Monday, February 19, 2007

Karizma e Selamit

Është interesante të analizohet mënyra se si u prit në Shqipëri ardhja për vizitë private nga SHBA e ish kryetarit të PD Eduart Selami. Po të gërmojmë pak më thellë mënyrës sipërfaqësore dhe në kërkim të skupit, me të cilën e mbuloi shypi dhe media jonë elektronike vizitën e tij, do të zbulojmë një nënshtresë sa psikologjike aq edhe shoqërore, kulturore e politike që flet jo pak për periudhën që po përjetojmë.
Vendosja e lajmit të ardhjes së tij në faqe të parë, zhurma mbi takimet me protagonistë të jetës sonë politike e kulturore, zërat për bisedime sekrete midis tij dhe Berishës, idetë se ai mund të propozohet për poste të rëndësishme deri edhe atë të presidentit qenë shumë herë më të forta sesa deklarata e tij se kishte ardhur këtu për një vizitë private. Dukej sikur askush nuk donte ta besonte këtë, as vetë Selami që e thoshte. Pse kështu?
Ata që i kanë ndjekur hap pas hapi këta 15 vjet tranzicion e kujtojnë ikjen e Selamit më 1995 të lidhur me humbjen e Berishës në Referendumin në fund të vitit 1994. Ishte një periudhë kur figura e Presidentit Berisha i cili, de facto, ishte edhe kryetar i PD, kishte humbur shumë kredibilitetin për shkak të rritjes së autoritarizmit dhe arrogancës së tij. Për shumicën që i ishin kundërvënë këtij autoritarizmi në rritje të Berishës që në vitin 1992 largimi i Selamit më 1995 ishte i vonuar. Ai kishte tre vjet që akuzohej të paktën për mungesë kurajoje për t’iu kundërvënë prirjeve të Berishës. Kishte krijuar figurën e “djalit të mirë”, por që po bëhej “djalë i keq” mu për shkak të mungesës së kurajos dhe personalitetit të mjaftueshëm për t’iu kundërvënë gabimeve të numrit 1. Nuk është për tu neglizhuar edhe hipoteza sipas së cilës ishin të huajt ata që e shtynë t’i bënte ato akte kundërshtimi që sollën, më në fund, edhe largimin e tij. Në një farë kuptimi, pra, Selami mund të konsiderohet edhe një politikan i dështuar që nuk ka mundur të bëjë atë që duhet të bënte në momentin kur kishte më shumë mundësi ta bënte, por që, nga ana tjetër, diti të largohet pa marrë mbi shpinë mëkatet e viteve 1996 – 1997 që e damkosën PD dhe Berishën për një kohë të gjatë si përfaqësues të së kundërtës së idealeve mbi bazën e të cilëve ishte ngjizur PD-ja në krye të herës.
Megjithatë figura e Selamit nuk ka reshtur së u evokuari në shtypin tonë të shkruar, veçanërisht, por edhe në median elektronike, duke krijuar një karizëm të veçantë. Besoj se kjo karizëm ka disa arësye që nuk lidhen thjesht me personin dhe postin që ka patur Selami, por me diçka shumë më të rëndësishme për tu analizuar. Nevoja për kthimin e Selamit, nëse mund ta quaj kështu karizmën e tij, lidhet me një nevojë tonën të munguar apo të humbur prej vitesh: me nevojën e ringjalljes së shpresës e besimit tek politika, e, më në përgjithësi, në nevojën për të shpresuar e besuar në të ardhmen tonë.
Edhe para disa vjetësh, kur PD, pas vetizolimit e agresivitetit iracional të viteve të para të humbjes së pushtetit, filloi të synonte të hapej, figura e Selamit u evokua si një nevojë për normalizim të PD, si një provë edhe për Berishën që ky të tregonte se kishte ndryshuar, se tashmë ishte i gatshëm të ulej e të dialogonte me ata që i kishte përjashtuar me agresivitet në krye të herës. E ky kthim i Selamit në këtë kontekst interpretohej edhe si shpresë e kthimit në kohën e artë të fillimit të lëvizjes demokratike, si një rigjetje e PD së, si një rifillim nga rruga e drejtë e realizimit të idealeve demokratike. Në fakt ky kthim intelektualësh ka ndodhur për një pjesë të nismëtarëve të PD, por pa prodhuar, fatkeqësisht, mrekullinë e asaj kohe. Sipas meje pak gjë do të ndryshonte nëse do të kthehej edhe Selami, jo për faj të tij, por sepse, për njëmijë arësye që lidhen me zhvillimet e mbrapshta të këtyre 15 vjetëve edhe të personave nismëtarë të lëvizjes demokratike, por edhe për faktin se midis ëndrrës dhe realitetit ka gjithmonë një hendek të pakalueshëm, kemi të bëjmë me një shpresë të humbur, që nuk mund të ringjallet nëpërmjet thirrjes në skenë të ndonjë a më shumë personave që na kujtojnë atë kohë shpresash të mëdha.
Por karizma e Selamit, ndryshe nga karizmat e zvetënuara të Pashkos, Rulit, Imamit etj., reziston në media pasi ai, ndryshe nga këta, ka edhe një element tjetër që e mban në këmbë si mit: ardhjen e tij nga jashtë shtetit, madje nga SHBA. Ka një thënie sipas së cilës nuk ka profet në shtëpinë e vet. Profeti dhe shpëtimtari duhet të vijnë nga jashtë. Askush nuk i beson ata që janë brenda, për arësye të mira ose të keqija. Por besimi tek një shpëtimtar që vjen nga jashtë tregon edhe ai për një shoqëri që ende është në një stad foshnjor. Në të njëjtën mënyrë foshnjore është trajtuar edhe i biri i mbretit Zog, Leka në Shqipëri. Edhe ai është pritur e duartrokitur më kot si shpëtimtar.
Nevoja për të rigjetur shpresën e humbur është një gjë e natyrshme, por pikërisht mënyra naive dhe foshnjore se si shprehet kjo nevojë, tregon se kemi ende rrugë përpara për të të gjeyur mënyrën e vërtetë të realizimit të kësaj nevoje. Një popull që nuk ka kuptuar se shpëtimi nuk mund t’i vijë as nga jashtë dhe as nga ndonjë i huaj as nga ndonjë individ nuk ka kuptuar ende se ç’është demokracia sepse nuk ka kuptuar që, në fakt, ajo është pushteti i tij, çka do të thotë, gjithashtu, që ky popull duhet të marrë edhe përgjegjësitë e veta mbi shpatulla për ndryshimin e gjendjes së tij. (Korrieri, 28 nëntor 2006)

No comments: