Monday, February 19, 2007

Fatkeqësisht reformimit i sistemit tonë mediatik nuk është prioritetet i politikës sonë

Si e vlerësoni lëvizjen e fundit në RTSH dhe si mendoni se mund të futet në konkurrencë ky ekran?

Nga sa mund të gjykoj nga tërë ecuria e politikës sonë, por edhe, veçanërisht, e procesit që vijoi pas marrëveshjes së fundgushtit lidhur me KDRTSH, çështja e reformimit të Televizionit Publik (preferoj ta quaj kështu) në kuadrin e reformimit të tërë sistemit tonë mediatik nuk është ndër shqetësimet apo prioritetet qoftë të mazhorancës qoftë të opozitës. Sot flitet gjithandej se pushteti i mediave është një pushtet në ekspansion dhe, duke qenë se është dhe po bëhet gjithnjë e më shumë i tillë, edhe ai ka nevojë të rregullohet e të kontrollohet nëpërmjet politikash të qarta e largpamëse. Tek ne ky pushtet është në duar pronarësh privatë të cilët nuk kanë asnjë mandat tjetër përveç parave të fituara, por ama kanë pushtet jashtzakonisht të madh. Nevoja e rregullimit konform ligjit të mediave dhe e kontrollimit të pushtetit të tyre është themelore sot për zhvillimin e një demokracie. Normalizimi i mediave do të normalizonte shumë edhe tërë vendin e, për mua, duhet të ishte ndër prioritetet e prioriteteve sepse do të thotë të normalizosh një pjesë të rëndësishme të ndërgjegjes dhe syrit të vendit. E në këtë kontekst mbetem i mendimit se Televizioni Publik do të duhej të ishte normalizuesi më i mirë i pushtetit mediatik në ekspansion të pakontrolluar që në shkrime të tjera e kam quajtur regjim mediatik. Prandaj, sipas meje, kjo nuk është thjesht çështje futjeje në konkurrencë, si të thuash komerciale, e Televizionit Publik me televizionet private. Përkundrazi sipas meje Televizioni Publik do të duhej të kthehej, ashtu siç është në të gjithë Evropën, në kryetelevizionin e vendit, në atë që përcakton standartet dhe etikën më të lartë, në televizionin që, kur kalon nëpër tërë kanalet me telekomandë, njihet menjëherë për cilësinë dhe seriozitetin e tij. Dhe kjo do të duhej të arrihej nëpërmjet një rritjeje të kredibilitetit dhe impaktit të kësaj mediaje publike, nëpërmjet trajtimit në atë ekran të shumë temave që në televizionet private nuk trajtohen apo keqtrajtohen, nëpërmjet sjelljes në ekranin publik të politikës dhe politikanëve (që kështu do të çliroheshin edhe nga akuza për lidhje e përdorime të tyre nga mediat private), nëpërmjet thithjes atje të gazetarëve më të njohur e më të mirë etj., etj..
Por, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, kjo nuk mund të bëhet pa një vullnet të fortë politik. Lëvizjet e fundit për të cilat më pyesni treguan mungesën e këtij vullneti dhe prirjen për ruajtjen e statukuosë. Unë psh. kam qenë kundër idesë së vendosjes së një menaxheri në krye të Televizionit Publik sepse për reformën që mendoj se duhej bërë atje do të duhej të ishte një figurë me përmasa politike. A do të mund ta zëvendësojë Këshilli Drejtues këtë autoritet që nuk e gjej sa duhet tek figura e drejtorit aktual? Nuk dua ta paragjykoj. Aq më tepër duke patur parasush se ikja ime prej atij Këshilli nuk më le shumë të drejtë të flas. Por e përsëris edhe një herë se kushdo qoftë atje dhe sado i madh qoftë vullneti i tij nuk do të mund të realizojë atë që duhet bërë pa një mbështetje të fuqishme, pa një projekt politik ndryshe. Dhe e mira do të ishte që ky projekt të mbështetej nga të dy krahët e politikës. Kurse politika jonë është jashtzakonisht reaksionare ndaj këtyre ndryshimeve. Arësyeja kryesore është se ajo jeton me konfliktualitetin dhe përjashtimin apo dobësimin e kundërshtarit, çka nuk e lejon të bashkëpunojë për të ndërtuar. Një arësye tjetër, jo më e parëndësishme, është se politika jonë në tërësi mbështetet dhe përfaqëson interesat që qëndrojnë pas mediave private. Në këtë kushte nuk jam opitimist për ndryshime të rëndësishme në Televizionin Publik dhe sistemin e mediave në tërësi. Por ruaj besimin se dikur do të dalë një forcë politike që do ta kuptojë më në fund nevojën për këtë ndryshim themelor.


Si e mendoni qeverisjan e re të Berishës pas zgjedhjeve një arnim të PDK apo do të reflektojë edhe probleme e korrigjime të tjera.

Mendoj se një përgjigje më e saktë për këtë pyetje do të mund të jepej pas zgjedhjeve. Marrëveshja me PDK nga sa duket nuk është një marrëveshje që ka lidhje me përmirësimin e qeverisjes, por është një marrëveshje që lidhet me ekuilibret brenda koalicionit. Berisha e të tijtë e bënë atë për të siguruar prapavijat në prag të zgjedhjeve nga ndonjë subversion i demokristianëve. E bënë për të shkuar pra të qetë ose më të qetë në zgjedhje, por, sipas meje, edhe duke thelluar më tej mosbesimin e publikut tek sinqeriteti, ndershmëria dhe transparenca e politikës sonë.
Kurse çështja se sa e si do të ndryshohet qeveria pas zgjedhjeve do të kushtëzohet para së gjithash nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. të cilat do të jenë, pa dyshim, edhe një provë e kësaj qeverie se sa ajo i është përgjigjur pritshmërive të elektortit dhe sa e ka zhgënjyer atë. Të them të drejtën nuk jam në gjendje ta përcaktoj këtë. Për fat të keq ne nuk kemi, siç ka kudo në botë, organizma të pavarur që bëjnë sondazhe të besueshme, nuk kemi as media që të bëjnë vlerësime që të reflektojnë me besnikëri opinionin publik. Në këto kushte mbetet që zgjedhjet të tregojnë diçka për vlerësimin e qeverisë. Por jo gjithshka, sepse ato do të jenë njëkohësisht edhe një provë për opozitën, se sa publiku i ka aprovuar politikat që ka bërë opozita gjatë këtij viti, se sa i kënaqur është publiku për mënyrën se si po reformohet apo jo opozita. Pa harruar, megjithatë, se një pjesë e rezultatit do të reflektojë edhe gjykimin e publikut mbi pushtetet lokale se sa ata kanë punuar mirë e sa keq dhe se sa figurat e zgjedhura për kandidatë do të ofrojnë diçka për më mirë.
Gjithsesi një rezultat pozitiv për PD në zgjedhje do të diktonte më pak ndryshime kurse një rezultat negativ pa dyshim do të diktonte më shumë ndryshme. Por, nga ana tjetër, pas një viti e disa muaj punë kryministri dhe kryesia e PD besoj se duhet të kenë arritur edhe në disa përfundime për sektorë të ndryshëm të qeverisjes, për nevoja pra për ndryshim, për më tepër inisiativë, për më tepër profesionalizëm për më tepër efikasitet. Sipas meje, në këtë kontekst nevoja e ndryshimeve në disa sektorë është evidente. Por nga ana tjetër edhe shumë ndryshime nuk më duket se do të jepnin një sinjal të mirë për stabilitetin e qeverisjes dhe besimin e saj te vetja. Nuk duhet të neglizhomë këtu edhe karakterin e kryeministrit i cili tashmë e ka bërë edhe më të qartë se ekipi me të cilin ai ndjehet mirë në punë është një ekip që i njeh atij të drejtën e fjalës së parë dhe të fundit. Prandaj, sipas mendimit tim, zgjidhja optimale do të ishte që pikërisht ato vende që kanë punuar dobët të zëvendësohen me kandidatët e propozuar nga PDK të cilët, edhe ata, do të duhet të përzgjidhen me kujdes dhe përgjegjshmëri të madhe.


Keni qenë këto ditë në një takim në Romë me temë Mesdheun dhe lidhjet ndërmesdhetare me titull “Medlink”. A mund të na sillni diçka nga ai takim?

A ekziston një hapësirë mesdhetare apo nuk ekziston? A është kjo një hapësirë thjesht gjeografike, historike, kulturore, ekonomike apo të gjitha këto njëkohësisht? Nëse nuk ekziston a duhet të ndërtojmë një hapësirë euromesdhetare ku të forcohen lidhjet ekonomike, kulturore, politike në emër të paqes dhe të drejtave e njeriut? Si mund të lidhet kjo hapësirë me hapësirën evropiane, arabe, afrikane, ballkanike etj? Në mes të kontradiktave të vjetra e të reja që ka sjellë globalizimi a mundet Mesdheu të bëhet një hapësirë ku subjektivitete të ndryshme politike të mund të ndërtojnë një tjetër histori? Këto ishin disa nga pikëpyetjet që u ngritën në një takim mbi 100 përfaqësuesish nga të gjithë vendet që lagen nga Mesdheu, një det ky që përshkohet nga mijëra e mijëra anije nga miliona turistë, por ku edhe mbyten 2000 vetë në vit që tentojnë ta përshkojnë për të mbrritur në Perëndim.
Tek ne tema e përkatësisë sonë mesdhetare nuk preket thuajse fare, por fakti që në takim janë ftuar edhe shqiptarë sikur na kujton se jemi edhe ne një vend mesdhetar. Për ne ekziston Evropa që ndahet në atë perëndimoren, qendroren, lindoren apo dhe kategori të tjera siç është edhe Ballkani; ekziston Afrika e Veriut, Lindja e Mesme, Lindja e Afërme, por nuk ka një Mesdhe. Kështu është edhe për shumë të tjerë. Përse ndodh kjo. Arësyet janë historike dhe politike, pjesërisht të përbashkëta e pjesërisht jo, por cilido që do të diskutojë për Mesdheun do të bjerë në këtë handikap real dhe konceptual. Për mua pyetja që mund të shtrohet është: pse nuk ekziston një hapësirë mesdhetare ndërkohë që kemi aq shumë gjëra që na bashkojnë? Çështja në thelb ka të bëjë me atë se në rrethana të caktuara historike mbizotërojnë gjërat që na bashkojnë dhe në rrethana të tjera mbizotërojnë gjërat që na ndajnë. Sipas meje ne kemi disa arësye të forta historike që kanë ndikuar që gjatë shekullit XX të mbizotërojnë gjërat që na kanë ndarë nga zona pjesa mesdhetare ku janë brigjet e Turqisë, Greqisë, Egjyptit etj.. Ne kemi pësuar dy ndarje të forta ideologjike nga ajo që mund ta quajmë hapësira në jug dhe lindje të Mesdheut. Ndarja e parë lidhet me ngjizjen e nacionalizmit tonë që u krye fort nën shtysën e nevojës së ndarjes nga perandoria otomane me të cilën kemi bërë pjesë dhe si të thuash kemi ndarë një goxha pjesë të hapësirës mesdhetare. Por sëbashku me këtë nacionalizmi ynë kishte edhe një frymë të fortë antigreke dhe antijugosllave, kështu që edhe brigje të tjerë në vend se të jenë brigje bashkues u bënë ndarëse. Ndarja më e madhe është ajo në ndërgjegje. Ne kemi pasur pra nevojën ideologjike që të lemë në harresë shumëçka që na lidh historikisht e kulturalisht me shumë vende të Mesdheut. Edhe procesi i pastrimit të gjuhës nga turqizmat ka qenë pjesë e këtij procesi. Ne na ka mbetur vetëm Italia për një kohë si vend Mesdhetar i dashur sëbashku me Francën dhe Spanjën, por të mos harrojmë se edhe prej tyre na ndau një tjetër ideologji, ajo komuniste. Mos të harrojmë se Komunizmi ka qenë një ndarës radikal nga historia dhe kultura e përbashkët sepse ai pretendonte të ndërtonte një botë ndryshe nga e kaluara ku kishte mbetur pjesa tjetër e botës.
Ndërkaq, çfarë po ndodh sot në kohën e hapjes dhe të globalizimit? Tek ne mbetet e fortë ëndrra perëndimoriste e kthyer në kult verbues. Për tu pranuar nga Evropa ne na duket se duhet të vazhdojmë të harrojmë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë. Pra nëse me syzat nacionaliste kemi harruar shumëçka që na ka lidhur me shumë vende të Mesdheut, dhe me syzat komuniste e kemi reduktruar edhe më shikimin, me syzat e sotme, që mund t’i quaja të një elite fondamentaliste të modernitetit dhe perëndimorizimit, kemi zgjedhur të shohim vetëm në një drejtim duke e vazhduar njëfarësoj një tendencë që na pengon të rritemi normalisht në brigjet e Mesdheut, veçanërisht të injorojmë Turqinë me të cilën shqiptarët kanë një histori që, po të heqin syzet e nacionalizmit, do tu rezultojë si një burim tejet i rëndësishëm për të ndërtuar një të ardhme më të bukur mesdhetare.
Ndërkaq në Perëndim ka një numër shumë të madh pjesëtarësh të shoqërisë civile që kërkojnë të ndërtojnë një hapësirë euromesdhetare ku të forcohen lidhjet ekonomike, kulturore, politike në emër të paqes dhe të drejtave e njeriut, kundër homogjenizimit kulturor, kundër luftës e neokolonializmit, kundër konsumizmit të shfrenuar. I tillë ishte edhe takimi i Romës i organizuar nga “Ponte per” ku unë gjeta shumë ide që i ndaj e që besoj se duhet të bëhen pjesë edhe e ndërgjegjes sonë. (Rubrika Përpjekja, Standart, 25 Nëntor 2006)

No comments: