Wednesday, May 11, 2005

Faturat rozë të Bashkisë

Për ata qe nuk janë as të majtë e as të djathtë, as të sipërm e as të poshtëm, por që, përkundrazi, janë të varur në pikë të hallit për të zgjedhur midis mbrojtjes së të ardhmes socialiste Nano – Rama dhe sulmit të gjithshkaje tjetër që na ofron politika jonë po tregoj një histori të shkurtër të një të hëne të mbushur me atmosferën tonë paraelektorale.
Të hënën paradite në mëngjes më lindi nevoja të konsultohesha me një otojatër dhe i rashë numrit të telefonit të Poliklinëkës 8 dhe pastaj të Poliklinikës 9 që i kam më afër, për të pyetur për orare e për të fiksuar ndonjë takim me mjekun. Telefoni më jepte përgjigjen: “numri që ju kërkoni është përkohësisht jashtë shërbimit”. Pasi u interesova tek një i njohuri im që shkon atje rregullisht për të parë nëse ata ishin numrat, ai mi konfirmoi numrat, por edhe më tha se po lodhesha kot sepse telefoni nuk funksiononte qysh prej tre muajsh ngaqë drejtoria e këtyre poliklinikave nuk paskësh paguar faturën e telefonit dhe kështu Albtelekomi ua ka prerë. Mu duk çudi, por ç’të bëja. Thashë po nisem vetë për atje.
Kur dola të marr makinën e gjeta atë midis dy makinash të tjera në një mënyrë aq presato saqë mu desh të kërkoja ndonjë gjysëm ore shoferët e makinave nëpër bilardo e kafenera gjersa më në fund njëri prej tyre erdhi e më liroi rrugën.
Për të shkuar në poliklinikë mu desh të futem në trafikun ferrësor të paradites kryeqytetase me semaforët shumica të prishur e veç kësaj edhe të marr një rrugë nga ato që quhen “ta kapësh veshin nga prapa kokës” sepse, sikurse e dinë të gjithë qyetarët e kryeqytetit, kryetari ynë fjalëmadh i ka kthyer përmbys tërë rrugët, sepse Tiranën ai e shikon si një instalacion gjigand jo si një vendbanim njerëzish.
Që t’i bije shkurt më në fund arrita të parkoj në një vend shumë larg njërës Poliklinikë sepse, që të shkoja mu tek vendi, e dija se do të më duhej të rrotullohesha edhe një herë.
Nuk besoj se përbën ndonjë çudi fakti se kur shkova atje gjeta një rradhë që nuk më lejonte të qëndroja. Gjer këtu megjithë tre muajt e poliklinikës që nuk paguan telefonin e i le qytetarët pa një nga shërbimet më të nevojshme, gjëra të tilla nuk përbëjnë ngjarje për tu treguar, aq më pak elektorale. Pra gjer këtu kemi të bëjmë me bukën tonë të përditshme që na kërcet në gojë nga pluhuri dhe plumbi, por që jemi të detyruar ta hamë dhe asgjë prej fushate paraelektorale nuk ka këtu.
Elektoralja fillon kur, pasi kryeva edhe një punë tjetër, u ktheva për tek makina dhe pashë të vezullonte në rrotën e saj të parë një gjësend i verdhë si ndonjë bubrrec i madh gjigand. Mu desh të fërkoja nja dy herë sytë për të kuptuar se nuk ishte ndonjë nga ato copat e plasmasit që fluturojnë rëndom nëpër rrugët tona e që e kishte rrasur era në rrotën e makinës sime. Jo, ishte një si biçim mjeti që bllokonte makinën. Duke dashur të gjej arësyen i erdha rrotull makinës gjersa vura re në një nga pastruesit e xhamit një si faturë në ngjyrë rozë.
E hapa dhe pashë me çudi se lajmi rozë kishte rënë nga sqepi i zogut të Bashkisë së Tiranës. “Parkim i keq në vendin e autobuzit. Gjoba 5000 lekë” (to reja ore!, jo të vjetra!).
Gjëja e parë që kërkova të gjeja ishte viza që duhet të shënonte zonën e parkimit të autobuzit, sepse mu kujtua se kur kisha parkuar kisha ndalur përpara një autobuzi të ndalur, por kisha parkuar ndonja dy tre metra përpara atij. As vizë që të tregonte kufirin e autobuzit e asgjë nuk kishte në atë shkretëtirë në mes të Tiranës. Vetëm një tabelë llamarine “Qëndrim autobuzi” e varur në shtyllën e elektrikut, që mund të ishte aty që në kohën e Enver Hoxhës. “Si guxojnë këta të kërkojnë një të tretën e një rroge mesatare të një qytetari, pa pasur as të vizuar vendin që shonon kufijtë e vendparkimit të autobuzit?” – ishte reagimi i parë që më kaloi nëpërmend. Dhe kuptohet se pastaj më vërshuan nëpër tru pluhurat që hamë, ndotja akustike, ndotja vizuale, ato trotuaret e bllokuara tërësisht me llamarina që të detyrojnë të zbresësh në rrugë e prapa të cilave ngrihen pallate të ububushëm korruptivë e më the të thashë. Pale pastaj kur u kujtova se e gjithë kjo bela më kishte dalë pasi kjo palo administratë hajdutësh nuk paguan çprej tre muajsh telefonat e poliklinikave që kushedi se në ç’hale private i shpenzojnë shefat.
I rashë disa telefonave që më çuan deri tek njeriu më i rëndësishëm në Bashki që merrej me transportin të cilit i shpreha ankesën se nuk mund të gjobitej qytetari me 5000 lekë kur ai nuk kishte as të vizuar vendin e autobuzit e as një stacion normal, por vetëm një tabelë llamarine në shtyllë të elektrikut. Zotëria më tha se deri në 5000 lekë ishte kompetencë e policit që e kishte vendosur gjobën dhe se – dëgjoni mirë o qytetarë që guxoni të parkoni keq! - shifra deri në 5000 lekë është një shifër për të cilën nuk mund të bësh ankesë. Pra po e vendosi polici i Bashkisë ka marrë fund: buburreci i verdhë nuk hiqet nga rrota pa derdhur 5000-shen në arkën e Edi Ramës.
Zotëria megjithatë pati mirësinë të njoftonte furgonin me gjobëvënësit, që duket kishin dalë për gjah në tërë kryeqytetin. Të them të drejtën më futën frikën kur dolën nga furgoni nja katër karaduza me uniformë të zezë, si fashiste. Merre me mend – thashë me vete - sikur te ketë në dorë tërë ushtrinë e policinë ky kapterri ynë i Bashkisë! Por nuk e bëra veten. I kërkova vizën: ku e ke vizën? - i thashë, që të vërtetojë se makina ime ka shkelur mbi zonën e autobuzit? - Zotëri - më tha - ja ku e ke shtyllën ku është vendosur tabela. - Po shih sa larg jam unë nga shtylla – i thashë. - Zotëri, më tha – a e di ti se rregullorja e ka 15 metra para dhe 15 metra prapa tabelës. Të them të drejtën nuk e dija, por e mora veten dhe i thashë – Po pse duhet të marr metër me vete në makinë unë që të mas distancën nga shtylla? Pastaj – shtova – ç’është kjo shifër 5000 lekë? Sa e ke rrogën zotrote? Ai më nxorri bllokun dhe më tha se kaq ishte shifra taksative dhe më shfletoi bereqetin e ditës për të vërtetuar se të gjithë viktimat kishin paguar jo më pak se 5000 lekë. As më e ulët as më e lartë. Je i sigurtë, i thashë? Po po – kaq e kemi.
Dmth. – thashë me vete - e paskan sa maksimalja që mund të grabitet pa gjyq. Aq mu çakordua truri sa nuk di se si më bëri asosacion me një hedhje në gjyq që pësova para disa kohësh nga miku më i ngushtë i Kryetarit të Bashkisë, 2K-ja, ku, edhe në atë rast, shifra që më kërkohej si dëmshpërblim ishte 10 milion lekë: bash maksimalja që mund të kërkohej nga një gjyq me një gjyqtar të vetëm.
Thashë një herë të merrja ndonjë televizion ta filmonte atë farë stacioni, por pastaj mendova: po ku ka lënë pronar televizioni pa i dhënë leje ndërtimi ky Kryebashkiaku i botës që të më vijë mua gazetar këtu. E pashë se ishte e kotë të merresha më gjatë me ta dhe u nisa për në Bashki të paguaj shifrën e të bëj edhe një ankesë.
Në Bashki mora vesh dy gjëra: e para, se ky na qënkësh urdhëri i freskët i Kryetarit, i cili ishte shumë i mërzitur me shrregullimin që sundonte në rrugët tona dhe, prandaj, kishte urdhëruar të vendosej rregull, së dyti, se, si pasojë e këtij urdhëri Bashkia e kishte filluar javën me korrje të mbara (elektorale).
Pasi pagova prita në rradhë për të bërë ankesë. Të merremi vesh, do të isha shumë i kënaqur të paguaja një shifër më të proporcionuar me rrogat sikur të ndjeja se kisha shkelur vizën, se do ndjeja se po funksionon shteti e në thelb se po më shërbehet, (por edhe sikur të mos dija se nga kjo Bashkija, që i do kaq shumë ligjet dhe taksat kanë “ikur” të paktën nja dymbëdhjetë juristë këto vitet e findit). Nuk e fillova dot ligjëratën sepse ajo vajza e ankesave më tha: - zotëri, un do t’ju jap një formular dhe ankesën bëjeni me shkrim. - Sa për me shkrim – i thashë, po e bëj më mirë në gazetë.
Ika nëpër pluhur e zhurmë me kuletë të boshatisur të marr makinën dhe nuk mund të mos më vinte nëpërmend – çfarë do të thoni ju? Telefonat e poliklinikës? Jo. Kazanët e plehërave që kanë filluar të kutërbojnë? Jo mor jo. Kongresi i Partisë Socialiste. Dhe çfarë mu kujtua nga ay kongres? As Edi Rama që më kishte gjobitur as Fatos Nano, po sulmuesi, as i majtë as i djathtë, por pyka shqiptare e Bolonjës Igli Tare dhe deklarata e tij se kishte marrë çarter për katër orë vetëm e vetëm për të ardhur e përshëndetur socialistët. Po si mund të marrë tjetri çarter për këtë mutsihane – thoja me vete – dhe seç më thoshte një mendje e çartallosur se çarterin ia kishin paguar këta të Bashkisë me paret e mija dhe nuk u çlirova nga kjo paranojë derisa hyra në shtëpi dhe pashë buzëqeshjen e vajzës sime të vogël.


No comments: