Wednesday, August 2, 2006

Fat i keq, por edhe probabilitet

A keni ju një gjykim tuajin për tragjedinë e fundit ku një helikopter me 6 persona në bord u zhduk në det, duke qenë se është bërë një temë e fortë debati mes pozitës dhe opozitës; ku pushtetarët thonë se gjithë procedura teknike ka qenë e rregullt, ndërsa opozita akuzon për pakujdesi dhe bën fajtore qeverinë për ngjarjen...

Tragjedinë e Pashkos e mësova ashtu siç besoj se e kanë mësuar pjesa më e madhe: në dy akte. Në fillim dëgjova çfarë i kishte ngjarë në detin Jon e se ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin e Barit. Pastaj mësova atë më tragjiken: që helikopteri nuk kishte mbrritur në Bari, por ishte mbytur në Adriatik sëbashku me të birin, dy pilotët, mjekun dhe inxhinierin. Kjo e dyta ishte në nivelin e atyre lajmeve që të lenë të pataksur e që refuzon t’i besosh. E përjetova si një fatalitet nga ato që të sjellin ndërmend tragjeditë e grekëve të lashtë ku zotat e gjithpushtetshëm vendosin për fatet e tokësorëve në zëmërim e sipër. Kjo e Pashkos mu bë sikur të ishte një tragjedi me dy akte ku hyjnia e detrave, Poseidoni, dukej sikur kishte vendosur ta merrte me çdo kusht dhe, pasi ky i shpëtoi kthetrave të tij për herë të parë në Jon, ngulmoi dhe e mori për së dyti në Adriatik, ndoshta në bashkëpunim me perëndinë e erërave, Eolin. Madje kësaj here, i zemëruar edhe më, vendosi ta marrë sëbashku me të birin dhe katër të tjerë.
Ky ishte një reagim i parë emocional përzjerë me keqardhjen për Pashkon që sikur u gjashtëfishua e më la pa gojë, veçanërisht kur sillja ndërmend të birin. Pastaj afërmendsh goja fillon e flet e vihet në lëvizje sëbashku me pjesën tonë racinale që kërkon të dijë hollësira për ngjarjen, kërkon edhe ta kthejë filmin mbrapsh për të gjetur shkaqet, si mund të evitohej, fajtorin etj.
E këtu le të përmend një debat që bëra më dikë i cili më tha se ishte destini apo fati, - çka e tha në një farë mënyre edhe Berisha. Në përgjithësi ne shqiptarët e kemi shumë të fortë ndjenjën e fatalitetit, që, në thelb, është shprehje e një mendësie e kulture, do të thoja, që e ka shumë të theksuar tiparin e nënshtrimit e të pafuqisë për të vendosur për fatet tona. “Kështu desh Zoti”, “Jetëshkurtëri nuk bëhet jetëgjatë” e shumë thënie si këto janë shprehje të këtij mentaliteti. Pa dyshim në rastin në fjalë ai që e quajmë “fati i keq” ka treguar me Pashkot një egërsi të veçantë, por, sipas meje, kjo nuk është vetëm çështje fati të pashmangshëm apo vullneti hyjnish, por është edhe çështje shumë tokësore, probabiliteti do të thoja. Ç’kuptoj me këtë? Me këtë kuptoj se fakti që aksidentet në ujë apo në rrugë apo në ajër ndodhin më shumë tek ne sesa në një vend perëndimor nuk është çështje fati. Pra, duke iu referuar rastit në fjalë: sikur ne të kishim në bregdetin e Jonit, që supozohet se është edhe zonë turistike, një helikopter shpëtimi që të ishte i gatshëm të vinte në çdo cep të atij bregdeti në një kohë rekord e me ndihmë të shpejtë, ndoshta Pashko do të mund të shpëtohej në vend. Le të vazhdoj më tej: sikur të kishim në Vlorë një spital për të qenë përsëri ai do të ndalej aty në një kohë shumë më të shpejtë. Por edhe sikur të kishim në Tiranë një spital të mirë; por edhe sikur të kishim helikopterë më shumë dhe më të rinj. Pra sikur të ishin të gjitha këto e të tjera, probabiliteti që të ndodhte kjo tragjedi do të ishte shumë më i vogël.
Sipas meje, kur vjen puna për ta politizuar këtë tragjedi, këtu duhet të ndalet politika dhe politikanët për të nxjerrë përgjegjësitë e tyre: pse e kanë lënë këtë vend në këtë gjendje? Madje, në këtë kontekst politizimi, çështja duhet ngritur edhe në një aspekt tjetër: supozojmë se Pashko do të arrinte në Bari dhe do të shpëtonte. A nuk do të kishte të drejtë çdo qytatar i thjeshtë i këtij vendi, që nuk ka emrin dhe njohjen e Pashkos, të ngrinte çështjen e pabarazisë së shtetasve në një nga të drejtat themelore të njeriut: atë të pasjes së një shërbimi shëndetsor bazë të siguruar për të gjithë? A nuk do të kishte ai të drejtë të ngrinte çështjen se këta politikanët tanë, mu pse kanë këto privilegje e mundësira për vete, nuk duan t’ia dinë për të tjerët?
Në këtë kontekst, pra, sipas meje, do të duhej të politizohej kjo tragjedi e jo vetëm të nxirreshin përgjegjësitë, por edhe të hidheshin ide se çfarë duhet bërë nesër urgjentisht e po ashtu në terma afatgjata. Kurse instrumentalizimi që i ka bërë opozita duke akuzuar Berishën si vrasës të gjashtë vetëve sepse paska vënë në dispozicion helikopterin e tij kundra rregullave, e duke ngelur këtu, më duket se provon mjerimin e kësaj opozite e cila, e ka përqendruar tërë luftën e saj e bërjen opozitë kundër një personi që mishëron obsesionin e saj, kryemnistri. Jam i bindur se kjo lloj opozite sikur Berisha të mos kishte ofruar helikopterin e tij do ta akuzonte përsëri si vrasës pasi nuk e dha helikopterin. Mirëpo problemi është se një opozitë e obsesionuar kësisoj çka e çon tek ideja se mund të përdoret çdo mjet kundër obsesionit të saj, nuk është më e aftë të merret me fenomenet e të ketë qartpamësi e drejtpeshim në vlerësimin e situataave e ngjarjeve. E kjo është një humbje e madhe, por është edhe e barsur me rreziqe të mëdha. Sepse edhe tek trajtimi i kësaj ngjarjeje vihet re strategjia e përdorimit të çdo mjeti për eliminimin e kundërshtarit, çka kam frikë se do ta thellojë konfliktualitetin e do ta çojë politikën në shkallë edhe më të mëdha iracionaliteti.

Si e shihni luftën e fundit që ka nisur në Lindjen e afërt, ku Izraeli ka sulmuar disa objekte të Libanit. A mendoni se ky konflikt do të përshkallëzohet dramatikisht, duke qenë se disa vende arabe kanë shprehur një lloj gadishmerie për t'u përfshirë në këtë ngjarje, apo diplomacia e të mëdhenjve do të mundësoje paqen...

Çka po ndodh midis Izraelit dhe Libanit e shoh si pasojë të gabimit fatal të Bushit që ndezi luftën në Irak duke i hedhur edhe më benzinë zjarrit në një zonë mjaft të ndezur nga konflikti izraelo palestinez. Them “gabim” sepse më vjen ndërmend një thënie e Fushesë kur Bonoparti, me këshillën e Talejrandit, vrau Dukën e Engijenit: “Ky ishte më keq se një krim, ishte një gabim” – tha Fusheja. Sepse një krim mund të mbyllet me një krim, kurse një gabim është i barsur me pasoja nganjëherë të pallogaritëshme, siç ndodhi në rastin e asaj vrasjeje pas të cilës armiqtë e Bonopartit u bashkuan kundër tij në Aleancën e Shenjtë. Sipas meje ishte gabim tërë strategjia e përdorur nga Bushi në luftën kundër terrorizmit. Ishte një strategji që u ndërtua me mjete anakronike, sepse përdorimi i luftës si vazhdim i politikës me mjete të dhunshme është i barsur me rreziqe të jashzakonshme në kohën kur jetojmë e nuk është as edhe efikas; sepse pushtimet me ushtri dhe konvertimet me ushtri janë të pamundura në kohën që jetojmë, me ndjeshmërinë, koshiencën, informacionin që kemi sot. Lufta kundër terrorizmit në kontekstin global kërkonte të tjera mjete. Sipas meje trajtimi i vendeve që konsideroheshin armike apo diktatoriale si Iraku duhej kryer sipas politikash krejt të tjera nga ato të ndeshjes me ushtri. Mund të përdorej psh. edhe strategjia e Luftës së Ftohtë e cila nënkuptonte edhe zhvillimet graduale demokratike brenda vetë vendit si ato që ndodhenë në vendet e Lindjes. Kur ia kam thënë këtë ide një përfaqësuesi të Departamentit të Shtetit në kohën kur po përgatitej lufta ai mu përgjegj se kështu do të ishte më mirë sikur Sadami të mos kishte armë të shkatërrimit në masë që e bëjnë të rrezikshëm imediatisht. Mirëpo rezultoi se Sadami nuk kishte armë të tilla. Por edhe sikur të kishte. Çfarë do të mund të ndodhte psh. sikur në këtë përshkallëzim urrejtjeje të kishte edhe zhvillime në Pakistan dhe regjimi të bjerë atje në duart e një qeverie armike ndaj SHBA që, me gjithë gjasat, sikur të ketë zgjedhje të lira edhe mund të ndodhë, siç pamë se ndodhi me zgjedhje të lira në Palestinë ku fitoi krahu ekstremist Hamasi dhe jo krahu i moderuar. Pra, eksportimi i demokracisë me mjete të dhunshme ka rezultuar jo vetëm i dështuar, por ka barsur me urrejtje të panevojëshme botën arabe ndaj SHBA e Izraelit e po ashtu ka ulur jashtzakonisht reputacionin dhe legjitimitetin e SHBA si fuqia e parë botërore që do të duhej të garantonte paqen dhe harmoninë në planet. Edhe për këtë arseye sot me të drejtë flitet për mbarimin e sistemit monopolar me mbizotërimin amerikan dhe për fillimin e një epoke shumëpolare; por për fat të keq të pastabilizuar e prandaj edhe të barsur me plot rreziqe. Kjo që po ndodh në Lindjen e Afërt, sipas meje, duhet parë në këtë kontekst. Gjithë duke shpresuar që diplomacia botërore do ta shuajë konfliktin, më duket se ajo po provon një lloj pafuqie për menaxhimin e tij dhe kjo është më e keqja.
Në nivelin tonë lokal më bije në sy indiferentizmi ndaj gjithë kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme, që mbush faqet e para të gazetave dhe lajmeve televizive botërore e që dikush e ka konsideruar edhe si fillim i Luftës së Tretë. Kjo ndodh për shkak të përqendrimit të opinionit tonë tek ngjarjet e vogla të brendëshme, tek furtunt në gotën tonë të vogël të ujit, sepse për aq shqetësohen politikanët tanë e mediat tona. Ky është tregues i një provincializmi të thellë. Jo vetëm, por të bije në sy edhe mungesa e ideve apo qasjeve të ndryshme politike ndaj këtij konflikti. Si psh. qasjet e djathta dhe të majta që i ve re në çdo vend ku funksionon vërtet demokracia dhe pluralizmi, ku ato të djathtat janë më pro izraelite dhe më justifikuese për përdorimimin e luftës kurse ato të majtat janë shumë më të ndjeshme ndaj çështjes palestineze dhe dënuese më me forcë ndaj atij që ata e quajnë reagim i shproporcionuar i Izraelit e këmbëngulin për reshtjen e luftimeve në emër të paqes e dialogut. Por, më anë tjetër, nganjëherë mendoj se është më mirë kjo heshtje sesa ndonjë ragim si ai i para disa vjetëve kur, pa qenë kurrfare nevoje përveçse për të treguar servilizmin tonë të pashoq e me synim të brendapërbrenshëm (për të mbuluar korrupsionin e për të fitur ndonjë mbështetje nga administrata e Bushit), e majta jonë super e djathtë vendosi të dërgojë trupa në Irak.


Disa nisma të fundit të mazhorancës kanë ngecur dhe duket se edhe më tej do të ngecin në Presidencë. Është fjala për rrëzimin që KLD i bëri ndryshimit të këtij këshilli së fundmi nga Parlamenti, si dhe siguria e bërë publike e Prokurorit të Përgjithshëm për mosshkarkim, duke qenë se ky akt është në dorën e Moisiut. Pse mendoni se Presidenti kundërshton mazhorancën në këto pika, dhe a i ka bërë mirë llogaritë qeveria me të, apo është gabuar duke mos ndërtuar një raport me funksional me kreun e shtetit...

Në tipologjinë e presidentëve që kemi kaluar gjatë këtij tranzicioni Moisiu është një variant i tretë do të thoja. Kemi pasur në fillim Berishën tek i cili ishte përqendruar tërë pushteti e që fare mirë mund të konsiderohej edhe shef i ekzekutivit. Pas tij kemi pasur Mejdanin i cili ishte përfaqësuesi i një pale, por jo i gjithpushtetshmi i parë sepse ishte nën hijen e kryetarit të ekzekutivit. Ai e ruajti këtë pozicion gjithë duke qenë qartazi pjesë e një pale dhe pa gëzuar legjitimitetin që duhej t’ia njihte edhe pala tjetër. Moisiu është variant tjetër. Ai ka dalë nga konsensusi PS – PD; madje PD ka pandehur se ka arritur maksimumin e mundshëm me zgjedhjen e tij sepse dihej e kaluara e tij pro PD. Por karakteristika e tij thelbësore që e bëri edhe të zgjedhshëm ishte mendimi se ky do të mund të ishte i kontrollueshëm nga PD-ja sepse e dinte se ishte ajo që e kishte zgjedhur duke e lidhur këtë edhe me faktn se ishte figurë që nuk kishte treguar ndonjë personalitet të spikatur. Kurse Nano e pranoi sepse mendoi se, duke patur pushtetin, do të arrinte shumë shpejt ta vinte nën hyqmin e socialistëve, gjithë duke menduar edhe ai se Moisiu nuk ishte ndonjë personalitet i spikatur. I të njëjtës tipologji është edhe Sollaku. Shumë njerëz sot nuk e dinë se ai ka qenë kandidat për deputet i PD në kohën kur PD-ja ishte në minimumin e mbështetjes së saj: në zgjedhjet e 29 qershorit 97. Pa dyshim kjo lidhje ka bërë që PD të besojë se do ta ketë në krahun e vet prokurorin, kurse përsëri Nano ka besuar shumë më tepër se pushteti i mafjes që ai kontrollonte do ta kthente lehtë Sollakun në krahët e tij. Për mua mund të thuhet se Nano ka treguar intuitë më të fortë ose se PD-ja kaq mund të arrinte duke qenë në opozitë. Kurse fakti që këta të dy sot nuk kalojnë në anën e PD, siç ta do vazhdimi i këtij arsyetimi, ka të bëjë me atë se më një anë këta i ka kapur sistemi dhe më anë tjetër sepse e dinë se janë të sakrifikuarit e rradhës. Por ndoshta edhe pse janë të ngjashëm në tipologji. Pra rezistenca e tyre, sipas meje, është, sëbashku me aktivitetin e opozitës, rezistencë e sistemit të korrupsionit nga rreziku i shkatërrimit të tij apo nga rreziku që atë ta marrë në dorë Berisha, por kurrsesi mbrojtje e shteti ligjor, sepse shteti ligjor nuk mbrohet dot nga një njeri i vetëm, aq më pak nga një njeri si Sollaku që në tërë këta vjet nuk ka bërë asgjë që të tregojë se është në gjendje të mbrojë shtetin ligjor nga kapja që i ka bërë mafja.
E dëgjova Sollakun së fundmi në parlament dhe më ra në sy jo vetëm fakti se teksti i tij ishte i shkruar nga një dorë që vetëm jurist nuk mund të jetë, por edhe se kur akuzoi se kjo që po ndodhte me të ishte një tentativë e kryeministrit për të kontrolluar organin e prokurorisë tha se, po të ndodhte kështu, vendi do të shkiste në anarki. Vini re: nuk tha se do të shkiste në autritarizëm, siç ta donte logjika. Në këtë mënyrë ai na kërcënoi, indirekt, se heqja e tij do të ishte e tillë që do të shkaktonte rebelim dhe anarki si në 97-tën. Dhe s’do mend se këtë anarki do ta bënte opozita. Këtu vlen të qëndrosh sepse mbetja në skemën e 97-tës është një gabim i madh që socialistët, por edhe Sollaku, nuk po dinë ta kuptojnë. Sigurisht 97-ta qëndron varur në historinë tonë edhe si një kërcënim, por nga ana tjetër duhet të arrijmë të bëjmë edhe dallimet, e një ndër dallimet është se populli nuk beson më te klasa politike që besonte në 97-tën. Por ka edhe diçka tjetër që duhet shtuar lidhur me atë deklaratë. Një njeri që pranon që vendi të shkojë në vitin 97 e të mos japë dorëheqjen, duhet të jetë në një hall shumë të madh. Më duket se në këtë hall është edhe Presidenti.
Për mua zgjedhje të tilla të dështuara në krye institucionesh tregojnë edhe një herë se sa e rëndësishme është të kemi institucione vërtet të pavarura e që drejtohen nga njerëz me personalitet që gëzojnë kredibilitetin e të dy palëve. Përndryshe ata bëhen thjeshtë një mollë sherri më tepër aq sa të vjen të thuash më mirë të mos ekzistojnë.
(Rubrika Përpjekja, Standart 22 korrik 2006)

No comments: