Tuesday, May 24, 2005

Epidemia Natasha dhe kulturkëllira jonë

Para pak kohësh më qëlloi të shoh një dokumentar televiziv amerikan mbi historinë e një personi që kishte vrarë gruan e parë dhe që, megjithatë, kishte arritur të jetonte për një kohë të gjatë i pandëshkuar në sajë të aftësisë për të mashtruar gra të tjera të pasura të cilat e mbanin me të holla. Kishte arritur t’i fshihej policisë amerikane për afro njëzet vjet – gjersa më në fund e kapën.
Kur i kërkuan një psikologu shpjegimin e suksesit të tij ai tha një të vërtetë shumë të thjeshtë: “Suksesi i mashtruesit bazohet në prirjen që kanë qëniet normale për të besuar.”
Tani, sa herë shoh mashtrues e të mashtruar që adhurohen mes vetit, - e për këtë mjafton të hapësh televizionet e gazetat tona, - më kujtohet kjo thënie. Mu kujtua edhe këto ditë që gazetave tona u ka rënë një epidemi e re mashtrimi, virusi i së cilës kësaj here e ka emrin Natasha.
Një Natasha befas u shfaq në faqet e para të gazetave tona me foto të mëdha të sajat në faqe të parë shoqëruar me titujt bombastikë se na qënka e bija ilegale e ish kryeministrit Mehmet Shehu. Dhe jo në një, por në pesë a gjashtë të përditëshme që konkurronin se kush do ta bënte më grishës lajmin – që në fakt ishte lehtësisht i përgënjeshtrueshëm. Madje ajo i ftoi edhe për debat televiziv dy djemtë e Mehmetit.
Reagimi i parë i njerëzve që, megjithëse kanë prirjen normale për të besuar kanë edhe dy pare mend për të dyshuar, ishte pak a shumë ky: Mirë një të çmendure i hipën në kokë të dalë në gazetë, po gazetat pse janë çmedur?
Dhe këtu çështja bëhet më e koklavitur sesa duket, sepse, sado të marrë të jenë kryeredaktorët e gazetave, sado të paaftë, ata janë në gjendje të kuptojnë që një lajm që e nxjerrin, madje në faqe të parë, me foto të madhe, do verifikuar përpara se të botohet.
Prandaj problemi që shtrohet nuk është thjeshtë pse mashtron Natasha, (madje ajo mund të ketë njëmijë justifikime sepse dihet që mitomania, që shpesh shoqëron mashtrimin, është një sëmundje), por pse mashtrojnë gazetat.
Për shpjegimin e kësaj pyetjeje në median e kafeneve, ende të pa privatizuar, prandaj dhe të pablerë nga politika, qarkullojnë sot për sot disa variante. Po përpiqem të rreshtoj ato më kryesorët që më ka zënë veshi.
I pari është ai më i rëndomti se vetëm kështu mund të shiten gazetat në krizë. Pikë dhe kaq. Shumë e thatë. Paçka se kjo thatësirë hap një temë shumë të njomë: atë se ku mbaron prirja normale e shqiptarëve për të besuar dhe ku fillon budallallëku i tyre, sepse, të pretendosh të shesësh më shumë gazeta në këtë mënyrë, do të thotë ta konsiderosh lexuesin tënd budalla?
Një variant tjetër, më i njomë, është se Natasha ka mashtruar disa kryeredaktorë duke u premtuar se po e botuan lajmin se ajo është e bija e Havasë dhe Havaja e dashura e Mehmetit, Natasha mund ta paraqesë këtë si dëshmi jashtë shtetit dhe kështu do të trashëgojë një goxha pasuri (sepse Havaja na paska vdekur vetëm pak kohë më parë dhe burri egjyptian i paska pas lënë një goxha trashëgim) dhe kryeredaktorët, afërmendsh, do të kenë kësisoj 10% -shin që u takon automatikisht, njëlloj si politikanët për tenderat. Sipas këtij varianti pronarët e gazetave nuk dinë gjë. Kemi të bëjmë me përdorim të gazetave nga gazetarët ashtu si përdoren institucionet e administratës shtetërore nga punonjësit e saj të ulët për përfitime të vogla, nga ato që nuk i hyjnë në sy shefit të madh.
Ka edhe nga ata (të pakët në fakt) që thonë se e gjithë kjo gjurulldi u bë për të përgatitur daljen në skenë të kandidaturës së të birit të Mehmet Shehut si kandidat i Partisë Agrare në Tepelenë.
Por ka edhe një variant më të njomë se të tjerët, që e ka dukjen paska paranojake, por, megjithatë, jo aq sa lajmi për Natashën: Sipas këtij varianti kjo punë nuk duhet marrë aq thjesht: kemi të bëjmë me një punë të orkestruar nga një apo disa zyra – ca thonë të Shishit ca të Shikut, ca të tjerë të ish Sigurimit ca të tjerë të Partisë Socialiste - me qëllim largimin e vëmendjes së publikut nga problemet e mëdha që ka vendi, aq më tepër tani në fushatën elektorale. Sipas një sondazhi të fundit të një OJQ-je që bashkëpunon me të huajt, pas epidemisë “Natasha”, është rritur me disa pikë përqindja e atyre socialistëve që, të mërzitur nga martesa e dytë e Nanos, kishin vendosur të votonin për LSI, - pasi Mehmeti mbetet shtyllë e fortë e PS dhe dalja e një të dashure tregon se kjo parti ka qenë progresiste prej kohësh. Diçka si puna e Miteranit.
* * *
Personalisht epideminë e re “Natasha” prirem ta shikoj si faqe kulturore gazetash. Si një kullim kulturor të periudhës që po jetojmë ku mashtrimi dhe broçkullimi janë instumentet kryesorë të komunikimit mes njerëzve, - që nga Kryeministri e biznesmenët tanë më të pasur e inteletkualët tanë më të shquar e deri tek lypësi më i mjerë i rrugës. Por edhe si instrument pushteti, mos e merrni me shaka. Kemi të bëjmë në fakt me thelbin e kulturpushtetit të kësaj epoke që fare mirë mund të quhet kulturkëllirë. Unë ve bast se Natasha do të dalë së shpejti në emisionin e televizionit kombëtar TVArbëria të Arjan Çanit “Zonë e Lirë” dhe Çani do të bëjë gallatë të lirë me të, e do të na dëfrejë të gjithëve këllirisht – veçanërisht do të dëfrejë elitën në pushtet të stresuar nga punët e rënda të ditës dhe nga shpifjet e poshtra për korrupsion - duke e pyetur Natashën për politikën e madhe globale e për gjëra të vogla lokale. Çfarë do t’i sugjeronte Natasha Bushit për eksportimim e demokracisë në Irak; ç’mendim ka Natasha për mallrat e lira kineze që po fusin në krizë Evropën dhe SHBA; a e takoi Putinin kur ishte në Moskë e çfarë i tha ay për Moisiun; ç’mendon ajo për liberalët e rinj shqiptarë, po për Mjaftin, për të majtën dhe të djathtën shqiptare, për sulmet e Lubonjës ndaj pronarëve të mediave? E në fund do t’i thotë: betohu për kokën e Edi Ramës dhe të Kaç Çaushit se është e vërtetë që je e bija e Mehmet Shehut! Dhe Natasha me siguri do të thotë: betohem!, edhe për kokën e Fatos Nanos! Dhe pastaj, në fund të emisionit, do të dalin sponsorizuesit: Vodafon, AMC, Birra…, Uji… e më the të thashë që do të përmbyllen me siglën përfundimtare: ky emision special u krye nën kujdesin e Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi.
Unë madje do tu rekomandoja edhe Klosit edhe Çanit edhe gazetarëve të tjerë të nxitojnë të gjejnë, sa është gjallë, nëse nuk ka vdekur akoma, Kolonel Nasip Metën, i cili ka mundësi të ketë lidhje me Natashën se andej nga Selenica më duket se ishte edhe Nasipi. Po edhe po nuk pati lidhje farefisnore, vetëm mirë do t’i bëjë shtypit dhe medias sonë elektronike dhe kulturkëllirës sonë në përgjithësi kontakti me kolonelin. Cili është Nasip Meta do të thoni ju? Nasipi është një ish kapterr andej nga Selenica që, pasi e futën në burg dhe e sollën në Spaç, e gradoi veten Kolonel të Aviacionit Gjerman të Luftës së Dytë Botërore.
Nasipi tregonte histori të hatashme që do t’i mrekullonin lexuesit e gazetave dhe spektatorët e televizioneve tona. Le pastaj sikur të futej tek Kafazi i Artë i News 24 Nasipi çfarë mrekullie do të ishte! Ai në kafaz të hekurt dhe bënte çudira. Mjafton të tregojë historinë se si, kur avioni i tij ngrihej e fluturonte mbi Londër, e gjithë Britania dridhej nga tmerri dhe lajmi vinte gjer në Itali: “Attenzione attenzione, - ulërinin radiot italiane - il colonello Nasip Meta sta bombardando Londra.” Dhe kjo, madje, do të na ngrejë lart edhe brekët e kranarisë kombëtare, që sikur na kanë rënë pak poshtë këto kohët e fundit. Aq i fashmëm u bë Nasipi sa Hitleri e ngarkoi të shkonte të takonte Çurçillin. “Kur e takova, thoshte Nasipi, barkmadhi ngriu në vend: - Ti mor Çurçill pisi, i thashë, a do të rrish urtë apo do të ta zhdukim Gadishullin Britanik nga faqja e dheut? Kishte edhe atë kurvën, Elisabetën, me vete, që nuk pipëtiu fare gjatë gjithë takimit.”
Me seri mund të vazhdojnë historitë e Nasipit. Që nga dashuria e zjarrtë me Greta Garbon (hajde seks hajde!) e më the të thashë e deri tek takimet me Enverin, Mehmetin, Kadriun, Beqirin.
Por kam edhe një propozim shekullor: Sandrën e Dardanit që gjer tani nuk ka dalë në shtyp. Cila është Sandra e cili është Dardani? Dardani kishte vuajtur si Nasipi nga diktatura e gjatë dhe kohët e fundit iu lodh shumë truri dhe filloi t’i fanepseshin gjëra të çuditshme. Nga këto fanepsje më interesantja ishte ajo sikur njëri nga gardianët e Burrelit, ai më karaduzi, i ishte qepur gruas së tij, Sandrës. Dhe sa herë i vinte kjo fanepsje, kudo që ishte: në dhomë, në qeli ndëshkimore, duke ngrënë, i ulur në hale, Dardani fillonte e thoshte pa pushim me orë të tëra: “Mbahu Sandra!” “Mbahu Sandra!”, “Mbahu Sandra!” Dhe vetëm kështu lirohej. Po cila ishte Sandra do të thoni ju? Kush i vardisej në të vërtetë Sandrës së bukur (hëm në Tiranë, hëm, andej nga Blloku)? Se kot nuk i fanepseshin Dardanit ato gjëra. Nuk e tregoj sepse kërkoj edhe unë shpërblimin tim (material, të kuptohemi). E shes, madje shtrenjtë këtë material, se nuk e di njeri përveç meje. Ma ka thënë një nga kapot e sigurimit të Bllokut. Deri këtu po e le, sa për të ndjellur gazetarët, por ju siguroj se do të jetë lajmi i shekullit.



No comments: