Sunday, August 20, 2006

Fantazma e 97-tës dhe realiteti i 2006

Një fjalë e urtë thotë se njerëzit e mënçur mësojnë nga gabimet e të tjerëve kurse budallenjtë mësojnë vetëm nga gabimet e veta, pra pasi përplasin kokën më ndonjë mur. Kjo fjalë e urtë më është kujtuar gjatë këtyre ditëve duke dëgjuar të thirret e rithirret fantazma e vitit 97-ta për ta futur në jetën politike të 2006-tës. Vetëm se problemi më del se, duke dashur të aplikoj proverbin që citova në krye të shkrimit, nuk e gjej se në cilën kategori duhet t’i fus ata që evokojnë 97-tën sepse jo vetëm nuk më hyjnë tek të mënçurit që mësojnë nga gabimet e të tjerëve, por as tek budallenjtë që mësojnë nga gabimet e tyre sepse më rezultojnë më keq se kaq. Ndoshta mund të futen në kategorinë e atyre që e kanë humbur mendjen. Sepse, për këdo që i ka jetuar ato ngjarje, qoftë në njërin krah qoftë në krahun tjetër, qoftë fitues qoftë humbës, humbës dhe fitues ky është një vit që kërrkush nuk do të donte të përsëritej. Pra është një vit që duhet trajtuar ashtu siç trajtohen luftrat, ku pavarësisht shkaktarit dhe viktimës, fituesit dhe humbësit mësimi kryesor që nxirret është se duhet bërë gjithshka është e mundur që të mos përsëritet sepse ikin jetë njerëzish.
Nga 97-ta mund të nxirren sigurisht shumë mësime, në shumë plane; mund të nxirren përgjegjës më të mëdhenj e më të vegjël, fajtorë e të pafajshëm, por besoj se mësimi thelbësor që na jep ay vit është se përdorimi i dhunës për t’iu përgjigjur dhunës, politikat dhëmb për dhëmb janë tejet negative sepse çojnë në përshkallëzime të spirales së dhunës e pastaj deri në situata iracionale dhe shpërthyese që nuk kontrollohen më. Prandaj duhet bërë maksimumi i përpjekjeve për të evituar ato situata. Aq më tepër kur bëhet fjalë për të njëjtin popull të vogël e të varfër. Kam qënë dhe mbetem i mendimit se përgjegjësinë kryesore për përshkallëzimin e dhunës së atij viti e ka pasur Berisha dhe qeveria e tij, sepse ishte përgjegjëse për piramidat e se prandaj duhet të ishte dy herë më e gatëshme të ulej në dialog sikurse i kërkonte opozita në muajt janar shkurt ashtu sikurse, pas asaj që ndodhi në muajt mars prill maj, kur vendi u bë pre e bandave, shpesh herë kam menduar (si pjesëtar i opozitës së asaj kohe) se po ta kishim ditur se puna do të vinte këtu shumëçka duhet ta kishim bërë ndryshe e shumëçka nuk duhet ta kishim bërë.
Por 97-ta ka nxjerrë edhe një mësim tjetër. Viktimat e atij viti tragjik ishin njerëzit e thjeshtë kurse klasës politke që në një farë mënyre u bë promotorja e saj por që edhe i iku nga kontrolli, nuk i hyri asnjë gjëmb në këmbë. Ndërkohë që shumë nëna të njerëzve të thjeshtë u veshën me të zeza klasa politike vazhdoi të lulëzojë në mazhorancë dhe në opozitë, vazhdoi të pasurohet dhe paradoksalisht të shkëputet gjithnjë e më shumë nga ata njerëz. Vitin 97 dhe tragjedinë e tërë tyre njerëzve ajo nuk e ka menduar dhe nuk e ka kujtuar kurrë përveçse kur i është dashur ta përdorë politikisht.
Sot më 2006, duke ndjekur opinonin e njerëzve të thjeshtë, kam krijuar bindjen se nëse klasa jonë politike nuk i ka nxjerë këto dy mësime, populli i thjeshtë ai “budallai” që mëson nga gabimet e veta, i ka nxjerrë e prandaj ajo që mund të ndodhë më 2006 nuk është më tragjedia e 97-të, por farsa e saj në Parlament. (Korrieri, 1 gusht 2006)

No comments: