Wednesday, August 2, 2006

Për ty atdhe

Socialistët i janë kthyer sheshit Skënderbej me një miting pas 10 vitesh. Duke e lenë mënjanë argumentin se është në të drejtën e vet legjitime për të protestuar, një gjë që nuk mund te vihet më në dyshim në Shqipërine e vitit 2006, si e gjykoni ju këtë si lëvizje politike, dhe veçanërisht mesazhet qe dolën nga podiumi. Nga retorika, del se PS kërkon largimin e qeverisë, dhe se është e gatshme të vijë në pushtet. A mendoni se këto dy pretendime qëndrojne duke ditur se ende nuk është mbushur nje vit nga rrotacioni...


Mitingun e socialistëve në Sheshin Skënderbej e ndoqa nga shkallët e Muzeut Kombëtar me kuriozitet të veçantë, jo pse prisja të dëgjoja ndonjë gjë të re në retorikën e liderve të opozitës, sepse tashmë e dimë përmendësh këtë retorikë nga mediat elektronike, por për të parë dy gjëra: pjesëmarrjen e njerëzve dhe entuziazmin e tyre. Besoj se edhe vetë opozitarët prandaj e thirrën mitingun: jo pse s’kanë tribuna për t’u folur njerëzve të tyre, por për të parë se sa kjo e folur e tyre është në gjendje të verë në lëvizje njerëzit që ata mendojnë se i mbështesin e për të matur njëfarësoj se sa mund të jenë këta. Nuk e di se si e kanë lexuar ata mitingun, por opinioni im, me çka pashë, është se pjesëmarrja dhe entuziazmi i njerëzve u dha atyre një përgjigje të qartë se besimi në ta është në nivelet më të ulta.
Mund të thuash edhe se mitingu tregoi se ka ikur koha kur partitë tregojnë dhëmbët nëpërmjet numrit të njerëzve që janë në gjendje të mbledhin. Por, sipas meje, nuk ka qenë asnjëherë kështu. Ka pasur periudha kur njerëzit më një anë kanë pas akumuluar shumë dhe më anë tjetër kanë pasur besim dhe shpresë tek politikanët që kanë brohoritur. Kurse mitingu i të mërkurës tregoi mungesën e të dyja këtyre, përkundrazi shkëputjen e këtyre partive nga njerëzit. Dhe si mund të jetë ndryshe? A e vutë re se mitingu u hap dhe u mbyll me këngën më të dashur të Enver Hoxhës: “Për ty atdhe”. Këngëtari thotë se për atdheun do të këndojë këngën më të bukur, sepse është atdheu që nuk u përkul nga çdo stuhi e tufan, por qëndroi si shkëmb graniti, vigan.
Po të marrim të analizojmë këtë këngë dhe zgjedhjen e saj si emblemë të mitingut do të bënim një analizë jo të keqe se ku është opozita sot. Thelbi i asaj kënge për mua është se në një kohë kur atdheun Enver Hoxha e kishte futur në gropën më të errët të historisë së tij, kur ai vuante nga varfëria e paparë dhe izolimi total, popullit i këndohej për atdheun si shkëmb graniti që nuk u përkul nga stuhi e tufan. Në fakt ishte një identifikim paranojak i diktatorit me atdheun, por edhe një hipokrizi dhe demagogji e shkallës më të lartë. Nuk mund të mos të të bëjë rezonancë fakti se është zgjedhur si emblemë e mitingut kjo këngë e diktatorit të djeshëm me çka ndodh sot: me fjalimet e liderve nga tribuna e atij mitingu të cilët, pasi e kanë futur për tetë vjet Shqipërinë në një spirale zbritëse të krimit e korrupsionit dalin e këndojnë këngë që nuk i besojnë as vetë për atdheun. Por zgjedhja e këngës tregon edhe më shumë se kaq: tregon se elektorati të cilit i drejtoheshin socialistët është ai që mallëngjehej nga kjo këngë në kohën e Hoxhës. Por edhe më shumë se kaq: tregon se ata kujtonë se njerëzit nuk kanë aq mend sa të gjykojnë e vlerësojnë demagogjinë e këngës së tyre. Ata pandehin se mjafton që njerëzve tu këndësh këngët që janë bërë tashmë shumë banale që fillojnë me sulmet ndaj Berishës që ka nëpërkëmbur Luftën, familjet e dëshmorëve si dhe oficerët patriotë e mbarojnë me dritat dhe ujin që ata vetë nuk i sollën kurrë, e njerëzit do të fillojnë të mallëngjehen e të ushtojnë me brohorima për ta; sikur njerëzit të mos jenë në gjendje të kuptojnë se sa e kanë seriozisht ata, sikur nuk e dinë se çfarë kanë bërë ata gjatë këtyre tetë vjetëve, sikur nuk dinë për vilat e llukset e papara të krijuara me paratë që ua kanë vjedhur atyre.
Një gjë tjetër që më ra në sy edhe në këtë miting është varfëria dhe mediokriteti i gjuhës politike të Ramës dhe shtroj me vete pyetjen: more po kaq banal ka qenë ky edhe më parë apo pikërisht fakti se thotë gjëra që nuk i beson as vetë, se duhet të flasë një gjuhë që duhet t’u pëlqejë edhe veteranëve edhe biznesmenëve të uritur për para edhe të rinjve injorantë e bën kaq banal? Edhe kur flet kundër Berishës duket sikur po rishkruan shkrimet e vitit 95, pa qenë në gjendje të kuptojë se kohët kanë ndryshuar apo duke menduar se njerëzit kështu e duan tu flasësh.
Me një fjalë entuziazmi që pashë në atë miting mu duk se nuk ishte as në nivelin që mund ta ngrinin atë një numër militantësh që shpresojnë të rikthehen në dogana e administratë për të riparë interesat e tyre. Sigurisht më shumë se tek një entuziazëm pozitiv ata shpresonin se mos ishte akumuluar pakënaqësi e madhe ndaj Berishës, pra se aty do të kishte britma kundër tij, por as kjo nuk rezultoi, sipas meje, jo pse ata që ishin mbledhur aty janë të kënaqur me Berishën, por sepse nuk besojnë më në ata udhëheqës që kishin përpara, paçka se e kishin vendosur tribunën nën hijen e Skënderbeut.
Gjinushi tha në fjalimin e tij se 2005 ishte koha kur e majta duhet të ndryshonte, por e djathta nuk duhet të vinte në pushtet kurse 2007 është viti kur e majta e ndryshuar duhet të vijë në pushtet. Unë nuk e di se për çfarë ndryshimi të së majtës flet Gjinushi. Në fakt kanë ndodhur vetëm dy ndryshime: E para se nuk është më kryetar Fatos Nano, por nga ana tjetër partia nuk është se e ka dënuar Nanon në kuptimin e asaj që ai përfaqëson një nga baballarët e korrupsionit. Ndryshimi i dytë, sipas meje krejtësisht negativ, është se Iliri Meta dhe partia e tij, që u shkëputën duke denoncuar të keqen në PS, janë kthyer përsëri për tu bashkuar me ta, por pa u shoqëruar kjo me plotësimin e kushteve që vinte dikur Meta dhe të tijtë për bashkimin. Tjetër ndryshim unë nuk shoh.
Në fakt sipas mendimit tim ka ardhur koha për ndryshime shumë më të rëndësishme në mënyrë që të kemi një shpresë të re të majtë në vend. E këto ndryshime i shoh në largimin nga skena politike të liderëve që nga mossinqeriti i thellë që i karakterizon, nuk inspirojmë më asgjë përveç mosbesimit.


Po flitet ne media se ka nje skeme, ose mundësi politike që Fatos Nano te jete Presidenti i ardhshëm i vendit. Sa e besueshme ju duket kjo, dhe në fakt, a shihni ju realisht ndonjë pengesë për këtë projekt të mundshëm..

E kam thënë edhe disa ditë më parë në Klan: fakti që ne (kur them “ne” kam parasysh politikën, mediat dhe popullin që na ndjek), po fillojmë që sot të shpenzojmë energji pa fund në intrigën se kush do të zgjidhet president pas dy vjetësh është sa absurd aq edhe tragjik, po të kemi parasysh se sa punë, shumë herë më të rëndësishme, ka përpara mazhoranca për t’i shërbyer vendit, se sa punë ka opozita për tu reformuar dhe për të bërë opozitë racionale më anë tjetër. Për mua mbushja e faqeve të gazetave dhe e lajmeve të televizioneve me këtë intrigë është treguesi më i mirë se këtu tek ne klasa politike, por edhe ajo mediatike, jeton e punon vetëm në funksion të pushtetit për pushtet dhe jo në funksion të shërbimit ndaj këtij vendi të varfër.
Lidhur me kandidaturën e Nanos unë mendoj se ajo është dy herë e papranueshme si nga pikpamja e mazhorancës ashtu edhe e opozitës e se ajo mund të dalë pozitive vetëm nëse në vend të “mbledhjes” së dy minuseve do të përdorim “shumëzimin” e dy minuseve. Le të shpjegohem: Është e qartë se futja e një figure si Nano në lojë sot, kur opozita pretendon se është e bashkuar mbi dy figura rivale të Nanos: Rama dhe Meta, është në favor të Berishës në aspektin afatshkurtër të luftës për pushtet të mazhorancës sepse futja e Nanos do ta përçante këtë opozitë që kështu, e bashkuar, përbën një kërcënim më të madh për Berishën. Por unë nuk mendoj se Berisha duhet ta reduktojë luftën e tij në atë thënien e famshme: armiku i armikut tim është miku im. Aq më tepër po të kesh parasysh se sa shpesh armiqtë janë bërë miq dhe miqtë armiq në këtë vendin tonë. Sepse, në këtë mënyrë, ai do të demaskonte qëllimin e vërtetë të tërë fushatës së tij kundër korrupsionit. Pra ndaj pyetjes që shtrohet se cili është armiku i vërtetë i Berishës korrupsioni apo jo, zgjedhja e Nanos do të tregonte qartë se antikorrupsioni për Berishën është një mjet për të qëndruar në pushtet të cilin mund ta shkëmbejë shumë lehtë me simbolin e korrupsionit Nano, kur ky t’i duhet. E po e bëri me Nanon pse të mos e bëjë me mafjen, me bizneset informale e me rradhë.
Jo vetëm kaq, por me këtë zgjedhje ai do t’i jepte dorë një projekti prapa të cilit qëndron kundërshtari i tij më i rëndësishëm sot Rama e që e mbështet edhe një pjesë nga jashtë e manipuluar nga fushata vetpromovuese e Ramës sipas të cilit projekt vetëm ikja e Nanos dhe Berishës e zëvendësimi i tyre me Ramën dhe politikanë të brezit të tij do të ishte shpëtimi i Shqipërisë nga rreziku i diktatorëve - çka unë do ta kisha mbështetur me tërë forcën sikur të mos e dija më mirë se të huajt se realiteti nuk është kështu.
Nga ana tjetër mua më duket se propozimi për Nanon duhet të vijë nga opozita, ose një pjesë e saj pro Nanos, sepse nuk ta do mendoja që Nano të futet në listën e kandidatëve të PDsë për president. Mirëpo në momentin kur kjo opozitë do të fusë Nanon si kandidatin e vet kryesor për president atëhere do të bëjë vetëdenoncimin e rradhës. Nëse ka ndodhur ndonjë ndryshim pozitiv që ata e pretendojnë kjo është ikja e Nanos filozofia qeverisëse e të cilit ka qenë ndoshta edhe më shkatërruese për shtetin sesa autoritarizmi i Berishës në vitet 1992- 1996. Sepse Nano e ndau Shqipërinë në feude dhe u tha feudalëve të tij: vidhni sa dhe si të mundni sepse nuk ju ndodh gjë, por veç më sillni mua pjesën time. E të zgjedhësh për president një person të tillë, që, për më tepër, ka gjashtë muaj që nuk duhet një herë në parlament, pale të shkojë në zonën që e ka zgjedhur, sipas meje do të ishte akti final i vetëdenoncimit të kësaj klase poltike, si të mazhorancës dhe të opozitës, do të ishte përqeshja e fundit që kjo klasë politike i bën popullit shqiptar dhe ndoshta akti i parë i një zemërimi që do të duhej të mbarsej për të pjellë një klasë të re politike.


Shuarja e Pjeter Arbnorit, na sjell në mendje nje fakt qe shoqëria jonë ende nuk e ka larë ndërgjegjen për krimet e komunizmit. Nuk është bërë akoma le të themi “mea culpa”. Si e shpjegoni ju këtë, dhe a mendoni se kjo duhet bërë, apo është një nga ato krizat që shoqëria jonë është mësuar t’i kapërdijë pa u ndalur për një hop në reflektim...

Jo më larg se dje rasti më dha të rishikoj një dokumentar të bërë në vitin 1992 nga një televizion i huaj në të cilin kishte shumë protagonistë të vuajtes nëpër burgje dhe internime që jepnin dëshmitë e tyre rrënqethëse. Të them të drejtën edhe unë, që pjesën më të madhe të aktivitetit tim si shkrimtar e kam të lidhur me përshkrimin e atyre vuajtjeve, u trondita kur e ripashë e më erdhi natyrshëm pyetja: si është e mundur që ne i kemi harruar këto?! Si mund të harrohen këto?!
E megjithatë po ndodh një harresë dramatike. Shkaqet janë të shumta e nuk di se kë të vendos të parin për nga rëndësia. Një nga shkaqet lidhet me çështjen që trajtova më sipër: Pse ne duhet të merremi dy vjet rresht me atë se kush do të zgjidhet president që, po ta shtrish më gjerë, do të thotë: pse ne prodhojmë kaq shumë historira kot e mbytemi në to kur kemi kaq gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë? Një nga shkaqet e “harresës” është fakti se ne gjatë këtye 15 vjetëve kemi prodhuar aq shumë historira të reja kot e tragjedira të reja kot sa këto nuk na kanë lënë ta kthejmë kokën prapa. Po ta trajtosh më thellë këtë fenomen do të arrish në konkluzionin se ndërgjegja jonë është ende në një fazë infantile. Por nuk është vetëm kjo. Një arësye e dytë lidhet me faktin se ajo që herë tjetër e kam quajtur elita jonë politike dhe kulturore, ajo që, si të thuash, ka dominuar në jetën publike me idetë, mendimet e veprimet e saj duke përcaktar edhe tematikat, edhe ndjeshmëritë, edhe prioritetet, nuk ka pasur interes të vërtetë dhe të sinqertë për kthimin e kokës për nga ajo kohe sepse ndjehet fajtore, por edhe sepse një kthim i kokës vërtet e me seriozitet e me ndjenjë drejtësie (e jo si instrumentalizim politik) në atë kohë do të ishte diskreditues për të e do të sillte humbjen e influencës e pushtetit të saj. Prandaj ajo i është futur një operacioni të dyfishtë të manipulimit të të vërtetave të asaj kohe duke e kombinur këtë me një imponim të harresës me çdo mjet edhe duke prodhuar pseudoprobleme. Sot psh., në sajë të këtij manipulimi për shumicën e njerëzve del më i persekutuar shkrimtari Ismail Kadare që ka qenë edhe edhe deputet edhe nëkryetar i Fronti Demokratik edhe antar partie e ka gëzuar trajtim të veçantë nga regjimi sesa shkrimtari Pjetër Arbnori që ka bërë 30 vjet burg. E për fat të keq në këtë manipulim shoh se kanë luajtur një rol edhe jo pak ish të persekutuar. E këtu vij në shkakun e tretë: sepse puna sistemetike 45 vjeçare që ka bërë diktatura për të shkatërruar ish të persekutuarit ashtu sikurse edhe vetë vuajtja e tyre ka bëri që këta të mos kenë mundësi të mbrojnë si duhet vuajtjen e tyre dhe kujtimin se saj e të luftojnë për drejtësinë që meritojnë.
Por ka edhe një shkak tjetër shumë të rëndësishëm që lidhet me tetë vjetët e sundimit socialist që janë periudha më e gjatë në këtë tranzicion. Socialistët edhe për arsye klienteliste, sepse votuesit e tyre ishin kryesisht në rradhët e ish persekutorëve, edhe për arsye mungesash kulturore e moraliteti që i thelluan me zhytjen totale që i bënë shoqërisë në korrupsion, e lanë krejtësisht në surdinë çështjen e persekutimit. Po të vesh re edhe në tekste shkollore ajo anashkalohet. E në këtë kontekst, do të shtoja edhe një arësye tjetër që lidhet pandashmërisht me ato që thashë më lart ose më saktë që është pasojë e atyre: mungesa e një brezi të ri të interesuar për atë se çfarë ka ndodhur.
Megjithatë unë kam besim se tragjedia e asaj kohe dhe shumë të vërteta të asaj kohe që sot po lihen në hije janë aq tragjike saqë nuk mund t’i tresë dot dheu e as t’i fshehin apo ndryshojnë shumë nga ata që edhe sot e kësaj dite i tremb hija e së kaluarës së tyre që zgjatet pa fund. Ajo tragjedi qëndron nën valët e turbulluara të ngjarjeve që ne prodhojmë pa reshtur e duket sikur nuk është, por, sapo të bëhet pak kthjellësi, ajo do të dalë e tëra me përmasat e saj gjigante dhe zinë e saj të paharrueshme. (Rubrika Përpjekja, Standart, 15 Korrik 2006)

No comments: