Monday, March 21, 2005

Virtyti politik i demokracisë dhe fushata

Korrieri, 19 mars 2005


“Virtyti politik i demokracisë - thotë Montesquieu - konsiston në heqjen dorë nga vetvetja; në vënien në mënyrë të vazhdueshme të interesit publik përpara interesit vetiak, çka është punë mjaft e lodhshme për tu përballuar.”
Nëse do të donim të trajtonim moralin politik shqiptar të periudhës pas komunizmit (s’po kaloj më përpara) nuk mund të ketë parim moral që do ta zbërthente atë më mirë sesa ky parim i Montesquieu mbi virtytin politik. Më duket e tepërt të përsëris të stërpërsëriturën se, parë nën prizmin e këtij virtyti, klasa jonë politike do të karakterizohej nga ai që Montesquieu mund ta quante “antivirtyt” dmth nga vënia në mënyrë të vazhdueshme e interesit vetiak mbi interesin publik, nga “lodhja” për të gjetur rrugë se si të grabitet publikja, nga “durimi”, për të përballuar çdo lloj akuze publike për vjedhje, korrupsion moral e material, servilizëm e hipokrizi në ëmër të interesit “të lartë” vetiak. E nuk ka dyshim, po ashtu, se mungesa e këtij virtyti tek politikanët është tregues i mungesës së tij në shoqëri.
Pasi thua këtë mbetesh i mbërthyer nga heshtja dhe pafuqia, sepse e ke të vështirë të gjesh ndonjë ide se si do të mund të futej ky virtyt në etikën politike shqiptare. E, duke mbetur deri këtu, rrezikon të të përgjigjet ndonjë “intelektual” (nga të shumtit sot në Shqipëri) e të të thotë: Pse shkruan, atëhere? Hesht, dhe merru me punët e tua, mos fut hundët në punët e të tjerëve!
Mirëpo, ndërkaq, dëmi që sjell mungesa e këtij virtyti ka qenë dhe është aq i madh, saqë, nëse ka sfidë sot shoqëria shqiptare për të përballuar, është pikërisht sfida e gjetjes së rrugëve për të implementuar këtë virtyt në shoqërinë shqiptare Duke përfshirë edhe intelektualët, madje, sepse një tjetër frëng, Sartri, atë që thotë Montesquieu për politikanin brenda nesh e thotë për intelektualin brenda nesh kur cilëson si intelektual bash atë që “fut hundët” në punët e të tjerëve – dmth. ne punët publike. Aq më e ndjerë bëhet kjo sfidë në fushatat elektorale, kur politikanët kanë filluar të përzgjedhin mes vetes kandidatët për deputetë në parlament dhe intelektualët janë angazhuar tu japin atyre ide dhe mbështetje aktive. Prandaj them se, ndonse nuk gjejmë dot një recetë shërimi të menjëhershëm, nuk duhet të reshtim së foluri për nevojën e gjetjes së rrugëve për të implementuar këtë virtyt politik ashtu sikurse të denoncojmë edhe antivirtytin që na ka pllakosur. Mendoj se fushatat zgjedhore janë ato kur shoqëria është më aktive dhe më e hapur se kurrë për të menduar për këtë virtyt e për ta implementuar atë.
Mund të thuhet se, paradoksalisht, ndonëse virtyti i predikuar nga Montesquieu qysh para afro tre shekujsh është aq i njohur dhe jo vetëm, por edhe aq i praktikuar në botën ku aspirojmë të hyjmë, në këtë nahinë tonë duket si një gjësend që jo vetëm e shohim të na qëndrojë përballë i paarritshëm, pa pasur asnjë lloj ideje se si t’i afrohemi, por edhe që na largohet përditë. Madje këtë paradoks e kemi shumë të gjallë edhe në këtë fushatë sepse, ndërkohë që lufta politike bëhet kryesisht duke tentuar të preken kordat që e bëjnë njeriun të revoltohet ndaj vjedhjes, bashkëpunimit mafjoz, abuzimit me pushtetin, më anë tjetër mënyra se si bëhet kjo na bën të ndjehemi të zhytur në një batak ku hajdutët bërtasin në emër të virtytit të Montesquieu kapeni hajdutin, vrasësit kapeni vrasësin, mashtruesit kapeni mashtruesin, spiunët kapeni spiunin pa e kuptuar as vetë pse e bëjnë këtë, kujt ia drejtojnë ato klithma, votën e cilit hajdut, vrasës, mashtrues apo spiun kërkojnë të tërheqin. E në krye të kësaj zullumhanie duket se qëndron gazeta e partisë në pushtet e cila (parti) nuk ka çudi që të dalë në fushtë elektorale me slloganin: “Kujtoni sa vrazhdë ju vodhi Berisha dhe Meta. Ne ju vjedhim më shpejt, më larg më lart.”
E prap, megjithatë virtyti politik i Montesquieu qëndron si një yull polar i politikës. E prap, tani që jemi në prag të zgjedhjeve e po përzgjidhen kandidatët për deputetë ai duket se ndrit edhe më fort. Aq më tepër që shtypi po na risjell në kujtesë (për fat të keq falë shtypit dhe drejtësisë greke dhe jo atyre tona) tragjedinë ku na çoi antivirtyri i vënies së interesit publik nën thundrën e interesit vetiak, mashtrimin piramidal, duke na treguar njëkëhësisht se politika ka mbetur në dorë të po atyre mashtruesve.
Prandaj ndoshta është koha për të folur e rifolur për virtytin politik të demokracisë që na thotë të vendosim intgeresin publik mbi interesin vetiak.
Ka pasur një ide në fillim të të ashtuquajturit tranzicion kur thuhej se në fillim do të vjedhin ca këta politikanët tanë, por pastaj, pasi ta mbushin barkun e uritur dhe xhepin e zbrazët, do të fillojnë të mendojnë për të tjerët. Kam përshtypjen se sot kjo ide është përgënjeshtruar. Sot njerëzit janë ndërgjegjësuar se të mendosh kështu është njëlloj sikur të mendosh se bulimia mund të shërohet duke ngrënë. Ajo në fakt shërohet me të tjera metoda që nga dietat e deri tek psikoterapia.
Aq më e pangjashme është provuar ideja se do të lindin, ashtu si rastësisht, njerëz idealistë që do të mendojnë për të tjerët. Koha tregoi se këta, edhe nëse ka patur, i “hëngrën” bishat e egra që mund të mbijetojnë në xhunglën tonë, o i bënë të ikin nga sytë këmbët. E zorr se mund të lindë ndonjë gjë në një vend ku s’ka farë të kësaj gjëje.
Një pjesë njerëzish kanë pasur shpresë tek ringjallja e fesë dhe e njeriut të edukuar prej saj me principet morale si ata “mos ndero zotat e rrejshëm”, “mos vraj”, “mos vidh”, “duaje tjetrin si veten tënde”, “buka harram nuk bëhet hallall” etj.. Sipas meje edhe ky burim deri më sot nuk ka dhënë rezultat dhe nuk dihet a do të japë edhe për ndonjë brez..
Ka që kanë shpresuar tek rinia meqë rinia, thuhet, është më idealiste, më e gatshme për të sakrifikuar për të tjerët, më e ndjeshme ndaj padrejtësisë. Citohet edhe Çurçilli të ketë thënë se në moshën 20 vjeç duhet të jesh komunist duke nënkuptuar pikërisht këto veti të rinisë. Por të rinjtë tanë, përkundrazi, predikojnë Çurçillin 60 vjeçar, liberizmin e egër, privatizimin ekstrem, rritjen e çmimit të shitjes së vetes, “modelin amerikan” sikurse e quajnë ata. Asgjë nuk duket se po na del edhe prej tyre e aq më pak kërkesa për tua bërë harram bukën atyre që nuk e kanë hallall.
Kush nuk beson në këto “idealizma” i ka mshuar ligjit, ose më saktë nevojës së shtrëngimit ligjor, duke thënë se ai është vendosur pikërisht sepse njerëzit nuk mendohet të jenë të virtytshëm, përkundrazi bisha për njëri tjetrin. Por edhe ligji tek ne ka rezultuar një vidë që më shumë ka ecur në boshllëk, sepse e spanuar që në hapin e parë.
Të them të drejtën, duke e bredhur mendjen për të gjetur ndonjë burim në shoqërinë tonë ku do të mund t’i hidhte rrënjët e të rritej virtyti politik i Montesquieu, vështirë të mos mbetesh me gisht në gojë.
Megjithatë them se prap nuk duhet hequr dorë. Psh., Montesquieu më duket se na e jep një çelës se nga do të mund t’ia nisnim. Ai e quan virtytin politik të vënies së publikes mbi vetiaken si virtyt të demokracisë. E theksoj, të demokracisë. Pra politikani që nuk e ka këtë virtyt mund të jetë politikan, por nuk mund të punojë për demokracinë. Ai mund të punojë për autokraci, për oligarki për kleptokraci për mediakraci e për të gjitha këto së bashku, por jo për demokraci siç ka ndodhur e po ndodh tek ne.
Ndoshta këtu duhet të kapemi. Duhet të fillojmë, pra, nga ndërgjegjësimi se pa virtytin politik të demokracisë nuk mund të kemi as demokraci dhe as liri. Na duhet një kthim tek ëndrra e viteve 90 „liri - demokraci“ e rimarrë me një tjetër vetëdije, me një tjetër eksperiencë, me tjetër thellësi, me një tjetër përgjegjësi. Duhet të marrim përgjegjësitë e lirisë që na u dhurua më 1991 pa e ditur se ajo do të thoshte edhe përgjegjësi, pa e ditur se demokracia është nëj sfidë permanente. Sepse këto vite tashmë na e kanë mësuar se nuk mund të jemi të lirë jo vetëm në një regjim diktatorial, por edhe në një regjim autokratik, kleptokratik, oligarkik, midiakratik Dhe të kesh liri dhe demokraci ka një kuptim shumë të thjeshtë: do të thotë të kesh respekt për veten, do të thotë të kesh dinjitet. Ka regjime që mund të të sigurojnë më shumë siguri jete; ka regjime që mund të të sigurojnë edhe më shumë pasuri, madje. Por shpesh çmimi i këtyre është mungesa e dinjitetit, e respektit për veten ose mungesa e respektit për të tjerët çka, në thelb, është e njëjta gjë e çka më duket se është gjëja që e ndjenë të gjithë sot në shoqërinë tonë, të pasur e të varfër. Vetëm demokracia e ngritur mbi virtytin politik të vënies së interesit publik mbi interesin vetiak de e konceptuar si sfidë permanente, u siguron të gjithëve dinjitet dhe respekt.
Sipas mitologjisë greke të Protagorës, Zeusi, pa se njerëzve, edhe pasi Prometeu u dha aftësitë për të jetuar mirë, përsëri u mungonte euboulía, dmth mënçuria për të marrë vendime në të mirë të të gjithëve, sepse, sapo mblidheshin fillonin e grindeshin me njëri tjetrin dhe shpërndaheshin. Atëhere i shqetësuar nga zhdukja e farës sonë, thirri Ermesin dhe e porositi tu jepte njerëzve respekt dhe drejtësi, të cilat do tu krijonin mundësinë të ndërtonin bashkjetesën në paqe me njëri tjetrin. Ermesi e pyeti në ç’mënyrë tua shpërndante njerëzve drejtësinë dhe respektin; „a tua shpërndaj - i tha - ashtu siç kam shpërndarë artet e tjera, dmth që një njeri posedon artin e mjekësisë dhe ai mund të kurojë shumë të tjerë që nuk e kanë këtë art; apo tua shpërndaj të gjithëve?“ „Të gjithëve - iu përgjegj Zeusi, - sepse nuk do të mund të ndërtoheshin qytetet sikur respekti dhe drejtësia tu jepeshin vetëm disave. Madje vër si ligj që kush nuk pranon drejtësi dhe respekt të dënohet me vdekje, sikur të ketë kolerën“.
Këto që thashë shumëkujt mund t’i ngjajnë me leksionet që jepeshin në fillim të viteve 90 për demokracinë. Veçanërisht duke patur parasysh ethen e fushatës së këtyre zgjedhjeve ku mbizotërojnë kalkulimet se çfarë biznesmenësh e çfarë intelektualësh e çfarë kombinacioni partish e çfarë harte zgjedhore do të favorizonte fitoren e njërës apo tjetrës palë politike. Por them se kemi nevojë për ato leksione, t’i rilexojmë edhe një herë në dritën e përvojës së këtyre vjetëve. Dhe jam i bindur se sikur fushata të kishte ca më pak kalkulime dhe premtime materiale, madje dhe ca më pak akuza të ndërsjellta për vjedhje e vrasje dhe ca më shumë refleksion mbi humbjen e dinjitetit dhe respektit në këtë demokraci të dështuar që po jetojmë, njerëzit do të bëheshin më të ndjeshëm ndaj politikës. Dhe kam bindjen se do të votonin për ata që me sinqeritetin e këtij refleksioni do t’i bindnin se do të punonin për më shumë respekt dhe dinjitet, pasi mendoj se, tek e fundit, dështimi i demokracisë dhe lirisë së ëndërruar në 90-tën qëndron mu tek mosarritja e respektit dhe dinjitetit që pandehëm se fituam. E ky nuk mund të arrihet pa kultivimin e virtytit politik për të cilin flet Montesquieu.

No comments: