Wednesday, June 8, 2005

“Jo”ja kushtetutës evropiane dhe Shqipëria

Këto ditë në Evropën për të cilën flasim aq shumë – veçanërisht klasa politike duke akuzuar aq shumë ndërsjelltazi për vonimin në hyrjen në të – ndodhi një ngjarje shumë e rëndësishme, ngjarje e lajmeve të para, e krahasuar me një tërmet politik e që është pasuar e po pasohet me komente të shumta. E kam fjalën për referendumin francez që i tha jo kushtetetutës evropiane e që u pasua me “jo”në hollandeze. Pavarësisht se mjetet elektronike e dhanë lajmin ndjeshmëria ndaj ngjarjes në kuptimn e reflektimit apo thirrjes për reflektim thuajse mungoi në Shqipërinë e zhytur në furtunën e saj elektorale të një gote uji. Paradoksalisht ndonëse mjetet e komunikimit na i sjellin ngjarjet e Evropës aq afër - por edhe lufta politike bëhet në emër të saj – jetojmë si në provincën e provincës së kësaj Evrope. Duket sikur është punë e tepërt për politikën tonë e për shoqërinë tonë përgjithësisht të reflektojë për këto ngjarje. Sikur për këto punë u takon të reflektojnë vetëm politikanëve evropianë - se si të ndryshojnë e në ç’kahe të ndryshojnë politikat dhe realitetet ekonomiko sociale evropiane - e se ne nuk na mbetet veçse t’i ndjekim projektet e tyre. Por nuk është kështu. Politikat evropiane duhen ndjekur aktivisht me bërje politikash në Shqipëri dhe jo pasivisht duke pritur të adoptojmë modele të gatshme, që pikërisht për këtë mungesë nuk funksionojnë. Edhe kjo ngjarje duhet të na bëjë shumë më aktivë nga ç’mendojmë nëse vërtet e aspirojmë integrimin në Evropë.

Janë së paku tre aspekte që e sjellin këtë ngjarje shumë afër nesh e mbi të cilat duet reflektuar, doemos.
I pari ka të bëjë me “jo”në e djathtë evropiane e me projektin e djathtë që kjo implikon për të nesërmen. Në qëndrimet politike të së djathtës ka një element të fortë: frika nga hyrësit e rinj, si një përthellim i frikës nga emigrantët. Në median franceze flitej shumë për polakët. Besoj se kushdo që ka parasysh se shqiptarët janë popull emigrantësh e po ashtu ndër më të padëshiruarit e hyrësve kjo do të thotë një shtyrje e tyre larg Evropës. Rritja e masave për të penguar hyrësit kuptohet se edhe ne na largon. E për këtë së paku duhet të jemi të vetëdijshëm e duhet të reflektojmë më fort se çfarë duhet të bëjmë.

Aspekti i dytë ka të bëjë “jo”në e majtë evropiane. Në Francë Partia Socialiste u nda më dysh në ata që i thanë “po” dhe “jo” dhe po ashtu ishin kundra kushtetutës edhe e majta më ekstreme si komunistët. Këta i thanë “jo” kushtetutës për një arësye tjetër nga ajo e nacionalistëve: ata nuk e kanë frikë tjetrin e ndryshëm – sikurse dihet e majta ka qenë në krah të emigrantëve vazhdimisht jo vetëm në Francë, por kudo në Evropë. Ata i thanë “jo” kushtetutës sepse projekti politik i Evropës që parashikon kjo kushtetutë, sipas tyre, është një projekt ku nuk e gjen vendin e vet shteti social francez. Psh., Franca është një vend që ka 35 orëshin punë në javë dhe nuk do të heqë dorë nga kjo arritje. Me një fjalë e majta franceze i tha politikanëve aktualë se ata duhet të krjojnë një projekt tjetër për Evropën të ndryshëm nga projekti neoliberist nëse duan që ata të bashkohen në një votë “po”je nesër.
Edhe në këtë aspekt Shqipërisë i mbetet të reflektojë shumë sepse projekti për Shqipërinë që kanë ndërtuar politikanët tanë nuk është thjeshtë neoliberist si ai i politikanëve evropianë, por një surrogat i tij në ide kurse në realitet shumë më keq pasi i kombinuar me korrupsionin të ngritur në sistem të kapjes së shtetit nga mafja.
Nëse Evropa, sikurse shpresoj, do të bëjë korrigjimet e duhura për të shkuar drejt një Evrope edhe më sociale Shqipëria nuk mund të mos e integrojë këtë projekt në vizionet e politikanëve të saj. Ndërkaq vetëm për shtet social nuk flitet në Shqipëri, pra përsëri jemi shumë larg.

Së treti, politikanët tanë duke u ndjerë kaq larg mund të ndjehen edhe shumë mirë sepse sistemi neoliberisto - mafjoz që kanë krijuar mund të ketë kështu jetë më të gjatë. Mendoj se ajo që ka bërë që Shqipëria të mbetet e fundit në rradhën e atyre që mund të integrohen në Evropë nuk është thjeshtë rezultat i prapambetjes në start, si dhe i një paaftësie dhe papërgjegjshmërie të politikës. Izolimi i Shqipërisë është edhe rezultat i një vetëdije ose le të themi gjysëm vetëdije të politikanëve tanë, por edhe të oligarkisë së krijuar me ekonomi ilegale se integrimi në Evropë për ta do të thotë fundi i sundimit të tyre. Në këtë kuptim izolimi u shërben atyre si instrument pushteti dhe për këtë lloj instrumenti pushteti ne kemi kujtesë të freskët. Në thelb është e njëjta gjë.
Prandaj, për këto tre arësye, veçanërisht, sipas meje “jo” – ja franko hollandeze ndaj kushtetutës duhet përkthyer edhe si një thirrje që duhet të jemi vetë shumë më aktivë për ndryshimin e fateve tona për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja dhe izolimi.


No comments: