Friday, April 22, 2005

Korrupsioni dhe zgjerimi i opozitës

“Shqipëria përpara jo mbrapa” – ja ku doli më në fund sllogani zgjedhor i socialistëve që, sipas shtypit, sëbashku me posterat e përgatitur, tregon se fushata e tyre do të fokusohet kësaj here thuajse tërësisht në krahasimin e dy periudhave të qeverisjes së dy rivalëve kryesorë PS - PD. Socialistët po u kërkojnë më me ngulm se gjithnjë zgjedhësve ta rikujtojnë atë periudhë, duke e vënë theksin veçanërisht më 1997-tën, e duke u bërë thirrjen të mos e bëjnë gabimin e rikthimit në të atilla situata si ato që prodhoi qeverisja e Berishës. Në fakt, ky krahasim nuk sjell ndonjë të re, ka qenë me kohë shtylla kryesore e propagandës socialiste, veçanërisht gjatë viteve të fundit, por me këto zgjedhje duket se është theksuar edhe më shumë. Kuptohet, duke qenë se e kanë gjithnjë e më të vështirë të na tregojnë se janë të bardhë, nuk u ka mbetur tjetër veçse të shtojnë dozën e kontrastit në fotot bardhë e zi që duan të na paraqesin me shpresë se grija e tyre gjithnjë e më e errët mund të duket më e bardhë se zija e 97-tës.
Ndërkaq s’mund të thuhet se PD-ja dhe mbështetësit e saj nuk e kanë vuajtur këtë propagandë apo se e injorojnë atë në emër të së tashmes, sikurse mund të duket. Aq më pak se besojnë në atë që kanë thënë shpesh për militantët e tyre se ajo që ndodhi në 97-tën ishte një revansh komunist i kryer me ndihmën e grekut. Përkundrazi, sipas meje e kanë fort të pranishme në ndërgjegjen e tyre pengesën që u ka krijuar e kaluara e tyre. Këtë ndërgjegjësim po e paraqesin edhe në fushatën e tyre, sipas meje, nëpërmjet kërkesës së rikthimit në PD të të gjithë të dëbuarve apo të larguarve në vitet 92-97. Me këtë, kuptohet, synojnë të neuralizojnë socialistët duke u dhënë në mënyrë indirekte zgjedhësve, veçanërisht atyre jo militantë, mesazhin se nuk duhet të tremben më nga fenomene si ato që u shfaqën në vitet e sundimit të Berishës sepse ai nuk do të jetë më ai i pari, dmth. atutoritari me prirje të papërmbajtura për pushtet i rrethuar nga njerëz të dhunshëm, e po ashtu se ai nuk do të jetë i vetmi që do të qeverisë, sepse thirrja e figurave që patën kurajon të largohen prej tij në atë kohë do të jetë një garanci moderimi dhe demokracie.
Zgjerimi i aleancave të PD me kundërshtarë të djeshëm më duket një gjë tejet e nevojshme për të paraqitur një alternativë që ofron qeverisje me mbështetje të gjerë dhe demokratike. Por jo e mjaftueshme, sipas meje, për të paraqitur një alternativë që ofron ndryshim. Madje nuk e shoh pa probleme këtë zgjerim ashtu sikurse fokusimin, diktuar nga fushata e PS, të fushatës së PD në tematikën e ndryshimit të imazhit të djeshëm autoritarist të saj. Këtë shqetësim e kam shprehur shkurt edhe në një shkrim (Një entuziazëm zhgënjyes, Korrieri, 24 mars, 2005) që ishte më tepër një reagim ndaj entuziazmit që shprehu shtypi pranë opozitës me rastin e afrimit në PD të disa prej kundërshtarëve të hershëm të Berishës, sesa analizë racionale. Ndërkaq shqetësimi meriton, sipas meje, një analizë shumë më të thellë. Le të shpjegohem.
Krahasimin midis periudhave të qeverisjes së Berishës dhe të Nanos mund ta bësh duke iu referuar kritereve e pikvështrimeve të ndryshme. Në kontekstin e shqetësimit që dua të shpreh preferoj ta bëj duke iu referuar një kriteri që më duket se e zbërthen më mirë idenë time : atë të aftësisë që kemi shfaqur si shoqëri civile dhe si forca politike për t’iu kundërvënë dy llojeve të regjimeve që kemi prodhuar në këto dy periudha. Me dy fjalë mendimi im është ky: regjimi i Berishës shfaqi tiparet e një autoritarizmi që ruajti disa tipare të regjimit komunist. Ai ishte i mbështetur mbi përdorimin e metodave të forta. Por pikërisht për këtë ishte një regjim ndaj të cilit shoqëria jonë ishte njëfarsoj e vaksinuar, kishte, pra, një lloj imuniteti që e bënte të aftë t’i kundërvihej autoritarizmit sepse vaksinimin e kishte kryer vuajtja e gjatë në regjimin diktatorial komunist. Ne nuk duronim dot më njësha të fuqishëm që eliminonin me rradhë kundërshtarët, ne nuk duronim dot presione policore apo të SHIK-ut, nuk duronim dot gjyqe gazetarësh me futje në burg, nuk duonim dot kontrollin shtetëror mbi median shtetërore etj. gjëra si këto që, kush e ka jetuar periudhën e Berishës, e ka të qarta se për çfarë e kam fjalën. Në një farë kuptimi, pra, regjimi i Berishës ishte një inerci e regjimit komunist. Mjafton të kujtojmë se deri më 1997 opozita e athershme nuk mundi apo nuk guxoi të bënte një manifestim proteste në sheshin Skënderbej apo nuk shfaqte dot fytyrat e saj në TVSH për të provuar se me inercinë e autoritarizmit komunist kemi patur punë deri më 1997. Kështu, sipas meje, më 1997 ne tentuam t’i japim fund kësaj inercie duke bërë atë që nuk e bëmë dot më 1991: përmbysjen e një regjimi autoritar, pavarësisht nga ekseset që e shoqëruan këto fenomen dhe paaftësinë e klasës politike për ta menaxhuar atë përmbysje - pasi më 1991 lirinë na e dhuruan nuk e fituam.
