Monday, February 19, 2007

Fëmijët që shesin Orbit

Kisha lënë një takim tek kafe bar Piazza me dy të njohura të huaja, që punojnë me shoqërinë tonë civile. Kur dola atje ato ende nuk kishin mbrritur, por më morën në telefon dhe më thanë se për pesë minuta do të ishin në vendtakim. Mirëpo u bënë dhjetë minuta, çerek ore dhe ende nuk po i shihja të mbrrinin. Më në fund i mora në celular. Nga ana tjetër e satelitit erdhi një zë i nervozuar që më tha: “Këtu jemi, por nuk mund të vijmë se na kanë sulmuar këta banditët e vegjël dhe nuk na lenë të lëvizim.”
“Ç’janë këta banditë?” i pyeta.
“Janë ata që shesin Orbit këtu ku parkojnë makinat tek Piazza.”
U ngrita e shkova të shihja ç’po ndodhte. Si ka mundësi që nuk i lënë të lëvizin, thashë me vete. Kur u afrova pashë nja katër e pesë adoleshentë me ato kutitë me çëmçakiza në duar që u silleshin rrotull ndërkohë që ato u thonin “Jo, jo, jo, nuk blejmë më”. Ishin ata çunat që pasi të tregojnë një vend parkimi të lirë kërkojnë, si shpërblim, tu blesh një kuti çëmçakizi. E pata të vështirë të kuptoj pse ato nuk iknin e t’i linin çunat aty, por shpejt e shpejt ma shpjeguan shkakun. Duke i parë se ishin të huaja, sapo kishin parkuar dhe hapur dyert, ata u ishin vërsuluar e u kishin hedhur nja tre katër kuti çëmçakizi brenda në makinë dhe tani nuk i linin të largoheshin sepse donin lekët e çëmçakizave që ato i kishin në makinë. Shkurt kishim të bënim me një imponim blerjeje dhe ato të dyja, edhe si reagim ndaj këtyre mënyrave edhe pse ua kishin blerë tashmë një kuti çëmçakizi, nuk pranonin të jepnin më lekë.
“Vendin e parkimit ia tregova unë, ajo ia dha lekët e Orbitit këtij.” - bërtiste njëri.
“Jo, jo ia tregova unë.” ia kthente tjetri.
Hapëm makinën, morëm kutitë e Orbitit, ua kthyem, dhe u thamë të largoheshin. Por asnjëri nuk i merrte kutitë se donte lekët me pretendimin se ato ia kishin dhënë lekët atij që nuk kishte dhënë Orbit.
Tentova me të mirë tu them se nuk duhet t’i sulmonin njerëzit kështu se kjo ishte e bezdishme. Por përgjigjet që vinin njëra pas tjetrës me një kakofoni nervshkatërruese qenë: “Kam gjithë ditën mor xhaxh këtu, nuk kam shit agjë.” “Vendin e makinës ia tregova unë.” “Orbitin duhet të ma blenin mua!”.
U ndjeva keq përpara atyre të dyjave. Të nisesh për të pirë një kafe e të priteshe kështu mu në mes të Tiranës ishte jashte mendjes. Çunat nuk na ndaheshin. Lekë nuk doja t’u jepja. Pashë ç’pashë e thashë ta kthej regjistrin në gjuhën e kërcënimit:
“Do t’ju denoncoj në polici dhe do t’ju heqin që këtej.” – u thashë.
Ma ktheu ai më i madhi: “Kot e ke se gjithnjë e më shumë do të bëhemi. Kanë provuar edhe të tjerë të na heqin e s’ia kanë dalë dot.” Foli me një siguri dhe një ton prej të rrituri që më befasoi veçanërisht pasi mu duk se kishte ndërgjegjen e shtresës së cilës i përkiste.
Më në fund, ndërkaq, arritëm të shkëputeshim prej tyre edhe me ndërhyrjen e rojes së Piazzas e shkuam të ulemi për të pirë kafen tonë. Por u shkëputëm duke marrë me vete një pyetje jo të lehtë që ngrihet përpara të ardhmes: çfarë do të bëhet me këta fëmijë pas disa vjetësh, kur ata nuk do të mund më të dalin në rrugë e të shesin Orbit: do të përkthehet nevoja, energjia dhe agresiviteti i tyre në një lëvizje sociale, apo do të rekrutohen në kontigjentetet e krimit?
(Korrieri, 23 nëntor 2006)

No comments: