Sunday, August 20, 2006

Pse shmanget thelbi i problemit të mediave

Pas zgjedhjes si kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH kam dhënë një numër intervistash ku, duke dashur të shpjegoj motivin e zgjedhjes së kësaj sfide, kam shtjelluar midis të tjerash një analizë që e kam përsëritur dhe ripërsëritur në shtyp prej disa vitesh lidhur me gjendjen e sëmurë të mediave tona. Kam rivënë pra në dukje faktin se “tek ne ekzistojnë afro 80 televizione private [...] ngritja e të cilëve (fatkeqësisht të tërët gjatë kohës që në pushtet qe opozita e sotme) nuk është bërë për qëllime që lidhen me funksionin e medias në një vend normal demokratik, por për qëllime të përdorimit të mediave nga pronarët në funksion të interesave të bizneseve të tyre dhe në përgjithësi këto janë mbajtur jo nga tregu, por nga fitimet që pastaj sillnin këto biznese shpesh të lidhur direkt me grabitjen e parasë publike.” (Shqip 3 korrik 2006). Kam thënë po ashtu se “Ky lulëzim mediash ka pasur edhe ndonjë anë të vetën pozitive, sepse u investua në mënyrë të jashtzakonshme në mediat, por në tërësi ka gjeneruar më shumë se çdo gjë imoralitet në media, keqpërdorim të medias e të gazetarëve, depersonalizim të tyre, shumë disinformacion e manipulim të publikut.” dhe se, sipas meje, “ka ardhur koha që të gjithë, por mbi të gjitha politikanët, gazetarët dhe pronarët e mediave private ta kuptojnë se kjo është një gjendje e sëmurë, se mazhoranca dhe opozita në këtë pikë duhet të konvergonin dhe se forcimi i televizionit publik është dhe duhet të jetë një nga mjetet e shërimit të gjendjes së mediave në vend, në funksion të normalizimit të ndërgjegjes shoqërore tepër të çoroditur e në kaos vlerash.” Merret me mend se kam pritur shumë ragime lidhur me shpjegimet që dhashë në atë intervistë, jo vetëm nga politika por edhe nga shtypi, por kuptohet se reagimet kryesore i kam pritur në drejtim të këtyre propozimeve që kam shpalosur dhe që janë, sipas meje, thelbi i çështjes kur flitet për reformë në media. Por për fat të keq vetëm kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Pa folur për politikanët që janë mjaftuar me deklarimet se nuk na njohin – ndërkohë që mendoj se është me rëndësi që ata të përgjigjen ndaj këtyre çështjeve sepse janë gatuesit kryesorë të kësaj gjendje - shkrimet e gazetarëve që e kundërshtojnë këtë zgjedhje të Këshillit Drejtues kanë qenë të mbushura me të gjitha llojet e hamendjeve se pse ka hyrë Lubonja në këtë ndërmarrje (përveç besmit se mund të jetë i sinqertë motivimi për të cilin bëj fjalë); të gjitha llojet e skenarëve që Berisha ka bërë dhe do të bëjë për t’i përdorur këta njerëz, kam gjetur një mosrespekt për emrat dhe punën e kolegëve të cilët paragjykohen si ushtarë e militantë të armikut ose thjeshtë si gjethe fiku vetëm pse pranuan të venë kandidaturë për Këshillin Drejtues të dy institucioneve të mbaruar. Kam gjetur tërë argumentet e sofistikuara se çfarë metodash janë përdorur për zgjedhjen e këtyre, nëse janë apo nuk janë legjitim, se sa do ta kenë jetëgjatësinë ky Këshill etj. por, për besë, asnjë frazë të vetme nuk kam gjetur për çështjet që kam ngritur lidhur me gjendjen e sistemit mediatik në Shqipëri, lidhur me përgjegjësitë e atyre që e kanë ngritur atë në këtë mënyrë dhe lidhur me rrugët alternative që këta mund të propozojnë për të dalë nga kjo gjendje. Ky problem për ta çuditërisht dhe aspak çuditërisht nuk ekziston dhe kjo vërtetohet edhe nga fakti se qoftë në shkrimet e qoftë në debatet e shumta që kanë bërë përpara kësaj ngjarjeje, gjatë gjithë kësaj periudhe që e ndjek shtypin e median private, nuk më rezulton të kenë ngritur një herë të vetme këtë çështje që, sikurse dihet, e kam ngritur në mënyrë të vazhdueshme në shtypin shqiptar. Si shpjegohet kjo, të jenë kaq të pandjeshëm për diçka që lidhet direkt me profesionin dhe punën e tyre apo mos vallë kjo heshtje është autocenzurë që lidhet me çka thoja në intervistën time se “sot për sot pushteti më i frikëshëm për lirinë e gazetarëve dhe pavarësinë e tyre nuk është ai i qeverisë apo i Berishës, por i pronarëve të mediave ku ata punojnë”, që i drejtojnë ato pa asnjë filtër dhe pa asnjë bord, pa asnjë lloj politike editoriale të përcaktuar dhe pa asnjë transparencë të burimeve financiare. As politikanët që e kundërshtojnë me të madhe këtë Këshill në emër të ligjit asnjë fjalë nuk thonë për këtë çështje dhe as se sa e kanë zbatuar apo kërkuar ata ligjin lidhur me këto çështje - sikur të duan të provojnë edhe ata atë që them në intervistë se këto media i kanë kthyer shpesh politikanët thjeshë në “kukullat që luajnë për interesat e tyre”. Asnjë lloj komenti. Si shpjegohet? Pse gazetarët trima që çirren natë e ditë kundër Sali Berishës nuk guxojnë t’i përballojnë këto probleme? A kanë ata ndonjë shqetësim për gjendjen e mediave tona dhe ndonjë shpjegim se si ka mundësi që një ndër vendet më të vogla e më të varfëra të Evropës ka televizione thuajse sa tërë Evropa? A kanë pasur ata ndonjë shqetësim që kolegët e tyre në TVSH paguhen deri pesë herë më pak sesa ç’paguhen ata në mediat private? A kanë pyetur ndonjëherë ata, që presupozohet se duhet t’i shërbejnë publikut duke i thënë të vërtetën se nga dhe si dalin ato para të majme që paguajnë rrogat e tyre? Mua më rezulton se shumica e atyre parave burojnë në një mënyrë apo në një tjetër nga burime të paqarta në rastin më të mirë ose të pista dhe se po të zbatohet ligji shumë nga ato media nuk mund të qëndrojnë në këmbë. Në një raport të vitit 2005 të bërë nga ndërkombëtarët të titulluar”Television across Europe: regulation, policy and independence” (Televizion nëpër Evropë : rregullimi, politikat dhe pavarësia) për rastin e Shqipërisë thuhet: “Sipas raportit të KKRT rezulton se asnjë nga stacionet televizive nuk ka rezultur me fitim në vitin 2003. Të gjithë ata mbahen me burime të tjera ndërkohë që e ardhmja nga reklamat mbulon vetëm gjysëm e shpenzimeve të tyre. Në fakt tregu i mediave është shumë i mbingarkuar dhe krejtësisht i deformuar, me 21 të përditshme, 45 radio dhe 73 televizione në një vend që është një vend në zhvillim e që ka vetëm 3.5 milion banorë. Megjithëse shumica e këtyre bizneseve nuk mund të mbahen numri i mediave që janë mbyllur është më i vogël sesa ai i atyre që kanë lindur. Ky paradoks shpjegohet me një akuzë shumë të përfolur - por gjer tani të paprovuar - se një pjesë e pronarëve e përdorin median e tyre si mjet për të ndihmur bizneset e tyre të tjera. Në të njëjtën kohë, megjithëse flitet kaq shumë për transparencë, duket se nuk ka aktorë që të kenë vullnetin për më shumë transparencë ndërkohë që legjislacioni, po ashtu, nuk jep shumë dorë në këtë fushë.” Konkluzioni është i qartë: pushteti i mediave nuk mund të jetë i pakontrolluar, por, ashtu sikurse edhe pushteti i Sali Berishës, e pushtete të tjera duhet të jenë të kontrolluara nga institucione e nga ligji?
Mendimi im të cilin e kam shprehur jo vetëm në shtyp, por shumë më tepër edhe në biseda personale me mjaft kolegë, ka qenë dhe mbetet se kjo gjendje nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë jo vetëm sepse media dhe shtypi janë si të thuash pasqyra e ndërgjegjes dhe e moralitetit të një vendi e se kjo gjendje duhet të normalizohet “edhe në funksion të normalizimit të ndërgjegjes shoqërore tepër të çoroditur e në kaos vlerash.” por edhe në funksion të ndërgjegjes e profesionalizmit të gazetarit. Më mirë me rroga më të ulta, por me nder më të lartë përpara publikut. Mendimi im ka qenë dhe mbetet se Shqipëria duhet të ketë një sistem mediatik pak a shumë si ay i vendeve evropiane ku në përgjithësi ka një apo dy televizione publike që kanë peshën më të rëndësishme e që mbahen me paratë e taksapaguesit dhe një numër të kufizuar televizionesh private që i përcakton tregu. Ngulmoj se një porojekt i tillë do t’i jepte vendit dinjitet, por do t’u jepte dinjitet edhe gazetarëve që trajtohen sot si punëtorë në të zezë e si mercenarë pa bindje e pa ideale. Mendimi im ka qenë dhe mbetet se kjo politikë e mbajtjes së vendit në terr ligjor - sepse në terr të gjitha delet janë të zeza, - kjo politikë e “vazhdimit të betejës finale pa fund”, e ruajtjes së kaosit e të paligjshmërisë edhe në media i intereson vetëm asaj pakice që e ka gjeneruar e që jeton në sajë të saj. Për fat të keq më rezulton se ndoshta pse një pjesë nuk kanë besim se këtë sistem mediatik mund ta ndryshojmë e prandaj mund të përfundojnë pa bukën e gojës, apo pse një pjesë janë ndërtuesit e këtij sistemi apo tepër të komprometuar nga ai këta kolegë gazetarë duke heshtur për këtë çështje madhore të medias i shërbejnë kësaj strategjie të territ e paligjshmërisë në media duke i shërbyer interesave që asgjë nuk kanë të përbashkët me interesat e publikut dhe me interesat e karierës, dinjitetit dhe integritetit të tyre profesional. (Korrieri, 8 gusht, 2006)


2 comments:

Anonymous said...

je i pa pame plako

Anonymous said...

E kisha fjalen per tironsin, se mos me keqkupton Lubi