Ndërkaq, ndërsa kundër sëmundjes së autoritarizmit kishim, sikurse e thashë, një farë imuniteti, çka më konkretisht do të thotë se si politikë e shoqëri civile patëm aftësi për tu bërë sadokudo sëbashku për të krijuar një rezistencë, më duket se edhe para edhe pas 1997-tës shoqëria jonë civile dhe politika jonë u gjend pa asnjë lloj imuniteti ndaj një sëmundjeje që e filloi inkubacionin e vet në periudhën e Berishës, por që e mori zhvillimin e vet galopant gjatë periudhës socialiste. Kuptohet, e kam fjalën për sëmundjen e korrupsionit që ka ngritur jo më një regjim autoritar, por një regjim të autoritetit të korrupsionit që e mbështet fuqinë e vet tek korruptimi i gjithshkaje e të gjithkujt nëpërmjet parasë, veçanërisht të çdokuj që mund të jetë me pak influencë në lojën për pushtet. Pra, nëse shoqëria jonë civile dhe politika jonë ishin deri diku të ndjeshme dhe kishin (deri në një farë mase, të kuptohemi) imunitet ndaj shtypjes, ato u gjendën krejt pa imunitet, pa instrumente mbrojtës ndaj blerjes korruptuese dhe ndaj varfërisë që krijonte refuzimi i saj. U gjendën të pambrojtur nga lloji i pushtetarëve që në vend se t’i tregonin burgun kundërshtarëve i tregonin se me pak “bashkëpunim” mund të bëheshin të pasur. U gjendën të pambrojtur, ndaj mashtruesve të palodhur kombëtarë dhe ndërkombëtarë që e bënin natën ditë për të gjetur lloj lloj marifetesh për tua hedhur, u gjendën të pambrojtur nga oligarkët e rinj mediatikë të cilët, ndërkohë që gazetarët i gëzoheshin shtypit dhe medias private si forma pavarësie, po përgatisnin të tjera laqe për t’ua hedhur në qafë e për t’i varur në tjetërlloj trekëmbëshash - etj., etj. gjëra që më duket se nuk është nevoja t’i përsëris sepse janë të njohura nga të gjithë, po aq mirë sa edhe bëmat e Berishës autoritar.
Dikush mund ta cilësojë këtë të dytën një sëmundje më të lehtë sesa të parën, sepse më pak vdekjeprurëse, por, sipas mendimit tim, ndonëse me një inkubacion më të gjatë, ajo tashmë është sëmundja kryesore e, nëse nuk ka sjellë vdekjen, po sjell një gjë më të keqe se vdekja, vdekjen pa fund, morale e intelektuale po se po, por edhe ekonomike për shumicën. E të thuash “Shqipëria përpara dhe jo mbrapa” në këtë situatë, duke evokuar rrezikun e kthimit prapa në autoritarizmin e viteve 1992-1997, është një mashtrim i madh sepse sëmundja më e rçndë nga e cila po vuajmë sot, ajo e autoritetit të korrupsionit, ka njohur vetëm një kahe me socialistët, përparimin.
Ajo që më duket shqetësuese në prag të këtyre zgjedhjeve është çështja nëse kanë mjaftuar këto vjet për të krijuar antikorpet ndaj këtij regjimi apo do të duhen edhe vite të tjera, ndoshta edhe ndonjë kolaps tjetër, që të mund të bëhemi me imunitet ndaj kësaj sëmundjeje? E, në këtë kontekst, a e ka opozita imunitetin ndaj kësaj sëmundjeje që pretendon ta luftojë apo nuk e ka? Apo duke treguar se nuk vuan më nga autoritarizmi mendon se mund të na ngjallë besim të mjaftueshëm? Më lind veçanërisht ky dyshim, në fakt i vjetër, e më shtohet, paradoksalisht, pikërisht kur shoh se sa fort po theksohet në fushatën e PD-së zgjerimi i opozitës.
Për t’u shpjeguar më shkoqur le të kujtoj pak më konkretisht çfarë ndodhi me korrupsionin gjatë viteve 1997 – 1998 ndërkohë që u mund sëmundja e autoritarizmit të Berishës dhe socialistët konsoliduan pushtetin? Ne pamë se ata që figurativisht mund t’i quaj virusi i sëmundjes së korrupsionit, të cilët nën hijen e pushtetit të Berishës kishin filluar të ndërtonin strukturat e sistemin korruptiv, filluan njëri pas tjetrit të kalojnë në trupin e PS duke e infektuar edhe atë, madje më shumë nga të gjithë infektuan një njeri që për katër vjet kishte qenë në karantinë, kryetarin e saj Fatos Nano. Të gjithë jemi dëshmitarë se si shumëçka që kishte filluar pa leje në kohën e Berishës apo me leje provizore u ligjërua në kohën e socialistëve - e kjo mund të thuhet edhe konkretisht edhe metaforikisht. Ne pamë që shumë nga kioskaxhinjtë që kishin ngritur kioska të thjeshta në pronën publike në kohën e Berishës, duke paguar pak para nën dorë, filluan të ndërtojnë megapallate, duke paguar shumë më tepër për lejet abuzive, por edhe duke fituar shumë më tepër. Por pamë edhe më keq: paratë e akumuluara me lloj lloj trafiqesh, kryesisht droge e prostitucioni, filluan të hyjnë fuqishëm në ekonomi, por edhe në medja e në politikë. Jo vetëm, por oligarkët e pasuruar në kohën e Berishës me lloj lloj marifetesh filluan të hapin edhe gazeta edhe televizione e ndërkohë që bërtisnin në mediat e tyre për ujkun Berisha, që po destabilizonte vendin, filluan, si çakejtë, të bëjnë kërdinë mbi pronën e fondet publike, me privatizime, e spekullime, e tenderime e ndërtime e më the të thashë. Erdhi çuditërisht një kohë kur edhe rrogat e majme (në krahasim me pushtetarët e kohës së Berishës) të paguara nga perëndimorët për OJQ-istët pa shoqëri civile filluan të duken qesharake në krahasim me „rrogat“ që mund të merreshin duke hyrë në politikë a duke u lidhur me të. E kjo korruptoi thuajse tërësisht edhe të ashtuquajturën shoqëri civile që perëndimorët tentuan të importojnë në Shqipëri.
Midis përçuesve të sëmundjes së korrupsionit kishte edhe shumë ish të fuqishëm të PD që kishin dhënë urdhër deri për të shtypur demostrata e protesta, edhe shefa policie që i kishin zbatuar me zell këto urdhëra. Asnjë gjemb në këmbë nuk u hyri atyre në kohën e socialistëve, përkundrazi shumica u lidhën me ta dhe legalizuan bizneset e nisura falë lidhjes me pushtetin paraardhës. Berisha përmend vetëm dukët e ndonjë baron, por Shqipëria është e mbushur me këta fisnikë të korrupsionit. Puna ka ardhur deri aty sa shumë prej tyre e thonë hapur, pa asnjë ndroje, se i kanë hyrë politikës apo duan t’i hyjnë politikës sepse e shohin se bizneset e tyre, përndryshe, nuk ecin. Sot mund të thuhet pa gabuar fare se ata kanë ndërtuar strukturat e asaj ekonomie ilegale e të trafiqeve e pastrimit të parave që, nëpërmjet korrupsionit, drejton e kushtëzon superstrukturën politike të vendit. Ata, kam frikë, janë si enët komunikuese midis PS dhe PD që thjeshtë mund të ndryshojnë drejtimin e rrjedhjes së parasë ose të ndryshojnë fluksin e tyre në favor të një krahu tjetër si më 1997 – 1998 e përsëri të mbajnë në këmbë sistemin që kanë ngritur. Pra thelbi i çështjes, ose burimi i sëmundjes së korrupsionit, që Berisha së fundi e quajti „kancer“ dhe prioritet të prioriteteve nuk janë, - s’ëshët hera e parë që e them – vetëm disa kukulla ca më të gjata e ca më të shkurtëra, ca më të holla e ca më të trasha, që i shohim përditë të tunden e të shkunden në skenë duke na folur për të mirën tonë publike, e duke na bërë të mendojmë se gjithka na vjen nga protagonizmi i tyre delirant, provincial e mjeran. Thelbi i çështjes është ajo që ndodh në prapaskenë, atje ku qarkullon paraja e sponsorizimeve të fushatës që i bën disa të kenë „aftësi më të larta konkurruese“ – po të përdor një shprehje të fundit të Nanos. Dikush mund të thotë: po sikur të dalë opozita kundër tërë këtyre, atëhere si fitohen zgjedhjet? Por pyetja tjetër është: po sikur të „zgjerohen“ të gjithë këta në opozitë, ç’kuptim ka fitimi i zgjedhjeve? Çështje jo e lehtë për tu zgjidhur për kë synon seriozisht luftën kundër korrupsionit.

No comments: