Monday, November 27, 2006

“Uji i ndotur” dhe Nano

Skena politike shqiptare është bërë ndoshta më intriguese se kurrë me rifutjen në lojë të Fatos Nanos i cili ka zgjedhur një moment interesant për ta bërë këtë. Është folur mjaft kohët e fundit për mundësinë e kthimit të Nanos, por shumëkush nuk e ka besuar si të mundur. Një pjesë e ka menduar si të pamundur për shkak se ka pasur besim se Edi Rama do të ishte më i aftë nga çështë treguar për të krijuar një shpresë të re nga hiri i PS të djegur nga korrupsioni; një pjesë tjetër sepse, duke besuar serizosht në premtimet e Berishës për të luftuar korrupsionin, ka menduar se këto premtime do ta mbanin Nanon larg pretendimeve për tu kthyer në pushtet; kurse të tjerë sepse kanë menduar se LSI do të mbyllte dy porta të rëndësishme prej nga mund të hynte Nano në politikë: atë të luftës kundër korrupsionit mafjoz në PS si dhe atë të ekzistencës së një force politike në opozitë të aftë për të dialoguar me PD.
Ndërkohë që e kemi më të vështirë të flasim me bindje se Berisha është një faktor me rëndësi në këtë zhvillim e kemi më të lehtë të shohim se Nano ka gjetur momentin e duhur për të rihyrë në lojë mu pse janë tronditur shumë këto tre besime.
Për të rihyrë në lojë Nanos i duheshin tre gjëra: një krizë e PS dhe aleatëve të saj, një krizë e PD si dhe një premtim i ri. Krizën e PS duket se e ka sepse gjatë këtij viti lideri i saj agresiv Rama, me konfliktualitetin e tij gjenetik, (mjafton të shikosh faqet e ZP për të kuptuar se në çfarë gjendje është katandisur politika e partisë që ka qeverisur për tetë vjet vendin) nuk ka prodhuar dot politikë, por veçse obstruksionizëm destruktiv. Po ashtu Rama është treguar i paaftë të mbajë sëbashku tërë ato interesa brenda PS që tani janë në krizë, jo vetëm për shkak të metodave të tij të keqkomunikimit, por edhe pse nuk ka më pushtetin që ka patur më parë për të shpërndarë leje ndërtimi e favore të tjera. Kështu Nano gjen një moment të përshtatshëm për të hyrë në politikë edhe duke na rikujtuar aftësitë e tij prej moderatori dhe dialoguesi si brenda partisë ashtu edhe me kundërshtarët, të cilat askush nuk ia mohon dot. Duke deklaruar se e “shqetëson institucionalizimi i një konflikti të egër dhe të vjetër në politikën shqiptare.” se “marrëveshja më e fundit midis përfaqësuesve të moderuar kërkon investimin e autoriteteve kryesore të dy kampeve dhe konsolidimin e saj me një pakt më të gjerë se sa kaq dhe të garantojnë një bashkëjetesë politike dhe institucionale sidomos për çështjet e integrimit të vendit...” kuptohet qartë se Nano e ka fjalën se është ai dhe jo Rama që mund të garantojë, sëbashku me Berishën, këtë marrëveshje që, pa dyshim, edhe pse ai nuk e thotë, nënkupton deri zgjedhjen e tij president dhe implikimet që ka një zgjedhje e tillë për shpresat e opozitës për ta shfrytëzuar këtë moment.
Ndërkaq Nano ka edhe një mbështetje jo të vogël, pavarësisht se e heshtur, që buron nga një krizë e PD, kryesisht nga mospasja e një numri të qëndrueshëm deputetësh në parlament për zgjedhjen e presidentit, por edhe nga aktiviteti destruktiv i PS dhe sigurisht nga mosekzistenca e një force morale të qëndrueshme në atë parti. Berisha ka nevojë të qeverisë ndërkohë që Rama, pa e kuptuar se nuk jemi më në 96-97 tën, nuk po do ta lerë të qeverisë dhe në një farë mënyre e ka futur në krizë edhe PD me krizën e tij. Në këto kushte, për të realizuar qëllimet e tij, Berisha duket se fare mirë mund të pranojë një kompromis të heshtur ose të hapur me Nanon. Por edhe në rastin më të keq mjafton sherri brenda PS për t’i krijuar Berishës hapësirë më të qetë veprimi.
Ndërkaq, sipas deklarimeve në shtyp të njërit prej mbështetësve të Nanos deputetit Balla, Nano duket se ka edhe një premtim të ri për të na ofruar, një Katarsis 2. Pas një viti agjërim duke patur parasysh më një anë se sa të shkurtër e kanë kujtesën shqiptarët, dhe, më anë tjetër, faktin se ata që ka rrotull janë të gjithë të korruptuar, duket se ai tenton sërisht të hedhë premtimin që e bëri më popullor se kurrë ndonjëherë në karrierën e tij kur shpalli fushatën për katarsis. Duke e hedhur të keqen tek Rama & Co, përkundrazi, ai shpreson të marrë edhe një herë në dorë flamurin e moralitetit në PS. Dhe ai di më mirë se kushdo ta ndalojë atë në momentin e duhur, pra deri atje sa të heqë qafe kundërshtarin siç bëri me Metën. Prej kohësh ai ka hedhur tezën se katarsisin nuk e vazhdoi dot për shkak të të tjerëve. Në këtë kontekst lëvizja e Nanos duket se është prap në kohën e duhur edhe duke patur parasysh se ai ka pritur sa të dikreditohet LSI në këtë aspekt, e cila nuk mund të luajë më rolin e partisë që u shkëput nga PS për shkak të luftës kundër korrupsionit që e identifikonte me Nanon dhe me Ramën e po ashtu duket se është vënë në një pozicion ku i bëhet e pamundur loja midis PD dhe PS.
Me një fjalë Nano si pokerist i vjetër që ka ditur ta luajë bllofin ndoshta më mirë se kushdo tjetër duket se i ka dalë ose bën sikur i ka dalë asi në dorë e po luan/bllofon përsëri. (Pa dyshim prapa ka interesa të prekura biznesmenësh e politikanësh e më the të thashë siç i ka pasur edhe në kohën e katarsisit 1). Në fakt askush nuk di të thotë me siguri nëse midis tij dhe Berishës ka ndonjë marrëveshje për president më 2007. Një dorë e shtrënguar diku në një festë midis tij dhe Berishës e shoqëruar me një batutë apo një rrugëtim sëbashku për në Bari, apo mbizotërimi në kulturën tonë politike të thënies “Armiku i armikut tim është miku im” janë, megjithatë, të mjaftueshëm për të luajtur lojën/bllofin. Askush nuk beson më se luftën kundër korrupsionit ai mund ta bëjë për katarsis, por ndërkaq mund të besohet fare mirë se ai mund ta bëjë atë - në petkun e një presidenti që nuk mbron të kapurin nga mafja, Sollaku, - për të pastruar disa kundërshtarë të tij që janë edhe të Berishës. Këto hamendje nuk mjaftojnë, sigurisht, për të krijuar sigurinë se Nano ka një as vërtet në dorë nëse dikush do t’i përgjigjej lojës/bllofit me kërkesën e hapjes së kartave, por ja që Nanon e kanë futur në lojë.
Këto janë disa komente të para që do të mund të bëheshin kësaj ngjarje të cilat në ditët në vazhdim pa dyshim kanë nevojë për thellim dhe zgjerim në ndjekje edhe të hapave të tjera që do të hedhë Nano. Por do të ishte të bije në gracën këtyre pokeristëve, që shpesh është edhe grackë e pokeristëve të shtypit shqiptar në tërësi, sikur në këto komente dhe analiza të para të mos shtroje edhe një pyetje tjetër që është edhe më e rëndësishmja për të mos thënë e para që duhet shtruar. Mirë se komentuam çfarë fiton e humbet Nano me këtë lëvizje, Berisha, Rama apo Meta & Co, po Shqipëria a fiton apo humbet nga kjo lëvizje dhe në ç’mënyrë ajo mund të fitojë e në ç’mënyrë mund të humbasë?
Nëse do të kërkojmë anën pozitive të kësaj lëvizjeje të Nanos duhet të aplikojmë shprehjen e një politikani të njohur gjerman i cili, duke folur për ndotjen gjatë nazizmit të figurave të ndryshme që drejtuan më pas Gjermaninë ka thënë: ”Nëse nuk ke ujë të pastër, uji i ndotur nuk hidhet” Në fakt historia e tranzicionit shqiptar është historia e rrethqarkullimit të një uji të ndotur për shkak të mungesës së ujit të pastër.
E si mund të hyjë në punë “uji i ndotur” Nano në këtë rast? Sipas meje ai mund të hyjë në punë ashtu sikurse hyri në punë “uji i ndotur” Meta para një viti për të ndërgjegjësuar Shqipërinë për rrugën e mbrapshtë ku ka hyrë përsa i përket kapjes së shtetin nga mafja. Sepse ndeshja e Nanos me Ramën sikurse pritet të ndodhë, e dialektika që ajo mund të prodhojë do të nxjerrë edhe më në pah nevojën për ndryshim të këtij sistemi të autoritarizmit mafjoz që kemi ndërtuar. Në fakt është folur shumë për katarsisin 1 të Nanos duke i përmendur vetëm anën negative: atë që Nano e la në mes ose më saktë e përdori si mjet për qëllime krejt të tjera nga pastrimi i vërtetë i partisë dhe i vendit nga të korruptuarit. Por nuk mund të mohojmë se, nga ana tjetër, katarsisi 1 i Nanos përbën edhe një moment të rëndësishëm në historinë e vendit pasi kritikat e hershme për “kleptokraci”, “shkërdhatokraci” që u pasuan me ato për ndërtim sistemi korrupsioni e kapje të shtetit nga majfa, që deri atëhere ishin kufizuar në kritikat e një numri gazetarësh, u artikuluan politikisht dhe, që prej atëhere, edhe kur i la Nano, i mori në dorë Berisha duke i bërë si prioritetin e prioriteteve të vendit. Me një fjalë Nano, pa dashjen e tij ose më saktë edhe kundër dashjes së tij solli atbotë edhe diçka pozitive.
Por nga ana tjetër “uji i ndotur” Nano i cili që nga koha e katarsisit e këtej ka vazhduar të ndotet gjithnjë e më shumë sëbashku me politikën shqiptare, duke rihyrë në politikë, do të përforconte të keqen më të madhe që ka sipas meje politika dhe politikanët në Shqipëri: mungesën totale të moralitetit e të besimit në qëllimet e tyre të mira. Berisha nëse do të pranonte që këtë bllof të Nanos ta shtynte deri në pranimin e tij si President do të fundoste çdo shpresë se në këtë vend do të ketë sadopak drejtësi. Çfarë depresioni!
E kështu, mungesa e ujit të pastër për shkak të një rine që korruptohet gjithnjë e më shpejt nga lakmia për tu bërë si etërit, shtron për të disatën herë një alternativë dramatike para së cilës ndodhen shqiptarët në raport me klasën e tyre politike. Më një anë kemi kërkesën aq të munguar për moralitet në politikë që s’ka si shprehet më bukur sesa me thënien romake “E mira qëndron në qëllimin e jo në mjetin”, sipas së cilës kur qëllimi është i keq veprat/mjete që mund të duken të mira (siç është psh. sot lufta kundër korrupsionit) nuk janë të mira, por i shërbejnë të keqes; si dhe atë tjetrën sipas së cilës “Rruga për në Parajsë kalon nëpërmjet Ferrit“ e cila nënkupton se shumë vepra e mjete edhe pse nisur nga qëllime të këqija mund të bëjnë mirë.
Mbetem i mendimit se vetëm forca e shumicës qytetare e frymëzuar nga ëndrra për një jetë me më shumë drejtësi, moralitet, demokraci dhe liri mund të imponojë zgjidhjen më të mirë në mes të kësaj alternative dramatike. Prandaj edhe Nanot edhe Berishët edhe Ramët e kushdo qoftë që aspiron të merret me politikë duket ta ndjejnë veten gjithnjë e më shumë në presionin e kësaj ëndrre qytetare, të shtërnguar gjithnjë e më fort të bëhen vetëm e vetëm mjete të saj. (Korrieri 7 shtator 2006)

No comments: