Tuesday, May 17, 2005

Kongresi socialist dhe vetvrasjet e adoleshentëve

Më qëlloi para do ditësh ta pi kafen bri një tryeze ku dy persona kishin përpara një të përditshme që qe hapur në një faqe ku spikaste titulli: “A mund të bëjmë shtet”. Të dy dukej se qenë nga ata që kanë bërë një farë shkolle dhe që pretendojnë se i kuptojnë e shpjegojnë gjërat e kësaj bote e të kësaj shoqërie. Po debatonin me zë të lartë pasi njëri prej tyre sapo kishte mbaruar së lexuari artikullin me titullin në fjalë.
- Kjo është teza e serbëve. – iu drejtua ay që nuk e kishte lexuar atij që sapo e kishte mbaruar së lexuari artikullin.
Tjetri, pasi ndejti pak mendueshëm, iu përgjegj:
- Sipas meje - i tha - dobësia jonë nuk mohoet dot, por arësyeja është madhore. Ne kemi qenë nën goditje të vazhdueshme.
“Për çfarë goditjesh e ka fjalën?”- më lindi kurioziteteti dhe ngrita veshët.
- Ki parasysh – i tha, duke filluar që nga romakët kur erdhën e na pushtuan; vazhdo pastaj me të tjerat: kulmi i kulmeve është turku; pas turkut nuk na lanë rehat serbët, grekët, rusët me komunizmin.
Shkurt, i nisi një leksion të historisë ashtu siç mësohej në kohën e Enver Hoxhës: me armikun që kërkonte të na shkatërronte dhe me heroizmin tonë ndër shekuj që na la me plagë në trup, por krenarë.
Kush di sadopak nga roli i ideologjisë nacional – komuniste si instrument pushteti në kohën e Enver Hoxhës nuk çuditet shumë kur i dëgjon nëpër tryeza njerëzish të teshtë kësi argumentiesh nacional romantike. Mirëpo është për tu çuditur, madje për tu tronditur më shumë sesa për tu çuditur, kur këto gjedha të menduari e të gjykuari i sheh të vazhdojnë të mbretërojnë thuajse të patrazuara edhe tani, në shekullin e XXI-të, e të zaptojnë thuajse tërësisht jo vetëm tryezat e kafeneve, por edhe atë që mund të quhet mendim elitar politik e kulturor, mbizotërues në shkollat, universitetet, mediat, tribunat politike. Dhe aq më për tu tronditur është kur në mënyrë gjysëm të vetëdijshme gjysëm të pavetëdijshme kjo mënyrë manikeiste, mistifikuese e demonizuese e shpjegimit të gjërave bëhet me qëllim shpëlarjen e truve të njerëzve çka, tek e fundit, gjeneron një rreth vicioz ku elitat politike dhe kulturore me synim që të ruajnë popullaritetin, por edhe pushtetin, i mshojnë gjithnjë e më shumë shpjegimeve të tilla dhe, më anë tjetër, nga rradhët e të shpëlarëve nga trutë dalin gjithnjë e më shumë liderë që ligjërojnë me këtë gjuhë.

Shprehjen par exellence të kësaj shpëlarjeje trush në nivle kombëtar e pamë tek kongresi i socialistëve, që synoi të ngacmojë vetëm trurin e vogël të njerëzve më një anë duke satanizuar të tjerët, duke ua transferuar atyre të keqen dhe, më anë tjetër, duke glorifikuar të vetët. Por këtu nuk po merrem me atë kongres. Do të doja të merresha me fenomenin që shpjegon atë lloj kongresi duke e ilustruar, madje, me një rast tjetër, më minor, por që e përmban brenda tij tërë dramacitetin kulturor dhe politik që përçoi ay kongres sepse ka, në thelb, të njëjtën antropologji kulturore që e shohim të nxjerrë krye në çdo hap që të hedhësh në jetën tonë që nga kongreset e mëdha e deri në muhabetet e vogla të kafeneve.
E kam fjalën për atë lloj histerie mediatike që pamë të ndizet e të shuhet e të tentojë prap të ndizet kohët e fundit lidhur me disa vetëvrasje adoleshentësh e më konkretisht tek prirja për ta gjetur menjëherë fajtorin, të keqen, armikun jashtë nesh, në rastin në fjalë tek Dëshmitarët e Jehovait apo tek “profecitë kineze”. Aq sa pati një moment kur mendova se do të mjaftonin edhe dy tre vetëvrasje të tjera dhe të fillonte si në Mesjetë kërkesa për linçimin e Dëshmitarëve të Jehovait si bashkëpunëtorë me satanin. Sinjalin e dha ngjarja në Korçë kur një prind hyri dhe ushtroi dhunë ndaj vajzës së tij, që duket se ishte konvertuar në dëshmitare të Jehovait, për ta nxjerë nga grupi.

Nuk jam ndonjë njohësi i fesë që quhet Dëshmitarë të Jehovait. Di se është një fe e lindur në SHBA në shekullin e 19 e që mbështetet mbi interpretimin e Shkrimve të Shenjta duke pretenduar se vetëm ata, dëshmitarët e Jehovait, i interpretojnë në mënyrën më autentike Shkrimet e Shenjta. Di gjithashtu se ky interpretim i ndan ata nga të krishterët katolikë dhe ortodoksë në mjaft gjëra midis të cilave edhe në atë se nuk e njohin Trinitetin (Ati, Biri, Shpirti i Shenjtë) si tre shfaqje të të njëjtit Zot, por thonë se Zoti, emri i të cilit sipas tyre është Jehova, është një, dhe i vetëm, ndërsa Shpirti i Shenjtë është fuqia e tij kurse Jezusi biri i tij. Di se aderimi në këto fe krijon një kontroll të fortë psikologjik të grupit mbi individin që hyn atje dhe shpesh nuk është e lehtë të dalësh e po ashtu se është një fe më pak tolerante sesa katolicizmi ndaj mëkatarëve, e me moral me te rrepte seksual. Por gjithsesi asnjëherë nuk kam lexuar apo dëgjuar që kjo fe të predikojë shkurtimin e rrugës për në parajsë nëpërmjet vetvrasjes ,përkundrazi se është një fe që predikon jo parajsën, por jetën e lumtur mbi tokë pas betejës finale që do të bëjë Zoti me Djallin dhe forcat e tij.
Më anë tjetër, nga sa kam lexuar e dëgjuar, çështja e vetëvrasjes së adoleshentëve nuk është ndonjë gjë e panjohur që mund të shpjegohet vetëm me magjira dhe me punët e “të paudhit”. Është një fenomen i njohur i moshës, por edhe i shoqërisë jo vetëm shqiptare. Një nga shpjegimet për vetëvrasjet e adoleshentëve është ai që quhet “bulizëm”. Është fenomeni i prepotencës e agresivitetit deri në dhunë që adoleshentët më të fortë, vetëm apo në grup, ushtrojnë mbi më të dobëtit, apo mbi ata që kanë ndonjë difekt fizik herë duke i sulmuar fizikisht e herë duke i tallur e përqeshur çka, duke patur parasysh psiqikën e brishtë të moshës, i ve këta të fundit në një krizë të thellë zhvleftësimi të vetvetes që i çon në rastet ekstreme deri në vetëvrasje. Dhe pa dyshim bulizmi është tregues i një kulture dhune e agresiviteti, që, tek e fundit duhet të bëjë të reflektojë më gjerë shoqërinë tonë e veçanërisht bulistët tanë me moshë të rritur. Por problemi i këtyre vetvrasjeve sipas meje duhet parë edhe lidhur me raportevt e adoleshentëve me familjen dhe me vetë krizën e familjes sonë në përgjithësi – sepse edhe në rastin e atyre adoleshentëve që kanë aderuar në një fe që nuk ia pranon familja, ashtu sikurse edhe kur kryejnë të tjera gjëra si marrja e drogës apo futja në kriminalitet kemi të bëjmë me një krizë që nuk mund ta gjejë zgjidhjen e saj tek gjetja e një demoni jashta nesh.

Pra mënyra sesi tentoi të reagojë shoqëria jonë ndaj vetëvrasjes së adoleshentëve, - fatmirësisht jo e tëra dhe jo në bllok - me mbushjen e titujve të gazetave dhe të komenteve televizive me komente që direkt apo indirekt demonizonin Dëshmitarët e Jehovait apo “profecitë kineze” tregoi tiparet e një shoqërie të cilës i mungojnë instrumentet kritikë për të njohur e kuptuar problemet e veta të vërteta dhe prandaj arratiset një forme primitive të menduari manikeiste, mistifikuese demonizuese, që dominohet nga pasionet e që përmban rrezikun edhe të persekutimit e të linçmit të tjetrit të ndryshëm në rastet ekstreme, e veçanërisht në kriza. Për ata që studiojnë sot persekutimin e çifutëve nga gjermanët, që arriti deri në makabritetet si Holokausti, është e qartë se persekutimi i çifutëve ishte reflektim i vetë problemeve të jetës së gjermanëve nën diktaturë: i një procesi shpëlarjeje trush më një anë, por edhe i shkarkimit të frustrimeve të tyre mbi më të dobëtit apo mbi ata që manipulohen si shkaku i së këqes më anë tjetër.
Është shumë dramatike kur këtë mungesë instrumentesh të kompensuar me larje trush e sheh të manifestohet, me të gjithë forcën e agresiviteti dhe dëmit të saj, në kongresin e një partie që udhëheq vendin prej tetë vjetësh e pretendon ta udhëheqë edhe katër vjet të tjerë. Në thelb kemi të bëjmë me të njëjtën gjë: me një ikje nga realiteti me një paaftësi për të analizuar krizën e thellë social ekonomike e të vlerave që po përjetojmë, por edhe me një ikje nga përgjegjësia që kanë socialistët për këtë krizë. Dhe rreziqet që sjell ndarja e fortë emocionale midis “nesh” dhe “të paudhëve” që krijon kjo mënyrë të menduari, veçanërisht në momente krizash si kjo që po përjetojmë në prag të fushatës elektorale, janë shumë të mëdha.

No comments: