Saturday, September 2, 2006

Shteti i ligjit dhe shteti i marrëveshjes

Po të kërkosh rrënjët e konfliktit të fundit politik në Shqipëri, atij që kulminoi në seancën e pushtimit të Parlamentit nga opozita dhe që po vazhdon me bllokimin e çdo dialogu midis mazhorancës dhe opozitës, përtej luftës së personave, përtej zhurmave iracionale ku njëra palë vë kushte të papranueshme dhe pala tjetër nuk i pranon, përtej asaj se kush ka të drejtë në këtë rast, do të vërejmë se bllokimi, në thelb, buron nga ngecja e politikës në atë dualizëm që ekziston tek ne midis atij që mund të quhet shteti i ligjit i mbetur në tentativë apo letër dhe një shteti tjetër që është më i fortë realisht e që mund të quhet shteti i marrëveshjes. Me marrëveshje kuptoj një akt politik që nuk parashikohet në ligj e as në rregullat e stabilizuara të funksionimit të institucioneve, por që u mbivendoset këtyre mu pse këta, nuk janë të aftë të ushtrojnë të drejtat dhe detyrat e tyre. Duke përshkuar tërë këtë periudhë që ekziston pluralizmi, i cili gjithnjë e më shumë është shndrruar në bipolarizëm, do të vemë re se ky dualizëm, dhe loja midis marrëveshjes dhe ligjit brenda tij është skena ku është luajtur dhe luhet prej vitesh politika në Shqipëri.
Ku dualizëm ka filluar të marrë trajtë të qartë veçanërish në periudhën që nga 1997 e këtej. Madje në këtë aspekt viti 97 shënon një ndarje periudhash. Nëse vitet 1992 – 1996 kanë qenë vite ku ka dominuar një parti e vetme me Berishën si kryetar të saj dhe president që në një farë mënyre identifikohej me ligjin sipas praktikës së vënies së shtetit të personit mbi shtetin e ligjit, pas vitit 1997, kur të dy forcat politike u ballancuan, ka filluar kjo periudhë e dytë e shtetit të marrëveshjes që i mbivendoset shtetit të ligjit, i cili shpesh mbetet vetëm në tentativë ose thjesht në letër.
Në thelbin e shtetit të marrëveshjes qëndron mungesa e institucioneve që garantojnë ligjin dhe barazinë e të gjithëve përpara tij. Mund të thuhet, besoj pa gabuar, se është marrëveshja e 9 marsit ajo që ka inauguruar këtë periudhë të dytë. Ajo është klasike në këtë aspekt sepse situata e krijuar ishte e tillë që midis dy forcave konfliktuese nuk kishte asnjë institucion tjetër që të garantonte ligjin. Të vetmit ndërmjetës ishin ndërkombëtarët të cilët mund të luanin rolin e ndërmjetësit për marrëveshje, por kurrsesi garantuesin dhe ushtruesin e ligjit në vend.
Pra, nëse në vitet 92-96 mund të thuhet se kishim shtetin e personit që i mbivendosej ligjit viti 97 shënon kështu periudhën e shtetit të marrëveshjes që dominon mbi shtetin e ligjit. Dhe që nga ajo kohë e këtej do të vemë re se në momentet më kulminante Shqipëria nuk i ka zgjidhur problemet e saj nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet marrëveshjes. Ndër momentet kryesore ku ka dalë në pah ky dualizëm kanë qenë zgjedhjet. Ato në Shqipëri asnjëherë nuk kanë qenë konform ligjit, gjithherë kanë qenë të kontestueshme nga njëra palë dhe prandaj, për të arritur ekuilibrin dhe paqen, është dashur futja në skenë e faktorit të tretë, ndërkombëtarëve, të cilët kanë vendosur marrëveshjen. Edhe zgjedhja e Presidentit aktual të Republikës ishte rezultat i një marrëveshjeje të imponuar mu pse nuk kishte funksionuar si duhet institucioni i zgjedhjeve të lira. Edhe Prokurori që kemi sot është rezultat i një marrëveshjeje që lindi pas një konflikti midis socialistëve për prokurorin, ndërkohëqë, në fakt, paraardhësi i tij, Rakipi, u hoq në mënyrë të jashtëligjëshme, sepse antikushtetuese. Zgjedhja e dy institucioneve të tilla kaq të rëndësishme si rezultat i marrëveshjes apo konsensusit dhe jo të ligjit është emblematike për të vënë në dukje epërsinë e shtetit të marrëveshjes mbi shtetin e ligjit në Shqipëri. Por mbi të gjitha ajo është emblematike për të treguar ekzistencën e asaj hapësire midis ligjit dhe marrëveshjes apo konsensusit në të cilën luan politika jonë. Në rastin e zgjedhjes së anëtarit të KQZ, që ishte shkakpreteksti i konfliktit të fundit juristët thonë se kemi të bëjmë me shkeljen e një marrëveshjeje, jo me shkelje të ligjit. Por ama roli dominues që ka marrë marrëveshja në vend e bën atë jolegjitime në sytë e të dëmtuarve. Tek e fundit kemi pra kapërcimin nga marrëveshja tek ligji dhe anasjellatas nga ligji tek marrëveshja sa herë që kjo ka qenë në favor të njërës palë apo tjetrës.
Shkak dhe njëherësh pasojë e kësaj situate është se aktorët kryesorë dhe të vetëm në vend kanë qenë dy partitë kryesore politike të cilat janë sa gjenerues të kësaj situate aq edhe pasojë e saj. E gjithë jeta politike është kufizuar në marrëveshjet dhe antagonizmat e tyre. Konfliktet midis tyre kanë krijuar një traditë tashmë në formë rrethi vicioz në të cilin si hap të parë kemi shkeljet e ligjit ose marrëveshjes nga nëra palë, si hap të dytë kontestimet nga pala tjetër dhe, kur këto bëhen të forta, për të shuar kontestimet, kërkohet marrëveshja e re apo konsensusi i ri, i cili arrihet nëpërmjet një aktori të tretë po aq të rëndësishëm në krijimin e këtij ambiguiteti, faktori ndërkombëtar. Edhe ky faktor duket sikur, ngase kërkon të ruajë pushtetin e vet apo nga mungesa e besimit tek aftësia a faktorëve shqiptarë për të siguruar funksionimin e ligjit, gjithherë ka ndërhyrë për të siguruar marrëveshjet atje ku aplikimi i ligjit nuk ka qenë i mundur për shkak se ky aplikim dëmtonte aktorët kryesorë mbi të cilët ndërkombëtarët mbështeten për të bërë politikë në Shqipëri.
Në emër të shtetit të marrëveshjes sot do të mund të arrihej, praktikisht duket se është arritur, një amnisti për tërë ata politikanë që kanë abuzuar me pushtetin dhe që sot ndjehen të kërcënuar me burg. Në fakt e njëjta gjë u bë edhe në 97-tën. Përndryshe protagonistët tanë thonë: ne e bllokojmë situatën dhe askush nuk ka se çfarë bën. Por a ka shpresë që pas zerimit, dmth. marrëveshjes së rradhës, të fillojmë të ecim në rrugë të drejtë, dmth në atë të ligjit? Përvoja e deritanishme ka treguar se, përkundrazi, kështu vetëm sa forcohet kultura që e ve marrëveshjen e më të fortëve, të cilët, veç të tjerash, i kanë siguruar vetes edhe imunitet parlamentar, mbi ligjin. Përvoja ka treguar se shteti i marrëveshjes është shteti i partive dhe në përgjithësi i më të fortëve që qëndrojnë dhe mbijetojnë mu në sajë të logjikës se marrëveshja midis tyre është më e fortë sesa ligji.
Përvoja tregon se vetëm shteti i ligjit është dhe mund të jetë shteti i të gjithëve. Kjo, në fakt, nuk do shumë mund për tu kuptuar. Ajo që kërkon shumë më tepër mund është gjetja e mënyrave se si të mund të kalojmë nga shteti i marrëveshjes në shtetin e ligjit, çka do të thotë se si do të arrihej që institucionet e tjera të shtetit apo shoqëria civile të ishin të varura tek ligji dhe jo tek partitë dhe marrëveshjet e tyre. Kjo do të nënkuptonte edhe reforma të tjera ligjore që do të siguronin këto pavarësi, por, nga ana tjetër, përvoja na ka treguar se edhe kur ka ligje të mira këto nëpërkëmben kollaj nga të fortët. Përvoja ka treguar gjithashtu se institucione të tilla si ato të Prokurorisë e Gjyqsorit që duhet të sigurojnë drejtësi dhe barazi të të gjithëve përpara ligjit duke i dhënë kështu dinjitet shtetit, e që e kanë një pavarësi jo të vogël veprimi të garantuar me ligj, nuk kanë funksionuar megjithatë, me logjikën e ligjit, por me atë të luftës dhe marrëveshjes së më të fortëve. Problemi tek e fundit duket se mbetet tepër i vështirë sepse është problem kulturor. Në emër të shtetit të marrëveshjes e në kurriz të ligjit e të më të dobtëve e më të ndershmëve sot flitet për një amnisti fiskale psh. që do të mund të zeronte shkeljet e ligjit që janë bërë deri më sot. Në emër të marrëveshjes e në kurriz të ligjit e të më të dobtëve e më të ndershmëve u bënë tërë legalizimet e ndërtimeve pa leje. Politika në fakt nuk është tjetër veçse shprehje e kësaj kulture të gjithpërhapur, por ajo nga ana tjetër, ka në dorë të bëhet penguesja apo gjeneruesja e saj sepse ajo ka një rol aktiv në zgjedhjen apo jo të zbatimit të ligjit. Hapat që do të hidhen duket se janë të gjata, por, mesa duket, më së pari duhet luftuar ky dualizëm midis shtetit të marrëveshjes dhe shtetit të ligjit. Edhe kriza e fundit ve në dukje bash nevojën e zhdukjes së këtij dualizmi. Le të flitet vetëm në emër të ligjit e çdo gjë të bëhet në emër të ligjit e po ashtu çdo gjë të kundërshtohet vetëm në emër të ligjit. Kjo do të forconte kulturën e ligjit ndaj kulturës së marrëveshjes së më të fortëve. Do të ishte mirë që edhe ndërkombëtarët të bëheshin pjesë e përçimit të kësaj kulture dhe jo t’i adoptoheshin bizantinizmit tonë që e ka lënë shtetin e ligjit në letër. (Korrieri 22 gusht 2006)

2 comments:

Anonymous said...

nje nder ligjet psh thote qe parlamenti mblidhet ne sallen e parlamentit dhe "locus" mund te ndryshoje vetem me ligj!!!
a nuk te bezdis kjo ty?

Anonymous said...

ne fakt ne shqiperi "marveshja","rregullimi i i puneve " ,"i futa mik" " pagova pare" ," kam nje mik ne qeveri " -jane parimet kryesore tek shqiptaret qe kurre nuk kane patur nje shtet edhe kur e paten nuk diten ta transformonin ,mbeten keshtu bisht qeni,drejtoje dhe shkon prap atje ku ishte, eh, bisht qeni mo !!