Wednesday, February 1, 2006

Të dënosh apo të mos dënosh?

Të dënosh apo të mos dënosh, kjo është çështja. Duke perifrazuar fjalët e famshme të Hamletit, mund të përkufizohet dilema në të cilën ndodhet mazhoranca në lufën kundër korrupsionit e do të vazhdojë të ndodhet edhe më fort në vitin 2006. Thua mazhoranca dhe menjëherë del problemi i parë i dilemës. Pse është mazhoranca ajo që duhet ta ketë këtë dilemë? Pse jo Prokuroria, pse jo Gjyqsori? Përgjigja që të vjen është: sepse është mazhoranca ajo që në një farë mënyre mori përsipër të luftojë korrupsionin, ajo që ka në dorë mjetet më të forta politike, por dhe ligjore, për të vënë në lëvizje Prokurorinë dhe Gjyqsorin. Mirëpo, a nuk do të thotë kjo se, nëse gjyqsori dhe prokuroria janë në dorë të mazhorancës, atëhere ne nuk kemi garantuar pushtete të pavarura? Kjo është e vërtetë. Dje ishin socialistët që kishin nën kontroll Gjyqsorin dhe Prokurorinë dhe ato nuk lëvizën sepse ishte e qartë se nuk dhanë asnjë sinjal politik që ato të lëviznin përveç një pseudosinjali që dha Nano kur lëshoi katarsisin. Kurse sot mazhoranca po jep sinjale, por prap duket qartë se duhet të verë një prokuror të vetin që Prokuroria të lëvizë. E kjo lë në fuqi dilemën: të dënosh apo të mos dënosh?
Kjo dilemë ka në themel të saj një kontradiktë që buron nga një fakt shumë dramatik: shtrirja në një nivel të paparë e korrupsionit që e bën atë një krim që mund të krahasohet me ato që quhen krime kolektive. Kontradikta qëndron në atë se krimi kolektiv gati sikur i shfajëson individët ndërkohë që drejtësia kërkon përgjegjësi individuale për krimet. Pra kontradikta më thjeshtë shtrohet në pyetjen: pse u dashka dënuar x-i apo y-ni kur të njëjtën gjë e ka kryer edhe z-ta? Po të vesh re reagimet e gazetës së socialistëve ZP ajo nuk tenton të përgënjeshtrojë akuzat që i bëhen të vetëve për korrupsion, por të provojë se edhe akuzuesit janë të korruptuar. Të njëjtën logjikë e kemi gjetur edhe në raste të tjera kur qeveria ka goditur biznesmenë të caktuar të cilët janë mbrojtur duke thënë: pse nuk përdoret e njëjta peshore për miqtë e Berishës? Në këto kushte çështja duket sikur shtrohet: o të dënohen të gjithë ose asnjëri, e, meqënëse të gjithë nuk i dënon dot, atëhere të mos dënohet asnjëri, sepse, përndryshe, nuk do të bëjmë drejtësi, por padrejtësi. E gjen edhe në Ungjill një situatë të tillë kur Krishti tha: “të qëllojë i pari ai që nuk ka asnjë mëkat” dhe të gjithë të eturit për të lapiduar Maria Magdalenën u larguan. Por e gjen edhe në historinë tonë të vonë kur Berisha tha në fillim të viteve 90: jemi të gjithë bashkëfajtorë.
E megjithatë bon sensi, i cili nuk gjykon nisur nga formula të ngrira morale, as thjeshtë duke kërkuar aplikimin e ligjit sikur qameti të bëhet, por nga kontekste të caktuara, ta thotë se situata ku ndodhemi ne me korrupsionin kërkon dënim dhe jo mëshirë.
Dhe ja ku vijmë tek çështja kruçiale që e bën të fortë dilemën “të dënosh apo të mos dënosh”: ajo e selektivitetit. Eshtë e qartë se të gjithë nuk i dënon dot, por edhe të mos dënosh asnjë nuk pranohet sepse, përndryshe, do të jemi të detyruar të jetojmë në një vend ku nuk ka drejtësi dhe atje ku nuk ka drejtësi jeta nuk ka kuptim. Sepse dënimi nuk duhet për të pastruar shoqërinë nga çdo individ i keq, por për të mbajtur gjallë në këtë shoqëri ndjenjën e drejtësisë, për t’i dhënë kuptim dhe garanci jete atyre që nuk duan të jetojnë duke grabitur të tjerët. Por edhe për t’i dhënë kuptim ekzistencës së ligjit si rregullatori më i mirë i mundshëm i marrdhënieve midis individëve. Historia është e mbushur me raste krimesh kolektive ku ndëshkimi nuk ka rënë mbi të gjithë fajtorët, ndonëse, po të zbatohej ligji, do të duhet të ndodhte kështu. Le të kemi psh. parasysh Gjermaninë e pas luftës ë Dytë dhe Nurebergun, por edhe historinë me krimet e komunizmit.
Pra, tek e fundit, pasi na duhet të pranojmë selektivitetin si një domosdoshmëri (por edhe fatkeqësi) çështja shtrohet: mbi çfarë kriteresh të bëhet ky selektivitet. Ç’duhet bërë që të ketë dënime selektivive dhe njëherësh drejtësi e pastërti morale, dhe jo dënime selektivite dhe nga ana tjetër rritje padrejtësie e vazhdimësi korrupsioni?
Mbi të gjitha kjo shtrohet duke patur parasysh një histori tonën shumë të vjetër: atë ku drejtësia binte mbi “fajtorët” jo nisur nga qëllimi i mirë i dënimit të së keqes, por nisur nga qëllimi i keq i përdorimit të saj për të pastruar rrugën nga kundërshtarët. Kjo është një histori e stërprovuar në Shqipëri jo vetëm në kohën e komunizmit, por edhe më parë edhe më pastaj. Përgjithësisht është frymëzuar nga një mendësi sipas së cilës drejtësinë e bën më i forti i cili mbron të vetët dhe godet kundërshtarët, paçka se të dy mund të jenë njëlloj fajtorë apo të pafajshëm. Le të kujtojmë se si dosjet në kohën e Berishës u hapën vetëm për kundërshtarët; le të kujtojmë pastaj katarsisin e Nanos kur akuzat u përdorën për tjetër qëllim nga ai i bërjes drejtësi.
Shkurt seleksionimi në luftën kundër korrupsionit duhet bërë duke patur parasysh rrezikun që është shprehur shpesh si vetmbrojtje nga opozita: se lufta kundër korrupsionit mund të instrumentalizohet njëlloj sikundër u instumentalizua antikomunizmi në kryre të herës për të larë hesapet me pjesën e komunistëve që nuk kaluan në anën e Partisë Demokratike. E kjo do të ishte pa dyshim në dëm të luftës për vendosjen e shtetit ligjor e të luftës kundër korrupsionit sepse do t’i tjetërsonte ato, madje do të kthehej në të kundërtën e tyre. Por, nga ana tjetër, gjetja strehë ndaj veprimit të ligjit nga ana e opozitarëve mëkatarë tek pretendimi se po goditen politikisht është po kaq e papranueshme. Ja pse sillesh e vërsillesh dhe vjen tek dilema: të dënosh apo të mos dënosh? Ja pse sillesh e vërsillesh e kupton se sa e rëndësishme është të kesh një sistem drejtësie me autoritet dhe pushtet të padiskutueshëm nga palët.
Në një shoqëri bashkëfajtorësh nuk është e lehtë zgjidhja. Nuk është e lehtë edhe sepse selektiviteti në një farë mënyre të detyron të dalësh mbi ligjin, ose të bësh një ligj që qëndron mbi ligjin ose që disa fajtorë të marrin rolin e gjykatësit kurse të tjerë të viktimës çka e degjeneron drejtësinë në hakmarrje. Megjithatë procesi duhet të fillojë. prandaj dhe, tek e fundit, çështja shtrohet në nevojën e përcaktimit të disa kritereve të selektivitetit.
Me këto rreshta synova të ve në dukje se sa e vështirë dhe e komplikuar është çështja, prandaj dhe se me sa përgjegjësi duhet trajtuar, e jo të marr përsipër të caktoj kriteret e selektivitetit. Specialistët e drejtësisë mund të jenë më të aftë për këtë punë. Intuitivisht do të thoja se ato duhen caktuar ndoshta me të njëjtën logjikë me të cilën bëhen amnistitë. Në përgjithësi amnistohen krimet më të lehta dhe nuk amnistohen krimet më të rënda. Krimi duhet rrethuar nga ligji në një mënyrë që mund të quhet e rrathëve koncentrikë. Duhet goditur ai krim që është shtrirë më larg e më me pasoja në shoqëri e që mban brenda vetes më shumë krime. Dhe kjo përcaktohet kryesisht mbi dy kritere; mbi dëmin që ka sjellë dhe mbi rrezikshmërinë që paraqet në një moment të caktuar duke përfshirë këtu rrezikshmërinë e personit që e ka kryer që përcaktohet edhe nga përgjegjësia që ka pasur edhe nga lidhjet e mundësitë që ka krijuar apo mund të krijojë. E këtu vijmë përsëri tek vështirësitë sepse tek ne mund të goditet më lehtë një hajdut xhepash që vjedh pesë lek në kuletën e një individi sesa një grabitës me miliona i pronës publike që ka mundur të shtrijë kthetrat e tij e të kriminalizojë politikën, mediat, gjyqsorin, shoqërinë civile e kë jo tjetër.
Ja pse përsëri të vjen të thuash: Të dënosh apo të mos dënosh, kjo është çështja dhe të vazhdosh me vargun e dytë të monologut të famshëm të Hamletit: “Apo më e lehtë është vallë të durosh?”(Korrieri, 31 janar 2006)

1 comment:

guri said...

A very good analysis.