Friday, January 19, 2007

Dy modele të dështuar

Këto ditë shtypi shqiptar po zien lidhur me çështjen e një kompanie ajrore me emrin e një zogu që ca e njohin për ndjellakeq e ca për lartfluturues: Albatros. U botuan dy dokumente/akuzë. Njëri ishte zbardhja e një inçizimi të fshehtë që drejtuesit e kompanisë Albatros i kanë bërë drejtorit të Aviacionit Civil, ku del se midis zyrtarit dhe inçizuesve është bërë një si pazar që këta të ndërhyjnë te Moisiu që ky i fundit të firmosë shkarkimin e prokurorit Sollaku në këmbim të hapjes së kafazit për Albatrosin. Dokumenti tjetër është mbrojtja që drejtori ka menduar të paraqesë, edhe si justifikim i bisedës, duke botuar një dokument sipas të cilit del se nga zyrat e presidencës i është kërkuar të ndërhyet në mbrojtje të Albatrosit kundër një kompanie rivale, Bell Air. Me një fjalë Presidenti paska ndërhyrë për të mbrotjur bizneset e nipit të tij po te ky zyrtar ku ka shkuar pastaj i nipi me mikroçip përgjimi. Punë e ngatërruar shqiptarësh, me përgjime dhe letra që ruhen për momentin e duhur, me ndërhyrje, shantazhe. përzjerje të politikës me biznesin, e me rradhë.
Duke dashur t’i bësh një shkoklavitje kësaj ngatërrese të re mund të thuash dy gjëra pa patur frikë se gabon: Së pari shumica e shqiptarëve besojnë se Albatrosi ligjin e ka shkelur duke mos i paguar ato borxhe e për këtë (sikurse edhe për hapjen e biznesit) ka pasur edhe mbrojtje apo mbështetje politike. Së dyti, shumica nuk e ve në dyshim faktin se sikur kompania Albatros të mos kishte këtë lidhje me presidentin Moisiu dhe se ky, nga ana tjetër, të mos kishte bllokuar shkarkimin e Sollakut gjërat, pas shumë gjasash, nuk do të kishin shkuar kështu për këtë kompani.
Mbi këto dy fakte të pakundërshtueshme për shumicën komentet janë të ndryshme. Në tërësi do të vesh re se ato ndahen në dy linja kryesore: më një anë mbështetësit e Qeverisë e të Berishës dhe më anë tjetër kundërshtarët e tij mbështetës të opozitës. Mbështetësit e qeverisë e hapin debatin me shkeljen e ligjit dhe nevojën e zbatimit të ligjit duke treguar se Albatrosit, sipas ministrit Basha, pas disa paralajmërimesh i është ndaluar fluturimi për 900 mijë euro borxhe të papaguara ndër të cilat mbi 400 mijë shtetit dhe të tjerat TAP-it, shoqëria që po ndërton aeroportin e Rinasit. Kundërshtarët nuk i lenë të mbarojnë fjalën dhe hidhen e përmendin rastet ku qeveria ka mbyllur sytë, madje edhe ka favorizuar të tjerë shkelës, për të provuar se kemi të bëjmë me goditje selektive që bëhet për hesap të bërjes presion mbi presidentin. Në përgjithësi debatet ngecen këtu, por atje ku debatuesit janë më të sofistikuar do të shohësh se mbështetësit e qeverisë i kundërpërgjigjen akuzës për selektivitet duke thënë se shteti do dhe duhet të godasë atje ku ka rrezik më të madh e se nuk ka rrezik më të madh sesa kur krimi ekonomik ka mbështetjen e presidentit. A e kuptoni pse Presidenti nuk e heq Prokurorin? – thonë ata. Kurse kundërshtarët e Berishës ngulmojnë prap duke thënë se kemi një përdorim të ligjit për qëllime që janë larg moralitetit të ligjit, çka paraqet rrezikshmëri edhe për lirinë sepse edhe institucini i presidentit kështu rrezikon të humbasë lirinë. Mbështetësit e Berishës, ndërkaq, kundërpërgjigjen duke thënë se Presidenti nuk ka qenë i lirë sepse, sikurse dhe e provon ky rast, ka qenë i kapur nga krimi. Kundërshtarët thonë se për këtë mund të akuzohet edhe Berisha.
Prapa gjithë këtyre debateve do të vemë re se kjo ngjarje rihap për të shumtën herë një çështje që është kyçe në situatën politike aktuale sepse ka të bëjë me ballafaqimin e dy modeleve që kemi provuar deri më sot në menaxhimin e vendit nga ana e politikës.
Po të vesh re kundërshtarët e Berishës e ndalin arsyetimin deri tek akuzat për selektivitet për të provuar se Berisha po kërkon të na pushtojë institucionet (në këtë rast Presidencën e Prokurorinë) e pas kësaj liritë. Ata nuk merren fare me çështjen nëse është apo jo shkelës ligji nipi i presidentit, as nuk merren (fatkeqësisht edhe kur janë gazetarë) me faktin se shqiptarët e shkretë kanë fluturuar në këtë kompani me një avion të vetëm të cilit nuk i janë hapur rrotat në kohën e duhur nja dy herë. Ata nuk e shtrojnë fare çështjen se Presidentit edhe si baba i kombit, të paktën një gjë i takonte të theksonte e të kërkonte nga bijtë dhe nipërit e tij: që të ishin në rregull me ligjin e t’i paguanin borxhet një sahat e më parë. Nuk mundet një baba të justifikohet duke thënë se djali i tij nuk duhet të ndëshkohet meqënëse në këtë botë ka kaq shumë kriminelë. Le pastaj që këtë punën e përgjimit që ngjan edhe si provokim nëse e ka ditur ai duhet ta ndalonte me çdo kusht. Por mbi të gjitha aq më pak merren opozitarët me çështjen se çfarë na mbetet të bëjmë nëse nuk i ndëshkojmë shkelësit e kësaj kategorie? Ajo që na lenë ata të nënkuptojmë me formën e kundërshtimit të tyre që sheh vetëm gjysmën që u intereson është se duhet të kthehemi tek modeli qeverisës Nano – Meta – Rama - Gjinushi etj. që me një fjalë të vetme është quajtur i pandëshkueshmërisë ku ka mbizotëruar liria e të gjithëve për të shkelur ligjin dhe dallimet janë bërë vetëm duke përdorur pushtetin politik për të favorizuar klientelën kurse ndaj kundërshtarëve është përdorur blerja. Ndërkaq, në krahun tjetër na shfaqet një model (Berisha) që luftën kundër shkelësve e trumbeton si pjesë të një programi politik për të vendosur shtetin ligjor, që i kërkon me ngulm prokurorisë të veprojë, por që jep shenja të dukëshme se në morinë e shkelësve goditja do të bjerë mbi ata që janë kundërshtarë të pushtetit apo që sponsorizojnë opozitën për të rrëzuar këtë pushtet.
Nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me dy modele të këqinj, që janë vërtetuar të dy si të dështuar. Ai socialist sepse krijoi mbretërinë e një pandëshkueshmërie dhe imoraliteti të paparë, kurse ky i dyti të se mund të bëjë të ndjehet i kërcënuar nga goditja gjithsejcili që nuk pajtohet me politikën e partisë në pushtet e të lihen të lirë të tjerët që e mbështesin atë duke cënuar një nga të drejtat më themelore të njeriut: atë të barazisë përpara ligjit dhe pa e zhdukur, nga ana tjetër, korrupsionin.
Po a mund të dalim nga këta dy modele? Nëse gjërat do t’i shohim në mënyrë mekanike do të na duhej të thoshim se duhet të zgjedhim midis njërit dhe tjetrit model çka do të ishte, sipas gjykmit tim, njëlloj tragjike. Nëse do të niseshim nga ideali e do të kërkonim nga prokurori që të ngrihej në nivel të tillë pavarësie e neutraliteti e autoriteti saqë asnjë shkelës i ligjit të mos ndihej i sigurtë, qoftë mbështetës i njërës apo tjetrës parti, në pushtet qendror apo lokal, do të etiketoheshim si njerëz me këmbët në ajër jo në tokë.
E vetmja gjë që mbetet është pikërisht vështrimi i kësaj situate në dialektikën e vet. Pra kur përballë shkelësit të ligjit prokuroria të detyrohet të veprojë e kërkush të mos e mbrojë për sa kohë që provohet si i tillë, e kur, më anë tjetër, opozita të denoncojë me forcë selektivitetin si kërcënim duke kërkuar dënimin edhe të mbështetësve të Berishës që provohet se shkelin ligjin. Vetëm nëpërmjet kësaj dialektike mund të dilet ndoshta, them ndoshta dhe vetëm ndoshta, nga ky bllokim për të shkuar drejt një modeli të ri. Por kjo nënkupton, më së pari, ndërgjegjësimin e të dy palëve se dy modelet e tyre janë të dështuar dhe, mbi të gjitha, se nuk pranohen më nga shqiptarët. Mirëpo, ndërkaq, është e qartë se një klasë politike që i ka krijuar këta modele e ka dy herë të vështirë të dalë prej tyre jo vetëm pse ato janë pjesë e kulturës së saj, por edhe pse i duhet të përgjigjet për dëmet që ka sjellë – e kjo është vështirësia më e madhe. Por, nga ana tjetër, vetëm dialektika që përmenda më lart them se mund të sjellë, në proces, edhe lindjen e një klase me një ndërgjegjeje tjetër politike. (Korrieri, 14 shtator 2006)

No comments: