët e urrejtjes që u ndezën, apo duhen parë thjesht si “fushatë elektorale” (sipas një fjale që tha Berisha për akuzat e tij se Nano kishte vrarë Azem Hajdarin kur u pajtua me të)? Po të kemi parasysh se çfarë kanë thënë më parë për njëri-tjetrin dhe se prapë kanë bërë marrëveshje dhe koalicione, kjo urrejtje ndaj imoralitetit të kundërshtarit duhet parë me shumë mosbesim. Për të bërë analiza e parashikime nuk duhen matur helmet që derdhin kundër njëri-tjetrit, por duhet munduar t’u hyjmë kalkulimeve që kanë bërë.
Në lojën e kalkulimeve – pa përgjegjësi për të shkuarën dhe pa vizion për të ardhmen (përveç parasë dhe pushtetit)- nuk është vështirë të kuptojmë se kalkulimet jo gjithmonë u kanë shkuar mbroth deri në fund. P.sh. kalkulimet e para Rama i bëri, edhe me ndihmën e disa ambasadorëve, që të hynte pa opozitën në zgjedhje. Ishte ky kalkulim që e shtyu të pranojë Metën në presidencë. Sikur ta dinte se do të bënte marrëveshje nate me Bashën them se nuk do të bënte këtë zgjedhje. Nga ana e tij Meta e pranoi këtë, duke braktisur PD-në në fatin e vet – edhe me idenë se kështu do të merrte votat e PDsë, ndërkohë që të dy do të qeverisnin së bashku me dhe pa opozitë. Pas marrëveshjes kalkulimet ndryshuam. Metës i dolën keq sepse Rama po përdor ministrat e PD-së dhe fushatën e PD-së për të dobësuar sa të mundë fuqinë klienteliste të LSI-së, të cilën edhe po e sulmon si shkaktaren kryesore të dështimeve të tij, duke kërkuar votën e votuesit të LSI-së. Ndërkaq, fjala e përhapur (e që po zë vend) se pas zgjedhjeve mund të ketë koalicion të madh PS-PD demotivon të zhgënjyerit gjatë këtyre katër vjetëve, një pjesë e të cilëve mund të votonin një PD me frymën e çadrës, por kurrsesi një marrëveshje Rama–Basha. Kjo lojë duket se po rrit shanset e Ramës që të kapë i vetëm 71% dhe, në këtë rast futja e PD në qeverinë Rama 2 me një LSI të dobësuar të mbetur në opozitë do të ishte një asgjësim i PD-së, që nesër do të quhet një shitje e aksioneve të PD-së nga Basha për përfitime personale e të klanit të tij.
Rasti më problematik, (por jo për demokracinë) madje dhe më i mundshëm, është ai që partitë paradoksalisht nuk e përmendin: nëse do t’u duhet të bëjnë koalicione. Duke ndjekur fazën e dytë të fushatës nuk mund të mos lindë pyetja: po a do të pranonte Meta një Ramë kryeministër me gjithë këtë urrejtje që po shprehin ndaj njëritjetrit? Më shumë gjasa ka që Meta ta kondicionojë një koalicion me PS-në me ikjen e Ramës. Por, në këtë fazë të dytë të fushatës, më afër pranimit të Ramës kryeministër duket Basha. Por edhe për atë ngrihet pyetja: me ç’fytyrë do të pranojë ai një Ramë kryeministër në një qeveri PD-PS? Ndërkaq, duke pasur parasysh armiqësinë që kanë pasur si PD dhe LSI me Ramën “autoritar”, “arrogant” dhe “të lidhur me krimin”, si ka mundësi që nuk mendojnë se mund të bëjnë koalicion kundër tij nëse u dalin votat?
Këto janë pikëpyetje që i ngre çdo votues që ka pak mend në kokë dhe që ka një lloj përgjegjësie për votën që hedh. Dhe paqartësia ia bën fushatën qesharake. Por duket se ndërkaq partitë si ndërmarrje biznesi nuk e llogarisin këtë votues, por vetëm votuesin klientelist quaje po deshe pragmatist që është zhveshur nga skrupujt moralë, si dhe nga pyetjet se ku po shkon vendi i tij, por që sheh vetëm interesin e vet dhe të familjes së vet. Atij nuk i intereson të dijë nëse këta e duan njëri-tjetrin apo e urrejnë njëri-tjetrin dhe aq më pak arsyet e kësaj. Për të e rëndësishme është se fiton apo humbet, duke u bërë me njërën apo me tjetrën parti, apo koalicion të mundshëm. Modeli par exellence i këtij votuesi janë oligarkët. Janë ata që e dinë më saktë se si janë të lidhura fijet, me të cilat ndahen fitimet e që do të përcaktonin edhe koalicionet. Sipas Ilir Metës te “Të paekspozuarit” këta janë për koalicionin Rama-Basha. Sipas të tjerëve, është më i mundur një koalicion PS–LSI. Më i pamunduri duket se është ai PD–LSI, sepse kështu me sa duket ndërpriten disa fije të lidhura më parë në “Republikën e vjetër” që ka sharë aq shumë Basha në çadër.
Sido që të ndodhë, koalicioni i radhës do të jetë akti i radhës i tragjedisë dhe komedisë së radhës. E vetmja shpresë për të dalë nga kjo tragjikomedi është që ata 56% shqiptarët që, sipas Gallupit, kërkojnë të lënë Shqipërinë, – kuptohet si rezultat i keqqeverisjes dhe zhgënjimit nga të tria partitë kryesore, – t’i japin një goditje të triave, duke votuar ndonjë parti të re si LIBRA e Ben Blushit, që i është kundërvënë të triave dhe që duket se kërkon të mbesë kundër tyre në opozitë edhe pas zgjedhjeve. Të paktën sa për të ruajtur shpresën gjallë. (Panorama, 14 qershor 2017)